Kumbaro: UNESCO heq nga lista e Trashëgimisë Botërore në rrezik, Beratin e Gjirokastrën

483
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se Komitetii i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, pasi vlerësoi progresin e arritur në menaxhimin e sitit të Gjirokastrës dhe Beratit gjatë dy viteve të fundit, vendosi në mënyrë unanime që kjo pasuri nuk do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. 
“Sesioni i 39 i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s zhvillohet në Bon, Gjermani në datat 28 Qershor – 8 Korrik. Komiteti kryesohet nga Prof. Maria Böhmer, Ministre e Shtetit e Republikës Federale të Gjermanisë për çështjet e kulturës dhe të edukimit. Gjatë këtij sesioni Komiteti i Trashëgimisë Botërore diskutoi Raportin e fundit të Gjendjes së Konservimit (SoC) të Qendrave Historike të Gjirokastrës dhe Beratit (site të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unescos), paraqitur nga Shteti Shqiptar në Shkurt 2015”. Ky tip raporti ndryshe nga raportet periodike është pjesë e bashkëpunimit ad hoc që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të kulturës zhvillon me UNESCO-n që nga vjeshta 2013 për shkak të gjendjes së degraduar të monumenteve në vitet e shkuara. Duhet të theksojmë se sidomos vitet 2011, 2012-2013 janë vite të rënduara të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me UNESCO-n, pasi misionet speciale të monitorimit kanë prodhuar raporte emergjence pas vizitave dhe informacioneve të gjendjes së Qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit”, u shpreh ministrja.
Ministrja Kumbaro citoi raportin e posaçëm të vitit 2013, ku thuhet se, “Qendra e Trashëgimisë Botërore konsideroi se përmasat e ndërtimeve pa leje në këto dy qytete janë alarmante dhe konstatoi se nuk ka asnjë plan veprimi nga Shteti palë për ta ndaluar këtë dëmtim. Po ashtu trashëgimia kulturore ishte në situatë shumë të vështirë dhe kishte pësuar degradim për shkak të punimeve të ndërtesave ilegale dhe të mungesës së masave për t’i trajtuar këto dhunime. Në të njëjtën periudhë, Qendra e Trashëgimisë Botërore paraqiti ankesa për moskomunikim nga ana e shtetit shqiptar me UNESCO-n çka rëndoi dhe marrëdhëniet me këtë organizatë kaq të rëndësishme për Kulturën dhe arsimimin e shteteve anëtare. Për këto arsye, dy qendrat historike ishin vendosur në monitorim të rreptë me paralajmërimin për t’u përfshirë në listën e siteve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore. 
Ministria e Kulturës, që ditën e parë të funksionimit të saj, e ka konsideruar si një prioritet absolut reformën e plotë në trashëgimi dhe në sistemin e menaxhimit të saj, si dhe rishikimin dhe rindërtimin e marrëdhënieve me UNESCO-n në shërbim të mbrojtjes, njohjes dhe promovimit të vlerave jo vetëm të 2 qyteteve pjesë e trashëgimisë botërore por të të gjithë trashëgimisë tonë kulturore. Komunikimi i rregullt dhe raportimi sipas të gjitha standardeve, i punës së kryer çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, me monumentet, me restaurimet, me ndërhyrjen në monumente me operacione shpëtimi sipas një liste prioritare, rindërtimi i inventarit të monumenteve, i papërditësuar që prej 25 vitesh, këshillimi me UNESCO-n për çdo hap të hedhur, dhe sidomos moratoriumi i tetorit 2013 për të pezulluar lejet zhvillimore në zonat e trashëgimisë, shënoi një ngjitje në shkallën e vlerësimit nga ana e UNESCO-s në vitin 2014. Raporti i fundit paraqitur nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve, në shkurt të 2015 u bë objekt shqyrtimi i sesonit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që po zhvillohet në Bon”.
Komiteti, pasi vlerësoi progresin e arritur në menaxhimin e sitit të Gjirokastrës dhe Beratit gjatë dy viteve të fundit, vendosi në mënyrë unanime që kjo pasuri nuk do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Rezoluta e miratuar vlerëson ecurinë në reforma dhe masat e marra nga qeveria shqiptare për ndalimin e ndërtimeve të paligjshme dhe zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe Misionit Monitorues të ICOMOS në 2012, në reformat e kryera në menaxhimin e trashëgimisë. Po kështu, Rezoluta i kërkon qeverisë shqiptare: të miratojë dhe zbatojë sa më parë Projekt Ligjin për Trashëgiminë Kulturore si dhe Rregulloren e Re të Administrimit dhe Menaxhimit të Qendrës Historike të Gjirokastrës; të zbatojë rekomandimet për mbrojtjen e Vlerës Universale së Jashtëzakonshme (OUV) të Gjirokastrës dhe Beratit; të bashkërendojë Strategjinë për Zhvillimin e Turizmit me Planin e Menaxhimit të qendrave historike të Gjirokastrës e Beratit. Në përgjigje të kësaj Rezolute, Kumbaro theksoi se, “Projekt-ligji për Trashëgiminë kulturore për të cilin Ministria e Kultures po punon qysh prej me shumë se një viti, do të paraqitet brenda korrikut në qeveri”.
Sigal