Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Mirënjohje Dede Reshat Bardhit

1090
Nga Kujtim Boriçi
Sot, dita e kalimit nga jeta të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Pelegrinazh, ritet dhe drekë në Selinë e Shenjtë Bektashiane
Për miliona besimtarw në botë, sot është një ngjarje e shënuar që përkujtohet me ritet tradicionale të këtij besimi dhe pritjen e besimtarëve të shumtë në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë. Përkujtohet 16 vjetorit i ndërrimit të jetës së ish Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Për këtë eveniment të rëndësishëm, organizatorët kanë marrw të gjitha masat e duhura. “Sot është një ngjarje e shënuar për mbarë bektashinjtë. Dede Reshat Bardhi, mbetet një figurë e shquar e bektashizmit në qëndrimin e pa lëkundur të udhës së Hakut; kontribuoi dhe ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe konsolidoi lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetet bektashiane në botë.”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
KUSH ËSHTË DEDE RESHAT BARDHI
Reshat Bardhi ka lindur më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit, në Veriun e Shqipërisë. Në moshën 6 -7 vjeçare, fillon të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqipw dhe atw arae. 

Në vitin 1944, kryefamiljari Sinani, merr rrugën dhe vendoset në Tiranë. Reshati vazhdon mësimet në shkollë ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit.Në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili ka parë tek djaloshi prej Lusnës së largët, jo vetëm prirjet mistike dhe fetare por edhe shembuj të një besnikërie të thellë. Ai bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit dhe sipas rregullave bektashiane e drejton atë, në rrugën mistike të çelur nga Haxhi Bektash Veliu. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Për arsye se shteti komunist shqiptar, kishte projektuar rrënimin e besimeve fetare, në vitin 1958 ai internon në fshatin Drizar të Mallakastrës, Kryegjyshin Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin, ku qëndrojnë deri në vitin 1967. Në teqenë e Drizarit, do të shkonin fshehurazi besimtarë nga Kosova dhe Delvina, nga Kruja dhe Përmeti, nga Dibra e Vlora, nga Tetova dhe Skrapari. E vërteta është se teqeja e Drizarit, u shndërrua në Seli të Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Me rrënimin e objekteve të kulteve fetare në Shqipëri në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi do të shkonte në Tiranë, për të provuar të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti. Me ringritjen e besimit fetar, në vitin 1991 ai riorganizon bektashizmën në Shqipëri me gjithë strukturat e saj. Njëzëri nga organizmat ndërkombëtarë vendimmarrës më të lartë, Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, me titull “Dede”, në Kongresin VI bektashian të vitit 1993. Ka marrë pjesë në konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të larta fetare në: Më 22 mars 1991 Dede Reshat Bardhi ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa motra të urdhrit të saj nga Kolumbia dhe Spanja; në nëntor 1991, së bashku me pelegrinët e parë myslimanë shqiptarë, shkon në Mekë. Aty pritet nga autoritete të lartë fetarë të Arabisë Saudite. Sipas rregullit merr titullin “Haxhi”; në shkurt të vitit 1992 shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhebi si dhe personalitete të larta fetare të besimeve të tjera. Baba Rexhebi kishte krijuar të parën teqe bektashiane në Detroit; në maj 1993 pritet nga ish kryetari i alevi-bektashive të Turqisë, Z. Bedri Nuajan; Në gusht 1993 viziton teqenë-muze Haxhi Bektash, ku pritet në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, Haxhi Bektash; në vitin 1994-1995 shkon dy herë në Iran ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli-Bejtit, Z. Hossein Miri si dhe personalitete të larta fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti; në mars të vitit 2001 ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali në Vatikan; në gusht të vitit 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë pritet nga Kryeministri turk i asaj kohe, Eçevit; në tetor të vitit 2002 merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbaixhan; në tetor të vitit 2003 ftohet në Vatikan, ku merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës; në shkurt 2004 merr pjesë në Konferencën Botërore për Paqe dhe Tolerancë të organizuar nga Partiarkati Ekumenal si dhe fondacioni “Apel Ndërgjegjes”; në prill të vitit 2004 merr pjesë në simpoziumin e alevi-bektashinjve në Gjermani; në tetor të viti 2005 pret në Tiranë me rastin e Kongresit VIII Botëror të Bektashinjve, Ministrinw e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Z. Atilla Koç, Prefektin e Nevshehirit, dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash; në maj 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola; në qershor 2006 Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi, pret në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç, ku ky i dorëzon Kryegjyshit dekoratën “Për shërbime të shquara të paqes”, të parlamentit të Turqisë; në gusht 2006, ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë ku është takuar me personalitet më të shquar fetare të krejt botës; në korrik 2007, është pritur në Prishtinë nga Z. Kushner; në tetor 2007, në Stamboll pritet nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambolli Mustafa Cagrici; në nëntor 2007 pritet aty nga Kryeministri i Maqedonisë, Z. Gruevski; në shtator 2008 është pritur nga Kryeministri i Turqisë Taip Erdogan; më 13 tetor 2009, u prit nga Senatori Kanadez Noel A. Kirsella, gjatë vizitës së tij në Tiranë; në maj 2010, në Çorum të Turqisë, pritet nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe i jepet statuja simbolike e paqes, për kontributin e tij të shquar etj… Pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011. 

-Është dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë” dhe urdhërin “Naim Frashëri i Artë”; Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”; në shtator 2015 mbas vdekjes i jepet Urdhëri: “Flamuri Kombëtar” nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë, si dhe është qytetar nderi i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Gjirokastrës dhe Mallakastrës. 

DEDE RESHAT BARDHI: SI E SHKATËRRUAN BEKTASHIZMIN
Dede Reshat Bardhi, ka meritën e padiskutuesme të ringritjes së bektashizmit, pas ndryshimeve të sistemit në vitin 1990. Ja çfarë pohohet (pjesw interviste) në librin “Rrugëtim i shpirtit”, i autorit Syrja Xhelaj, kushtuar ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian dede Bardhit: “Në shkurtin e vitit 1966, baba Selim Kaliçani erdhi tek ne i mërzitur. Na dha lajmin e hidhur që Këshilli i Përgjithshëm Bektashian, ishte mbledhur dhe kish thënë që shume teqeve t’u vihej kyçi, sepse gjoja nuk shkonin më njerëz. Kuptohet këto vendime merreshin në Zyrat e Enver Hoxhës. Por shiteshin sikur ishin mendime të baballarëve. U morën vendime për teqetë e jugut në fillim . Do mbyllej teqeja e Melanit dhe e Zallit. Ishin bërë gati të shkonte ushtria. Më përpara akoma, ushtria kishte hyrë pa pyetur ne teqenë e Frashërit, duke i lënë baba Mehmet Zykes, vetëm një dhomë të vogël për të fjetur. Po u vihej kyçi teqeve në Përmet, Tepelenë dhe Kolonjë. Ajo që na dhimbsej më shumë ishte, se kyçin ia vinin vetë baballarët, me urdhër nga partia. Baba Selimi na siguroi, se çfarëdo të ndodhte, ai nuk do të ndalej për ku ishte nisur. Dhe sa më shumë dervishë e baballarë të tillë të vendosur të ishin, aq më lehtë do ta kishim. Myrshidi im e ndjente menxyrën e afërme. I dërguam dikur haber baba Selmanit në Kapajt dhe ky, ndonëse i ligur nga sëmundja, erdhi. Na tregoi se disa mësues shkolle në Kapaj dhe Greshicë bënin propagandë që nxënësit të bënin shfaqje estrade, ku të talleshin me dervishët e teqesë. Ardhja e fëmijëve në oborr të teqesë po shuhej dalëngadalë. Natën e parë, ne bëmë bukën dhe u ulëm në sofër të tre së bashku. Sofra ishte plot, por muhabeti nuk ecte. Unë doja të ndizja ndonjë urë bisede por dy baballarët ishin shumë larg. Gjellët mbetën në sofër. Mbeti edhe një gjel që e kishte sjelle me vete baba Selmani. Zoti i ruan shenjtorët e tij nga syri, ka thënë dikur Haxhi Bektashi. Ai i bën ata kurdoherë të ngopur. Kështu që nuk i njohin dot ata që janë përlyer keq me këtë botë. Ndërsa brendësinë e tyre e ka ndriçuar me bukurinë e lartësimit shpirtëror. Unë i shtrova baba Selmanit të flinte dhe tek e mbuloja, dëgjova zërin e tij lutës: “Ja Haxhi Bektash, mos me zgjo nga gjumi. S’i shoh dot shejtanët!..” Ai donte të iktë nga kjo jetë, përpara se të shihte me sy rrënimin e teqeve. Pak muaj me pas, mbylli sytë përgjithmonë. Në përcjelljen e tij, m’u kujtuan fjalët përpara se ta zinte gjumi, në Drizar. Shenjtërinë e kish marrë me vete. Një tjetër sinjal na erdhi nga oficeri i sigurimit që mbulonte zonën tonë. Ai ishte i krishterë dhe vinte rrallë në teqe. Por sa here qe vinte, ne nuk e linim të ikte pa bukw, sipas zakonit të vjetër të teqesë. Një ditë, kur kisha vajtur në Fratar për të blerw disa dërrasa, m’u afrua pranë dhe kur u sigurua se s’kishte njeri për rreth, më tha: “Dervish, dërrasa ço sa të duash ne teqe, po libra s’dua unë atje. Po ju pashë libra e kini keq!” Sapo shkarkova dërrasat nga kali, i dhashë haberin myrshidit tim. Po atë natë, kur Hasan Kalemi po largohej nga teqeja, ne i dhamë kalin tonë me dy hejbe. Brenda tyre, futëm të gjithë librat që kishim aty ne arabisht dhe shqip. Ata libra na patën shoqëruar ne tërë ato vite. I lexonim dhe rilexonim. Herë-herë myrshidi im shpjegonte dhe unë mbaja shënime në fletoren time. Për mua, më mirë të jepnim dhenw e dhi, tokë apo para, vetëm të mbanim ata libra. Të mbanim ato fjale të mençura të Pirit tonë, vjershat e dervishëve dhe baballarëve.

Por me Hasan Kalemin na doli nje problem tjetër. Ai dihej nga të gjithë, që ishte njeriu më i afërt i teqesë së Drizarit. Dihej gjithashtu që ne kishim dy sënduqe me libra bektashianë. Nëse kontrollonin në teqe dhe nuk gjenin gjë, mendja do t’ u shkonte në shtëpinë e Hasan Kalemit. Atëherë vendosëm që librat tanë, Hasani të mos i fuste në shtëpi, por t’i mbante prapa tyre, aty ku ishin dy kasolle dhe një mullar bari. Që mos të zbuloheshin rastësisht, librat ne i falëm Hasanit një lopë nga të teqesë si edhe dy mullarë bari. Në njërin prej tyre, Hasani vendosi çantat me libra. Pas kësaj, ne u lehtësuan. Të paktën kishim në ruajtje atë thesar të rrallë. Librat e shenjtorëve bektashian në çmendurinë e vitit 1967, u dogjën apo u zhdukën me mijëra.
…Ne nuk kishim marrë zanate. Ne nuk kishim asnjë kasolle për të futur kokën, sepse jetën dhe pasuritë i kishim dhënë në lulëzim të teqeve. Kështu e pritëm me qetësi fjalën e një myhibi të përkushtuar, Hysen Jaçes. Ky na bëri me dije se organizata e Partisë në Drizar ishte mbledhur për punën e fesë dhe kishte vendosur për largimin tonë nga teqeja dhe kthimin e ndërtesave të saj në depot ë kooperativës.Në organizatën e Partisë ishin ngritur nja dy të rinj dhe kishin propozuar qw largimi i klerikëve bektashianë, të shoqërohej me një ceremoni të demaskimit të tyre. Por këtë, nuk e kishin pranuar më të vjetrit.

…Sa më tepër largohemi nga kjo ditë e vitit 1967, aq më e madhe më bëhet dhimbja
“Me rrënimin e objekteve të kulteve fetare në Shqipëri në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi do të shkonte në Tiranë, për të provuar të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti. Me ringritjen e besimit fetar në vitin 1991 ai riorganizon bektashizmën në Shqipëri me gjithë strukturat e saj. Njëzëri nga organizmat ndërkombëtarë vendimmarrës më të lartë, Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, me titull “Dede”, në Kongresin VI bektashian të vitit 1993”
VLERËSIME PËR DEDE RESHAT BARDHIN
Personaliteti i dede Reshat Bardhit, veçanërisht për ringritjen e besimit bektashian pas ndryshimeve politike të vitit 1990, është vlerësuar maksimalisht dhe nga klerikë e personalitete të njohura të vendit e ndërkombëtarë. Ja disa prej tyre:

Dritero Agolli: “Unë do të mundohem të shkruaj për baba Reshat Bardhin disa grimca, që po t’i mbledhësh, mund të bëjnë një të vërtetë… Ndofta diçka e padukshme dhe diçka e një tingull zëri, që vjen nga thellësitë e shekujve e bën njeriun të mendojë, se cilët kanë qenë gjyshërit dhe stërgjyshërit e tij dhe çfarë u ka mbetur prej tyre, në këtë oqean valësh e ndryshimesh. Në këtë oqean ka lundruar dhe varka ime. Kjo varkë bektashinjsh u kthye në motoskaf ateistësh. Rreth këtyre fijeve, ndofta edhe tek tuk të palidhura, e nisëm njohjen me baba Reshat Bardhin, në Kryegjyshatë… Për mua, ky takim kishte dy vlera shpirtërore: Njoha një njeri që ngroh të tjerët jo me bombola gazi, por me atw bombol që quhet zemër, njeri me urtësi popullore. I dashur dhe mikpritës i rrallë, që vetëm nxiste afrimin e jo largimin. Vlera e dytë pas këtij takimi, ishte zgjerimi më tej i mendimeve për të njohur më thellë vetveten në marrëdhëniet e paraardhësve të mi me bektashinjtë, gjyshërve dhe stërgjyshërve…” 

Haxhi Selim Muça: Dede Reshat Bardhi ishte një klerik shumë i madh dhe aktivist i fuqishëm në ringritjen e Bektashizmit në Shqipëri. Unë e kam njohur atë pas viteve ’90 kur i nderuari erdhi në krye të Komunitetit Bektashian… Dede Reshat Bardhin e donin të gjithë, sepse sjellja dhe dashamirësia e tij impononte vetwm respekt dhe dashuri… Në çdo simpozium, konferencë dhe aktivitete të ndryshme kulturore ku merrte pjesë, ai e theksonte vazhdimisht shprehjen “Jemi pjesë e fesë Islame”… Duke u bazuar edhe në mësimet e profetit Muhamed (a.s.), i cili thotë se: “Dashuria për atdheun rrjedh prej besimit”, Haxhi Dede Reshat Bardhi është shprehur gjithmonë se “pa atdhe nuk ka fe”. Ky nderim për Baba Reshat Bardhin nuk është një rastësi, sepse koha dhe historia e vendit tonë na mëson, se në krye të detyrave të rëndësishme ndaj atdheut dhe kombit shqiptar, kanë qenë gjithmonë klerikët dhe njerëzit e fesë, të cilët me besimin e tyre ndaj Zotit ishin të frymëzuar dhe të gatshëm në shërbim të njerëzimit. 

Imzot Rrok Mirdita: “…Ishte Reshat Bardhi ai që e ringriti bektashizmin dhe këtë institucion me përmasa botërore pas shkatërrimeve që la diktatura komuniste gjysmëshekullore… Ka qenë fatbardhësi për mua edhe për udhëheqësit e tjerë të komuniteteve fetare në Shqipëri, që me mirëkuptimin që karakterizon komunitetet tona për bashkëpunimin e konsolidimin e harmonisë ndërfetare, gjë që ka karakterizuar gjithmonë marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri, duke u bërë model për rajonin e më gjerë…. Figura e tij do të mbetet dritë ndriçuese për pasardhësin e Tij, baba Edmond Brahimaj, për komunitetin bektashian e më gjerë…”
“Dritero Agolli: Rreth këtyre fijeve, ndofta edhe tek tuk të palidhura, e nisëm njohjen me baba Reshat Bardhin, në Kryegjyshatë… Për mua, ky takim kishte dy vlera shpirtërore: Njoha një njeri që ngroh të tjerët e jo me bombola gazi, por me bombol që quhet zemër, njeri me urtësi popullore. I dashur dhe mikpritës i rrallë, që vetëm nxiste afrimin e jo largimin. Vlera e dytë pas këtij takimi, ishte zgjerimi më tej i mendimeve për të njohur më thellë vetveten në marrëdhëniet e paraardhësve të mi me bektashinjtë, gjyshërve dhe stërgjyshërve…”

HIRËSIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ: DEDE 
RESHAT BARDHI, FIGURË E SHQUAR E BEKTASHIZMIT
Në historinë 800 vjeçare të besimit bektashian, emri i dede Reshat Bardhit, do të mbetet pa dyshim, sinonim i një mbijetese të shkëlqyer. Në konceptin tim, dede Reshat Bardhi i ka kaluar mrekullisht të gjitha etapat, jo vetëm tradicionale, por dhe morale e hyjnore, çka besimi ynë të ofron. Pa vizionin e dede Reshat Bardhit, vështirë të ringrihej besimi bektashian në këto përmasa të sotme në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni… Myrshidi ynë e ngriti besimin bektashian në lartësinë e misionit të vet historik, në ato lartësi që përmend edhe Naim Frashëri me rilindësit e tjerë shqiptarë. Duke afruar paqe dhe tolerancë, duke rrezatuar mirësinë tonë tradicionale, ne po kontribuojmë në një nga modelet e përkryera të harmonisë ndërfetare, edhe si dhuratë e Zotit edhe si vlerë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Dede Reshat Bardhi, mbetet një figurë e shquar e bektashizmit në qëndrimin e pa lëkundur të udhës së Hakut; kontribuoi dhe ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe konsolidoi lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetet bektashiane në botë…
Sigal