Kozma Lara: Kompozitori i shquar shqiptar

2655
Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI
Universiteti Winthrop
Rock Hill, South Carolina
U.S.A.
• Kompozitor i shquar
• Pedagog i klasit të parë
• Pianist i talentuar
• Studiues serioz
• Intelektual thellësisht modest
• Mik i sinqertë i studentëve
Ndër figurat muzikore me përmasa kombëtare e ndërkombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri, krahas një numri kompozitorësh, si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, etj., një vend të merituar zë pa dyshim edhe kompozitori i shquar shqiptar, Kozma Lara (1930-). Duke qenë të ndërgjegjshëm se figura e tij është e ndërlikuar, komplekse, shumë-dimensionale, në këtë artikull do të preken shkurtimisht, por në mënyrë thelbësore,vetëm disa aspekte—profesionale dhe jashtë-profesionale—të kësaj figure.
PERSA I TAKON JETES
Kompozitori shqiptar me kombësi arumune, Kozma Lara, lindi në qytetin e lashtë të Durrësit, aty ku edhe sot e kësaj dite jeton një bashkësi e shkëlqyer arumune në miqësi të përhershme me popullsinë shqiptare vendase. Qysh në moshë fare të re, ai iu përkushtua tërë energji e entusiazëm fushës, sa tërheqëse, aq edhe delikate, të muzikës, duke u diplomuar për piano në Liceun Artistik “Jordan Misja.” Disa vite më vonë, pianisti i ri, i cili ushqente ëndrra të mëdha për të ardhmen e tij, fatmirësisht, pati mundësinë që të studiojë për kompozicion në Konservatorin “Pjetër Iliç Çajkovki” [“Peter Ilich Tchaikovsky”] të Moskës (në ish-Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, sot Rusi).Mirëpo, për shkak të faktorëve politiko-shtetërorë të kohës, ai i përfundoi studimet e larta muzikore për kompozicion në Tiranë, pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve). Pas diplomimit, kompozitori Lara, me përgatitjen e lartë profesionale dhe zellin e madh që e karakterizonte, kreu detyra të rëndësishme sidomos në fushën e arsimit muzikor, të mesëm dhe universitar. (Për jetën dhe veprimtarinë e kompozitorit, më gjerë, mund të shihen tre burime kryesore: i) “Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve” (Sadie, hartues. 2001); ii) “Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare,” Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002); iii) “Wikipedia” (2017)). 
ÇASTI I NJOHJES
Gjatë viteve që ndiqja Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë, unë e kisha dëgjuar emrin e kompozitorit Lara shumë e shumë herë me radhë në programet muzikore të Radio-Tiranës, veçanërisht si autor veprash pianistike, instrumentore e simfonike, por asnjëherë s’e kisha takuar atë. Duke qenë se, pasi mbarova Shkollën e Mesme, ëndërroja që të vazhdoja studimet e larta në fushën e muzikës, shpresoja se, ndonjë ditë, mbase do të mund t’a takoja. Ky moment erdhi në datën 10 korrik, 1970, kur, i veshur me uniformë ushtari, unë u paraqita në konkursin e Fakultetit të Muzikës të ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve). Kryetar i komisionit ishte pikërisht kompozitori Lara, në atë kohë Përgjegjës i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit.
KOMPOZITORI
Në një vështrim tërësor, krijimtaria muzikore e kompozitorit Lara, është mjaft e gjerë. Ajo përfshin një numër të madh veprash muzikore, të cilat u takojnë zhanreve e gjinive të ndryshme muzikore: zanoro-operistike e instrumentoro-simfonike. Ndër ‘to, vendin kryesor e zënë, pa dyshim, veprat instrumentoro-simfonike, si: suita, koncerte, valle, rapsodi, simfoni, etj.; vepra instrumentore, si: prelude, ballada, variacione, sonata, etj.; vepra të muzikës së dhomës, si: trio, kuartete, skerco, rondo, etj.; vepra të muzikës skenike, si: opereta, balete, etj. Ndërkaq, veprat zanore vijnë në një masë më të vogël, por as ato nuk mungojnë, Midis tyre, përmendim: pjesë korale a cappella, këngë popullore të përpunuara, këngë për fëmijë, etj. Ndër vepratmuzikoremë të rëndësishme, lejomëni që të sjell në vëmendjen e dëgjuesit krijime, si:“Simfonia nr. 1 në Fa minor,” një vepër klasike me karakter të përgjithshëm liriko-dramatik. Për një mjeshtëri të spikatur artistike, vlejnë të përmenden, gjithashtu, pesë koncertet për piano e orkestër: “Koncert për piano e orkestër nr. 1,” “Koncert për piano e orkestër nr. 2,” “Koncert për piano e orkestër nr. 3,” “Koncert për piano e orkestër nr. 4,” “Koncert për piano e orkestër nr. 5.” Vlera të pamohueshme artistike, shpalosin edhe tre kuartetet për harqe: “Kuartet për harqe nr. 1,” “Kuartet për harqe nr. 2,” “Kuartet për harqe nr. 3,” etj. Ndërkohë, vepra skenike, Baleti “Fatosi partizan,” e merr subjektin në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar (1939-1944). Historikisht, autor i sonatës së parë për piano në Shqipëri, kompozitori Lara u përfshi, gjerësisht e thellësisht, në krijimin e veprave instrumentoro-simfonike, duke dhënë në këtë lëmë një ndihmesë të veçantë. Individualiteti krijues i tij del në pah sidomos duke dëgjuar, përjetuar e studiuar pikërisht veprat instrumentoro-simfonike. Përsa i takon përmbajtjes, tipari kryesor individual i muzikës së kompozitorit shfaqet lirika dramatike.Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një krijues muzikor i shquar.
PEDAGOGU
Për shumë vite me radhë, kompozitori Lara punoi si pedagog pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve). Në këtë institucion të rëndësishëm shkollor artistiko-muzikor, ai jepte leksione në lëndën “Analiza e veprave muzikore,”një disiplinë teorike themelore për formimin profesional të muzicienëve të rinj: kompozitorë, kritikë muzikorë, historianë të muzikës, instrumentistë, etj.Po ashtu, jepte lëndën “Kompozimi muzikor,” një disiplinë, e cila, për vetë natyrën e saj, zhvillohet individualisht, pra, me pjesmarrjen e një studenti të vetëm. Sa herë që jepte leksion në lëndën “Analiza e veprave muzikore,”
kompozitori Lara hynte në klasë i qeshur e i vëmendshëm. Në duar mbante gjithmonë pjesë muzikore klasike të zhanreve e gjinive të ndryshme, të cilat mund të ishin për instrumente solistikë të caktuar, për familje instrumentesh, për instrumente të caktuar dhe orkestër simfonike, etj. Duke qenë vetë instrumentist, për të ilustruar mendimin teorik, ai niste të luante në piano pjesët muzikore, që përdorte si shembuj. Eshtë e qartë se, përmes ndërthurrjse së anës teorike me anën praktike të çështjes, shpjegimi i lëndës bëhej më i thjeshtë dhe më i kuptueshëm për studentët. Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një pedagog i klasit të parë.

PIANISTI
Historikisht, kompozitori Lara u shkollua më së pari në jetën e tij si instrumentist, duke u diplomuar si pianist pranë Liceut Artstik “Jordan Misja,” në Tiranë. Pa dyshim se, zotërimi mjeshtëror i këtij instrumenti, i cili shquhet për gjerësinë dhe thellësinë shprehëse muzikore, luajti një rol përcaktues në tërë karierën profesionale të mëvonshme të kompozitorit. Në të vërtetë, ai e përdori njohjen praktike të instrumentit të pianos më shumë për të krijuar sesa për të interpretuar muzikë. Veprimtaria e tij krijuese u nxit fuqishëm pikërisht prej aftësisë së tij interpretuese. Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një pianist i talentuar.
STUDIUESI
I ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm të lëndës “Analiza e veprave muzikore,” kompozitori Lara hartoi, midis të tjerash, dy tekste muzikore bazë të kësaj lënde, për shkolla muzikore të niveleve të ndryshme, si vijon: “Analiza e veprave muzikore” (për shkollat e mesme të muzikës), “Analiza e veprave muzikore” (për Universitetin e Arteve). Po kështu, duke ndjekur aktivisht jetën kulturoro-artistike të vendit në përgjithësi dhe jetën artistiko-muzikore në veçanti, kompozitori Lara, ndër vite, shkroi e botoi në organe qendrore letraro-artistike, siç ishin, gazeta “Drita,” revista “Nëntori,” etj., mjaft artikuj e studime muzikore kritike. Si objekt i tyre janë dukuri të ndryshme artistike të kohës: vepra muzikore, veprimtari muzikore, çështje të procesit krijues muzikor, etj. Hulumtimet e tij teorike tashmë janë botuar si një libër i veçantë, çka e bën më të lehtë procesin e studimit të tyre nga ana e lexuesit. Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një studiues serioz.
INTELEKTUALI
Kompozitori Lara asnjëherë nuk fliste për vlerat artistike të veprave të tij të shumta, zanore e instrumentore. Këtë rol ai ia linte vetëm kritikës muzikore. Nëse ndonjëherë ajo ishte e thartë, kompozitori përsëri heshtte. Eshtë e qartë se, nga pikëpamja etiko-morale, ai shërbente si model i mrekullueshëm për muzicienët e rinj studentë.Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një intelektual thellësisht modest.
MIKU 
Kompozitori Lara përgatiti breza të tërë muzicienësh të rinj shqiptarë të të gjitha fushave: kompozitorë, kritikë muzikorë, historianë të muzikës, instrumentistë, etj. Brenda këtij qerthulli, ai interesohej vazhdimisht për ecurinë e tyre gjatë procesit mësimor. Nëse ata kishin probleme ose shqetësime mbi çështje të ndryshme, ai do t’u jepte atyre pa vonesë ndihmën e domosdoshme profesionalo-pedagogjike. Si përgjegjës i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit, kompozitori Lara nuk u diktonte asnjëherë studentëve të fushës së muzikës se në çfarë drejtimi duhet të specializoheshin ata: kriteri kryesor nga udhëhiqej ai, ishte, mbi të gjitha, dëshira e vetë studentëve. Në një mënyrë vërtet të rrallë për kohën, herë-herë, kompozitori Lara do të ftonte studentëpër vizitë në shtëpinë e tij. Po ashtu, ai mbante lidhje me studentët edhe pas përfundimit të studimeve, duke u interesuar vazhdimisht që të mësonte mbi përparimin e tyre në jetë. Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një mik i sinqertë i studentëve të tij.
PERSA I TAKON BASHKEKOHESISE
Në ditët tona, kompozitori Lara jeton larg Mëmëdheut: në Kanada. Me tërë peshën e viteve që mban mbi supe, ai sërish vazhdon që të krijojë muzikë pa rreshtur. Siç duket, vetëm duke kompozuar, ndihet i lumtur! Arti i magjishëm i muzikës e mban atë vazhdimisht të gjallë!Ndërkohë, Shqipëria e largët i sjell kujtime të rralla …
***
Kompozitor i shquar, pedagog i klasit të parë, pianist i talentuar, studiues serioz, intelektual thellësisht modest, mik i sinqertë i studentëve të tij, etj., Kozma Lara është pa dyshim një figurë muzikore me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, e gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri. Veprat muzikore zanore e instrumentore më të mira të tij, sidomos ato që u takojnë zhanreve instrumentoro-simfonike, do të qëndrojnë vazhdimisht si pjesë e thesarit të artë të muzikës profesioniste shqiptare. Vepra të tilla do të vazhdojnë me siguri që të pasurojnë, frymëzojnë e edukojnë estetikisht shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe brezat e rinj të muzicienëve shqiptarë në veçanti.
Sigal