Kriza financiare,”hidhen në rrugë” 342 Gardistë

1741
Përparim HALILI

Kriza financiare, “zhvesh” e hedh në rrugë 342 oficerë të Gardës 
Vendimi hyn në fuqi pas 3 muajve, Garda e Republikës do të ketë 1358 punonjës për të gjithë sektorët e shërbimeve
Paçka se flitet për rritje ekonomike dhe punësim të stabilizuar, në institucionet dhe shërbimet shtetërore po ndodh e kundërta. në administratë, polici, ushtri, arsim, shëndetësi e kudo, ka nisur “fshesa” e largimeve nga puna jo me 10-15 punonjës, por me qindra e mijëra. Siç kemi bërë të ditur para 3 ditësh, struktura e Ministrisë së Brendshme u pakësua me 3219 punonjës në të gjithë sektorët e shërbimeve të saj, mbasi sipas informacionit numri i tyre është shtuar me punësime të paligjshme dhe mbi numrin e përcaktuar të sektorëve përkatës. Pas policisë, shkurtimi i numrit të punonjësve është vendosur të bëhet edhe në Gardën e Republikës. Vendimi për shkarkimin e punonjësve në Gardë dhe polici, u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 22 maj 2017. Çudia qëndron në faktin, që qysh prej 1 marsit 2017, Këshilli i Ministrave rriti pagat dhe shtesat mbi paga për punonjësit e Gardës, ndërsa tani po largon nga puna një numër të konsiderueshëm të tyre, kryesisht oficerë, specialistë dhe trajnues të formimit profesional. Bie në sy, “kujdesi” për të mos ulur, madje për të shtuar numrin e oficerëve të sigurisë dhe ruajtjes së personaliteteve të shtetit, të familjarëve të tyre, si dhe ish-personalitetet shtetërore. Aktualisht, numri i punonjësve të Gardës në të gjithë sektorët e shërbimit është 1700 persona. Ky numër punonjësish, me VKM Nr. 445, datë 22.5.2017, do të ulet në 1358 punonjës, duke nisur që nga komanda e deri tek zyra e prokurimeve publike (tenderëve). Sipas vendimit, numri i punonjësve të Gardës pakësohet me 342 persona, të cilët “zhvishen” e hidhen në rrugë, në kërkim të ndonjë pune tjetër ose duke dalë në pensione të parakohshme, por edhe duke u trajtuar me paga kalimtare, në bazë të ligjit për lirimin nga detyra për shkak të reformimit të strukturës organike, në mbështetje të Ligjit “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” dhe të pikës 1, të nenit 26, të ligjit nr. 9366, datë 31. 03. 2005 “Për gradat dhe karrierën në Gardën e Republikës së Shqipërisë”. Këtë pakësim e përcakton VKM nr. 445, datë 22.5.2017 “Për miratimin e strukturës e të limitit organik dhe përcaktimin e funksioneve koresponduese për çdo gradë në Gardën e Republikës së Shqipërisë”, vendim që do të nis zbatimin 3 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, i cili aktualisht është futur në fuqi, sipas njoftimit të bërë në “Fletoren Zyrtare” nr. 122, datë 25 maj 2017.
Ja numri i punonjësve të Gardës së Republikës, sipas sektorëve të shërbimit 
1. Njësia e parë, për sigurimin e objekteve ku kryhen veprimtari të Presidentit të Republikës: 123 punonjës
2. Njësia e dytë, për sigurimin e objekteve ku kryhen veprimtari të Kryeministrit: 173 punonjës
3. Njësia e tretë, për sigurimin e objekteve ku kryhen veprimtari të Kryetarit të Kuvendit në Ministrinë e Jashtme, në Pallatin e Brigadave, në sigurinë e rrugë-kalimeve dhe në ceremoniale: 167 punonjës
4. Njësia e katërt, për sigurimin e objekteve “Rezidenca autonome”: 16 punonjës
5. Sektori për ruajtjen e garnizonit dhe Prokurorisë së Përgjithshme: 62 punonjës
6. Sektori Autonom i Sigurisë së rezidencave në Dajt-Linzë-Kërrabë: 37 punonjës
7. Sektori Autonom i Sigurisë së rezidencave në Durrës-Velipojë: 47 punonjës
8. Sektori Autonom i Sigurisë së rezidencave në Vlorë-Dhërmi: 33 punonjës
9. Sektori Autonom i Sigurisë së rezidencave në Pogradec: 11 punonjës
10. Njësia speciale: 12 punonjës
11. Sektori special (4): 52 punonjës
12. Sektori i sigurisë parlamentare: 23 punonjës
13. Siguria brenda selive shtetërore: 111 punonjës
14. Sektori burimeve njerëzore: 27 punonjës
15. Sektori i Transportit: 34 punonjës
16. Sektori i komunikimit elektronik: 8 punonjës
17. Sektori i armatim-pajisjeve: 4 punonjës
18. Sektori i shëndetësisë: 10 punonjës
19. Sektori i protokoll-Arkiva-botime: 6 punonjës
20. Sektori juridik: 2 punonjës
21. Qendra e Formimit profesional: 5 punonjës
22. Qendra e trajnimeve: 9 punonjës
23. Sektori i ruajtjes së objekteve të Gardës: 11 punonjës
24. Sektori i financë dhe ekonomisë: 6 punonjës
25. Sektori i standardeve dhe personelit: 3 punonjës
26. Sektori i prokurimeve (tenderëve): 2 punonjës
27. Kabineti dhe komanda e Gardës: 7 punonjës
28. Drejtoria e kontroll-Planifikimit: 20 punonjës
29. Drejtoria e analizës dhe informacionit: 5 punonjës
30. Drejtoria e sigurisë së personaliteteve dhe familjarëve të tyre: 27 punonjës
31. Drejtoria mbështetëse për sigurinë e personaliteteve dhe familjarëve të tyre: 26 punonjës

Numri i punonjësve në sektorët e sigurisë së personaliteteve shtetërore
1. Sektori i Ruajtjes së Presidentet të Republikës dhe familjarëve të tij: 14 punonjës
2. Sektori i ruajtjes së Kryetarit të Kuvendit dhe familjarëve të tij: 7 punonjës
3. Sektori i sigurisë së Ministrit të Brendshëm: 6 punonjës
4. Sektori i sigurisë së Prokurorit të Përgjithshëm: 7 punonjës
5. Sektori i sigurisë së kreut të KLSH, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, SHISH, të mazhorancës parlamentare, të kreut të partisë më të madhe, të kreut të opozitës, të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të Guvernatorit të Bankës dhe Zv/Kryeministrit: 36 punonjës 
6. Sektori i sigurisë së ish-Presidentit të Republikës: 3 punonjës
7. Sektori i sigurisë së ish-Kryetarit të Kuvendit: 2 punonjës
8. Sektori i sigurisë së ish-Kryeministrit: 4 punonjës
9. Sektori i sigurisë së ish-Ministrit të Brendshëm: 2 punonjës
10. Sektori i sigurisë së ish-Prokurorit të Përgjithshëm: 2 punonjës
11. Sektori i sigurisë së Ambasadorit të BE në Shqipëri: 5 punonjës
12. Sektori i ruajtjes së banesave: 48 punonjës
13. Sektori i sigurisë së delegacioneve të huaja: 38 punonjës
14. Sektori i kontrollit dhe shoqërimit të ceremonialeve: 16 punonjës
Ja vendimi i datës 22 maj 2017, për largimin e 342 gardistëve
1. Struktura e Gardës së Republikës së Shqipërisë është sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
2. Organika e Gardës së Republikës së Shqipërisë është sipas lidhjes nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
3. Funksionet korensponduese për çdo gradë në Gardën e Republikës së Shqipërisë përcaktohen sipas lidhjes nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
4. Numri i limitit organik të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë është 1 358 veta. 
5. Zbatimi i kësaj strukture bëhet brenda tre muajve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi. 
6. Vendimi nr. 612, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës, organizimit, varësisë strukturore dhe limitit organik të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet. 
7. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. 
8. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit Fletoren Zyrtare. 

ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
Niko Peleshi
Sigal