Komandant Memo Nexhipi dhe provokacionet e Gusht 1949

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore shteti shqiptar, me përparësi po vëzhgonte veprimet armiqësore të shteteve fqinj, të cilët në vijimësi po organizonin e kryenin provokacione në kufijt e vendit. Në historikun e Forcave të Kufirit vetëm gjatë vitit 1949 janë kryer mbi 700 provokacione nga ana e ish-Jugosllavisë dhe monarko-fashistëve të Greqisë në kufirin tokësor, ajror e detar, ku nga këto 600 ishin kryer në kufirin me shtetin Grek. Gjatë muajve prill-korrik, monarko-fashistët grekë kryen mbi 120 provokacione të ndryshme ajrore dhe tokësore në rajonin e Bilishtit, Leskovikut, Sarandës, Konispolit etj. Vlerësimi i këtyre provokacione prej shtetit shqiptar i paraprinte masave për një agresioni të mundshëm kundër vendit. Qeveria ndërmori një sërë masash për të forcuar vigjilencën dhe rritur gatishmërinë luftarake të FA dhe të popullit. Shteti filloi përgatitjet në të gjithë vendin nga ana politike, ekonomike dhe ushtarake me qëllim mbrojtjen e atdheut, të lirisë dhe të pavarësisë së tij. U morën masa që të mos lejoheshin monarko-fashistët grekë të futeshin në tokën shqiptare ose ta pushtonin për ta përdorur për rrethimin dhe asgjësimin e forcave të Ushtrisë Demokratike Greke, që mbrohej në malet e Greqisë në kufi me vendin tonë.

Komanda e Përgjithshme mori masa organizative dhe detyrë që njësitë e repartet e Forcave të Kufirit të forcohej gatishmëria luftarake, të organizohej vrojtim e zbulim i pandërprerë përgjatë kufirit juglindor e jugor të vendit, si dhe të kryheshin e përsoseshin punimet xheniere fushore. Forcave të Kufirit ju vu detyrë për të mos lejuar dhe ndaluar çdo lloj veprimi luftarak të armikut, për t’u futur në brendësi të kufirit shtetëror.

Veprimet luftarake në rajonin e Vidohovës
Komanda monarko-fashiste greke, për të mashtruar forcat demokratike greke në Malin e Viçit, si dhe për të kapur objekte të rëndësishme në drejtim të Dradhës, filloi veprimet luftarake në drejtim të Vidohovës. Pas një përgatitje të fuqishme me artileri më 2 gusht 1949, në orën 05.00, tri batalione monarko-fashistë të përforcuara me artileri e të mbështetur nga 15 aeroplanë “Spitfeier” sulmuan tokën shqiptare në piramidat nr. 54 dhe 55, në një front 700-800 m dhe pas 7 orë luftime me forcat e rojes së kufirit të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, mundën të përparojnë 300-400 m në tokën shqiptare. Armiku mori masa për mbrojtjen e lartësisë, duke u përforcuar dhe me manovër krahëmarrëse e shpinëmarrëse sulmoi të merrte lartësi të tjera, por u detyrua të ndalet në orën 13.00 të kësaj dite. Me fillimin e veprimeve luftarake për pushtimin e lartësisë 1309 m, batalioni këmbësor i vendosur në rajonin e Sulit, filloi lëvizjen drejt kësaj lartësie dhe nën mbështetjen e fuqishme të zjarrit të një grupi mortajash kundërsulmoi, ku dhe pas luftimesh të ashpra e të përgjakshme, rivendosi situatën. Armiku ndërmori një zjarr të fuqishëm me artileri e aviacion dhe me një sulm tjetër, i detyroi forcat shqiptare të lëshojnë pozicionet e të tërhiqen në bazën e nisjes. Armiku ndërmori edhe sulme të tjera, por si rezultat i mbrojtjes me këmbëngulje dhe të kundërsulmeve të herë pas hershme të forcave tona, nuk mundi ta merrte lartësinë 1309 m. Armiku u përforcua në lartësinë 1425 m, ku veç përshtatjes së disa QZ ekzistuese, bëri transhe e hendeklidhje.

Më 7 gusht, në orën 16.00, pas një breshëri me zjarr, Forcat e Ushtrisë shqiptare me tri toga sulmuan për marrjen e lartësisë. Mes luftimeve të ashpra, forcat e krahut të djathtë arritën të kapin 3 QZ, por në pamundësi të përfaqësohen, u tërhoqën në bazën e nisjes. Sulmi u përsërit në orën 24.00 pa mbështetjen e artilerisë, por nuk pati sukses. U organizuan dy grupe sulmi, njërit prej tyre, që mori detyrë të vepronte në krahun e majtë, iu dha në përforcim një togë xheniere. U organizua ndërlidhja me këto forca, si dhe për sigurimin e sulmit u organizua PAM, ku mori pjesë edhe AKA me qitje të drejtpërdrejt. Në orën 18.00 të datës 8 gusht forcat u hodhën në sulm. Me luftime të përgjakshme, që arritën deri trup me trup, dhe bashkëveprimi i mirë të forcave dhe i mbështetjes me zjarrin e artilerisë, u arrit të marrin lartësinë 1425 m dhe të rivendosin situatën në kufirin shtetëror. Monarko-fashistët për të shpërthyer mbrojtjen e forcave tona të kufirit, përqendruan një sasi të konsiderueshme forcash dhe mjetesh. Kështu, për pushtimin e lartësisë 1309 m, ku mbrohej një togë kufitare me një efektiv 36 vetë, armiku sulmoi me dy batalione me rreth 1.000 vetë të mbështetur nga një RA dhe aviacioni.

Gjatë veprimeve luftarake për pushtimin e lartësive forcat tona kufitare përdorën me mjeshtëri manovrën krahmarrëse e shpinëmarrëse edhe në terren malor. Forcat e Kufirit, si rezultat i vendosmërisë, heroizmit, organizimit të mirë të zjarrit, të kundërsulmeve të njëpasnjëshme, e detyruan armikun në ditën e pare, të mësynte me një temp mesatar të ultë, prej 40-50 m në orë duke përparuar 300-400 m në thellësi të tokës sonë. Gjatë 5-6 ditë luftimesh me forcat monarko-fashiste forcat tona thyen mesatarisht çdo ditë 1-2 sulme. Veprimet luftarake të tyre në mbrojtje u karakterizuan nga një aktivitet i lartë, ato dhanë deri 2 kundërsulme në ditë, më të dëndura në data 2-3 dhe 5-7 gusht. Sidomos për marrjen e pozicioneve në lartësitë e kodrave ku armiku kishte marrë masa për t’u përforcuar dhe fortifikuar, kundërsulmet u dhanë me grupe sulmi, në përbërje të të cilëve morën pjesë efektiva nga nënrepartet xheniere. Në tërësi, gjatë dhënies së kundërsulmeve, u organizua edhe bashkëveprimi ndërmjet llojeve të armëve dhe mbajtja e tij deri në plotësimin e detyrës. Përveç armëve të këmbësorisë, veprimet xheniere dhe zjarrit të artilerisë që u përdorën me intensitet nga forcat tona në këto luftime, për mbështetjen e sulmit të këmbësorisë u përdorë edhe artileri KA me qitje të drejtpërdrejt.

Komandant Memo Nexhipi
Memo Nexhip Bejko lindi në Dukaj të Tepelenës, më 1 prill 1929. Babai, Nexhipi kishte marrë pjesë në luftën kundër andartëve grekë, në vitin 1914 dhe në Luftën e Vlorës 1920. Me këto tradita atdhetare u edukua që në fëmijëri, ku dallohej midis shokëve në zellin për të mësuar dhe në shkathtësinë e veprimeve. Nga kushtet e ekonomike familjare e detyruan Memon që në moshën 14 vjeç të shkonte në Vlorë, për t’u punësua në fabrikën e vajit dhe alkoolit, duke bërë vetëm tri klasë fillore. Me fillimi i LANÇ-it, Memo Nexhi u gjend nga të parët aktivistë dhe partizan në çetat e para të Tepelenës. Ai u dallua si organizator dhe trim në të gjitha aksionet luftarake. Në shtator 1943 forcat partizane të batalionit “Baba Abaz”, batalionit territorial të Kurveleshit dhe çetat e fshatrave e çliruan qytetin e Tepelenës më 15 shtator. Në luftimet e Shkallës së Zezë, në shtator-tetor 1943, ku ju bë një pritë autokolonës gjermane të ardhur nga Janina, e që shkonte për në Vlorë, partizani Memo Nexhipi tregoi trimëri të rrallë. Memo Nexhipi u caktua nga luftëtarët e Tepelenës për partizan në radhët e Br. II S, në nëntor 1943. Në ditët e Operacionit armik të Dimrit (1943-1944), Memua veproi në territorin e Tepelenës. Në shkurt të vitit 1944, Memo rreshtohet në batalionin e dytë të Grupi të Parë të Kurveleshit dhe ju ngarkua detyra e zëvendëskomandantit të kompanisë. Në luftime u shqua si luftëtar trim, por dhe organizator e komandant i aftë. Në maj të vitit 1944, Memo shkon përsëri në Br. II S, në radhët e së cilës qëndroi deri në çlirimin e plotë të Atdheut.

Pas çlirimit qëndroi në radhët e Ushtrisë Popullore. Batalioni ku shërbente Memo u përqendrua në fshatin Hoçisht të Devollit. Memo si komandant i thjeshtë kishte fituar respektin e ushtarëve të batalionit. Atij i dëgjohej me vëmendje fjala dhe i zbatonin urdhrin luftarak. Ku vepronte ky batalion lëviznin herë pas herë bandat diversioniste. Njëra prej tyre i vrau në befasi komandantin e batalionit, e që Memo si mik e shok e dëshpëroi shumë, por shtoi forcat dhe urrejtjen për armiqtë e pabesë. Nga veprimet diversioniste, provokacionet greke në kufijtë e jugut arritën në shkallën e një agresioni ushtarak.

Më 2 Gusht 1949 monarko-fashistët grekë kaluan në sulm të hapur në sektorin e Vidohovës. Provokacionet u shtrirë në sektorë të tjerë, si në Trestenik, në Kapshticë, në Vernik dhe deri në sektorin e Leskovikut. Forca e parë luftarake që u shkoi në ndihmë kufitarëve trima të Vidohovës ishte kompania që komandohej nga kapiteni Memo Nexhipi dhe nëntogeri Ferit Bregasi. Komandant Memos në këto luftime iu dha e drejta të komandonte gjithë batalionin. Pozicionet e luftimit u zunë së bashku me kufitarët. Armiku ishte gozhduar në vend brenda tokës sonë dhe po groposej në llogore. Memoja dhe Feriti vendosën të sulmonin.

Urdhri i komandant Memos u përhap me shpejtësi në të gjithë vijën e kufirit. Ushtarët u përgatitën për sulm. I pari u ngrit Memo e pastaj e gjithë kompania u sul e para. Sulmi i vrullshëm bëri që monarko-fashistët të thyheshin shpejt. Duke lënë të vrarë e të plagosur, armiku u tërhoq. Komandant Memo vëmendjen e përqendroi te vendosja e luftëtarëve në pozicionet më të përshtatshme, ku zjarri i armëve të ishte sa më i efektshëm mbi armikun që përgatitej për sulm. Përsëri në mesditën e 2 gushtit monarko-fashistët, të mbështetur nga aviacioni, përsëritën disa herë sulmet, duke u munduar të hynin në tokën tonë, por kufitarët trima qëndronin me gjakftohtësi pa u tundur nga vendi e nuk i lëshonin armikut asnjë pëllëmbë tokë.

Kodra e Vidohovës ishte ndezur flakë dhe ushtarët, me në krye komandant Memo, luftonin heroikisht, duke i vënë detyrë vetes të mos thyheshin, armiku nuk duhej të kalonte kufirin shtetëror. Beteja vazhdoni e ashpër. Memo luftonte me mitraloz dhe nisi t’i vinte shirit tjetër, por nuk arriti, sepse aty midis komandantit dhe komisarit, plasi një predhë e fuqishme artilerie. Pasi u shpërnda pluhuri dhe u qartësua pamja, ushtarët panë kapiten Memon të gjakosur në fytyrë, me kokën të mbështetur te mitralozi dhe dukej sikur po flinte. Komisar Feriti ishte përplasur pak më tutje i copëtuar, kurse një ushtar i vdekur ndodhej i rënë pranë komandantit të tij. Një oficer i ri i afrohet komandantit, e ngre në shpatulla dhe i thërret i ngashëryer. Memoja ngadalë hapi pak sytë, pa oficerin dhe me zë që mezi i dëgjohej i përsëriti: “Merr komandën, kujdes, ata sulmojnë!”. Aktet e guximshme e burrërore të Heroit të Popullit Memo Nexhipit, të oficerit Ferit Bregasit, të ushtarëve Tafil Ferhati, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu e të shumë të tjerëve, të cilët ranë në mbrojtjen e Atdheut, tregojnë më së miri për cilësitë e shkëlqyera moralo-luftarake me të cilat ishin brumosur efektivi i ushtrisë për të mbrojtur Atdheun.

Komandanti trim Memo Nexhipi, për merita gjatë LANÇ-it, por dhe si ushtarak e kuadër është vlerësuar me titullin “Hero i Popullit”, shkolla dhe rrugë mbajnë emrin e tij, si dhe është shpallur Dëshmor i Atdheut.