Kujtime nga Gaqo Veshi: E mira Sadije “Nuk priti edhe pak”

582
Sigal

Në një nga krijimet e mëdha poetike, miku im i madh, i paharruari, Dritëro Agolli, i  porosit miqtë e tij:

“Po kur të jesh i mërzitur shumë,

Në raft të librave kërkomë,

Atje do jem i fshehur unë.

Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.”

Dhe në atë raft të madh me libra të shumta, nuk do të gjesh të “fshehur”, jo vetëm mikun tim, të Madhin Dritëro, por  edhe redaktoren e shquar të shumë librave të tij, të mirën Sadije, bashkëshorten e tij të dhembshur e besnike, që për gjysmë shekulli s’iu nda në të mira, në rini e pleqëri, edhe kur Poetin e shkrimtarin e madh e mori me sy të keq shëndeti. Është kjo redaktore e shquar e cilësore, që ka redaktuar e shkuar në duart e saj mijëra faqe të krijimtarisë së tij, duke filluar me romanin “Arka e djallit”,  librin me aforizma “Nullo Dies Sine Linea”, romanin “Kalorësi lakuriq” Librin “Po vjen njeriu i çuditshëm”. Librin me poezitë e fundit “Prit edhe pak” Librin e përbashkët me Dritëronë “Dashuria në moshën e Ktishtit” si dhe librin me letërkëmbime në shtyp ndërmjet Bamkë Çomagës (Dritëro Agolli) dhe Hyskë Borobojkës (Gaqo Veshi) “Tre qeshin një inatoset”.

Në miqësinë shumëvjeçare më të Madhin Dritëro, nuk mund të mbetej jashtë saj edhe e mira, zemërarta, mikpritësja e rrallë Sadija (Lulushja e Bamkës) Sa herë që vajza e çiftit Agolli, e mrekullueshmja Elona, boton në mënyrë të shkëlqyer veprat e të Madhit Dritëro, e mira Sadije do m’i dhuronte me dedikim, duke shkruar në faqen e parë të tyre:

Gaqos-Hyskë Borobojkës, mikut të përbashkët dhe më të vjetër të Dritëroit, këtë dhuratë, libër për- me gjithë ato kujtime, që i lidhi bashkë për gjithë jetën dhe që do të jetojë, shpresoj, edhe pas ikjes nga kjo botë. Le të jetë kjo miqësi dhe bashkëpunim trashëgimi më i pasur për fëmijët, nipërit dhe mbesat.

Me dashuri Lulushja e Dritëroit

 

Në  librin me poezi “Prit edhe pak” që më dhuroi do shkruante: “Gaqos, mikut tonë të përbashkët të çdo kohe, librin e fundit me poezi të Dritëroit, të cilin e  punuam me shumë nostalgji, pasi e parandienim përfundimin. Dritëroi  recitonte bukur dhe me zë të lartë.

Me shumë dashuri

Sadija e Dritëroit”

 

Ndërsa në librin e përbashkët: Dritëro Sadije Agolli “Dashuri në moshën e Krishtit” në faqen e parë të tij, do më shkruante:

“Gaqos, mikut dhe shokut më të vjetër të Dritëroit, po i dhuroj këtë libër me shumë dashuri dhe nostalgji të shkruar 53-54 vjet më parë. Jam e sigurt se ti Gaqo do ta çmosh më shumë dhe do ta lexosh pasi korrespodencën e keni pasur edhe Ju me Dritëronë. Do të hysh në botën e dy të rinjve në fillimet e dashurisë së tyre shumë të sinqertë, deri sa u bëme Njësh në pleqëri. Dritëroi nuk e pa të botuar, që të gëzohej dhe të bënte humor me letrat tona, të cilat i sistemonte dhe i ruajti për gjysmë shekulli.

Sadija”

 

Tri ditë më parë se të ndërronte jetë e paharruara Sadije për t’i vajtur pranë mikut tim të Madh, më uroi në telefon për librin tonë të  përbashkët me Dritëronë, “Tre qeshin një inatoset” duke më thënë: “Dritëroi, nuk e pa librin që të gëzohej siç u gëzove ti.”

Me ndarjen nga jeta e shumëdashura Sadije, bashkëshortja e përkushtuar dhe e palodhur, gjithnjë në krah të mikut tim, të paharruarit Dritëro Agolli, E pazëvendësueshmja Sadije do të mbetet e paharruar në kujtesë si mishërim i shkëlqyer i vlerave njerëzore. Ikja e saj la një shteg. Por kujtim i saj do të mbetet i pashlyer. Kur të na marrë malli, në “raftin e madh të librave të të Madhit Dritëro, do gjejmë të “fshehur” në fletët e shumta të librave,  të pandarë me të, ashtu si ishin  në jetë.