Kristina Marku:Konkurrenca është e fortë, por po punove arrin të shijosh dhe frytet e punës

516
Sigal

Personazh/ Flet këngëtarja e diasporës, Kristina Marku: Bota e muzikës ka shumë luftë bërrylash

 Kënga është oksigjeni i saj. Një këngëtare që ecën kryelartë në autostradën e vështirë të këngës. Kur flet për karrierën ajo për një moment hesht. Këngëtarja e shumë hiteve të njohura, ndër vite ka provokuar tendencë përmes shumë klipeve të suksesshme e qindra paraqitjeve në televizion. Edhe këtë verë, është këtu, atje, gjithkund, ku duhet zëri i saj i veçantë. … Një femër inteligjente, korrekte, punëtore dhe shumë këmbëngulëse. Fjalët e tepërta si shkojnë për shtat por dhe anashkalon çdo thashetheme që ka të bëj me kolegët. Nuk di të fyej, por dhe nuk lejoj askënd të marrë një veprim të tillë. Me punën dhe figurën e saj të imponon respekt. Këtë radhë Telegraf sjell një intervistë të plotë, të vërtetë prej nga mund ta njihni më mirë Kristinen, Bilbin e Veriut dhe një ndër Këngëtaret më të kërkuara në Diasporë.

 -Flitet shumë për origjinën tuaj, por askush s’e ka të saktë. Disa detaje që, ende nuk i dimë. Cila është vendlindja juaj? …

(qesh). E vërtetë shpesh herë harrohet kjo pyetje. Unë kam lindur në qytetin e Pukës dhe jam krenare për vendlindjen time. Një vend magjik, me tradita, me histori, me kulturë që këngën e ka bashkudhëtare të jetës.

 -Jemi në mes të verës, kohës kur në treg ka bum klipesh. Ju po përgatiteni për ndonjë projekt të ri, klip a material muzikor ?

Unë gjithmonë punoj. Gjithmonë krijoj. Nuk pushoj në profesionin tim. Tani që po flasim, sapo kam linçuar dy klipe dhe janë prodhim i Musical TV. Janë të titulluara : Çuni i lalës & Merrja këngës me shoqëri. Një prej tyre është duet (bashkëpunim) me këngëtarin e mirënjohur E. Nikolla. Janë dy këngë plot mirësi, dashuri, hare që kërkohen në këtë stinë.

 -Jeni e kënaqur nga bashkëpunimi me Edmond Nikollën ?

Patjetër që po, por jo vetëm nga Edmondi, por i gjithë bashkëpunimi. Them se kemi bërë një punë të mirë. Kemi gjetur njëri- tjetrin në mënyrën e interpretimit, por dhe të kombinimit të zërave. Kjo ndodh rrallë. Ndoshta ishte ky lloj bashkëpunimi që bëri që dueti të jetë i kompletuar pa asnjë stonim.

  -Çfarë të pëlqeu më shumë nga puna me të? Po ajo që të pëlqeu më pak?

 Ah. Më duhet pak të mendohem për të gjetur fjalët. Ajo që më pëlqeu, ishte serioziteti në punë, dëshira për të arritur perfeksionin, kështu që, nuk pati asgjë që të mos më pëlqente nga puna me të. Gjithçka shkoi për mrekulli, siç e kishim parashikuar.

-Ka pasur skena të vështira apo të lodhshme nga këto dy klipe të fundit ?

Po, sigurisht! Çdo punë që kërkon përkushtim, ka edhe lodhjen brenda. Muzika, tonet, kombinimi zërave, harmonia, janë elementë që duan shumë prova, shumë djersë.

 -Cilët kanë qenë disa nga bashkëpunëtorët gjatë karrierës tuaj muzikore ?

Janë të shumtë, por do të veçoj këtu: Alban Furtuna, Kolë Susaj, Gëzim Mneri e Jorgo Papingji … Me kohën mbase do kemi dhe bashkëpunime të tjera.

 -Muzika është po aq e bukur sa edhe e vështirë. Ti vetë ku e sheh të bukurën dhe ku të vështirën?

Edhe profesioni më i lehtë në dukje ka vështirësitë e veta. E vështira është sepse në ditët e sotshme, bota e muzikës është jashtëzakonisht konkurruese e ka shumë bërryla.  E bukura s’do koment. Muzika, kënga është vetë nektari i jetës, është qetësia shpirtërore, është hareja më e bukur…

 – Në shumë diskutime thuhet se Kristina njihet më shumë në emigracion?

 Kjo është e vërtetë. Unë jam larguar prej vitesh nga Shqipëria dhe nuk jetoj këtu, ndaj jam e ftuar vazhdimisht për dasma, evente e gëzime të ndryshme familjare në diasporë… (Zvicër, Amerikë, Maqedoni etj.)

Çfarë këngësh preferojnë më shumë emigrantët?

Këngët patriotike. Kur këndohen këngë të tilla sallat marrin zjarr. Çohen të gjithë këndojnë, vallëzojnë, gëzojnë. Por në sytë e tyre kur këndohen këto këngë sheh edhe lot.

 -Si arrin të udhëtosh kaq shumë pa u lodhur?

Jam mësuar dhe tani nuk më bëjnë përshtypje më udhëtimet. Lodhjen më shumë e ndien kur udhëton për një koncert, dy apo tre ditë, por kur rrimë më gjatë, edhe nuk e ndiejmë lodhjen. Është pjesë e punës, e përditshmërisë, na është kthyer në rutinë udhëtimi. Ashtu si futbollisti, ashtu si automobilizmi, apo sportet dhe profesione të tjerë edhe në këtë rastin tim, më është bërë diçka e zakonshme, aq sa nuk mund të rrijë dot në një vend.

 -Është e mërzitshme jeta larg shtëpisë, nëpër turne dhe hotele?

Kjo varet se si përjetohet nga çdo njeri. Për mua nuk është dhe aq e mërzitshme edhe pse kur qëndrojmë nganjëherë më gjatë se ç’duhet na bëhet dhe pak e mërzitshme sepse na merr dhe malli për njerëzit që lëmë këtej. Por që jam mësuar dhe nuk më bën dhe shumë përshtypje.

  -Si do ta komentonit xhelozinë profesionale në mes këngëtareve?

Dua të bëj një parantezë…Personalisht nuk kam pasur dhe nuk kam xhelozi profesionale. Unë jam Kristina dhe kam adhuruesit e mi, ashtu si çdo këngëtar tjetër. Konkurrenca është e fortë, por po punove arrin të shijosh dhe frytet e punës. Kam ambicie profesionale po, këtë e pranoj.

  Luku është pjesë e rëndësishme e një këngëtareje, i kushtoni shumë kohë pamjes dhe veshjes?

Sigurisht, i kushtoj. Pamja apo luku, është prezantimi i parë me fansat dhe publikun. Një pamje e bukur është respekt për. Dua të jem pasqyrë për fansat e mi. Unë i kushtoj rëndësinë e duhur, lukut, veshjes, sipas këndvështrimit tim .

 S’keni folur kurrë për jetën private?

Mund të them me plot gojën se shkon shumë mirë … Por vetëm kaq.

 -Si mund ta përshkruani veten me tre fjalë ?

 Jam modeste, ambicioze & natyrë impulsive .

 -Tre kënaqësi të veçanta?

 Skena, Shopping e udhëtimet.

Jeni supersticioze?

Jo, besoj në punë dhe talent.

Jeni hakmarrëse?

S’e njoh fare këtë ves.

Ndiheni e lumtur?

Përderisa kam sukses ndihem e plotësuar. Kjo është lumturia më e madhe.