Ksenofon Krisafi: Në Gjenevë për Kosovën

1875
( Fjalime në institucionet ndërkombëtare )
Raportuesi i posaçëm guxon të kërcënojë dhe të fyejë popullin e Kosovës dhe bashkësinë botërore, të cilën e etiketon “e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare”. Dua t’i kujtoj atij se ishte kjo bashkësi që mundi Millosheviçin, që siguroi kthimin në trojet e veta të familjeve të përgjysmuara shqiptare e që sot është angazhuar për të ndërtuar jetën e re në atë vend. Dhe kjo, ndryshe nga sa mendon z. Raporter i posaçëm apo të tjerë si ai, ishte një arritje madhështore e bashkësisë ndërkombëtare… Shqiptarët kanë mirënjohje të thellë për bashkësinë ndërkombëtare, për ShBA-në, BE-në dhe doemos për KFOR-in, UNMIK-un dhe OSBE-në, për francezin Bernard Kushner që po punojnë me përkushtim si dhe gjithë shtetet, qeveritë, organizatat ndërkombëtare, strukturat shtetërore e joshtetërore që ndihmuan popullin shqiptar të Kosovës për çlirimin e vendit dhe përballimin e vështirësive të mëdha që shkaktoi lufta. Janë pikërisht këta dhe përfaqësuesit e tyre ata që drejtojnë në Kosovë dhe jo struktura kriminale, siç shprehet deklarata e Raportuesit të Posaçëm. Kriminelët dhe mafiozët drejtojnë në Beograd. Është e çuditshme me z. Raporter, i cili ndërsa e paraqet bashkësinë ndërkombëtare si fiksion, e pikturon Millosheviçin si të vetmin realitet në rajon, të cilit duhet t’i trembemi të gjithë. Ne kemi një vlerësim të kundërt. Millosheviçi është i fortë vetëm për ata që e duan të tillë, sepse në realitet ai është tirani i mjerë dhe i vetmuar i Ballkanit, një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
(Nga fjala e kryetarit të delegacionit shqiptar, Ksenofon Krisafi, mbajtur në 30 mars 2000, në sesionin e 56 të KDNj.) ( www.Onufri.com) 
PËLLUMB XHUFI
Prof. Dr. Ksenofon Krisafi ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit të Tiranës. Është lauruar ‘Doctor honoris causa’ nga Universiteti Sancti Cyrilli i Valetës, Maltë. Ka punuar në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës, drejtor në Ministrinë e Jashtme, ambasador në OKB dhe në OBT, në Gjenevë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe këshilltar diplomatik i Kryeministrit, anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, zëvendës/rektor dhe dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Evropian të Tiranës. Aktualisht është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Ai është lektor i së drejtës publike, të drejtës ndërkombëtare, organizatave ndërkombëtare etj. Ka mbajtur leksione në një numër universitetesh të huaja dhe ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar disa monografi, libra, tekste universitare, si dhe artikuj shkencorë e publicistikë. Ndër librat duhen përmendur sidomos “Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë, 1998-2002)”, “Në Gjenevë për Kosovën, Fjalime në institucionet ndërkombëtare (1998-2002)”, “Organizimi politik në trojet shqiptare”, “Për tokën dhe detin e Shqipërisë”, “Diplomaci pas lufte”, “Në kërkim të arit”, “E drejta e organizatave ndërkombëtare”, “Paradigma e tranzicionit demokratik”: – “Fundi” i tranzicionit apo një tranzicion “pa fund” (bashkautor),-Epiri i Jugut, Çamëria, (bashkautor), Historiku i Bankave në Shqipëri, (bashkautor), -Çështje të historisë së shtetit dhe të drejtës, (bashkautor), -Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri (bashkautor),-Kushtetuta e re shqiptare sfida e së ardhmes euroatlantike të Shqipërisë, (bashkautor) etj. Vitet 1998-1999 ishin një tjetër epokë, dhe për një përfaqësues të Shqipërisë ishte e pamundur të ruhej ftohtësia e qelqtë, tipar emblematik i një diplomati, ndërkohë që në Kosovë martirizohej një pjesë qenësore e popullit shqiptar. Ky zjarr e pasion, veç erudicionit e kompetencës juridike e diplomatike, ka qenë pjesë e recetës origjinale që me siguri i bënte fjalimet e ndërhyrjet e Ambasador Krisafit të depërtonin e të linin gjurmë deri edhe në ndërgjegjen më të ftohtë e skeptike të auditorit diplomatik të Gjenevës, të cilat ndonjëherë nuk donin ose nuk arrinin të dallonin xhelatin nga viktima. Në këtë kuptim, fjalimet e Përfaqësuesit të Shqipërisë në Gjenevë janë herë-herë atipike për një mjedis diplomatik. Gjuha e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë, e zgjedhur qëllimisht prej tij, përcillte tek auditori i zgjedhur sigurinë e mbrojtjes së një kauze të drejtë dhe urgjencën për të vepruar e për të parandaluar tragjedinë e një populli. Qysh në fjalimet e para të tij, menjëherë pas fillimit të masakrave e të dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës, Ambasador Krisafi artikulon disa koncepte të forta, politike e juridike, të cilat shumë shpejt do të adoptohen edhe në ligjërimin ndërkombëtar kundrejt regjimit të Beogradit.
Sigal