Krijuesit e filmit në sherr për fondet dhe projektet

573
Sigal

Shtohen akuzat për drejtuesit e QKK-së: Shkeli ligjin e QKK, mbajti buxhetin për filmin e animuar

Konfuzioni në Kinostudio, vazhdon të prodhojë konflikte të brendshme. Kjo ndodh nga mungesa e fondeve, por në fakt, edhe nga projektet e dobëta kinematografike. Sherri ka nisur për shkak të mungesës së buxhetit. Dhe konkretisht për fondet që ka përfituar filmi i animuar, kundrejt filmit artistik dhe atij dokumentar. Filmi i animuar shqiptar prej vitesh nuk ka përfituar fonde nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë për prodhimin e tij, duke sjellë një situatë të mjeruar në këtë gjini filmi. Gjatë këtyre viteve Shqipëria është përfaqësuar edhe në festivale filmi ndërkombëtare me prodhime filmash të vjetër. Të prezantuar me sukses dhe me vlerësime, krijuesit e animacionit shqiptar tregojnë se ata ndihen të braktisur nga QKK. Sipas tyre, politikat e QKK deri më tani kanë qenë diskredituese ndaj filmit të animuar. Ndërkaq, regjisorët e filmit të animuar pohojnë se, prodhimi i filmit të animuar ka mbetur pothuajse në vend. “Në 4 vite ne kemi marrë nga QKK për filmin e animuar vetëm 3 milionë lekë të reja. Po ta krahasojmë me buxhetin e QKK, që në  4 vjet ka pasur rreth 280 milionë lekë të reja, atëherë e llogariteni se në çfarë përqindje është filmi i animuar. Që këtu fillon diskriminimi. Sipas ligjit të QKK, 10 për qind e buxheti total të QKK në vit duhet të shkojë për filmin e animuar. Pra nëse buxheti i QKK është rreth 70 milionë lekë të reja në vit, 10 për qind e kësaj shume duhet të shkonte për filmin e animuar. Në këtë rast Artan Minarolli ka shkelje në  ligjin e QKK, sepse asnjëherë nuk e ka dhënë këtë financim”. Këto ishin fjalitë që thanë regjisorët e filmit të animuar. Ndërsa regjisorët e filmit artistik akuzojnë Minarollin se paratë e taksapaguesve, QKK i harxhon për filmin e animuar. Në fakt një gjë është e vërtetë: Kinemaja nëpërmjet këtyre sherreve shpreh krizën e vazhdimësisë së vet, ku mungojnë jo vetëm paratë, por edhe projektet dinjitoze.