KLSH dhe “asetet e fjetura” të pushtetit vendor

613
Nga Selfo ZENELI, 
Kryeauditues KLSH
Analizën e veprimtarisë së tij gjatë vitit 2016, të zhvilluar më 27-28 Shkurt 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit e mbështeti në arritjen e objektivave të Planit Strategjik të Zhvillimit të institucionit 2013-2017, të rishikuar. Kjo analizë u mbështet në moton e Kongresit INCOSAI XXIII të INTOSAI-t “auditimi publik në shërbim të qytetarit”. 
Në zbërthimin e kësaj motoje dhe këtij fokusi, interesat e qytetarit janë shumë pranë dhe reflektohen fort në veprimtarinë e drejtuesve vendorë dhe në shërbimet që zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të patundshme (ZVRPP-të) në mbarë vendin ofrojnë për pronat e qytetarëve.
Ballafaqimi vjetor i audituesve të KLSH-së me rezultatet e punës së tyre ishte po ashtu një reflektim i problematikave dhe konkluzioneve të Konferencës së Katërt Shkencore të institucionit “Për Analizën e Riskut”, mbajtur në qershor 2016. Nisur nga ky këndvështrim, analiza e veprimtarisë së institucionit për vitin 2016 u realizua nëpërmjet prezantimeve, kumtesave, referateve lidhur me auditimet me impakt më të rëndësishëm dhe me efekte më të konsiderueshme në menaxhimin e financave dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjatë vitit 2016, KLSH përqendroi shumë auditime të veta në ruajtjen, administrimin dhe regjistrimin ligjor të pronave të paluajtshme me status juridik shtetëror dhe vënien në eficiencë të pasurive kombëtare, aseteve dhe resurseve publike nga pushteti vendor. Ky proces kërkon si domosdoshmëri regjistrimin e tyre të plotë në ZVRPP-të. Analiza e audituesve paraqiti risqe të reja të identifikuara gjatë auditimeve, si në fushën e fitimit të titujve të pronësisë, ashtu dhe në marrjen dhe vënien nën administrim të aseteve e burimeve kombëtare nga njësitë vendore sipas juridiksionit përkatës. KLSH ka përmirësuar e zgjeruar programet e auditimit, duke u fokusuar kryesisht tek pasuritë publike, përfituar nga shpronësimet me fondet e Buxhetit të Shtetit dhe nga transferimet në bashkitë, për të cilat regjistrimi i këtyre pasurive përbën momentin kryesor dhe përfundimtar të marrjes nen administrim të pasurive dhe aseteve publike, si dhe kushtin bazën të sistemimit në formën e duhur ligjore të evidencës kontabile të aktivit. Institucioni ka përfshirë në programet e tij të punës auditimin e marrëveshjeve, kontratave dhe koncesioneve të cilat lidhen me menaxhimin dhe administrimin e aseteve lokale, jo vetëm me regjistrimin e titujve të pronësisë, por dhe me regjistrimin e marrëdhënieve të përdorimit të pasurive të paluajtshme, fushë kjo me risk dhe ndikim për disa kategori të veçanta asetesh, pronash e pasurish të paluajtshme. KLSH nga auditimet e kryera, me rekomandimet e tij ka dhënë kurdoherë impulse nxitëse për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor dhe ZVRPP-ve. Megjithatë situata vijon të jetë problematike. 
Audituesit e KLSH-së theksuan në analizë se ende në juridiksionet e njësive të qeverisjes vendore, pra të bashkive të reja, ka një numër të konsiderueshëm të pasurive të paluajtshme me tituj pronësie të paidentifikuar, ose të bllokuara nga tejzgjatja e procesit të transferimit apo mospërfundimi i tij. Është po ashtu shumë shqetësues numri i madh i aseteve dhe pasurive publike të transferuara dhe pa pronarë realë me dokumente ligjore regjistrimi pranë ZVRPP-ve, dukuri kjo që rrit gjendjen e aseteve “të fjetura”, të pamenaxhuara dhe ofron çdo ditë mundësinë e përdorimit abuziv dhe të jashtëligjshëm të tyre, nga mosushtrimi i funksionit të kontrollit të territorit prej bashkive të reja. Janë në një numër vërtet mbresëlënës në të gjithë vendin pasuritë shtetërore kombëtare të lëna jashtë funksionit dhe të papërfshira në qarkullimin ekonomik të bashkive. Kjo gjendje sjell inproduktivitet dhe mungesë gjenerimi burimesh të reja punësimi dhe të ardhurash për bashkite, çka rëndon bilancin e tyre dhe rrit borxhin e njësive vendore. 
Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet bashkive dhe enteve publike vendore si pronarë të këtyre aseteve të fjetura, nga njëra anë, dhe ZVRPP-ve nga ana tjetër, ka sjellë pasojat e zgjatjes së procesit të regjistrimit me vonesa deri në disa vite, e moskryerjes në kohë të shërbimit të paguar, e uljes së cilësisë dhe transparencës së shërbimit të ofruar qytetarit, si dhe të përfitimeve të paligjshme për shërbime të pakryera nga zyrat shtetërore, situatë kjo me premisa e ndikim në tejkalim të kompetencave të regjistruesit. Këto veprime kanë rezultuar në zhvlerësim të paligjshëm të vlerës së aseteve dhe burimeve dhe në zbritjen në kategori të zërit kadastral, duke rritur evazionin, nëpërmjet uljes së vlerës së detyrimit nga taksa vendore e tokës, taksë e cila diferencohet sipas kategorisë së zërit kadastral. Pra, në fund të fundit, kjo gjendje ka sjellë uljen e nivelit të të ardhurave në buxhetet e bashkive. 
Bashkëpunimi ka munguar sidomos ndërmjet bashkive dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës(ATP) nga njëra anë me ZVRPP-ve përkatëse nga ana tjetër, në ruajtjen, administrimin, mosregjistrimin dhe mostjetërsimin e Fondit Fizik të ATP-së, destinuar për kthim dhe kompensim Pronarëve në pasuritë e llojit tokë bujqësore, pyje, kullota dhe objekte ndërtimore me troje. Deri tani, në fondin e tokës bujqësore janë 11,444 pasuri me sipërfaqe totale 23,368 ha në pronësi shtetërore, që u kanë kaluar në përdorim njësive të qeverisjes vendore. Po ashtu të 61 bashkitë kanë marrë pyje dhe kullota me sipërfaqe totale 50,989,76 ha (vlerësuar në 60 miliardë lekë), si dhe 157 objekte me sipërfaqe totale trualli 250,051 m2 nga e cila sipërfaqe nën objekte 84,863m2 dhe sipërfaqe funksionale 177 587 m2 . 
KLSH nga auditimet ka konstatuar se nga mosidentifikimi dhe mosraportimi i saktë i gjendjes juridike të pasurive në përbërje të fondit fizik, të veçuar me Vendime të Këshillit të Ministrave për kompensim fizik të pronarëve, pas raportimit u janë regjistruar pasuri mbajtësve të titujve nga pjesa e Fondit, pra me pasoja prekje, cenim dhe përdorim të paligjshëm të Fondit Fizik të Kompensimit.
KLSH në rastet e tjetërsimeve të këtyre pasurive të paluajtshme, pjesë përbërëse të fondit të kompensimit fizik, destinuar për kthim dhe kompensim të pronarëve, u ka rekomanduar bashkive, ZVRPP-ve dhe ATP-së Tiranë kthimin e gjendjes juridike të pasurive sipas statusit ligjor të përcaktuar me destinacion fond kompensimi, si masë frenuese ndaj mobilizimt të fondeve për kompensim monetar dhe rëndimit te Buxhetit te Shtetit, për shkak të pagesave për procesin e trajtimit ligjor përfundimtar të pronave. 
Bashkitë, nga mungesa e bashkëpunimit me ZVRPP–të dhe nga moszbatimi i kontratave në procesin e regjistrimit fillestar të pasurive, kanë lejuar regjistrime në bashkëpronësi të paligjshme të pasurive bujqësore të ndara sipas ligjit Nr. 7501 “Për Tokën”.
Këto veprime kanë sjellë lindjen e bashkëpronësisë së paligjshme, frenim të regjistrimit të pasurive nga pamundësia e lëshimit të certifikatave të pronësisë qytetarëve kërkues, me cenim të së drejtës së pronës, dhe në mënyrë të panevojshme, çuarjen e zgjidhjes së problemit në gjykata, në vend të zgjidhjes në rrugë administrative, duke sjellë humbjen e kohës dhe shpenzime të mëdha për qytetarët pa shkak ligjor. Kjo gjendje ka shkaktuar edhe rritjen e praktikave në proces, shteg për veprime të paligjshme korruptive mbi pasuritë, si dhe pamundësinë e konfirmimit të gjendjes juridike të pasurive të kërkuara për verifikim e vlerësim të titujve të pronësisë.
KLSH ka rekomanduar dhe u ka kërkuar bashkive dhe ZVRPP-ve vendore të marrin masa për eliminimin e bashkëpronësisë së paligjshme, të bëjnë identifikimin juridik dhe fizik në përputhje me pasuritë dhe sipërfaqet ligjore të përcaktuara në Aktet e Marrjes se Tokës në Pronësi(AMTP-të) dhe në listat përkatëse, si dhe që këto institucione në bashkëpunim të zbatojnë rrugën administrative të zgjidhjes së bashkëpronësisë së paligjshme, të regjistrojnë individualisht pasuritë sipas AMTP-ve si dhe të evadojnë praktikat e mbetura në proces për këtë shkak të paligjshëm.
Sigal