Klodeta Dibra: Ngjyrosja partiake e arsimit, ka krijuar ushtrinë e “analfabetëve funksionalë”

121

INTERVISTA/ Flet dekania e Fakultetit të Gjuhëve të huaja Klodeta Dibra

Në këto 23 – 24 vite me shkollën është eksperimentuar dhe kjo ka bërë që shkolla shqiptare të mos ketë ende një profil të vetën. Është eksperimentuar sistemi me ndryshimet e herëpashershme që janë bërë, janë eksperimentuar turlilloj tekstesh, me autorë shqiptarë e të huaj, janë eksperimentuar mësues duke punësuar të paaftë dhe duke lënë të papunë të aftët. Në shkollat tona, kemi ende shumë mësues që zhvillojnë lëndë, për të cilat nuk kanë diplomimin e duhur. Kemi mësues, që janë diplomuar në Inxhinieri dhe japin mësim gjuhë të huaja; kemi mësues që kanë mbaruar për edukim fizik dhe zhvillojnë matematikë apo fizikë. Raste të tilla kemi shumë dhe është detyrë e MAS dhe e drejtorive arsimore të merren seriozisht me këtë dukuri. Diçka ka filluar të bëhet me provimin e shtetit, që presupozon dhënien e licencës dhe të drejtën për të ushtruar profesionin e mësuesit. Këto janë disa nga problemet që ngre në këtë bisedë dekania Klodeta Dibra…

 Problemet e arsimit janë shumë të dukshme, që nga mungesa e teksteve, ndryshimi i vazhdueshëm i teksteve shkollore, gabimet e mëdha në drejtshkrim, etj.. Pse vijnë këto probleme?

 Shqipëria, që prej ndryshimit të sistemit në 1990-n, është një vend me tranzicion mjaft të gjatë dhe që nuk ka përfunduar ende. Kjo periudhë e tejzgjatur ka krijuar mjaft probleme në arsim, si në atë parauniversitar ashtu dhe në atë universitar. Në këto 23 – 24 vite me shkollën është eksperimentuar dhe kjo ka bërë që shkolla shqiptare të mos ketë ende një profil të vetën. Është eksperimentuar sistemi me ndryshimet e herëpashershme që janë bërë, janë eksperimentuar turlilloj tekstesh, me autorë shqiptarë e të huaj, janë eksperimentuar mësues duke punësuar të paaftë dhe duke lënë të papunë të aftët. Në shkollat tona, kemi ende shumë mësues që zhvillojnë lëndë, për të cilat nuk kanë diplomimin e duhur. Kemi mësues, që janë diplomuar në Inxhinieri dhe japin mësim gjuhë të huaja; kemi mësues që kanë mbaruar për edukim fizik dhe zhvillojnë matematikë apo fizikë. Raste të tilla kemi shumë dhe është detyrë e MAS dhe e drejtorive arsimore të merren seriozisht me këtë dukuri. Diçka ka filluar të bëhet me provimin e shtetit, që presupozon dhënien e licencës dhe të drejtën për të ushtruar profesionin e mësuesit. Mendoj se, duhet një reformë e thellë që duhet të përfshijë mësuesit dhe nga e cila reformë të kemi mësues të diplomuar dhe të kualifikuar në fushat përkatëse të mësimdhënies. Problemet serioze të shkollës janë mbartur, për fat të keq, në të gjithë sistemin tonë universitar. Qeveritë, për interesa elektorale, kanë “shqepur” dyert e universiteteve dhe sot kemi të rinj të diplomuar dhe të “superkualifikuar”, me dy apo tre diploma universitare, me dy apo tre mastera, por që nuk dinë ende të shkruajnë shqip, sipas normave të drejtshkrimit të gjuhës. Këta të “superkualifikuar” sot i kemi gjykatës, arkitektë, mjekë, inxhinierë, mësues, pedagogë, deputetë, e për të vazhduar me fusha të tjera. Ju më pyesni se nga vijnë problemet në arsim? Do ju përgjigjesha thjesht: nga mungesa e një strategjie dhe vizioni afatgjatë. Cilido në karrigen e ministrit nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ngjyrosur arsimin sipas ngjyrave partiake, duke dëmtuar rëndë shtyllën bazë të zhvillimit të një shoqërie, që është edukimi. Dhe pasojat po ndihen që janë fatale.

 Numri i madh i universiteteve private e rrit apo e ul cilësinë e mësimdhënies në Shqipëri?

 Në këtë periudhë tranzicioni të tejzgjatur, nuk mund të mos lulëzonte edhe dukuria e hapjes së institucioneve të arsimit të lartë privat, dukuri që preku të gjithë Europën Lindore të pasrënies së komunizmit. Por, ndërsa shtetet e Europës lindore reaguan shpejt, duke mos lejuar gangrenizimin e sistemit të arsimit të lartë, në Shqipëri situata sa vjen e përkeqësohet. Çdo vit lindin shkolla të larta, të vetëquajtura universitete, duke pretenduar se janë të akredituara, por që në të vërtetë nuk janë, të cilat kanë “qelbur” dhe “gangrenizuar” arsimin e lartë në Shqipëri. Në kësilloj universitetesh po vijnë dhe po diplomohen qytetarë të huaj, që nuk shkelin as këmbën në Shqipëri, por që, çuditërisht, marrin një diplomë shqiptare. Qeveria dhe në veçanti MAS duhet të ndërhyjnë menjëherë për ta çliruar arsimin e lartë nga kjo dukuri që po na çon në një degradim pa kthim. Aktori privat, krahas atij publik, është një e mirë e shoqërisë, nëse do flitej për standarde. Për fat të keq sot për sot kemi një konkurrencë të pandershme midis sistemit universitar publik dhe atij privat si dhe midis vetë aktorëve të sistemit privat. Kjo ka bërë që cilësia në mësimdhënie dhe kërkim shkencor të bjerë ndjeshëm. Masivizimi i qëllimshëm ka prodhuar diploma tejet formale dhe që nuk po kanë impakt në tregun e punës. Sigurisht, ngjyrosja partiake që i është bërë arsimit, përgjatë viteve të gjata të tranzicionit, ka krijuar ushtrinë e “analfabetëve funksionalë”.  Qeveria dhe MAS, në dijeninë time, po përgatiten të reformojnë, përpos shkollës, edhe sistemin e arsimit të lartë publik dhe privat, reformim, i cili duhet të bëhet me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve.

 Karta e Bolonjës a ka gjetur zbatim tek arsimi shqiptar dhe ku konsiston ajo? Ju si Dekane ç’mendoni në këtë pikë?

 Deklarata e Bolonjës e 19 qershorit 1999, nënshkruar nga ministrat e Arsimit të Europës, e cila ndjek Deklaratën e Sorbonës të 25 majit 1998, të dyja kanë në themel krijimin e “Zonës Europiane të Edukimit Universitar”, që do të shërbente për promovimin e lëvizjes dhe punësimit të qytetarëve dhe zhvillimin e përgjithshëm të kontinentit. Vëmendje të veçantë Deklarata e Bolonjës i kushton objektivit për rritjen e konkurrencës ndërkombëtare në sistemin evropian të arsimit të lartë, ku ky i fundit duhet të fitojë një shkallë të lartë tërheqjeje në mbarë botën, të njëjtë me atë të traditës kulturore dhe shkencore.

Si është zbatuar kjo Deklaratë në sistemin tonë universitar? Universitetet shqiptare, duke filluar që nga 2004 e në vazhdim, kanë riorganizuar studimet universitare bazuar në parimet e Deklaratës së Bolonjës, që konsistojnë thelbësisht në sistemin e cikleve të studimit universitar dhe të vendosjes së sistemit të krediteve ECTS, si një mjet i përshtatshëm për nxitjen e lëvizjes më të gjerë të studentëve. Reforma në arsimin e lartë në Shqipëri, sipas parimeve të deklaratave të sipërpërmendura, nuk u parapri nga kuadri ligjor, gjë që krijoi edhe mjaft probleme në vlerësimin dhe njohjen e programeve të reja të studimit. Gjithashtu, ndërhyrjet dhe ndryshimet e shpeshta që i janë bërë ligjit “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” kanë krijuar shpesh herë çoroditje. E thashë edhe pak më lart, mungesa e një strategjie dhe vizioni të qartë për arsimin e lartë dhe edukimin në përgjithësi kanë krijuar pështjellim në sistem, paqartësi në informim dhe një fluks të pambarimtë dhe të pakontrolluar programesh studimi, që kanë pak ose aspak akses në tregun e punës. Dhe të rinjtë sot rrinë me tituj studimesh në sirtar, pasi diplomat e tyre nuk gjejnë fushë zbatimi. Jam e mendimit se MAS duhet të rishikojë të gjithë titujt e studimeve dhe programet, duke hequr ato që nuk janë të vlefshëm dhe duke u dhënë përparësi programeve për të cilat ka nevojë tregu shqiptar dhe ai rajonal. Universitetet shqiptare duhet të priren në programe studimi të përbashkëta me simotrat e tyre në rajon e më gjerë, sepse në këtë mënyrë do rrisim mundësinë e punësimit të studentëve.

Jeni pedagoge, sot diskutohet fenomeni mitmarjes, mendimi juaj? Si mund të frenohet ky fenomen kaq negativ?

 Çoroditja, për të cilën fola më lart, do të shoqërohej edhe nga dukuri negative, siç është ai i mitmarrjes. Një reformim i thellë i sistemit do të frenojë medoemos edhe këtë dukuri, si dhe dukuri të tjera negative. Drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë duhet të bëjnë më shumë në këtë aspekt, duke gjetur mekanizma konkretë të verifikimit por, mbi të gjitha, të ndëshkimit të rasteve të mitmarrjes. Sistemi i edukimit, në përgjithësi, po vuan nga kjo dukuri e papranueshme. Por jam e mendimit se nuk është vetëm arsimi që po vuan nga kjo dukuri, pasi në të gjitha rekomandimet që i jepen Shqipërisë nga institucionet ndërkombëtarë është pikërisht lufta ndaj korrupsionit. Dhe kjo luftë duhet të nisë nga shkolla dhe nga universiteti.

 Thuhet se ka rënë kërkesa e llogarisë në universitete, a është e vërtetë?

 “Shkrepja” e dyerve të universiteteve dhe masivizimi, si valvul shfryrjeje ndaj papunësisë, kanë cenuar mjaft cilësinë. Kjo e lidhur pazgjidhshmërisht me Maturën shtetërore, një sistem që ka dështuar plotësisht dhe që i ka bërë dëme shkollës dhe universitetit. Është një zinxhir i tërë, ku hallkat janë “hallakatur” dhe në universitete po ulen të rinj, me formim të përgjithshëm që lë mjaft për të dëshiruar. Mësimi zhvillohet deri në orët e vona, me mjedise aspak ndjellëse, me mungesë të infrastrukturës së domosdoshme për një mësimdhënie me standarde, me një raport pedagog-student jashtë normave e me mjaft probleme të tjera.

 Dekane dhe përkthyese, cilat janë veprat tuaja të përkthyera? 

 Unë jam pedagoge në Fakultetin e Gjuhëve të huaja që prej vitit 1988. Jam shumë e përkushtuar ndaj mësimit dhe zbatimit të detyrimeve. Për një kohë të gjatë kam drejtuar Departamentin e Gjuhës italiane dhe prej 6 vitesh drejtoj Fakultetin e Gjuhëve të huaja. Puna dhe detyrat nuk më kanë trembur asnjëherë. Përpiqem gjithnjë të bashkëpunoj me strukturat e fakultetit, me pedagogët dhe studentët, për të bërë gjëra të mira dhe besoj se shumë gjëra të mira kemi bërë. Studentët i dua dhe mundohem maksimalisht t’u jem në krah dhe të zgjidh problemet e, pse jo, dhe hallet e tyre, që janë të shumta. Krahas mësimdhënies, kam zhvilluar dhe zhvilloj edhe një aktivitet të pasur kërkimor e shkencor.

Me librin kam pasur dhe kam një marrëdhënie të veçantë. Që e vogël, lexoja shumë dhe sot që flasim, librat janë kënaqësia dhe “ilaçi” im. Lexoj shkrimtarët shqiptarë dhe të huaj e, këtu, zënë vend të veçantë shkrimtarët italianë. Letërsia italiane më tërheq dhe mendoj se vlerat e kësaj letërsie duhet t’u përcillen edhe lexuesve shqiptarë. I kam lejuar vetes të merrem edhe me përkthimin e veprave të shkrimtarëve italianë. Përkthimin e quaj një ushtrim shumë të mirë dhe detyrim ndaj lexuesit për t’i përcjellë vlera të një letërsie dhe kulture kaq pranë nesh. Nëse një vepër më ngacmon me tematikën dhe stilin e veçantë të shkrimtarit/shkrimtares grishempër tandarëme lexuesin shqiptar. Sigurisht, përkthimi është një proces që kërkon formim kulturor,  formim shumë të mirë gjuhësor, talent dhe prirje. Kam përkthyer disa shkrimtarë italianë si Oriana Fallaci (Lattera a un bambino mai nato/Letër fëmijës së palindur kurrë), Dacia Maraini (L’età del malessere / Moshë e trazuar) dhe Carmine Abate (La moto di Skanderbeg / Motoçikleta e Skënderbeut). Fallaci është një zë i fuqishëm i gazetarisë dhe letërsisë italiane. Libri “Lettera a un bambino mai nato” është një monolog dramatik i një gruaje që përjeton shtatzaninë jo si detyrim por si akt të përgjegjshëm. Ajo është grua moderne dhe e mistershme, që nuk ka emër, fytyrë dhe moshë. Pyetjet kryesore që ajo ia parashtron vetes, që nga çasti i ngjizjes, kanë të bëjnë me legjitimitetin dhe pranimin e ardhjes në jetë nga vetë fëmija në një botë armiqësore, të dhunshme dhe të pandershme. Fëmijës do t’i jepet e drejta të zgjedhë nëse të lindë ose jo dhe, nëpërmjet një procesi të realizuar me praninë e shtatë gjykatësve, midis të cilëve prindërit, mjeku, doktoresha, punëdhënësi, arrihet në gjykimin, që parashikon dënimin e gruas. Maraini është shkrimtare, poeteshë, eseiste, dramaturge: një zë mjaft i rëndësishëm në letërsinë italiane. Romani që kam përkthyer rrëfen historinë e një vajzeje shtatëmbëdhjetëvjeçare, e braktisur dhe e lënë pas dore, me një baba që kalon kohën duke ndërtuar kafazë për zogj dhe me një nënë që dërmohet në një punë të rëndomtë. Jeton në një lagje të varfër të Romës, me mungesë dëshire për shkollë dhe e pafat në jetën sentimentale. E “fejuar” me studentin e jurisprudencës, i cili nuk e dashuron, përjeton indiferente çdo marrëdhënie dashurore, duke pësuar, me të njëjtin gëzim dhe dhimbje, përkujdesjet e një shoku shkolle dhe shfrenimet seksuale të një avokati të pjekur, në kërkim të aventurave. Vetëm në fund të këtyre përvojave të trishta do të mund të maturojë një ndërgjegjësim të ri për vetveten. Carmine Abate, shkrimtar arbëresh, radhitet ndër shkrimtarët më të njohur italianë të dy dhjetëvjeçarëve të fundit. “Motoçikleta e Skënderbeut” ka në qendër të riun Alesi, i cili është larguar vetëdijshëm nga familja, vendi ku është lindur  dhe rritur, nga gjuha të cilës i përket, arbërishtja e arbëreshëve të Kalabrisë, nga vetvetja dhe nga fantazmat e së kaluarës. Tashmë në Gjermani, ku më në fund është bashkuar me Klaudia-n, gruan që ka dashuruar që në rininë e hershme, kthehet për t’i dhënë një përmasë të re kujtesës historike të tijës dhe të babait Skanderbeg, aventurier tërheqës, gjithmonë hipur mbi motoçikletën e tij Guzzi Dondolino e më pas udhëheqës i revoltave të fshatarëve në Italinë e pas Luftës. Historia e Skanderbeg-ut dhe e dashurisë së tij të pavdekshme për Lidian, ndodhitë e Xhovani Alesi-t dhe Klaudia-s, një tjetër dashuri, romantike dhe dëshpëruese, gërshetohen me figurën e mistershme të Santori-t, djalit me sy magneti dhe dhunti parashikuese dhe me sagën e Skëndërbeut të Motit të Madh, që udhëhoqi betejat e shqiptarëve kundër turqve dhe që ngjan se rimishërohet tek babai i Xhovani-t. Romani, mjeshtërisht pezull midis rrëfimit, kujtesës dhe regjistrit lirik, është një roman i jashtëzakonshëm dhe surprizues mbi identitetin dhe kërkimin e vetvetes. Lexuesi shqiptarë, prej vitesh, ka në duar vepra të këtyre shkrimtarëve, që janë pëlqyer dhe komentuar pozitivisht.

 A ka sot përkthyes të diplomuar në Shqipëri dhe cilat janë veçantitë e lëndëve të tyre?  Pra jo mësues, por përkthyes…

 Po, ka përkthyes me diplomë. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja kemi një Program studimi të Ciklit të Dytë që formon përkthyes dhe interpretë. Për përkthimin letrar mendoj se duhet punuar më shumë, pasi studentët janë të prirur drejt përkthimit pragmatik, që sjell edhe më shumë parà. Sigurisht, varet shumë edhe nga studenti se sa prirje ka dhe sa investim bën, por dhe nga aftësia e pedagogëve që janë të angazhuar në lëndën e përkthimit letrar.

 Cilat janë veçoritë e gjuhës italiane në raport me gjuhët e tjera europiane?

 Gjuha italiane është një gjuhë mjaft e dashur për shqiptarët dhe ndoshta gjuha më shpejt e kapshme se gjuhët e tjera të Europës. Është gjuhë me vlera të mëdha historike që i përket një kombi që me të drejtë është quajtur si ndër djepet e kulturës të Evropës dhe të botës. Ka pasur gjatë gjithë historisë së saj personalitete që e kanë lëvruar dhe pasuruar. Përmend këtu Danten, Petrarkën, Makiavelin, Pazolinin, Manxonin, D’Anuncion, Negrin, De Filipon, Moravian, Fonë, Falacin, Tamaron, Ekon, Tabukin, Maxantinin e shumë e shumë të tjerë. Për fat të mirë tonin, veprat e përfaqësuesve më në zë të letërsisë italiane janë shqipëruar. Është e rëndësishme të përkthehet vazhdimisht, pasi vlerat e një kombi bëhen universale dhe të gjithë kemi se ç’të marrim dhe të japim.

 Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

 Arma më e fortë e femrës është të qenit krijesa më e përkryer e Zotit.

 Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

 Jo vetëm femra, por mbarë shoqëria shqiptare ka probleme. Një nga të dhënat e fundit të INSTAT-it tregon se në sektorin e bujqësisë, 68-70% janë gratë që punojnë. Rëndom sheh në klubet e fshatit, në të gjitha orët e ditës, burra dhe djem të rinj që rrinë me orë të tëra pa bërë gjë, ndërkohë që gratë rropaten në fushë apo me bagëtinë. Kjo më rikujtoi poezinë e Çajupit “Fshati im” Burrat nën hie, / 
lozin, kuvendojnë, /
pika që s’u bie, 
/se nga gratë rrojnë! //…Gratë venë nd’arë, /
dhe në vreshta gratë, /
gruaja korr barë, /
punon dit’ e natë. Gjithashtu, pagat e grave dhe të vajzave në sektorin privat janë më të ulta se të meshkujve. Kjo vjen se shoqëria jonë është ende e pakultivuar dhe gruaja shihet, në shumë zona të vendit, si “kafshë” pune. Shoqëria shqiptare ka nevojë të kulturohet, të qytetërohet dhe të fisnikërohet. Institucionet e shtetit dhe organizatat joqeveritare të mos merren vetëm me takime shou, por të ndërtojnë strategji konkrete për të modernizuar mbarë shoqërinë.

 Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?

 Mjafton të ndjekësh lajmet e përditshme që flasin për dhunën ndaj grave e vajzave dhe të shohësh sjelljen e meshkujve të Kuvendit të Shqipërisë, për të kuptuar dhe për t’u ndërgjegjësuar se rruga e qytetërimit është e gjatë.

 Qeveria “Rama” në shumë poste ka vendosur femra. A mund të përballojë një femër problemet e drejtimit të një institucioni po aq sa një mashkull?

 Ka një frymë të re në përfaqësimin e grave në poste drejtuese. Dhënia e një përgjegjësie të tillë nga z.Rama nuk besoj se ka të bëjë thjesht me faktin e të qenurit femër, sesa me aftësitë që këto zonja kanë për të përballuar me sukses sfida të tilla.

Albert ZHOLI