Koha për t’i thënë lamtumirë shtetit partiak …

626
Asnjëherë, nga viti 1990 deri 2017, dyada keq-qeverisëse PD – PS s’ka ndjekur politika të drejta lidhur me strehimin dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë. Administrata politike e pushtetit shtetëror ekzekutiv ka Pushtetet politike Shtetet partiake kanë bërë demagogji ‘të palodhur’, retorikë dhe tautologji boshe lidhur me sistemin Republikan të Demokracisë, por de facto e kanë shtyrë dhe rrëzuar këtë sistem në ‘humnerën’ e sistemit despotik të partive destruktive që kanë pushtuar dhe komandojnë Shtetin Juridik, duke e vendosur atë në shërbim të interesave antiligjore dhe kundër interesave strategjike të Popullit.
Politika komerciale dhe antipopullore për strehimin
Duke mbajtur parasysh precedentët, lidhur me politikat e strehimit në vendet me demokraci të zhvilluar, qeveritë në shërbim të shoqërisë civile gjithmonë planifikojnë fonde vjetore sa 3.5 % e prodhimit të brendshëm kombëtar, si dhe kredi për shtëpi banimi, me interes 3 deri 3.5 % për një periudhë shlyerje 10 deri 25 vjet; por ‘zgjuarsia politike’ e dyadës PD – PS nuk është përdorur si alternativë në shërbim të progresit racional dhe dobi të grupit social të pastrehë, por si mjet për të sunduar elektoratin e pa informuar. Referuar statistikave të publikuara nga Enti Kombëtar i Banesave, në Shqipëri janë mbi 20 mijë familje të pastreha, të regjistruara pranë pushteteve vendore, nga të cilat mbi 792 në bashkinë Lezhë, 686 në bashkinë Berat, 10, 8917 mijë në bashkinë e Tiranës, e të tjera. 

Në një kohë kur numri i familjeve të pastreha kap shifrën mbi 20 mijë, qeveritarët socialistë “mburren” duke thënë publikisht se Enti Kombëtar i banesave ka investuar gjatë viteve 2014 deri 2016 gjithsej 700 milion lekë, ose vetëm 5 milion euro, për të ndërtuar 250 banesa me kosto të ulët; nga të cilat 40 në Fier, 35 në Berat, 38 në Lushnje, 35 në Librazhd dhe 74 në Korçë. Bazuar në mëtimet e INSTAT, nga viti 1997 deri në fund të marsit 2003 biznesi i ndërtimtarisë, vetëm për zërin ndërtesa banimi, ka investuar 1 miliardë e 456 milionë USD; ka përgatitur 8 milionë e 661,657 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi dhe ka mundësuar volum të ardhurash 2 miliardë e 768 milion USD; prej tyre fitimi neto nga biznezet private ka qenë 1 miliardë e 312 milionë USD. Sigurisht, nuk themi asgjë të re po të mëtojmë faktin se kur ishin në pushtet berishianët dhe nanoistët u ‘kujdesën’ që biznesi i ndërtimtarisë të shmangej jo vetëm nga pagesa e taksës së TVSH, por thuajse nga të gjitha taksat ekzistuese. Kësisoj vetëm gjatë 7 vjet qeverisje pushtetarët e dikurshëm nanoistë, në thelb antimajtistë, me dashje nuk futën në buxhetin e shtetit minimumi 262 milionë USD të ardhura nga taksa e vlerës së shtuar në biznesin e ndërtimit. Qeveritarët socialistë, referuar ligjit, patjetër duhej të mblidhnin nga taksat e tjera të ndërtimtarisë 115 milionë USD për 7 vjet; konkretisht 60 milionë USD nga taksa e kalimit në pronësi, (1 mijë lekë të reja për çdo metër katror ) minimumi 30 milionë USD nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe mbi 25 milionë USD për taksën mbi ndërtesat; por konstatohet fakti se gjithmonë kanë ceduar nga ky detyrim. Për 12 vjet berishianët, nanoistët dhe ramët mund dhe duhej të kishin mbledhur nga taksat e ndërtimtarisë gjithsej 377 milionë USD, ose mesatarisht 53.8 milionë çdo vit; por ata, me dashje, paramendim dhe antiligjërisht nuk e kanë mbledhur taksën e vlerës së shtuar; ndaj kësisoj janë përgjegjës për veprimtari financiare kundër interesave shtetërore në shumën 262 milion USD. Pas kësaj retrospektive të rrudhur vihet re qartë jo vetëm panorama e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës nga nomenklatura e nivelit të lartë ekzekutiv; por edhe fakti i trishtueshëm se Prokuroria e Përgjithshme asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të ushtrojë ndjekje penale kundër segmenteve të krimit të organizuar financiar, të atashuar brenda pushteteve të përkohshëm politikë; të cilët janë mbrojtur pas strategemës mashtruese se edhe FMN ka qenë dakord të favorizohej biznesi i ndërtimtarisë. Dihet se, duke filluar nga viti 2006 ka nisur të zbatohet taksa e TVSH mbi biznesin e ndërtimit; çfarë nënkupton 37 milion euro në vit. Mbi 8.5 milionë euro ka qenë shuma vjetore e mbledhur nga taksa e kalimit në pronësi, mbi 4 milionë euro në vit llogaritet taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe mbi 8 milionë të ardhurat nga taksa e licencimit në ndërtimtari plus taksën mbi ndërtesat. Kësisoj, mbi 57.5 milionë euro mesatarisht çdo vit kanë hyrë në buxhetin e shtetit nga taksat e ndërtimtarisë, ose gjithsej 690 milionë euro për 12 vite kalendarikë; nga të cilat 460 milionë euro gjatë qeverisjes berishiane dhe 230 milionë euro për 4 vjet të qeverisjes së kryeministrit socialist aktual, z. Edi Rama. Duke llogaritur ndërtimin, ose blerjen e një apartamet banimi me shumën mesatare 30,000 euro, arrijmë në konkluzionin shterues se diada keqqeverisëse PD – PS ka pasur mundësi të pajiste qytetarët e vet me 23 mijë apartamente banimi. Sikur kryeministri Edi Rama, të mos kish shlyer faturën prej 726 milionë USD, në favor të oborrit të biznesmenëve berishianë, por të kishte pritur një vendim gjykate të formës së prerë për ta shlyer këtë detyrim; vetëm brenda 6 mujorit të parë të qeverisjes socialiste mund të kish strehuar 24,000 familje të pastreha; pra çështja e strehimit të popullatës së pastrehë mund të ishte zgjidhur njëherë e mirë dhe përfundimisht në Shqipëri; por taksat e mbledhura nga ndërtimtaria nuk janë përdorur për politika strehimi, por për qëllime të tjera. Logjika ta thotë se se kryeministrat despotë Berisha – Rama mund t’i kishin përdorur 690 milionë eurot e lartpërmendura për të hapur vende të reja pune; por u vetshmangën nga investimet strategjike në frontin e punësimit; sepse vizioni i tyre strategjik lidhur me zhvillimin makroekonomik ka qenë dhe ka mbetur tejet i kufizuar. Ata nuk e dinë se hapja masive e vendeve të reja të punës, zhvillimi strategjik i tregut shoqëror të punës krijojnë stabilitet, progres ekonomik, paqe sociale, fuqizim të shtetit ligjor, rënie të veprimtarisë antiligjore, mirëqenie dhe harmoni popullore, si dhe shtim të kapitalit financiar të faktorëve investues në degët prioritare dhe vendimtare të prodhimit. Duke mbajtur parasysh se për të hapur një vend pune afatgjatë, ose të qëndrueshëm, duhen investuar deri 10,000 euro, na del se po t’i kishin investuar 690 milionë euro në tregun e punës, mund të ishin hapur 69,000 vende të reja pune; çfarë nënkupton se në xhepat e popullit fukara, nëpërmjet punëmarrësve të rinj, do të ishin futur 2.07 miliardë lekë më tepër çdo muaj, 24.14 miliardë lekë në vit, ose 173 milionë euro çdo vit. Sikur kryeministri Edi Rama, të mos kish shlyer faturën prej 726 milionë USD të ‘oborrit’ të biznesmenëve berishianë, por të kishte pritur një vendim gjykate të formës së prerë për ta shlyer këtë detyrim; vetëm brenda 6 mujorit të parë të qeverisjes socialiste mund të kish strehuar 24,000 familje të pastreha; ose, më mirë akoma, mund të kishte hapur 72,600 vende të reja pune; të cilat do t’i kishin dhuruar popullit shqiptar 2 miliardë e 178 milionë lekë më tepër në muaj, 26 miliardë e 136 milionë lekë në vit dhe 91 miliardë e 476 milionë lekë, ose 762.5 milionë USD më tepër për 3.5 vjet, sipas kursit 1 USD = 120 lekë. Por Qeveria Rama nuk mendoi për të pastrehët dhe të papunët, por për biznesmenët berishianë, ndonëse ndaj tyre nuk kishte asnjë detyrim dhe madje nuk kishte bërë ndonjë premtim elektoral se do t’u kthente borxhin e krijuar nga qeveria berishiane. 
Spekulimi me ‘çekun’ 1 miliard USD
Agjitatorët e lodhur të ‘piktorit’ kryeministër, z. Edi Rama, gjatë fushatës paraelektorale po mëtojnë strategemën se: pas marrjes së mandatit të dytë elektoral, pas datës 18 qershor 2017 do përdorin, në bashkëpunim me bizneset private, ‘çekun’ 1 miliard USD për të kryer investimeve dhe punime në vepra publike. Në këtë kuadër demagogjik natyrshëm lind pyetja “asgjësuese”: përse nuk mjaftuan 4 vite kohë për të përfunduar pak kilometra ‘autosdradë’ gjatë dy ‘bajpaseve rrugore”, njëra në veri të qytetit të Fierit dhe tjetra në jug të tij ose në njësinë administrative të Levanit?.

Dihet se investimi më i madh publik do të ishte hapja e vendeve të reja të punës. Me 1 miliard USD mund të “konstruktohen” 100,000 vende të reja pune, me afat kohor të pa imituar. Ta supozojmë se PS ka mundësi t’i “fitojë” zgjedhjet elektorale të 18 qershorit 2017 dhe kapitalin financiar të lartpërmendur ‘kryeministri piktor’ ka ndër mend ta përdorë për të hapur 100,000 vende të reja pune.. 

Lind pyetja ftilluese: ku, në cilat degë prodhimi do të investohet kjo fuqi e re pune; në cilat fronte prioritare, pragmatiste, imediate dhe perspektive..? Cili do të ishte impakti, efektshmëria dhe pritshmëria e investimit të këtij kapitali financiar? Cili do të ishte burimi kryesor për të përfituar fitimet që prodhon puna e bazuar në investimin e kapitalit financiar? Cila do të ishte rritja makroekonomike në shkallë strategjike për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Vjetor Bruto? 

Ku janë studimet hulumtuese për hapjen e degëve të reja të prodhimit dhe cili do jetë trendi i tyre”? Sa mund të jetë impakti për rritjet e prodhimit bujqësor, industrial, tregtar, turizëm, rritje të eksportit dhe uljes së importit në nivelin strategjik të ekonomisë sonë viable? Në këtë kuadër, cili do të ishte roli udhëheqës konkret dhe garantues i Qeverisë lidhur me operacionet vendimmarrëse për garantimin e suksesit? Cilët do të ishin partnerët strategjikë, rolet dhe detyrat e kombinuara dhe bashkëvepruese të bizneseve private me ministritë përkatëse për të ‘korrur’ arritjet e prodhuara nga eficenca dhe fitimet e mundësuara nga operacionet e kombinuara dhe të harmonizuara të punës?; kush do të ishin tregjet afatgjatë që do të ‘përthithnin’ dhe shisnin në ‘tregun e blerjeve’ produktet e reja të punës..?. 

A e di qeveria partiake, e kryesuar nga z. Edi Rama, se nuk mjafton dëshira, as sigurimi i kapitali financiar, i shoqëruar madje me vullnetin e mirë plus ‘instinktin’ për të hapur vende të reja pune; nëse mungon materializimi i konstruktimit të organizimit, planifikimit dhe zbatimit të idesë me parametra gjallues dhe funksionale; të cilët mbajnë parasysh vizionin se si, qysh, kur, ku, me kë, ose cilët faktorë evolutivë, determinues dhe afatgjatë do vihet në zbatim projekti strategjik i punësimit?; bazuar në cilin studim social të tregjeve të prodhimit, sipas kujt planifikimi hulumtues pararendës, paraprak, dhe të eksperimentuar, që garanton suksesin imediat, ose perspektiv lidhur me zhvillimin adekuat dhe permanent të tregut të punës, në interes dhe vartësi të degëve strategjike të ‘masproductions’, do të realizohet operacioni për punësimin e plotë joinflacionist? Sepse, ashtu si politika është arti i drejtimit të Shtetit edhe ekonomia e shëndoshë viable është kusht vendimtare për arritjen e Mirëqenies Popullore. Nëse vijon qeverisja partiake, jo transparente, jo llogaridhënëse dhe destruktive e dyadës PD – PS, nëse nuk “çlirohet” Kuvendi Popullor nga “zgjedha” e pushteteve të përkohshëm politikë, që kanë 27 vite që keq-qeverisin Shtetin e munguar Ligjor, nëse administrata politike shtyp me despotizëm antipopullor permanent sistemin e brishtë demokratik të Shqipërisë, nëse thjesht mëtohen premtime elektorale ‘boshe’ dhe gënjeshtare, ose demagogji ‘nul’, të pa shoqëruara me studim, planifikim, detyrim, dhënie llogari dhe ndëshkim taksativ, në rast të mosrealizimit të tyre; nuk mund të ketë normalitet dhe stabilitet afatgjatë në Republikën ‘de jure – parlamentare’, por ‘de facto – despotike’ të Shqipërisë. 
Strategema për 300 mijë vende ‘të reja’ pune
Qeveria e kryeministrit ‘rozë’, z. Edi Rama, mashtroi haptazi kur premtoi hapjen e 300,000 mijë vendeve të reja të punës. Ministri i Financave, z. Arben Ahmeti, gënjen paturpësisht kur pretendon se qeveria socialiste i ka hapur këto vende pune. Referuar të dhënave zyrtare të botuara nga INSTAT “Shqipëria në Shifra – 2015”, krahasuar me shifrat e publikuara nga “Standart and Poor’s” dhe ato të publikuara nga INSTAT në tremujorin e katërt të vitit 2016 ka kundërthënie të ndryshme. Sipas “Standart and Poor’s” niveli i papunësisë në vitin 2013 ka qenë 16.4%, në vitin 2014 u bë 17.9%, në 2015 ishte 17.5 % dhe në 2016 arriti 17%. Po t’i krahasojmë këta tregues me papunësinë gjatë qeverisjes nanoiste në vitet 2002, 2003 dhe 2004, që ka qenë respektivisht 17.3%, 12/9% dhe 13.4%, arrin në konkluzionin shterues se qeveria socialiste e z. Edi Rama ka bërë performancë qartasi negative krahasuar me qeverisjen e ish kryeministrit Fatos Nano. Duke mbajtur parasysh statistikat zyrtare të INSTAT, faktin se forcat e punës në vitin 2013 kanë qenë 1,218,000 persona, kurse të punësuar 1,024,000 persona, na duket krejtësisht ‘komik’ premtimi kryesor elektoral i bërë nga z. Edi Rama; i cili premtoi hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune. Grotesku nuk qëndron në aspektin e hulumtimit teorik; sepse, duke mbajtur parasysh kërkesat e kontigjentit që mbush moshën për të kërkuar të drejtën ligjore për të ‘hyrë’ në tregun e punës dhe të papunët ekzistues, shifra përkon me punësimin e plotë të forcave të afta për punë; por premtimi elektoral merr trajta humoristike për shkak se nuk parashtrohen burimet dhe kapitalet financiare, në masën 3 miliardë euro, që do të mundësonin investimin për të hapur 300 mijë vende të reja pune, por më kryesorja në ‘fronte dhe degë prodhimi do të skalionoheshin tre armatat e reja të punës’. Sikur ky premtim elektoral të ishte realizuar vërtet; atëherë, duke llogaritur të paktën 200,000 vende të reja pune, gjatë vitit të tretë qeverisës, investimi financiar për hapjen e 200,000 vendeve të punës do të ishte 2 miliardë euro, fitimi për kapitalin financiar të investuar për punën me krijim mbivlere 30% do ishte 600 milionë euro; impakti makroekonomik, vetëm nga të ardhurat e punës me një pagë mesatare 35,000 lekë në muaj, do të ishte 84 miliardë lekë, ose 616 milionë euro; të ardhurat për sigurimet shoqërore do të rriteshin me 19.3 miliardë lekë, ose 140 milionë euro; të ardhurat shtetërore vetëm nga rritja e fuqisë blerëse do të kapnin shumën 16.8 miliardë lekë, ose mbi 126 milionë euro; fitimi tregtar me rabat 30% do të kapte shifrën 25.2 miliardë, ose 184 milionë euro. Kësisoj të ardhurat globale, ose fitimi neto gjatë vitit kalendarik 2016 do të rritej në masën 227.5 miliardë lekë, ose 1 miliardë e 666 milionë euro. Po të llogarisim si “të hapura” 300,000 mijë vende të reja pune; investimi për hapjen e këtyre vendeve të reja punë do të ishte 3 miliardë euro; mbivlera e punës në masën 30% do të sillte për punëdhënësit minimum 900 milionë euro fitim vjetor; të ardhurat e punës me një pagë mesatare 35,000 lekë në muaj, do të ishte 126 miliardë lekë, ose 924 milionë euro; të ardhurat për sigurimet shoqërore do të rriteshin me 28.95 miliardë lekë, ose 210 milionë euro; të ardhurat shtetërore vetëm nga rritja e fuqisë blerëse do të kapnin shumën 25.2 miliardë lekë, ose mbi 189 milionë euro; fitimi tregtar me rabat 30% do të kapte shifrën 37.8 miliardë, ose 276 milionë euro. Kësisoj të ardhurat globale, ose fitimi neto gjatë periudhës 18 qershor 2016 deri 18 qershor 2017 do të rritej në masën 341.25 miliardë lekë, ose 2 miliardë e 499 milionë euro. Pra, si konkluzion shterues, qeveria me përmbajtje aspak socialiste e piktorit surrealist, z. Edi Rama, sikur të kishte hapur deri në fund të vitit të katërt të qeverisjes 300,000 vende të reja pune, do ta kishte rritjen vjetore të PBB 12.5 përqind, ose mbi trefishin më tepër nga parashikimi për vitin e katërt të qeverisjes, që konstatohet si mot llogaridhënës elektoral.
Shteti partiak duhet të “vdesë”..
Na kujtohet thënia e famshme e Gëtes: “Çdo gjë që lind, meriton të vdesë.” (shih: “Fausti”, pjesa I, skena 3, ‘Kabineti i Faustit’); ndaj përsiatim se ka ardhur momenti i ‘vdekjes’ së destruktivitetit të dyadës PD – PS dhe koha e lindjes së personalitetit dhe funksionalitetit të Republikës Shqipërisë. Ky Shtet unik Kombëtar tashmë nuk ka nevojë për këndvështrimet injorante, të kufizuara dhe egocentriste të neodespotëve narcistë; të cilët, duke ‘komanduar antiligjërisht’ pushtetet shtetërorë dhe keqpërdorur financat publike, kanë ‘blerë’ pushtetin e katërt mediatik dhe manipuluar verdiktin elektoral të Shoqërisë Civile Shqiptare; e cila ndihet ende e brishtë, pa kuraja strategjike dhe ndërgjegjësim lidhur me misionin historik, si dhe rolin udhëheqës që duhet të ketë lidhur me sendërtimin dhe veprimtarinë e Shtetit Demokratik dhe Juridik. Shteti ynë Ligjor ndjen domosdoshmërinë e paevitueshme të formatimit, prezencës dhe veprimtarisë hulumtuese, studimore, planifikuese, organizuese, zbatuese dhe menaxhuese të Institucionit të Drejtorisë së Planifikimit Shtetëror; i cili, në unitet, bashkëpunim dhe bashkëveprim harmonik me bizneset private VIP, të mesme dhe të vegjël, lypset të parashikojë dhe zbatojë me sukses objektivat e planit evolutiv, studimor, llogaridhënës dhe afatmesëm 4 vjeçar; konform strategjisë shtetërore të miratuar dhe parashikuar për zhvillimin racional të ekonomisë sonë kombëtare; me prirje të qarta pragmatiste, imediate, afatmesme dhe perspektive viable; në përputhje me kushtet konkrete, resurset dhe aftësitë ekonomike kreative të Republikës së Shqipërisë. 

Autori: Vladimir LULAJ
Kryetar i Partisë e Mirëqenies Popullore
Sigal