Kumbara e Ministres së Kulturës në skandalin e “Shtëpisë me gjethe”

578
Ashtu si edhe në skandalin e denoncuar nga mediat vizive dhe të shkruara për realizimin e projektit në kuadër të 70 – vjetorit të çlirimit të atdheut, të titulluar “Bunk’Art”, që kushtoi rreth 170 milionë lekë dhe që iu dhanë pa tender një firme pranë qeverisë aktuale, edhe në përurimin e çeljes së objektit “Shtëpia me gjethe”, të gjitha veprimet janë bërë në fshehtësi të plotë. Natyrisht se ka një vendim të Këshillit të Ministrave që godina, ish pronë e Shërbimit Informativ të Shtetit të drejtuar nga Visho Ajazi, të kalonte në dispozicion të Ministrisë së Kulturës të drejtuar nga Ministrja Mirela Kumbaro, por më pas nuk dihet asgjë për njoftimin publik të projektit, për pjesëmarrjen e subjekteve në të, për shumat e vëna në dispozicion dhe për krejt procedurën ligjore që ndiqet në këso rastesh. Vendimi i Këshillit të Ministrave në formë të shkurtuar është si më poshtë:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, ‘Për pronat e paluajtshme të shtetit’, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave vendosi; Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Shërbimi Informativ i Shtetit te Ministria e Kulturës, të pronës së paluajtshme shtetërore, me emërtimin Objekti ‘Gjethi’, adresa: rruga ‘4 Shkurti’, Tiranë, ndodhur në zonën kadastrale 8380, me sipërfaqe të përgjithshme 1 667,06 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 513,66 m2”.
Të dhënat rreth këtij projekti nuk gjenden as në sajtin zyrtar të Këshillit të Ministrave, në atë të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe as në atë të Ministrisë së Kulturës. Ndërsa në ditën e përurimit të këtij muzeu ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi, ambasadorë të vendeve të ndryshme në Shqipëri, historianë dhe kontributorë në materializimin e kësaj ideje. Nga kjo ceremoni mësohet se një prej organizatorëve të këtij projektit është shkrimtari Bashkim Shehu, por nuk dihet asgjë se cili ka qenë projekti i tij dhe sa ka qenë shuma që ka marrë nga Ministrja Kumbaro.
Vendndodhja e muzeut “Shtëpia e Gjetheve”
Muzeu “Shtëpia e Gjetheve” gjendet në qendër të Tiranës, në anën e kundërt të Katedrales Orthodokse. Transferimi i kësaj shtëpie përgjimi tashme në muze është kryer në një sekret total nga Ministria e Kultures, akoma nuk dihet as kuratori, as buxheti që është vënë në dispozicion, madje edhe dekoruesit e murit e mbajne gojën kyçur si dikur, ne diktaturë. Kalimtarët janë të kureshtuar teksa shohin realizuesit të vizatojnë murin. Brezi i ri nuk ia ka idenë e ndërtesës se përse ka shërbyer gjatë komunizmit.
Ndërsa ato të cilët e kanë vuajtur në kurriz e quajnë shtëpia e zezë. Atë cfarë mundëm të mësonim përmes punonjësve është se asgjë nuk ka ndryshuar në godinë as brenda as jashtë. Dhe se në qendër të kësaj ideje të muzeut është shfaqja në formën e kontrollit totalitar dhe kudondodhjes së tij në një formë origjinale, nëpërmjet përgjimeve dhe spiunimeve elektronike nga vendi ku ato kryheshin e kjo vihet re që në murin e jashtëm ku vrimat simbolizojnë përgjimin. Ndërsa thuhet se gjuha e muzeut do të jetë multimediale me një theks të fortë tek autentikja: në pjesën e brendshme do të ekspozohen edhe objekte origjinale të përdorura në shtëpi, në video, në dokumenta arkivorë, në grafikë të dhënash, në tekste shpjeguese. Kjo banesë është ndërtuar në vitin 1931 dhe fillimisht ka shërbyer si një klinikë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman dhe gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950, ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të ish Sigurimit të Shtetit.
Përshëndetja e Ministres Kumbaro në përurimin e muzeut
Sot kemi vullnetin t’i hapim dosjet e gurta, edhe ato për letra, shtëpitë e mistershme dhe misteret e kyçura nëpër bunker e tunele. S’kemi gjë për të fshehur. Ato do të hapen. Sepse duhet të mos harrojmë, sepse duhet të mësojmë, sepse duhet t’i tregojmë, duhet të edukojmë dhe duhet ta shohim me historinë tonë jo të zakonshme. Prandaj, hapësirat tabu duam t’i hapim, ndërtesat e harruara e të rrënuara po i rikonceptojmë dhe është kjo pjesë e strategjisë tonë muzeale, kreative, turistike dhe edukative.
Përshëndetja e Bashkim Shehut, një prej bashkautorëve të projektit
Ndërsa Bashkim Shehu, një ndër bashkautorët, duke shpjeguar konceptin e muzeut, theksoi se në tërësi, për fenomenin e përgjimeve ideja është të vendoset në dy aspekte, si pjesë e kontrollit totalitar dhe të rezultateve të përgjimeve. Gjithashtu Shehu pati edhe një apel për politikën, për të mos e përdorur dhe instrumentalizuar këtë muze për qëllimet e politikës së ditës.
Sigal