Kujtim Gjonaj,Nderi i Gjirokastrës/ Këshilli i Qarkut Gjirokastër vlerëson me titull “ Nderi i Qarkut” Kujtim Gjonaj, kineastin e 150 filmave dhe dokumentarve

2248
Sigal

Gjonaj i ka dedikuar jetën filmit shqiptar ku në krijimtarinë e tij përfshihen mbi 150 filma dokumentarë, artistikë por edhe vizatimorë

Këshilli i Qarkut Gjirokastër vlerëson me titull ” Nderi i Qarkut” kineastin Kujtim Gjonaj

Albert Z. ZHOLI

Kineasti Kujtim Gjonaj është vlerësuar me titull nderi nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër.
Miq, kolegë dhe të afërm të kineastit janë mbledhur para dy ditësh në auditorin e universitetit “Eqrem Çabej” në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Nderi i Qarkut” mjeshtrit Kujtim Gjonaj, një vlerësim për veprimtarinë e pasur kinematografike, si një nga personalitetet e filmit dokumentar shqiptar Në këtë ceremoni merrnin pjesë autoritete të qarkut Gjirokastër, miq, kolegë, shkrimtarë dhe artistë të Gjirokastrës si dhe të regjisorit.

Kryetarja e Këshillit të qarkut te Gjirokastrës në fjalën e hapjes theksoi sem është detyrë e saj dhe Këshillit të nderojnë figurat e shquara të artit dhe kulturës si në rastin e “Mjeshtrit të Madh”, Kujtim Gjonaj. Fjalën e rastit e mbajti profesor Kristaq Shabani i cili vuri në dukje vlerat e mëdha artistike të regjisorit, duke evidentuar filmat e tij kushtuar Gjirokastrës dhe figurave të shquara të Qarkut. Z. Shabani vuri në dukje faktin se në perandorinë e madhe të filmit, Gjonaj ze një vend nderi, Prefekti i Gjirokastrës Dr. Astrit Alia evidentoi faktin se Kujtim Gjonaj është jo vetëm kineast i shquar por edhe një mik i mirë. Ndër të tjera ai evidentoi faktin se…” dashuria dhe përkushtimi për trevat e origjinës është fokusi i krijimtarisë regjisoriale dhe skenaristike e regjisorit Gjonaj.” Ndërsa shkrimtari dhe Skenaristi Enver Kushi ndër të tjera vuri theksin se regjisori Gjonaj është një mjeshtër i vërtetë në transplatimin e skenarëve në imazh të mrekullueshëm filmik. Ai zë një vend nderi të padiskutueshëm në realizimin e filmave historikë duke e fiksuar në celuloid historinë e Shqipërisë. Për të pranishmit u shfaq një nga filmat e tij” Kështjella e këngëve” film fitues i Kupës së Festivalit të VIII të filmit dokumentar dhe çmimit të spektatorit. Filmi u pëlqye nga të pranishmit për idenë brilante se një popull është i pamposhtur dhe mbijeton nëse pushtuesi nuk i rrëmben dhe asimilon shpirtin e tij! Në fjalën e tij regjisori vuri në dukje faktin se: E ndjen veten shumë të vlerësuar se këtë titull e merr nga Qarku i Gjirokastrës ku kanë dalë figura të shquara kombëtare si vëllezërit Topulli, Musine Kokalari, Eqerem Çabej dhe të madhit Kadare, Tepelena e Ali Pashait dhe Mustafa Matohitit e Asim Zenelit, Libohova e Avni Rustemit apo Përmeti i vëllezërve Frashëri që hodhën themelet e identitetit shqiptar, që u konsoliduan më pas me luftën Nacional Çlirimtare në kongresin e Përmetit..


Jeta në ekranin e filmit e Mjeshtrit Gjonaj
Gjonaj i ka dedikuar jetën filmit shqiptar ku në krijimtarinë e tij përfshihen mbi 150 filma dokumentarë , artistikë por edhe vizatimorë. Përmendim këtu disa nga filmat dokumentarë me të cilat është vlerësuar me Çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1982 do të nderohet me Çmimin e II-të në Konkursin Kombëtar Letrar – Artistik për Skenarin për skenarin e filmit “Kryengritjet e Mëdha”, në vitin 1986 filmi “Më e madhja dashuri” do të vlerësohej si filmi më i mirë i vitit, në 23 prill të vitit 1990 filmi “Kështjella e Këngëve” do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin VIII të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, në vitin 1995 filmi “Shembja e idhujve” do të vlerësohej me Çmimin I në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër në Palermo (Palermo Film Festival), në vitin 1998 do të vlerësohej gjithashtu me Çmimin I në Konkursin V Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit. Në filmin artistik ai ka shkruar katër skenarë, përmendim këtu skenarin e filmit “Thirrja” që do të ishte dhe skenari i tij i parë në filmin artistik në vitin 1976, filmat “Ata ishin katër” dhe “Cirku në fshat” në vitin 1977, filmin “Këshilltarët” në vitin 1979. Me dokumentarin “Enciklopedi që ecën më këmbë”, Kujtim Gjonaj do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin e XII-të të Filmit Dokumentar Shqiptar të mbajtur në Tiranë në vitin 2006. Kur Kujtimi lundron në të kaluarën, të duket vetja si mbi një shkop magjik që fluturon herë në bregun e Pargës, herë në oborrin plot mëllaga të De Radës, herë në tirqet e bardha të heronjve të Kosovës, në flokët e bardhë të Pashait gjakatar e në bastunin e frakun e Konicës. Të duket sikur fluturon mbi shqipen tonë të egër e takon njerëz të jashtëzakonshëm e fisnikë deri në piedestal. Aq vitalë, plot mesazhe, sa të duken herë-herë figura marramendëse romanesh. Kanë jetuar në një epokë ku injoranca ishte vatër, por inteligjenca gjente sofër në varfëri dhe padije për të skalitur gjenialitetin e një populli që ka gremb heronjsh. Njerëz që shkëlqenin me erudicionin e tyre, që betoheshin për gjak e flamur dhe që ëndrrën më të madhe kishin Shqipërinë. Dhe të duket vetja si mbi shqipen tonë dykrenore tek lundron në bukuritë e dherit tonë. Dhe mahnitesh nga lulet e kumbullave të Vermoshit, gjethnaja e Valbonës, kthjelltësia e Jonit, zajet e Vjosës, shenjtëria e Akeronit e mikpritja dhe vlerat e shqiptarëve. Dhe të gjitha këto përjetime vijnë nga krijimtaria e tij.

Ai të rrëmben me vizionin dhe pasionin e tij artistik në legjenda fantastike ku zanat, trimat dhe besëtytnitë shpalosen buzë liqeneve e gërxheve të Veriut dhe të Jugut shqiptar. Ky popull me fustanellë dhe me histori gjaku është qenie interesante, edhe pse ka ndenjur i heshtur nën zgjedhën e barbarisë pushtuese. Mendja dhe kënga e tij kanë qenë flirtuese veç me perëndinë e lirisë. Një madhështi dhe respekt për shqiptarin e ndien në gjithë krijimtarinë e tij. Aromë e bukur Shqipërie, adrenalinë ballkanase rrjedh nga fjalët, nga kujdesi i tij për imazhet, nga latimi deri në detaj i simbolit. Dhe emocioni të puprron lëkurën e gjaku vërshon nëpër deje e ndien krenari absolute. Kjo është magjia e artit. Ai jo vetëm i ka përshkruar ngjarjet nëpër filma, por edhe i ka përjetuar e qëndisur me filigramë nëpërmjet imazhit. I ka transkriptuar në formën më magjike artistike. Emocion, kulturë dhe sensualitet të fjalës dhe imazhit kanë pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij. 150 filma që i përkasin të dyja kohërave, përbëjnë bagazhin e tij artistik.Krahas shumë vlerësimeve kineastit iu shtua së fundmi edhe titulli “Nderi i Qarkut” Gjirokastër.