Korça, mes magjisë së Festës së Birrës

827
Në traditë e re
Sigal

Ndoshta kjo festë ka një moshë të re, ende është “fëmijë”, por për nga përmasat e organizmit, për nga pjesëmarrja e paparashikuar, për nga gjallëria, lëvizja, ambientet festive, mund të thuash se ka statusin e një feste shekullore. Dhe kjo festë ka vetëm një emër, Festa e Birrës në Korçë që sot cilësohet si eventi më i madh festiv në Shqipëri. Një festë e zhvilluar në formë spektakli, një festë me përmasat e një Festivali Mbarëkombëtar të Këngës Popullore, një festë që gjallon gjatë 24 orëve. Kështu mund të cilësohet Festa e Birrës. Pra një Festë unike, e vetmja e llojit të vet në Shqipëri dhe Ballkan. 

Festa e këtij viti

Këtë vit festa filloi më datën 13 gusht. Ishte dita kur dhe moti filloi të freskohej. Korça kishte ditë që përgatitej për festën e saj. Ishte një organizim perfekt, me koncerte dhe me ambiente të rregulluara dhe përshtatura për një festë ndryshe. Sipas të gjithë të dhënave, për çdo natë në festën-magji kishte më shumë se 50 mijë vizitorë. Pra thuajse i gjithë qyteti ishte në festë. I madh e i vogël. Një organizim më perfekt se një vit më parë. Organizatorët për çdo vit komunikojnë, shikojnë, investigojnë, kërkojnë ë detaj që ndonjë pasaktësi e një viti më parë të mos përsëritet. Kështu viti 2015, e gjeti festën të organizuar në mënyrë perfekte. Lumi i njerëzve gjallonte në të gjithë hapësirën e festës si një Festival kostumesh popullore. Për çdo ditë, natë, numri i njerëzve rritej. Pra datat 13, 14, 15, 16 gusht, ishin data që njohin rritje cilësore dhe sasiore te festës. Dhe ja…Çdo festë ka dhe një fund. Më datën 17 gusht 2015, u mbyll mes një entuziazmi të paparë dhe nën tingujt e këngëve të paharruara, viti i nëntë i Festës së Birrës në qytetin e Serenatave. Në këto 5 netë, jo vetëm Korça, por vizitorë nga e gjithë Shqipëria, madje dhe shumë turistë të huaj u bënë pjesëtarë të festës magjike, që për çdo vit thyen rekorde. Askush nuk mund ta besojë, që një qytet kalon pesë net në festë duke lënë mënjanë hidhërimet, lodhjen dëshpërimin, për të kaluar çaste të bukura, çaste gëzimi, nën tingujt e vazhdueshëm dhe zërat e këngëtarëve më të mirë shqiptarë. Kjo është Korça, qyteti i muzikës, i serenatave të famshme, që tashmë din të ndërtojë ura të reja shpirtërore mes njerëzve, duke krijuar dhe festa të reja që lidhen me traditat e qytetit. 

Gent Bushpepa, Kejsi Tola, Vesa Smolica, Juliana Pasha, ishin këngëtarët dhe këngëtaret që e ngritën peshë qytetin e bukur, që përcollën tek njerëzit çaste të paharruara, një “dehje’ shpirtërore të pakrahasueshme. Birrë-këngë-argëtim entuziast. Ky ishte trinomi mbi të cilën ishte ndërtuar kjo festë e cila mblodhi në natën e fundit afërsisht 60 mijë. Birra Korça u derdh lumë për 5 netë me radhë duke shënuar nj rekord shitjeje dhe nj rekord pjesëmarrësish. Të gjithë pjesëmarrësit deklaruan shpirtërisht se ishin 5 netë të rralla, magjike, të pakrahasueshme dhe të paharrueshme. Festa e Birrës, e mbylli për të nëntin vit radhazi, siparin e saj duke lënë pas mbresa të pashlyeshme, duke bërë që shumë korçarë, të linin pushimet për të ardhur në festën e tyre. 5 netë pa gjumë, 5 netë të tejmbushura me muzikë, argëtim, “Birra Korça” mes një atmosfere inkadshente, ku çdo kush që ishte i pranishëm, përjetoi emocionet e një feste që tashmë përbën risi.

Rekordi

Mund të themi se as në ekspozitat e ndryshme ndërkombëtare në Pallatin e Kongreseve, nuk mund të vizitojnë ambientet e saj sa Festën e Birrës. Një det i tërë njerëzish mbi 110 000 mijë, morën pjesë në Festën e Birrës 2015. Në 5 netët e organizimit të saj, numri i madh i vizitorëve në festë, i atribuohet mënyrës së kompozimit dhe organizimit të festës. Në këtë Festë spektakël gjeje një program muzikor të shkëlqyer, ku u ngjitën në skenën e festës emrat më të njohura të muzikës shqiptare. Ata me zërin e tyre, me artin e tyre, përcollën emocione të dyfishta ku njerëzit nuk mund të shqiteshin lehtë.

Nisma

Një festë e re që po troket bindshëm. Festa e birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë Korçë. Jo më kot! Qyteti kishte një traditë në pijen magjike të birrës. Një traditë thuajse shekullore. Mbetet qyteti nënë i kësaj pije (në Shqipëri) që ka pushtuar botën. Patjetër që për të duhej bërë diçka. Dhe pushteti lokal me pronarët e pijes relaksuese e gjetën çelësin e artë. Ideuan Festën e Birrës. Një Festë që u dashurua gjithë populli i qyteti dhe që tashmë pas 9 vjetësh, janë dashuruar me të dhe shumë vizitorë të huaj. Me iniciativën e Bashkisë Korçë, në datat 17,18 ,19 gusht 2007, u organizua për herë të parë Festa e Birrës në qytetin e Korçës.

Festa e organizuar përpara Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla ” pranë Parkut të qytetit shënoi kulmin e sezonit turistik duke shënuar shifra rekord të pjesëmarrjes që i kaloi parashikimet e organizatorëve.

Me mijëra qytetarë të Korçës, emigrantë të ardhur nga Greqia, Italia, SHBA e më gjerë si edhe një numër i madh personash të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë shijuan për tri net me radhë Birra Korçën dhe produktet e fabrikave të përpunimit të mishit Fix dhe Tona. “Festa e birrës…Vetëm në Korçë”, ishte slogani i festës, i cili arriti të realizojë mjaft mirë synimin e Bashkisë, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh vendas e të huaj që festuan dhe u argëtuan së bashku deri në orët e vona te natës. Kështu nisi rrugën një Festë e re, një traditë e re dhe e bukur që për 9 vjet do të bëhej Festa që do thyej rekordet shqiptare. Aktualisht, Festa e birrës në Korçë, aktualisht, jo vetëm është një segment i rëndësishëm përsa i përket tërheqjes së vizitorëve në rajon, por nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

Nderimi

Festa e Birrës, festa më e madhe në Shqipëri është nderuar me Çmimin Shqiptar të Turizmit. Jo më kot! Ajo, tashmë është një birrë që njihet kudo, dhe festa e saj është kthyer në një festë të njohur në gjithë Shqipërinë dhe rajon. Prandaj ajo para disa vjetësh (në vitin 2010) është nderuar me çmimin shqiptar të turizmit, akorduar nga Ministria e Turizmit Rinisë dhe sporteve si dhe Shoqata e Turizmit Shqiptar. Këtë vlerësim e dha juria e përbërë nga emra të njohur por edhe specialistë ndërkombëtarë kanë vlerësuar Bashkinë e Korçës dhe projektin e saj “Festa e Birrës” si më i miri, si një praktikë e veçantë në llojin e vet për të promovuar Korçën si destinacion turistik. 

Një specialist i birrës gjermane ka thënë se “Festa e birrës”, e them me bindje të plotë, është festa më e madhe në Ballkan që organizon vetëm qyteti i Korçës dhe që i takon popullit të mbarë trojeve shqiptare”.

Historiku i “Birra Korça”

Projekti i fabrikës “Birra Korça” u hartua nga një projektues italian në vitin 1928, me vendim të parlamentit të asaj kohe dhe me miratim të Mbretit Zogu I, me dokumente të firmosura nga Pandeli Evangjeli, Mit’hat Frashëri dhe avokati Mano. Fabrika e birrës filloi të ndërtohet në prefekturën e Korçës në tetor të vitit 1929. “Birra Korça” u themelua nga investitori italian Umberto Umberti nga provinca e Valdobjodenit e Venecias dhe Selim Mborja nga fshati Mborje i Korçës.

Kështu, u krijua “Birra Korça sh. a.”, me një kapital prej 950 000 frangash ari, prej të cilave 600 000 franga i takonin Umbertos dhe 350 000 franga i takonin Selim Mborjes për truallin e fabrikës. Kapaciteti prodhues i projektuar ishte 20 000 hl birrë/vit. Fabrika prodhonte birrë bionde, të zezë, ujë “Kristal” dhe akull. Procesi teknologjik i prodhimit të birrës për herë të parë u vendos nga inxhinieri teknolog gjerman Hebard Geraldine, proces që ruhet edhe sot.

Në vitin 1942 filloi ndërtimi i fabrikës së prodhimit të maltos, që përfundoi në vitin 1943.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri më 11 janar të vitit 1946, fabrika “Birra Korça” u shtetëzua, bazuar në ligjet në fuqi.

Kapacitetet prodhuese ndër vite kanë qenë:

më 1943: 600 hl,

më 1939: 10 000 hl,

më 1944: 8 100 hl,

më 1957: 46 300 hl, po kaq edhe në vitin 1958.

Ndërsa prodhimi maksimal prej 52 000 hl u arrit në vitin 1960, kohë në të cilën në Shqipëri u ndërtua “Birra Tirana”.

Pas çlirimit të vendit u rrit prodhueshmëria falë disa rikonstruksioneve në vitet 1955, 1957 më 1965 dhe më i rëndësishmi vitet e fundit nga Presidenti Irfan Hysenbelliu. që e ka bërë këtë birrë të famshme në botë.

Në minutat e fundit

Kur festa ndez fishekzjarrët e përfundimit, një buzëqeshje e ëmbël të endet në fytyrë me dëshirën që viti i ardhshëm të trokasë sa më shpejt. Presidenti i birra “Korça” z. Irfan Hysenbelliu thotë: “Festa e birrës lindi prej birrës “Korça”. Në vitin 2016, për këtë birrë do të ketë investim edhe në Londër”. Udhë të mbarë birra dhe Festa e “Birra Korça”!

.