Ku shkuan 350 milion euro të “Rilindjes Urbane”?

574
Nga Artur AJAZI

Në vend të inventarit të parave publike të Rilindjes
Vetëm tani, pas 4 vitesh qeverisje nga ekipi Rilindjes, shqiptarët e kanë të drejtën morale dhe ligjore, ti kërkojnë kryeministrit Rama dhe ministrave se, ku shkuan 350 milion euro të “Rilindjes Urbane”, ku u investuan, si u investuan, kush i përdori dhe si i përdori, kush i fitoi tenderat dhe pse i fitoi vetëm ai, a ka patur zbatim të kritereve profesionale dhe barazi në shpalljen e fituesit të tenderit, kush i ka marrë në dorëzim projektet e (pa) përfunduara dhe çfarë konkluzioni teknik ka patur gjatë përmbylljes së tyre, a ka patur cilësi apo jo ? Këto dhe dhjetra pyetje të tjera prej qytetarëve, presin një përgjigje, dhe atë duhet tja japë kryeministri Rama dhe ministrat e tij në këtë fundmandati qeverisës, sepse është në detyrimin e tyre ligjor ta bëjnë këtë gjë, në të kundërtën kemi të drejtën të mendojmë se paratë tona janë gllabëruar ditën me diell, dhe kjo për shumë arsye. Prej 4 vitesh “elita politike qeverisëse” i shikon qytetet me të njëjtat probleme sikurse qytetet europiane, në një kohë kur qytetet shqiptare kanë domosdoshmëri për projekte infrastrukturore inxhinierike dhe sociale, dhe jo për fasada të tipit “Rilindja Urbane”. Mjafton të hapësh faqet e internetit dhe të kërkosh, shikosh dhe shijosh foto e qendrave të qyteteve tona, të “Rilindura” nga ajo që kryeministri e quan “Urbane”, dhe që pjesë e projekteve të tilla kanë qenë jo pak, por mbi 350 milionë euro. Edhe pa qenë nevoja të jesh projektues, inxhinier, arkitekt, konstaton me dhimbje se, jo vetëm punimet janë bërë sa për sy dhe faqe, por edhe projektet e qendrave të qyteteve tona, kanë firmën e adoleshentëve me moshë dhe pa eksperiencë pune në terren. Mjafton të ecësh, të prekësh, dhe të shikosh se si “Rilindja Urbane” në qytetet tona i ka transformuar qendrat në karrikatura, me investime gjysmake, me pllaka që po thyhen çdo ditë, me stola që po kalben pa mbushur vitin, me lulishte që janë mbushur me dhe dhe zhavorr bashkë, me pemë që po thahen, apo me ndriçim elektrik të dobët, cilësisht këto projekte po degradojnë çdo ditë. Projektet “Rilindja Urbane” e qyteteve tona, kanë rezultuar se janë një seri shpërdorimesh të parave tona publike, ato projekte janë edhe antikushtetuese, dhe se kanë shkelur autonominë e pushtetit vendor, duke rënë në kundërshti më Kartën Europiane të Autonomisë Vendore. Projektet e “Rilindjes Urbane” janë regres dhe e kanë kthyer procesin e modernizimit të vendit mbrapsht në gjithçka. Projektet e “Rilindjes Urbane” kanë injoruar planifikimin territorial, dhe se palët e interesit janë lënë jashtë vendimmarrjes, janë shpërfillur planifikimet territoriale dhe planifikimet urbane. “Rilindja Urbane” ka injoruar një nga karakteristikat bazë të planifikimit territorial në qytetet tona, duke i dhënë shesheve qëndrore në qytetet hijen e urbanistikës socialiste. Projektet e “Rilindjes Urbane” nuk kanë rritur aftësinë blerëse të banorëve, por kanë rritur cilësinë e jetesës në një pikë të vetme të qytetit, duke i tërhequr të gjitha paratë në qendër, duke e lënë periferinë në kushte skandaloze. Projektet e arkitektëve klientë të Rilindjes, nuk kanë ndikim në rritjen e konkurresncës mes qyteteve tona, dhe qyteteve të vendeve fqinje të Rajonit, (Mali Zi, Maqedoni, Greqi, Bullgari, etj) duke mos synuar rritje të turizmit, por thjesht duke investuar pa ide. Projektet e “Rilindjes Urbane” rezultojnë se, nuk kanë krijuar shanset që qytetet tona, të afrohen qytetet shqiptare me imazhin e qyteteve europiane, për ti treguar një turisti të huaj se pse duhet ta vizitonte Shqipërinë. Për të gjitha këto pyetje, pikëpyetje, shpjegime dhe konkluzione, mendoj se çdo qytetar i këtij vendi duhet ta dijë tani në fund të këtij mandatit qeverisës, se ku shkuan me të vërtetë paratë, ku përfunduan 350 milion euro të xhepave të tyre, që u investuan me shumë bujë në “Rilindjen Urbane të Qyteteve”.
Sigal