Ksenofon Dilo/ Një tjetër pasion

560
Krahas veprimtarisë së njohur letrare dhe shkencore prof. Dh. Shuteriqi, gjatë tërë jetës së tij ka pasur dhe një pasion tjetër që e ka shoqëruar ndër vite; dashurisë për artet, pikturën dhe veçmas ngasjen e hershme për të vizatuar vetë. Është rast i rrallë i kujdesit për të ruajtur vizatimet e tij që nga koha e jetës studentore në Francë. Në studion e tij të sistemuar, këto skica ndodheshin të shpërndara nëpër dosje e duheshin përmbledhur. Kësisoj duke i kaluar nëpër duar u njoha hollësisht me këtë kapitull veprimtarie, një farë ditari ku autori të dukej disi në rolin e një kronikani figurativ. Prof. Shuteriqi vizatonte kudo që ndodhej e jepej mundësia, në blloqe vizatimi, fletore, letra të çfarëdoshme e ftesa. Ndër këto vizatime në dukje të thjeshta fiksohen tipa dhe karaktere njerëzish të vëzhguar e të skicuar drejtpërdrejt nga natyra, figura të njohura e të shquara të jetës shoqërore e kulturore te vendit, njerëz te thjeshtë por edhe figura nga vende te tjera te kohës, të shekullit që lamë pas. Në vizatimet e tij të “vogla” me linja të kursyera njohim me shikim të parë shumë syresh; shkrimtarë, poetë, publicistë, piktorë, skulptorë, artistë të skenës, një mori karakteresh të njohur e të panjohur, nga jeta e përditshme kudo që ndodhej. Është pra, të themi, një seri e tërë miniaturash çuditërisht shpesh të arrira artistikisht me shkathtësinë e një dore të stërvitur. Duke i njohur mirë këto vizatime, kur punoja në Galerinë Kombëtare të Arteve, herë pas here i thosha prof. Dhimitrit për të organizuar një ekspozitë me një numër të seleksionuar punimesh. Nguronte e nuk e binda dot, “tallesh me mua” më thoshte. Nuk e di se me ç’magji mundi ta bindte drejtori i më vonshëm i Galerisë së Arteve Gëzim Qëndro, që te pranonte ti ekspozonte vizatimet e ruajtur heshturazi ndër vite. Së bashku me Gëzimin zgjodhëm një numër të plotë që përbënte rastin e një pamje e karakteri krejt të veçantë për tu soditur. Më 20 Tetor 1999 në hapjen e kësaj ekspozite në një nga sallat e Galerisë Kombëtare te Arteve më takoi të thosha dy fjalë ndërmjet të tjerave: “Zbuluam një talent të fshehur, një talent të ri.” Ftesën e kësaj ekspozite, ta shoqëronte, e kisha formuluar me një nga vizatimet e zgjedhura. Prof. Shuteriqi kur e mori në duar të shtypur u duk i gëzuar.
– Pse e ke vënë këtë vizatim? – më pyeti
– Është i bukur, më pëlqen. – i thashë
– Ti nuk e dije. – tha –, por ai është nipi i K. Kristoforidhit. Ishte i gëzuar për këtë rastësi.
Nga pikëpamja e manierës, ky koleksion vizatimesh nis që në vitet e largëta, vitet e studimeve në Grenobël të Francës. Asokohe mënyra se si vizaton të duken disi të stilizuara, pak a shumë të gjeometrizuara, siç duken nën ndikimin e piktorëve të rrymave të kohës. Më pas ato ruajnë një gjuhë vetjake pa poza stilistike por shumë të sakta në perceptimin e shpejtë e çuditërisht hera-herës me një shkathtësi lineare thuajse të një vizatuesi virtuoz. Përgjithësisht janë portrete e figura njerëzish, rralle herë ndonjë përpjekje për të trajtuar natyrën e aq më pak për të punuar me ngjyra. Preferenca e tij është vizatimi. Kjo ekspozitë thjesht vizatimesh, për atë kohë ishte një dukuri e veçantë, pasi tepër rrallë ka ndodhur të ekspozoheshin vizatime, edhe nga profesionistë. Ajo më pas do të rrugëtonte e do të çohej edhe në Kosovë, në Prishtinë. Ku u prit dhe aty mjaftë ngrohtë, por që autori nuk pati fatin të ishte. Kjo fushë disi periferike në veprimtarinë e tij më të njohur, plotëson gjithsesi karakterin eruditiv të prof. Dh . Shuteriqit, dashurinë e tij për artet dhe njerëzit e kohës së vet. Ato janë përjetime të bukura, dëshmi të një krijuesi pasionant, por edhe i zellit dhe punës sistematike të pa ndërprerë në çdo rrethanë.
Sigal