Kliti Roshi: Për rolin e Arturo UI, Kadriu la duhanin dhe peshkimin

932
Sigal

INTERVISTA/ Flet aktori i Teatrit të Kukullave djali i Kadri Roshit, Kliti Roshi

 Kliti ka disa vite që është aktor i Teatrit të Kukullave. Një ëndërr e tij që ka lidhje me profesionin e aktorit që ai e ka aq për zemër. Ky pozicion ndodhi pikërisht pasi vdiq babai i tij, aktori i madh Kadri Roshi, i cili e kishte peng që ta shihte Klitin, djalin e vetëm të stabilizuar. Klitin e kam njohur qysh kur isha gazetar në Athinë. Ai kurrë nuk thoshte “jam djali i Kadri Roshit”, por mundohej që të zinte një pozicion në jetë me punën dhe vullnetin e tij. Brengë e tij sot janë pengjet që Kadri Roshi i mori me vete, por realizimi i një prej pengjeve të Kadriut, pozicionimi i tij në punë, që ai e kishte brengë primare. Kliti thotë se, Kadriu ishte i rreptë, por i drejtë. Më ka qëlluar dy herë në jetë vetëm për mësimet. Mësimi ishte primar në jetën e tij.

 Kur ndjehesh më mirë kur të thonë djali i Kadri Roshit, apo ju thërrisnin në emër?

Në fillim nuk më vinte mirë, kur më thërrisnin djali i Kadri Roshit, pasi  unë doja të kisha identitetin tim. Edhe unë po punoja për emrin tim. Por sot ndihem mirë kur përmendet emri i tij.

 Në këtë 90-vjetor të lindjes e ndjen mungesën e tij?

 Sigurisht shumë.  Më mungojnë këshillat e tij, ndihma e tij, fjala e tij, ashpërsia e tij, korrektesa e tij, shoqëria e tij. Pra me dy fjalë e ndjej mungesën  e tij në çdo hap, por edhe ndjej praninë e tij në çdo hap.  Ai për mua është një aktor në radhë të parë. Viti 2007 do të mbahet mend si viti i zisë për aktrimin shqiptar, sepse ikën një numër i madh gjigantësh të skenës. Iku Kadri Roshi, iku Sulejman Pitarka, iku Violeta Manushi dhe pastaj Serafin Fanko, Roland Trebicka, Drita Pelingu… Cili është ai fëmijë që nuk e do prezencën e prindit. Babai im iku në moshën 83 -vjeçare. Për mua iku para kohe, se  ai kishte ëndrra. Dhe kush ka ëndrra jeton shumë…

 Ne kemi diskutuar për tri pengjet e Kadriut, pra ato s’ju shuan kurrë?

 Njëra po, ju realizua… Për të ato pengje ishin pengje jo të lehta. Konkretisht im atë, siç  e ka deklaruar me gojën e tij, ka ikur i ngopur shpirtërisht. Pengjet e rënda ishte që i “vodhën” për smirë apo egoizëm profesional rolin e tij në dramën Arturo Ui. Ky është dhe mbetet kryeroli i Kadri Roshit. Pra ai rol në televizion nuk u filmua duke e luajtur Kadri Roshi. Për këtë rol të madh ai vërtet ka investuar shumë. Spektatori dhe aktorët e kanë të qartë pse u bë kjo lojë. Arturo Ui ishte prerë dhe ishte qepur për Kadri Roshin. Xhivola ishte prerë dhe ishte qepur për Prokop Mimën, Xhiri ishte prerë dhe qepur për Ndrek Lucën, Doks Boruja vetëm për Dhimitër  Gjokën etj.. Të sakrifikosh, të punosh me shpirt për këtë rol dhe në fund atë që e quan kryerol të mos filmohet, është një brengë e madhe…Brengë që e shprehte sa herë binte fjala.  Ky mos filmim është dhe humbje për teatrin dhe kulturën shqiptare, pasi ai qe kryeroli i tij që askush sot nuk mund ta shoh. Së dyti është se ai nuk mundi të luante Ali Pashë Tepelenën, një figurë e madhe për të, me të mirat dhe të këqijat e tij. Për Ali Pashën, Kadriu lexonte çfarë të gjente dhe e kishte të zbërthyer figurën e tij brenda vetes. Brenga e tretë që nuk po shihte që unë të isha i sistemuar në punë.  Deri sa ai mbylli sytë, unë isha i pa sistemuar në punë. Sot kjo ëndërr e tij është e realizuar, ndërsa dy pengjet e tjera janë brenga që do e shoqërojnë në përjetësi.

 Çfarë ka sakrifikuar për rolin Arturo Ui, Kadriu dhe çfarë mendonte për rolin e mundshëm të Ali Pashës?

Eh, kur ka luajtur atë rol, ai la shumë gjëra që as i mendonte kurrë. Në përditshmërinë e tij, sa çohej Kadriu do të vinte në gojë cigaren, patjetër, ose në cepin e buzës. Kjo një jetë të tërë, së dyti njëherë në javë patjetër do të shkonte për peshk, jo se donte të hante patjetër, por e kishte antistres, e kishte mënyrë të shplodhuri. Pra për aq muaj sa luante, apo mësonte tekstin e Arturo Ui, ai as vuri cigare në buzë në mëngjes, as shkoi për peshk.  Pra i la të dyja edhe peshkun edhe cigaren. Peshkimi ishte për të anë shpirtërore, psikologjike që i shtonte energjitë. Kadriu i la këto dy “dashnore” për të dhënë atë rol që nuk mund të përsëritet. Ai ka dashur të lartësohen vlerat reale kombëtare dhe për ‘të Ali Pashë Tepelena ishte një vlerë shumë e madhe. Për atë figurë ai fliste gjithmonë. Kishte lexuar dhe stërlexuar shumë vepra që flisnin për të. Ai donte që dikush të bënte një skenar për të. Kadriut i qante zemra për atë rol apo figurë…Dhe brenga e tretë, që më vjen shumë keq, sepse më duket se fajtor jam unë (që në fakt nuk ishte për fajin tim) pasi ai nuk arriti të më shikonte të sistemuar në punë siç jam tani.

 Si e kujtoni ditën e largimit nga jeta të tij?

Atë ditë kam qenë bashkë me motrën dhe arriti të thotë: “Iki i ngopur nga kjo jetë dhe puno për të realizuar dëshirat e mia për ty”.  Ai nuk iku i ngopur  ekonomikisht, por shpirtërisht, pasi ai ishte një fëmijë i vuajtur dhe me sakrifica për të mos thënë me gjak, arriti të bëhej ai që njihet sot.  Arriti të merrte ato të gjithë dëshirojnë t’i marrin në jetë. Ai mbetet aktori i parë që mori titullin “Nder i Kombit”, për së gjalli.

 Të ka qëlluar me pëllëmbë Kadriu?

Po më ka qëlluar. Me sa mbaj mend dy herë kur nuk shkoja mirë me mësime. Ai donte që unë të bëhesha më i mirë se ai, të ecja vetë në jetë.  Mësimet, mësimet, mësimet, këto ishin këshillat e tij sa herë më shikonte.  Të jesh i drejtë dhe i paepur në jetë, këto më thoshte. Ai kishte çarë vetë. Nuk është e lehtë një njeri jetim me katër klasë fillore, të bëhej ai që u bë.  Ai donte të bënte shkollë dhe nuk mundte dhe jo të mos mësoja unë që i kisha të gjitha kushtet. Kur më qëllonte, ulja turinjtë, por më vonë mendoja se kishte të drejtë. Sot them se vetëm një njeri i drejtë është i rreptë dhe një njeri i rreptë është i drejtë.

 

Kur ishin ditët më të bukura të jetës së Kadriut?

Kur motra ime lindi djalë, pra ai u bë gjysh. Pra u bë me nip. Gjaku i gjakut, mjalti i mjaltit. Por gëzimi më i madh (jo se ishte djali im), ishte kur  unë u bëra me djalë. Jo se kishte ndryshime midis djalit tim dhe djalit të motrës, jo sepse djali im ishte apo s’ishte më i bukur, por sepse ai djalit tim i vuri emrin e babait të vet Maks. Gjyshi im (babai i Kadri Roshit) e kishte emrin Maksut dhe ai shkurt ja vuri Maks, pra ngjalli emrin e babait.  Kjo ishte arsyeja, pasi ai kurë nuk bëri dallime midis djalit tim dhe djalit të motrës. Kur i fliste Maks, Kadriu kujtonte babanë e tij. Dhe e dyta që u gëzua shumë në këtë rast, ishte se të dy fëmijët ju bënë me fëmijë, pra me trashëgimtarë.

 Këshilla më e mirë që të ka dhënë Kadri Roshi…

 Një këshillë  shumë interesante, që unë e mbaj ndërmend sot e kësaj dite. Ishte 1 shtator 1984, ora 7 e gjysmë e mëngjesit. Ishte dita e parë e që shkoja në Institutin e Arteve. Ai më kapi tek supi tek dera dhe më tha: “Ke luajtur,  ke bërë çapkënllëqe, ke bërë zullume, prapësi, gjëra të mençura dhe të zgjuara, por këtej e tutje aty që do shkosh, asnjëherë nuk do thuash këtë e di. Të  gjitha mësimet do t’i dëgjosh si për herë të parë. Pra, mos u bëj mendjemadh, se ajo të shkatërron. Dhe së dyti, mos e përdor kurrë emrin tim. Puno, puno, djersitu, kërko!… Edhe sot këto këshilla i ruaj si margaritar, si udhërrëfyes të jetës time.

 Tashmë në Teatrin Kombëtar të Kukullave ka ardhur drejtuese e re, por fryma që ajo sjell si është?

Është hera e parë që në krye të këtij Institucioni vjen një profesioniste, një aktore e karrierës që e njeh mirë profesionin. Ajo është zgjedhja më e saktë që i është bërë Teatrit Kombëtar të Kukullave. Unë ndjej përgjegjësinë time, për të rritur nivelin profesional në bazë të kërkesave të reja që kërkon koha. Monika Lubonja është aktore dhe drejtuese që ka sjellë frymë të re.