Komedia: “Darka e lamtumirës”, në Teatrin Eksperimental

155

Rikthehet komedia franceze “Darka e lamtumirës“

(Në role; Gazment Paja, Laureta Nezha, dhe Visjan Ukcenaj)

Komedia franceze “Darka e lamtumirës” do të rikthehet për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra me regji nga Kiço Londo do të jetë në skenë mbrëmjen e së mërkurës dhe të enjtes. Në role vijnë tre aktorë të njohur dhe të vlerësuar nga publiku. Kjo është një vepër e krijuar nga autorët francezë Matthieu Delaporte dhe Alexandre de la Patelliere. Vetë teatri shkruan se është një komedi franceze, që nuk duhet humbur. “Mos mungoni! 3 dhe 4 prill ora 20:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental vjen komedia “Darka e lamtumirës”. Me Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Visjan Ukcenaj, që do ju sjellin një shfaqje që nuk duhet humbur”, shprehet teatri. Kjo shfaqje depërton në historinë e dyshes Pierre e Clotilde, të cilët përpara se të marrin pjesë në darkën e radhës që nuk e kanë me qejf të shkojnë, marrin një vendim: Të spastrojnë shoqëritë e konsumuara. Kështu, ata do të organizojnë një darkë lamtumire, që është një përzierje homazhi e lehtësimi për miqtë që do të dalin nga jeta e tyre. Viktima e parë do të jetë pikërisht miku i tyre prej vitesh, Antoine Royer. Por, midis Pierres që është burracak e i mefshtë dhe Clotildes së paparashikueshme e mikut të çuditshëm, gjërat do të dalin jashtë kontrollit dhe darka nuk do të shkojë siç ishte planifikuar prej tyre. Për të zbuluar më shumë mbi rrjedhën e ngjarjeve dhe a do të ketë një lamtumirë të vërtetë në këtë darkë publiku do ketë mundësinë ta shijojë duke parë shfaqjen “Darka e lamtumirës”. Më herët, aktorja Laura Nezha është shprehur se Clotilde roli që i ka besuar regjisori Kiço Londo është i këndshëm. Mbi të gjitha, te personazhi që ajo sjell në shfaqje, sipas saj, është autoriteti që spikat “Clotilde edhe përpiqet që të ekuilibrojë situatën për të shpëtuar edhe marrëdhënien e saj. Autoriteti, është ai që spikat tek Clotilde, iniciativa për vendimmarrje, dominanca në çift. Është një personazh shumë i këndshëm që vendoset në një trekëndësh marrëdhënieje mes dy miqsh dhe pozicionohet si ajo që duhet të ekuilibroje situatën për të shpëtuar në një farë mënyre marrëdhënien e saj”, u shpreh aktorja Laura Nezha.

Komedia pjesë e teatrit të rajonit

Komedia “Darka e lamtumirës” është gjithashtu pjesë e teatrit të rajonit. Publiku ka mirëpritur lojën e aktorëve në vepër edhe në skena të tjera në qytete të ndryshme të vendit për të përcjellë ngjarjen e shkruar nga autorë francezë. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka nisur mbrëmjen e së hënës projektin “Shtatë për shtatë”. Kjo do të thotë që do të ketë shfaqje për të rritur në mbrëmje në teatër në të gjitha ditët e javës, duke filluar nga e hëna deri të dielën. Drejtori i teatrit, Kiço Londo, është shprehur se në themel të projektit “Shtatë për shtatë” qëndrojnë shfaqjet e teatrit të rajoneve. Ai shprehet se është me rëndësi për jetën artistike në vend.