KLSH nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Kolegjin Universitar “Luarasi”

558
Në datën 30 qershor, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr.Bujar Leskaj dhe Rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, Prof. Dr. Arben Malaj nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi në ambientet e KLSH-së. Marrëveshja vjen në kuadër të interesit të përbashkët për të bashkëpunuar në rritjen e kapaciteteve dhe njohurive profesionale të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në njërën anë, si dhe në zhvillimin e kurrikulave dhe mendimit shkencore të Kolegjit Universitar “Luarasi” në anën tjetër, përmes kontributit që ofron KLSH-ja si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili ndihmon në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike nga Qeveria dhe entet e tjera publike nëpërmjet auditimit.
Në fjalën e tij, Kryetari Leskaj u shpreh se kjo marrëveshja ka një rëndësi të dyfishtë për Kontrollin e Lartë të Shtetit. “Së pari, KLSH po konkretizon një bashkëpunim me një nga universitetet prestigjioze të vendit, themeluar nga një personalitet i shquar i botës akademike si Aleks Luarasi. Së dyti, është një universitet që e ka vazhduar dhe e ruan traditën e zhvillimit të mendimit të përparuar shkencor përmes Rektorit, Prof. Dr. Arben Malaj, i cili përfaqëson një personalitet të lartë në fushën publike, veçanërisht në politikat ekonomike, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, si Ministër i Financave, dhe si anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”.Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj theksoi se marrëveshja e bashkëpunimit mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Kolegjit Universitar “Luarasi” do të gjejë një zbatim tepër produktiv për të dyja palët dhe do të shtrihet në bashkëpunime në konferenca shkencore si dhe në auditime. “Konferenca Shkencore, e organizuar çdo vit nga KLSH, do të jetë një pikëtakim i rëndësishëm për të zhvilluar bashkërisht mendimin shkencor në fusha të ndryshme të shkencave ekonomike. KLSH do të mirëpresë kontributin e akademikëve dhe pedagogëve në Revistën Shkencore “Auditimi Publik”. Ekspertiza dhe njohuritë akademike do të ndihmojnë Kontrollin e Lartë të Shtetit në realizimin e auditimeve të performancës dhe në auditime me fokus buxhetin e shtetit”, u shpreh Kryetari Leskaj.Nga ana e tij, Rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, Prof. Dr. Arben Malaj vlerësoi politikat institucionale që ndjek KLSH, veçanërisht në partneritetet që krijon me universitetet vendase dhe botën akademike. Prof. Dr. Arben Malaj e konsideroi marrëveshjen me KLSH-në si një vlerë të shtuar për Kolegjin Universitar “Luarasi”. “Në përgatitjen e kurrikulave universitare, kemi marrë një feedback të çmuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe jemi të bindur se bashkëpunimi me KLSH-në do të jetë tepër produktiv në lëvrimin e mëtejshëm të mendimit shkencor në fushën ekonomike dhe veçanërisht në kurset që ofron Kolegji Universitar “Luarasi”për luftën kundër korrupsionit. Me njohuritë dhe eksperiencën që ofron Kontrolli i Lartë i Shtetit, angazhimi i studentëve të Kolegjit Universitar “Luarasi” në formate internshipi apo stazhi në KLSH do të ndihmojë në rritjen e cilësive të njohurive të tyre”, u shpreh Rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, Prof. Dr. Arben Malaj.
Në përfundim të fjalës së tij, Prof. Dr. Arben Malaj u shpreh se shumë nga kolegët me të cilët ka nisur karrierën profesionale ushtrojnë detyra të rëndësishme në KLSH dhe sipas tij, kjo është një dëshmi e profesionalizmit të stafit të KLSH-së. 
Sigal