Kolë Gurashi, figurë e shquar e kulturës shkodrane

824
Sigal

PORTRET/ Kolë Gurashi luajti rolin kryesor në krijimin e teksteve të reja poetike

 Tashti që po shkruaj përsëri për Kolë Gurashin, më kujtohet ajo ditë e 7 marsit 1971, kur u përhap lajmi se u nda nga ne, në moshën 91- vjeçare, njeriu që gjithë jetën ia kishte kushtuar këngës qytetare shkodrane, si edhe artit në përgjithësi. Mua më ngarkuan të mbaja  fjalën e rastit në ceremoninë e përmortshme.

       Kisha lexuar shkrimet e tij në katër numrat e parë të vjetarit “Shkodra” për këngëtarët e vjetër, kisha mik të birin e tij, piktorin Ndoc Gurashi dhe, me shokun tim të ngushtë, piktorin Ferdinand Paci, kisha qenë disa herë në shtëpinë e artistit të moshuar, isha njohur deri diku me punën e tij të gjithanshme në fushën e artit, por gjithsesi nuk merrja përsipër përgjegjësinë e hartimit të një nekrologjie për këtë figurë shumëplanëshe të kulturës shkodrane e më gjerë. Prandaj me Prof. Vehbi Balën, që e njihte mjaft mirë veprën e tij, shkruam fjalën e rastit.

    Kur e lexova pata mjaft emocion

    Tashti që jetën dhe veprën e tij e njoh më mirë, ndjej një detyrim jo vetëm moral, por edhe për hir të vërtetësisë, ta vendos në vendin e duhur këtë figurë të rëndësishme të kulturës sonë në përgjithësi dhe të këngës qytetare në veçanti, sigurisht aq sa më lejojnë mundësitë e qëllimi i këtij libri. Kolë Gurashi është përfaqësuesi më tipik i ruajtjes, i përhapjes, rinovimit e pasurimit të këngës qytetare shkodrane, sepse pa të, njohuritë tona për këngëtarët, vjershëtorët dhe krijuesi e tyre, të afërt apo të largët, do të ishin shumë të kufizuara. Ai punoi tërë jetën e tij të gjatë, për lulëzimin dhe propagandimin e këngës sonë qytetare. Kolë Gurashi u lind më 14 janar 1880. Qysh i vogël tërhiqet pas këngës qytetare shkodrane dhe interpretimit mjeshtëror që i bënin asaj  këngëtarët më në zë të saj, midis të cilëve më vonë përmenden më të njohurit, si: Sait Hoxha, Osja i Falltores, Mark Krajani, Palokë Kurti, Hila i Files, Tare Hoti, Tahir Kastrati, Shtjefën Jakova, etj., etj., për të cilët ai do të na lejë shënime me vlerë, që pjesërisht janë botuar dhe një pjesë mbeten në dorëshkrim, por gjithsesi janë burimet kryesore nga ku marrim të dhëna të rëndësishme për ta dhe për të tjerë më të vjetër me të cilët ka filluar reformimi i ahengut shkodran, siç shprehet vetë Kolë Gurashi.

    Kolë Gurashi luajti rolin kryesor në krijimin e teksteve të reja poetike dhe zëvendësimin e teksteve të vjetra, të mbushura me turqizma. Ai i dha përmbajtje të re shumicës së këngëve që këndoheshin atëherë e që kanë mbetur sot e kësaj dite, duke u përfshirë në reformimin e ahengut shkodran për t’i kënduar dashurisë së pastër, luleve shumëngjyrshme e plot aromë të qytetit tonë, natyrës së bukur e njerëzve të mirë.

    Duke vazhduar punën e filluar nga Kasem Xhurri e Palokë Kurti me shokë, ai i dha ngjyrë shkodrane shumë krijimeve të bukura, duke përmirësuar veçanërisht këngët e të parit, të cilat ishin të mbushura me fjalë të huaja, veçanërisht turqizma.

    Në studimin e tij “Ahengu shkodran”(së bashku me Gjush Sheldinë) dhe në vazhdim të tij në botimin e artikullit “Të dhëna biografike mbi disa këngëtarë popullorë” në vjetarin “Shkodra”, 1962, 1963 e 1964, flitet për një plejadë të tërë krijuesish, interpretuesish dhe ekzekutuesish të këngës qytetare shkodrane, siç e kemi vënë në dukje  në fillim të këtij libri.

    Kolë Gurashi na la të shkruar gjithë renditjen e ahengut dhe të këngëve të dasmave, sipas rregullave dhe të çelësave muzikorë për 330 këngë, duke treguar në shumë raste autorët apo prejardhjen e tyre.

    Në studimin e tij, Kolë Gurashi përfshin një gamë të gjerë të krijimtarisë muzikore dhe etnografike të qytetit tonë, si për ahengun, për vlerat muzikore që përdoreshin në kohë të ndryshme, për vallet shkodrane dhe vjetërsinë e ndarjen e tyre, për zakonet e fejesës dhe martesës në Shkodër në besime të ndryshme, veshjen e qytetarëve shkodranë, vallet, shregullat, si dhe një fjalor turqisht, arabisht e persisht, për fjalët e përdorura në këto këngë.

    Përveç këtyre, në saje të punës së madhe dhe voluminoze që ka bërë Kolë Gurashi, ne sot kemi një vëllim të plotë të teksteve të këngëve shkodrane, ku duket edhe kujdesi me të cilin e ka mbledhur këngët tona. Të gjithë materialet e mbledhura dhe të krijuara nga Kolë Gurashi meritojnë studim më të hollësishëm dhe një vlerësim më të plotë. Një punë e tillë u bë nga studiuesi e folklorit tonë, prof. Selami Tabaku në librin “Shkodra e baballarëve” ku përveç teksteve të këngëve të krijuara apo të mbledhura nga Kolë Gurashi, në hyrje ka botuar një studim pak a shumë të  plotë i krijimtarisë së Kolë Gurashit në këtë fushë, në kujdesin e të birit, piktorit Ndoc Gurahi.

Kolë Gurashi ka qenë edhe këngëtar e instrumentist

 Është ndër të parët që e ka përdorur me shkathtësi harmonikun e dorës. Edhe pse në moshë të thyer, ai la, në studion e Radio-Tiranës, në vitin 1952, një numër të madh inçizimesh të këngëve qytetare shkodrane, për të mbetur përjetësisht i gjallë repertori i tij shumë i pasur. Edhe në këtë drejtim ai meriton vëmendje të veçantë.

Përveç studimeve në fushën e këngës, përveç poezive të shumta të këngëve shkodrane, përveç 74 inçizimeve në Radio-Tirana, përveç notizimit të shumë e shumë këngëve, Kolë Gurashi ka lënë edhe vepra në artet tjera si në pikturë, ku spikat vepra “Ahengu karakteristik shkodran” dhe riprodhimi i “Dasmës shkodrane” të Idromenos, veshjet shkodrane, natyra e qetë “Drandofilet”, etj., si dhe një autoportret. Megjithëse i ka bërë në moshë të thyer, në to mbizotërojë ngjyra të gjalla e të ndezura, plot jetë dhe kolorit.

Edhe në fushën e dramaturgjisë, Kolë Gurashi na ka lënë disa melodrama si: “Agimi i qytetërimit”, “Plaku i ri”, etj., si dhe  dramat historike “Zyhra Hanmi” (ose “Moj e vogla si florini”), “Brahim Gjoci”, “Kupe Danja”, “Mejremja” dhe komedinë “Kusha” që kërkojnë një studim më të plotë. E gjithë kjo krijimtari, në një mënyrë a në një tjetër është e lidhur me vetë këngët shkodrane, duke treguar edhe një herë se shpirti i tij prej artisti të gjithanshëm ishte i lidhur në mënyrë të pandashme me këngën qytetare shkodrane. Të gjitha njohuritë e tij në këto fusha, shërbyen më vonë në inskenimin e grupit artistik të Shtëpisë së Kulturës të shfaqjes “Dasma shkodrane” më 1947, të regjisorit Andrea Skanjeti, ku Kolë Gurashi dha një ndihmesë të madhe në përgatitjen e saj, veçanërisht në anën etnografike. Jeta dhe vepra e Kolë Gurashit është një shembull i pakrahasueshëm  i dashurisë së përhershme dhe të gjithanshme për artin popullor në përgjithësi dhe për këngën qytetare shkodrane në veçanti.

Këshilli i Bashkisë i qytetit  i ka dhënë Kolë Gurashit titujt “Krenaria e Shkodrës” dhe më vonë “Qytetar Nderi”, për merita të shquara në fushën e artit e të kulturës.