Kostë  Gjika/ Artisti i Cirkut, Miço Kasapi midis “Heronjve të Shqipërisë”

800
Sigal

Një jetë e tërë që Artisti i Cirkut, zagoriti Miço Kasapi merr duartrokitje e dhuron emocione për publikun e gjerë në Shqipëri, Greqi, Kosovë etj.. Mund të kujtojmë p.sh, nga kronika e ngjarjeve për  vitin shkollor 2009-2010 në shkollën “Zekeria Rexha” në Gjakovë të Kosovës citohet  se; “Cirku Gjirokastra me z.Miço Kasapi  dhanë  disa shfaqje për nxënësit e kësaj shkolle”. Por të tjera  shfaqje do të realizonte kjo trupe cirku gjatë viteve a 2010 – 2014 në shkollat e qyteteve Pejë, Malishevë, Fushë Kosovë, Skënderaj, Klinë, Podujevë, Prizren të Kosovës etj..

  1. Cirku i Gjirokastrës, një eksperience 50- vjeçare…

Cirku “Gjirokastra” i drejtuar nga  Miço Kasapi është kurorëzimi i një angazhimi, sakrificash të një aktiviteti artistik për plot 50 vjet. Ky aktivitet artistik nis që kur  Miço Kasapi ishte në  moshën 9 vjeçare e vazhdon deri më sot. Cirkun e tij shëtitës, i palodhuri M. Kasapi  do ta krijonte përmes shumë sakrificash e mundimesh, djerse e rreziqesh, në vitin 2000. Duhet evidentuar se në vitet 1972-1990 mjeshtëria  e tij akrobatike  shkëlqeu  përkrah të madhit Sotiraq Paskali, si Artist i Cirkut profesionist pranë Estradës së Gjirokastrës. Janë vite që Cirku i saj u bë pjesë e jetës dhe argëtimet të fëmijëve dhe sot ruhet si pjesë e nostalgjisë së artdashësve gjirokastritë.

  1. Akrobati zagorit ekzekuton numra te nivelit botëror…

Niveli më i lartë artistik i Miços  kulmon kur ekzekutoi numra të nivelit botëror në trupat e cirqeve prestigjioze italiane Merano, Maria Orfei, Roma, etj., në vitet 1992-1998… Komentet në shtypin e kohës apo  Radio TV Lokale të Gjirokastrës e TVSH,nuk janë të vetmet për personazhin e këtij shkrimi. Me sa duket ky rrugëtim i bukur e interesant i talentit të tij artistik nuk ka kaluar pa u vënë re.

  1. Një cirk që ka merituar financime amerikane e daneze…

Në 30 dokumentarët TV, Titulluar “Heronjtë e Shqipërisë” të financuar nga IREX Promedia (USAID and DANIDA) e të transmetuar në 20 televizione private të vendit, në TVSH e në TV e tjera Kombëtare, si dhe në Kosovë dhe Mal të Zi, Miço Kasapi përfaqësohet me njërin prej tyre. Kështu dokumentari i sipër cituar me regji të Rajmonda Nelkut dhe skenar të Roland Gjozës, e sjell atë  në rolin e një artisti Cirku  por dhe të një prindi shembullor e profesori. Qysh në fillim të tij nën okelion “Erdhi Cirku” pasi të njeh me peizazhet karakteristike e tërheqëse të Gjirokastrës, ai citon thënien e Ismail Kadaresë se: “Është vështirë të jesh fëmijë në këtë qytet”, që nënkupton dhe kontekstin kohor të ditëve tona, ku personazhet e jetës së tij janë fëmijë dhe të moshuar. Kjo është pasoja që sjell emigrimi në këtë qytet muzeal e që dallohet qartë në bisedat pesimiste të përditshme të ambientit gjirokastrit. “Jemi vetëm. Ikën e na lanë,  vanë në kurbet. Bëjmë çorape, po kush do na i vesh?”, thonë xhikot gjirokastrite në monologun e tyre për teleshikuesin e këtij dokumentari..

  1. Në Gjirokastër, cirku i Miços një ëndërr optimiste…

Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës ekziston dhe një ëndërr që mund të preket. Këtë e bën të mundur optimizmi dhe vendosmëria e MIÇOS për ti kthyer buzëqeshjen e harruar fëmijëve gjirokastritë nëpërmjet cirkut.  Dhe këta fëmijë nuk janë thjesht spektatorë, por 12 prej tyre  stërviten me pasion në arenën e Cirkut me Prof. Miçon, siç e thërrasin ata. “Midis tyre ka jetimë dhe disa prej familjeve të tyre rrojnë me asistencë sociale. Por ai ju blen ushqime e veshmbathje si kur të ishin fëmijët e tij”, shprehet prezantuesja e këtij dokumentarit TV. Dhe më poshtë ajo vazhdon: “Miçoja  është shpirti i një ëndrre që po bëhet realitet.” Ndërsa shprehja se: “Është vështirë të jesh fëmijë në këtë qytet do të mbetet e shkruar në faqet e një romani”. Ky citim i saj është dhe tematika që përcjell  për teleshikuesin ky material filmik. Duhet thënë se: Cirku në tërësi dhe numrat e veçantë që bëjnë aktorët e tij,  duke u mbështetur kryesisht në ligjet e fizikës  funksionojnë si vetë universi, ku trupat qiellorë bashkëveprojnë në harmoni. Guximi, intelekti, gjakftohtësia, mprehtësia, sinkronizimi, hipnotizimi, shoqërojnë personazhin e këtij shkrimi. Ashtu si karbonet ndahen në grafite dhe diamante, edhe njerëzit  metaforikisht ndahen përkatësisht kështu. E padyshim, Miço Kasapi  u takon diamanteve se ka bërë “mrekulli” në karrierën e tij artistike.

  1. Miço Kasapi midis “Heronjve të Shqipërisë”…

Mjeshtëria profesionale  e skenarit të Dokumentarit televiziv “Heronjtë e Shqipërisë” të tërheq shumë shpejt drejt fundit të tij, për të kuptuar se çfarë karakteri sjell mes nesh personazhi  i tij kryesor M. Kasapi.  Në mënyrë të thjeshtë, por të qartë ai e cilëson  atë si: “…Njeri të  çuditshëm e me zemër të madhe”. Dhe kjo nuk është rastësi, por një e vërtetë që pasqyron traditën e tij familjare. Në memorien e kohës që jetuan, porta e hapur e zemrës  së prindërve të tij Polo e Aleksandra Kasapi, në lagjet Hazmurat e Palorto (Gjirokastër), mbeti një  “Kuvend” i dashur familjar, ku ata çmalleshin e qanin hallet së tokume bashkëfshatarët e krahinës së tyre zagorite, me  banorët gjirokastritë, etj..Këtë e dëgjon të thuhet nga biseda e bashkëmoshatarëve të tyre, ku ata u rritën me respektin e ndërsjellë në këtë ambient të këndshëm shoqëror. Ky kujtim është dhe pasioni i përjetshëm i të parëve tanë,  pasi është dhe kuptimi i kësaj jete.

   Në foto, Artisti Miço Kasapi në Cirkun Italian – Merano dhe në Cirkun Gjirokastra.