Kujtim Dashi: Dy orë pas “deklaratës së gjallesës

637
Sigal

 

Tre
herë i propozuari për Hero i Punës Socialiste deri në dhjetor të 1990-ës,
Henrik Bllata, por që nuk mbërriti ta marrë asnjë herë titullin e lartë të
merituar, as atëherë kur hyri në fuqi tetëdhjetë përqindëshi dhe puna u shkreh
krejt gjithandej e, ai punonte saldator si në ditët më të mira të punës së tij,
as pas dhjetorit të 1990-s, kur tashmë kjo duhej të ishte thjesht një
formalitet në prag të pensionimit të tij, por të ardhurit e rinj të udhëheqjes
së re s’donin t’ua dëgjonin më emrin, madje zunë t’i bënin edhe fajtorë për
pesëdhjetë vitet e diktaturës, duke ua kujtuar ndonjërit syresh, se çfarë u
kishin rezervuar atyre trimërisht, litarin e hanxharin, qe ngritur në mëngjes
herët atë ditë fundmarsi me merakun, për të shkuar në kohë në bankën ku
tërhiqte pensionin. Si pa kuptuar kishte mbërritur në ditën e fundit, kur duhej
të paraqitej në bankë për të bërë ritualin njëherë në gjashtë muaj të
“deklaratës së gjallesës”. Një rrugë e dy punë, do të tërhiqte pensionin nëse e
kishin nxjerrë dhe do të kryente angarinë, e cila i kishte dalë nga mendja kjo,
çka e fyente deri në rrënjë të flokëve, sa herë e kryente, sidomos kur e mori
vesh që edhe në këtë procedurë bëhej diferencim, autoktonët nuk paraqiteshin
fare, ndërsa ardhurit e pas 90-s në kryeqytet e kishin këtë detyrim. Për ato që
s’e dinë dhe as e kanë dëgjuar ndonjëherë këtë paradoks, ky është një
formalitet, të cilin pensionistët janë të shtrënguar që ta bëjnë dy herë në
vit, deri në fundmars (sikur të njoftojnë me të, se ia hodhën dimrit) dhe në
fundshtator (e njëjta gjë, pra, se ia kishin hedhur stinës së nxehtë pa i rënë
gjëkundi damllaja). U vesh e u mbath,  merakli si ai, vajti në bankë, në sportelin e
njohur prej tij, të Brikenës, e cila tashmë kishte arritur ta njihte, se kush
ishte dhe e begeniste me shumë edukatë, çka e çlironte disi Henrik Bllatën nga
makthi i “deklaratës së gjallesës”, i firmosjes së formularit, i fotokopjimit
të kartës së identitetit dhe, ajo që e lehtësonte në fund fare, ishte ndjesa që
ajo i kërkonte: ”Na fal janë procedura rutinë!”. Një ditë i tha mbase mund të
bëhen edhe online, por Henrik Bllata s’besoi, se po të ishte për t’u bërë
tashmë ajo, do të ishte bërë, si në mjaft shërbime të tjera. Ndërsa në
përcjelljen xhentile që i bëri në deklarimin e një viti më parë argumenti i saj
iu duk më bindës. “Zotëri Henriku e kanë bërë shtetin copë-copë ata, që u
shporrën dy herë rradhazi me votë plebishitare dhe sa të rimëkëmbët ca nga ca
shteti, nuk do të ndjeheni kaq ngushtë si në këtë ditë, që me të drejtë, iu
duket poshtëruese, po as ne s’kemi çfarë të bëjmë, kemi dikë mbi kokë dhe,
shpresoj, se s’do të jetë e nevojshme që të paraqiteni më këtu. Unë e di që ju
tërë jetën s’keni patur kurrë
një shenjë
në latë,
si i thonë fjalës, përkundrazi keni qenë kandidat për Hero tri
herë, ma ka treguar im vjehërr, që ju njeh mirë, por do të kalojë edhe kjo, që
të vish këtu e të deklarosh “Po jam gjallë”. Kanë bërë mashtrime sa s’ta prêt
mendja. Kanë zbuluar raste, që babai apo nëna e x-it apo y-it kishte njëzet
vjet që kishte vdekur dhe parazitët e të pafytyrët i merrnin pensionin, madje
edhe me prokurë të rregullt, të parinovueshme që prej lëshimit e firmosjes së
saj.”

Henrik
Bllata mbaroi procedurën dhe teksa gati qe marrosur nga shpërthimi i pranverës,
në sheshin “Bukureshti”, që lidh dy anët e rrugës “Kont Urani” plot me mimoza
të kryeqytetit, ose siç i thoshte shokëve të vet me të cilët takohej aty për të
pirë ndonjë kafe, “takohemi aty ku është vrarë Coli” (i “Debatikut” në finalen
e filmit homonim), nuk u ndje mirë. U ul në një karrige të nxjerrë nga pronari
i lokalit jashtë, por pa shpresë. Autombulanca që mbërriti pas pak nuk mund ta
çonte në spital. Arrest kardiak, e diagnostikoi saora mjeku dhe përmendi emrin
e një aviatori e poeti të njohur, i cili disa muaj njohurin e vet.

Tri
herë kandidati për Hero i Punës Socialiste u varros me të gjitha nderimet që i
meritonte nga komuniteti i krahinës N. prej nga kishte ardhur si dhe nga shokë
e miq të shumtë të rinj të kryeqytetit. ”Sharrës” iu shtua edhe një kandidat
për Hero, ende pa i bërë të shtatëdhjetat ose pa e gëzuar pensionin, i cili
rritej kërmillërisht, ose më mirë me thanë, bëhej vetëm indeksimi i tij, se
pjesën e luanit në shtesat tam-tames të qeverisë ose dy e trefishin i
gllabëronte administrata publike.


nga ajo ditë në gjykatat shqiptare vazhdon procesi gjyqësor i hapur nga familja
e të ndjerit (vejusha Kristina, e cila nuk pati fëmijë), nëse i takon apo jo
pensioni i marsit i burrit që ta tërheqë familja, pasi më parë ishte bërë
“deklaratën e gjallesës”…