Kolec Topalli/ U shua një yll në qiellin e albanologjisë

643
Sigal

Më datën 16 gusht ndërroi jetë njëri nga albanologët më të shquar të ditëve tona, Prof. Besim Bokshi, anëtar i dy akademive shqiptare, në Kosovë e Shqipëri, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, autor i shumë veprave shkencore e letrare, njëri nga aktivistët më të spikatur për lirinë e Kosovës dhe vendosjen e demokracisë, deputet në Kuvendin e Kosovës, përfaqësues i denjë i kulturës, shkencës dhe letërsisë shqiptare në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë. Mbarë Gjakova, ku kishte lindur e Prishtina, ku jetonte, tërë Kosova e Shqipëria, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo në diasporë, e ndjenë humbjen e thellë që la largimi i këtij dijetari, shkencëtari të mirëfilltë, poeti e veprimtari. Jeta e tij qe një përpjekje e vazhdueshme për të ngritur gjithnjë e më lart shkencat albanologjike, vullneti i tij ishte një shembull për të gjitha ata që la pas. I lindur në Gjakovë më 1930, u shkollua në Tiranë, në vendlindje, në Prishtinë e Beograd. Dha kontributin e tij në fushën e arsimit e të shkencës, si profesor gjimnazi dhe drejtor i tij, në shkollën e lartë Pedagogjike, në Institutin Albanologjik si punonjës shkencor, pedagog i historisë së gjuhës në Universitetin e Prishtinës. Në Akademinë e Shkencave dha kontribute të mëdha në fillim si anëtar korrespondent, pastaj anëtar i rregullt, më vonë si nënkryetar dhe kryetar i saj. Ka mbajtur ligjërata e kumtesa në Kosovë e jashtë saj, në universitete e qendra shkencore të Europës. Në fushën politike si Kryetar i Partisë Socialdemokrate, qe luftëtar për të drejtat e njeriut, për lirinë e demokratizimin e vendit të tij. Si poet shquhet për elegancë, figuracion e meditime të thella. Por kontributin më të madh e ka dhënë si shkencëtar albanolog në fushë të historisë së gjuhës, duke studiuar sistemin emëror e nyjor, vetor e foljor me vepra të thella për nga përmbajtja, të plota për nga argumentet, të sakta për nga shembujt. Veprat e tij i kapërcejnë kufijtë e albanologjisë duke dhënë kontribute të vlefshme në fushë të ballkanistikës, romanistikës, sllavistikës dhe indoeuropianistikës. Kultura e gjerë, njohja e shumë gjuhëve të huaja, këmbëngulja për të zgjidhur probleme të vështira e të ndërlikuara të historisë së gjuhës shqipe e vënë këtë dijetar në radhën e më të mirëve të kohës sonë. Veprat e tij, si: “Ndryshimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (1971), “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” (1980), “Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike” (1984), “Pjesorja e shqipes” (1998), “Për vetorët e shqipes” (2004), “Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes” (2010), si edhe një shumicë artikujsh shkencorë, janë një kontribut me rëndësi të veçantë në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Sot ky  dijetar i përmasave jo të zakonshme, nuk është më. Ai prehet i qetë në tokën e lirë të vendlindjes, për të cilën punoi aq shumë, shpeshherë në kushte të vështira. Pranë varrit të tij prehet një kolos tjetër i albanologjisë, prof. Selman Riza, daja i tij, prej, të cilit mësoi shumë ai dhe të tjerë, që vazhdojnë rrugën e tyre. Por vdekja nuk mund të mposhtë njerëz të përmasave të tilla. Ata mbeten të gjallë përmes veprave të tyre dhe kontributeve, që e çojnë shkencën përpara. Besim Bokshi do të përmendet sa kohë të ketë albanologji, sa kohë të ketë shqiptarë.