Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria në fushën e prokurimit publik

811
Nga Pullumb BEQIRAJ

Problemet e trajtuara në Raport Progresin e Komisionin Evropian, mbi korrupsionin në vendin tonë, ishte kryefjala dhe lufta kundër tij, e cila përbën një nga sfidat më të mëdha të KLSH-së, në drejtim të rritjes së përpjekjeve, aftësive profesionale për të kryer auditime me cilësi mjaft të lartë, duke u orientuar drejtë në fushat përkatëse për të bërë një ekzaminim sa më të thellë të gjithë ngjarjeve korruptive në fushën e prokurimeve e sidomos kur janë përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë. Megjithëse cilësia e kuadrit ligjor ka shënuar një nivel të lartë, megjithatë sistemi i prokurimit publik nuk i ka shërbyer plotësisht qëllimit për përdorimin me efikasitet të fondeve publike.

Prokurimi publik, si një proces i ndërlikuar konkurrimi, akti përfundimtar i të cilit është nënshkrimi i kontratës për qëllime publike, mbart në vetvete edhe rrezikun për korrupsion në disa drejtime si manipulimin e tenderëve në mënyrën e rritjes fiktive të fondit limit, përdorimin pa shkaqe ligjore të procedurës me negocim pa shpallje, pa publikim paraprak, i cili duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe pavarësisht kësaj numri i tyre është ende i lartë dhe zë një shumë të konsiderueshme në përqindjen e vlerës së fondeve, parregullsi të tjera duke përfshirë dhe keqmenaxhimin e qëllimshëm/paditurinë, kur zyrtarët publikë nuk kryejnë kontrollet e duhura apo nuk ndjekin procedurat e nevojshme dhe tolerojnë duke injoruar keqadministrimin e hapur dhe të qëllimshëm nga kontraktorët. Sipas raportit të Komisionit Evropian: “Në disa shtete anëtare, ku korrupsioni në prokurimin publik ngre shqetësime të veçanta, gjurmët e ndjekjeve penale dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë të gjykatave janë të dobëta dhe vetëm në pak raste vendimet për korrupsionin në prokurimin publik janë finalizuar me sanksione bindëse. Në disa shtete anëtare ka mangësi në trajtimin e prokurorëve dhe/ose të gjyqtarëve për çështjet e prokurimit publik”.

Faktori kryesor që ka kontribuar në rritjen e korrupsionit në prokurimin publik që mbizotëron në vendin tonë është pandëshkueshmëria e funksionarëve të përfshirë në praktika të tilla, gjë e cila stimulohet nga numri i ulët i ndjekjeve penale dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë për dënime për korrupsionin në prokurime publike. Nga praktika e deritanishme në vendin tonë ka rezultuar se korrupsioni në fushën e prokurimeve shfaqet në disa forma dhe konkretisht: Në urdhrat dhe udhëzimet e lëshuara nga dikasteret për organizimin e procedurave të prokurimit me tenderë të përqendruar në ministri dhe shpërndarjen në organet e varësisë; manipulimi i tenderëve në mënyrën e rritjes fiktive të fondit limit; manipulimi në tenderë (në formën e fshehjes së ofertës, ofertat plotësuese, rotacionit të ofertës dhe nën-kontraktimit), kur kontrata i është “premtuar” një kontraktori me ose pa pëlqimin e zyrtarit publik; shantazhi, kur zyrtari publik kërkon ose pranon ryshfet, i cili do të marrë pjesë në procesin e tenderimit, duke përfshirë edhe procesin administrativ; përdorimi pa shkaqe ligjore prokurimi me negocim pa shpallje, pa publikim paraprak, duhet të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe pavarësisht kësaj numri i tyre është ende i lartë; Vonesa në lëvrimin e fondeve të prokurimit, kombinuar me afate te ngjeshura dhe me planifikim të dobët; konflikti i interesit; parregullsi të tjera duke përfshirë dhe keqmenaxhimin e qëllimshëm/paditurinë, kur zyrtarët publikë nuk kryejnë kontrollet e duhura apo nuk ndjekin procedurat e nevojshme dhe tolerojnë duke injoruar keqadministrimin e hapur dhe të qëllimshëm nga kontraktorët; propozimet liberale nga KPP dhe APP për shkeljet në prokurime që kanë karakter penal kurse ato mjaftohen me masa disiplinore, etj. Ligji “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe ligji “Për emergjencat civile”, e përcakton qartë kuptimin e emergjencave civile. Me emergjencë civile kombëtare kuptohet një situatë kritike urgjente e në natyre të përkohshme që dëmton seriozisht jetën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin, në një masë e natyrë të tillë që krijon mundësinë ose autoritetin e organeve të qeverisjes vendore për të përballuar atë, ose kërcënon seriozisht mundësinë e Qeverisë për të ruajtur sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të vendit. Më fatkeqësi natyrore, kuptohen tërmetet, përmbytjet, thatësira atmosferike e tejzgjatur, rrëshqitjet arkitektonike, ortekët, erërat e forta, zjarret në pyje dhe në mjediset e banuara, sëmundjet infektive masive, pasojat e të cilave prekin popullatën, gjënë e gjallë, pronën mjedisin si dhe ngjarje të tjera të shkaktuara nga dukuri natyrore.
Nga ballafaqimi i shumë rasteve të vërejtura nga praktikat e vitit 2016, ka rezultuar se në shumë raste të realizimit të tenderëve me procedura negocim pa shpallje paraprake të njoftimit procedurat e kryera për nevojën e mallrave ose investimeve nuk përputhen me fenomenet e përcaktuara në ligjet e mësipërme. Shmangia e procedurave standarde të prokurimit, me pretekstin e nevojave emergjente, ka krijuar premisa për shmangien e konkurrencës dhe pengimin e hyrjes në tregun e shërbimeve të shumë operatorëve ekonomike që operojnë në këto lloj punimesh, si përfundim nga autoritetet kontraktore vërehen se në shumë raste është lejuar shkelje e barazisë në tenderë dhe copëtim të fondeve. Njëkohësisht kryerja e tenderëve me procedurë negocim pa shpallje bie ndesh edhe me qëllimin e ligjit për prokurimin publik dhe ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin për arsye se ligjet e mësipërme kanë si qëllim: të rrisin eficiencën dhe efikasitetin në procedurat e prokurimit publik, të kryera nga autoritetet kontraktore; të sigurojnë mirë përdorim të fondeve publike dhe të ulin shpenzimet procedurale; të nxisin pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik; të nxisin konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë; të sigurojnë një trajtim të barabartë dhe jo diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik, si dhe të sigurojnë integritet, besim publik dhe transparencë në procedurat e prokurimit publik. Niveli i ndëshkueshmërisë së zyrtarëve që kanë shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet është në nivel të ulët. Ligji për prokurimin publik parashikon një numër të madh kundërvajtjesh administrative, të cilat dënohen me gjobë ose me dhënien e masave disiplinore. Agjencia e Prokurimit Publik është autoriteti që merr vendimet për ndëshkimin me gjobë, ose ajo u kërkon autoriteteve kontraktore të zbatojnë masat disiplinore ndaj shkelësve. Procedimi administrativ fillon me nismën e Komisionit të Prokurimit Publik, pas shqyrtimit të ankesave të operatorëve, me rekomandimet e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimeve të kryera si dhe me nismën e Agjencisë së Prokurimit Publik pas një hetimi administrativ nga kjo e fundit. Komisioni i Prokurimit Publik është një prej organeve kryesorë që kanë mundësinë në praktikë dhe kapacitetin institucional të konstatojë, si dhe detyrimin ligjor të kallëzojë kundërvajtjet administrative dhe veprat penale në fushën e prokurimeve publike, koncesioneve dhe ankandeve publike. Është pikërisht trinomi KPP-KLSH dhe APP që kanë në dorë instrumentet e duhura për të luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Por nga praktika e deritanishme vërehet se për shkeljet në prokurime që kanë karakter penal dhe të trajtuara nga KPP dhe APP rezulton se propozimet e bëra prej tyre janë mjaft liberale për arsye se ato mjaftohen vetëm me masa disiplinore. Përmirësimi i efikasitetit të auditimit dhe inspektimit të brendshëm dhe përdorimi sistematik i analizave të riskut, kanë si qëllim në vetvete rishikimin e kuadrit ligjor për inspektimin financiar publik me qëllim funksionimin efektiv të tij; rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve të strukturave të auditit të brendshëm, rritja e cilësisë së tij, si dhe rritja e cilësisë së auditit si struktura që parandalojnë korrupsionin; reformimi i sistemit të inspektimit në fushën e drejtësisë me fokusin në Gjykata dhe Prokurori; inspektime elektronike për parandalimin e korrupsionit në inspektime; forcimi i monitorimit dhe i kontrollit të ekzekutimit të kontratave të prokurimit publik etj. Nga praktika e deritanishme zbatimi i akteve ligjore në fuqi, nuk ka përcaktuar konkretisht përgjegjësinë ndaj veprimeve antiligjore të administratës shtetërore dhe detyrat për ekzaminimin, hetimin nga institucionet e pavarura dhe detyrimin e gjykatave për një gjykim sipas kodit penal në fuqi. Kjo për arsye se në vendin tonë po lulëzon pandëshkueshmëria. Çmontimi i murit të paprekshmërisë e pandëshkueshmërisë duhet të përqendrohet tre drejtime: parandalim, ndërgjegjësim dhe ndëshkim. Mënjanimi sa më i madh i mundësive për t’u angazhuar në praktika korruptive në sektorin publik dhe privat, në përputhje me standardet e BE-së dhe instrumenteve ndërkombëtare është një nga detyrat kryesore të institucioneve shtetërore dhe organeve të qeverisjes vendore. Kjo mund të arrihet edhe me një punë më cilësore të auditit të brendshëm, nëpërmjet organizimit të tij për të kryer auditimin e dokumentacionit të tenderëve dhe përllogaritjen e fondit limit para realizimit të tenderëve. Politika shtetërore nëpërmjet marrjes së masave konkrete, duke përfshirë ato që lidhen me përmirësimin dhe zgjerimin e sistemeve të qeverisjes elektronike, luftën ndaj nepotizmit si një nga rrugët e kapjes familjare dhe fisnore të pushtetit, si dhe përmirësimin drastik të shërbimit ndaj qytetarit në të gjithë sektorët e shërbimeve publike, të cilat minimizojnë motivet dhe mundësitë e zyrtarëve publikë dhe të qytetarëve për t’u angazhuar në korrupsion;
Pothuajse të gjitha vendet e BE-së kanë miratuar një ligj për atikorrupsionin, gjithashtu dhe shumë shtete të kontinenteve të tjera. Në vendin tonë muajt e fundit me miratimin e Reformës në Drejtësi u miratua ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Ç’është më e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit ngelet miratimi i një ligji për shpërblimin e detyrueshëm të dëmit ekonomik të shkaktuar nga punonjës të pandërgjegjshëm dhe të korruptuar në administratën shtetërore. Drejtuesit e institucioneve, e kanë jo vetëm të vështirë të pranojnë se nga pikëpamja administrative duhet të ngarkohen me përgjegjësi dhe në shumë raste konkrete për dëmin e shkaktuar nga dëmet mjaft të mëdha të shkaktuar buxhetit të shtetit. Nga praktika e deritanishme rezulton se në asnjë institucion shtetëror apo organ të qeverisjes vendore, nuk është mbajtur përgjegjësi për asnjë drejtues që ka shkaktuar dëme ekonomike në përmasa të mëdha, duke krijuar edhe bindjen tek qytetarët se drejtuesit e organeve shtetërore janë në pozitë “të privilegjuar” dhe nuk mund të paditen, apo dhe te gjykatësit ekziston një dozë papërgjegjshmërie se nuk mund të gjykojnë për dëmet e krijuara nga drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe organeve të qeverisjes vendore. Gjatë vitit 2016 KLSH ka bërë shumë kallëzime penale për shkelje të procedurave ligjore në fushën e prokurimeve dhe sidomos në drejtim të shkeljeve të barazisë në tenderë, por rekomandimet e KLSH-së për largimin nga puna të punonjësve të korruptuar, kanë rënë në vesh të shurdhët, gjithashtu dhe për kallëzimet penale të dërguara nga ana e jonë në Prokurori, në më të shumtën e rasteve nuk janë dërguar në Gjykatë, ose janë marrë vendime jo ligjore nga kjo e fundit.
Sigal