“Kryeministri”, romani më i ri i Kreut të LIBRA-s, Ben Blushi

84

Nga sot në çdo librari gjeni dhe botimin më të ri e më të fundit të shkrimtarit dhe deputetit Ben Blushi. “Kryeministri” i Blushit ka një kopertinë në dukje të thjeshtë, por në brendësi premton shumë.

Me një sfond ngjyrë bojëqielli, titulli me një fjalë të vetme, Blushi e ka prezantuar në profilin e tij në rrjetet sociale këtë të shtunë kopertinën e romanit të tij të ri. “KY ESHTE KM. ROMANI IM I FUNDIT. QË TANI NË CDO LIBRARI”, shkruan Blushi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Ende nuk është bërë e ditur ndonjë pjesë e librit, por nga titulli lë të kuptohet se në qendër sigurisht do të ketë një personazh që ka funksionin e kreut të qeverisë. Vetë autori e ka lajmëruar më herët se së shpejti do të vijë me dy libra të rinj, ku njëri do të flasë për dritën dhe tjetri për errësirën. Kështu, si fillim, ai ka zgjedhur të publikojë “Kryeministrin”.

“Shumë shpejt me dy LIBRA. Njëri për dritën tjetri për errësirën”, ­ shkruante në rrjetet sociale deputeti Blushi

Ndërkohë në 1 nëntor, Blushi ftoi qytetarët të bëhen pjesë e projektit më të ri politik, “LIBRA” e njohur ndryshe si partia “Lista e Barabartë”. “Ne duam ti dhurojmë Shqiperisë një LIBER dhe dhuratë më të bukur se libri njerëzimi nuk ka shpikur ende. LIBRA do të jetë një LIBËR që do shkruhet nga njerëzit e lirë të këtij vendi të cilët besojnë vërtet se mund ta ndryshojne faqen e jetës së tyre me pune,me besim dhe me drejtësi. Dua tju them atëhere se cfarë është LIBRA. LIBRA do te thotë dije. LIBRA do te thote liri. LIBRA do te thotë peshore,ekuilibër dhe drejtësi. LIBRA është liria e të qenit i ditur dhe i drejtë. Unë mendoj se mungesa e dijeve,kufizimi i lirisë dhe cënimi i vazhdueshem i ekuilibrit social janë shkaktarë të mjerimit dhe pabarazisë së vendit. LIBRA do jetë e verdhë me bindjen se e kuqja na robëroi per 50 vjet,bluja na varfëroi për 20 vjet dhe mavija na turpëroi per 3 vjet. LIBRA do qëndrojë në qendër të gjithë këtij spektri ngjyrash të shplara dhe bindjesh të pluhurosura, duke vendosur zgjidhje të shpejta dhe inteligjente përpara doktrinave dhe ideologjive të ngurta”, – sqaroi Blushi para anëtarëve themelues të projektit të tij më të ri politik. Deputeti u largua nga PS pas gati 20-vitesh kontribute, pas përplasjeve me kryetarin e partisë dhe kryeministrin, Edi Rama, të cilin e akuzoi jo vetëm për mënyrën e keqe sipas tij të drejtimit të vendit por edhe për cënim të demokracisë së brendshme në parti.