Kozma Gjini/ “…Kamxhik-hu vjen me karvan”

553
…Ky do të jetë slogani i “subjektit” pa subjekt “Amore a prima vista”, për prezantimin e kandidaturës sime për të drejtuar “komunkasabanë” e territoriales së re.Pasi studiova me laps në dorë të gjitha programet elektorale të partive të mëdha, të vogla, veçanërisht atyre fantazmë e pasi zbulova se ato nuk ngjanin si dy pika uji, por si “dy pika rakije”, vendosa që t’i sfidoj e të dal para elektoratit si kandidat i pavarur, për të vidhisur kokëposhtë thënien e moçme: “një herë në 100 vjet fluturon një patë e pjekur”.Asnjëherë nuk më ka tërhequr “smira” e të qënit në krye të “tufëzave” të njerëzve, siç ishin komunat e dikurshme, kurse tani, me këto “të bëshmet” ohua…të ka lezet shpirti, sepse s’ke të bësh me “thërrime”…Prandaj, shkurt, do të shpalos programin tim, detyrimet e ndërsjellta që burojnë nga “ndërevropianizimi’ i turbullosjes mentale të elektoratit i cili e ka “humbur nordin” që kur Ramizit i “humbi” busulla në “pu-la-ri-zmin” e OKB-së.Programi im elektoral qendron me këmbë në tokë dhe me “hundën në qiell”.Pranoj të rreshtohen (pas meje) të gjithë ata që kanë humbur pasaportat ose kartat e identitetit, mjafton që ditën e votimeve të paraqesin patentën, teserën apo diplomën.Gratë do t’i pajisim me një “pec special” badiava me dy funksione: për të tëhollur petët edhe për ta “përdorur” ndaj burrave, si kura “më e mirë” për të rënë nga pesha…Në fushën e kulturës do të bëjmë “revolucion” që të përdorim sa më shumë fjalë nga “vevropiançia”, veçanërisht në televizione e supermarkete.E kuptoni që s’futemi dot në Europë me këtë shqipe buzukiane arkaike(?).Sa për bujqësinë, do të kemi prioritet ndërtimin e kanaleve ujitëse “ajrore” që, sapo të ngrini sytë nga qielli e të zgjatni dorën te “rubineti”, vuuu shiu në arën tuaj.!… 
Duhanpirësve, ju lutemi,…ama ju lutemi shumë,…të pijnë me shtëllunga lokaleve, madje me llullë dhe bishtat, mundësisht t’i hedhin poshtë këmbëve të grave e vajzave…Sa i takon ndërtimeve, elektoratit tim i jap “liri të pakufizuar” veprimi…“oburra se u bë deti kos”. Ju siguroj se do të “ringremë” të gjitha fabrikat, uzinat, kombinatet e do të punësojmë njerëz pa hesap…Gjithçka që ua rrafshoi INUK, ne do t’ua “ndërtojmë” gratis, mjafton që ju të mos e bëni si nusja, që, “për inat të sime vjehrre…” Ndërtuesit do ta kenë lejen me pash që të ngrenë vilat e tyre ku t’u dojë prapanica: nëpër gjolet, moçalet, buzë kënetave, anës lumenjve, rrëzë kanaleve…përrenjëve, mjafton që në dimër “t’u hyjë uji poshtë rrogozit” dhe pastaj t’ia rrasim shtetit.E, ç’na duhet shteti? Ku ka më mirë se sa: “mjegulla”, “tymi”, “hashashi”, “turbullira”, “errësira”, “nata”, “gjumi”, rrumpalla…gjej shesh e bëj përshesh?!…Për shtresat në nevojë ofrojmë dhe shanse me “klering”.Kam gati grupin e ndihmës emergjente që t’ua sjellim thesin e miellit në shtëpi, mjafton që ju të postoni në [email protected]. Inkurajojmë votimin me “grushta”, dmth një person për gjithë familjen. 
Madje, këtë,…(si një rast unikal), përfaqësuesi ynë në OSCE, do ta propozoj për çmimin “Nobel! “Për të qënë normal me shëndetin, rekomandoj, të votohet “esëll”, pasi kjo përkon edhe me dimensionin tonë religjioz.Komisionerët ta kthejnë festen mënjanë, mjafton që të firmosin e të futin lekët në xhep…Sa për rregullin në QV mos çani kryt fare. Partia jonë nxit “tejkalimin” e kompetencave…Ai që do të bëjë “kompromise”…do të “përfitojë” dy rroga mujore, kurse ai që “thyen” kutinë e votimit (!), fiton tre vende pune.Pas fitores, do ta hapim grykën e thesit…Jam lidhur me atë,…më i madhi i dynjasë…Prej “KAMXHIK-HU” kam marrë konfirmimin se fill pas 21 qershorit do të “zbarkojë” karvani me groshë…Po, ç’na kanë ne, ata, o zgjedhësit e mi të urtë?!! Një kokërr fasule për person të fusin ata në thes, ne hamë …ohuaaa…6 muaj!Dhe çfarë groshësh: S’të japin fare gazra…” Kështu, ne do të dëndemi sa të plasim…më mirë se në kohën e piramidave…, pastaj të tundim zinxhirin e të bëjmë pallë ariu…Deviza jonë: “sill dhe një herë, pa të shohësh” është me qitje të largët… Pikërisht këtu qendron sekreti i programit tonë: “Së prapthi!”…Gjithçka së prapthi!…. “Qentë le të lehin, karvani…vjen prapa!”
Sigal