Koncerti i improvizuar i Madonnës, homazhe për viktimat e sulmeve terroriste në Paris

Madonna ka improvizuar një koncert përpara memorialit të 130 viktimave që humbën jetën nga sulmet terroriste në Paris më 13 nëntor. Këngëtarja ndodhet në kryeqytetin francez prej disa javësh ku po zhvillon turneun muzikor “Rebel heart”. Ajo këndoi hitin e John Lennon, “Imagine” para memorialit të viktimave në Sheshin “Republika”, ku prej disa javësh vazhdojnë homazhet nga turistët por edhe qytetarë të shumtë parizianë. E rrethuar nga fansa të surprizuar por edhe kalimtarë të rastit në sheshin “Republika”, Madonna ia dedikoi këtë homazh 130 jetëve të pafajshme që mbetën të vrarë disa javë më parë. Këngëtaren e shoqëronte edhe djali i saj, 10 –vjeçari David. Ajo interpretoi gjithashtu edhe dy këngët e saj të mirënjohura “Ghosttown” dhe “Like a Prayer”.

“Të gjithë e dinë pse jemi këtu….duam vetëm të këndojmë disa këngë paqeje, për të përcjellë dashuri dhe gëzim, por edhe në nderim dhe respekt të njerëzve që humbën jetën këtu katër javë më parë,” u shpreh këngëtarja. Pete Halla, një turist britanik, i tha një gazetari të Reuters se “Madona ishte frymëzuese, origjinale dhe e vërtetë”. “Me këngët e saj ajo sjell shpresë, dhe njerëzit kanë nevojë për shpresë.” Ndërsa më herët gjatë koncertit të saj në Paris, Madonna ishte mbështjellë më flamurin francez dhe këndoi himnin kombëtar Marsejezën. Ajo iu drejtua publikut me fjalët: “Ne nuk duhet të kemi frikë. 

Po mendoj për atë që ndodhi pothuajse katër javë më parë tani. Zemra e Parisit dhe zemra e Francës rreh në zemër të çdo qyteti. Une erdha në Paris për herë të parë kur isha 20 vjeç, dhe këtu vendosa të merrem me muzikë. Faleminderit Paris për dëshirën që bërë të lindë në zemrën time!” Edhe një ditë pas sulmeve, këngëtarja iu kushtoi homazhe viktimave në koncertin e zhvilluar në Stockholm të Suedisë, ku mbajti një fjalim prekës dhe këndoi “La vie en rose”.