Kujtese/ Reminder, Ftesë për çeljen e Ekspozitës: IN-BETWEEN, nga Donika Çina dhe Katharina

IN-BETWEEN 

Kur mendojmë për korridoret e pallateve, kur mendojmë për trotuaret, për sheshet, rrugët dhe qoshet; pikërisht aty, një hap larg derës së shtëpisë sonë fillon hapësira publike. A është ekzaktësisht ky vendi ku ne përballemi me të papërkufizueshmen? Kur flasim për hapësirën publike, hapësiren e kujt kemi ndërmend ekzaktësisht? E kujt është hapësira publike? Si e përcaktojmë atë por për më tepër si veprojnë dhe ndërveprojmë në një hapësirë për të cilën thuhet se na përket neve, një publiku shpesh herë ambig dhe të shpërhapur? Në këtë hapësirë të përbashkët, në hapësirën publike - si I përcaktojmë kufinjtë midis personales, kolektives dhe publikes? Ku mund ta vendosim kufirin? Gjithashtu, si përballemi ne me kufinjtë e përcaktuar nga të tjerët? Çfarë forme marrin ekzaktësisht këto ndarje? Dhe si mundet forma të kornizojë përmbajtjen? Sjellja jonë në hapësirën publike në shumicën e rasteve është e fituar. Ne ndjekim rregullat e shoqërisë dhe përcaktojmë lirinë tonë nëpërmjet tyre, për rrjedhojë ndjekim normat lokale të sjelljes, shpesh herë edhe ligjin. Çfarë ndodh kur njëri prej nesh, apo më shumë se njëri del jashtë zonës gri të normës dhe kthehet në qëndrën e vëmendjes? Vëmendje e cila ndez një rivlerësim përmes kontestimit të hapësirës nga brenda dhe jashtë. A nuk mund të jetë pikërisht kjo ndarje, artificiale e parë nga afër, 'brenda' dhe 'jashtë', e cila lejon një TË NDËRMJETME? Çfarë e përkufizon kuptimin për individin dhe kolektivin në hapësirën publike? E NDËRMJETMJA, pra, del jashtë zonës gri. Qoftë me anë të ndryshimeve të lehta në sjellje, përmes një hapi jashtë udhës, nëpërmjet një furçe të ngjyer në bojë, ose një libri të rivendosur në raft. Në një stol parku, ndërsa kalon vijat e bardha, duke shkuar në punë, ose vetem një moment përpara se të rikthehemi në një hapësirë që lehtësisht pretendojmë se është e jona. Për IN-BETWEEN Donika Çina dhe Katharina Stadler bashkohen përsëri pas bashkëpunimit të parë, Autopia Cycle, tek Eliava Market në Tbilisi, Gjeorgji, në 2014. Dy artistet kanë për qëllim të investigojnë pyetjet e përmenduara më sipër nëpërmjet një seri punësh të ndërlidhura midis tyre tek të cilat përmbajtja dhe forma shkrihen njëlloj si kufiri midis praktikës artistike individuale dhe asaj kolektive. Rreth artisteve Donika Çina është një artiste, e cila aktualisht jeton në Tiranë, Shqipëri. Donika zakonisht punon në mediumin e video artit, video instalacionit dhe filmit të shkurtër. Është diplomuar në Fakultetin e Arteve Vizuale, Atelieri i Multimedias, pranë Akademisë së Arteve, Tiranë dhe vazhdoi të studiojë fotografi dhe video pranë Universitetit të Arteve dhe Dizajnit, Cluj-Napoca, të Rumanisë dhe më tej në klasën e Candice Breitz në Universitetin e Artit, Braunschweig, Gjermani. Ajo ka qenë pjesë e ekspozitave dhe projekteve të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Donika Çina është e interesuar në mënyrën se si personalja situacionon veten dhe përballet me shoqërinë dhe nocionet, normat dhe standardet e saj kolektive. Ajo fokusohet sidomos në momentet e vendimmarrjes, të cilën ajo e kupton si një ftesë për të mbajtur një qëndrim që pasqyron ose rrjedhimisht buron jo vetem nga opsione bardh e zi. Përmes procesit, individi zhvillon dhe ballafaqohet me pyetje të cilat më pas do të rezultojnë në rezultatin përfundimtar të vendimmarrjes. Prandaj procesi mund të konsiderohet si një sistem shtresëzimi që të çon drejt mbajtjes së një qëndrimi. Kjo gjë është e reflektuar përmes formës mediatike të përdorur në punën e Donikës, duke iu adresuar shikuesit drejtpërsëdrejti për të marrë vetë vendimet e tyre ndërsa hasen me punën e saj. Katharina Stadler punon me procesin me mënyra ndërdisiplinore dhe me mediume të ndryshme në diskurset e ideologjisë dhe politikës të lidhura veçanërisht me nocionet e formave të reja të kolonializmit dhe imperializmit, si dhe çështjen e kufijve të vetëdijes përmes mekanizmave shoqërorë dhe përcaktuesve të tjerë. Përveç kësaj, ajo është e angazhuar në kolektive, shpesh duke u fokusuar në praktikat e solidaritetit dhe kolektivitetit në lidhje me të ashtuquajturin publik. Meqenëse ajo beson në forcën e ngritjes së pyetjeve në vend të dhënies së përgjigjeve, tenton të krijojë momente thyerjeje për të shkaktuar një ndërveprim dhe jo një konsum të thjeshtë të punës së saj. Katharina Stadler është një artiste konceptuale, e lindur në Vjenë. Ajo kreu studimet e Muzikës, Teatrit dhe Komunikimit Kulturor në Universitetin Humboldt, Berlin, duke u diplomuar me një tezë mbi ndërlidhjen dhe kundërshtimin e zërit dhe heshtjes si adhurim në shkrimet e Shën Augustinit. Që nga viti 2010, Katharina është e vendosur në Tbilisi, Gjeorgji, ku ka udhëhequr Programet Master Informale në Qendrën e Artit Bashkëkohor, 2011-2013. Në vitin 2014, ajo themeloi ‘Concept and Theory - Tbilisi' si një platformë për artistët vendas dhe ndërkombëtarë, filozofë dhe teoricienë të interesuar që punojnë në fushën e artit konceptual dhe teorisë kritike. katharinastadler.com