Kompozitori Tish Daija, tashmë “Nderi i Kombit”

592
Me propozim të Akademisë së Shkencave, akademiku dhe kompozitori i shquar Tish Daija (1926-2003) u vlerësua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” në 90 vjetorin e lindjes nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani.”Kompozitor i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, pedagog e akademik, drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Me krijimtarinë e Tij ndër vite popullarizoi vlerat e artit muzikor dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi”, thuhet në motivacionin e këtij vlerësimi.
Ceremonia e dekorimit u zhvillua në ambientet e Presidencës me pjesëmarrjen e kreut të shtetit, përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave, familjarëve, miqve e kolegëve të akademik Tish Daisë. Kompozitori Tish Daija, lindi më 30 janar 1926 në Shkodër. Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, etj. Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, ai kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija është autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”,etj. Ai u nda nga jeta në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003./Shqip/
Sigal