Kliti Roshi: Kadri Roshi nuk ka punuar asnjëherë në gurore

993
Para disa ditësh, në shtyp u fol se aktori i madh Kadri Roshi është dënuar për të punuar në gurore, për imoralitet. Kjo deklaratë në një të përditshme bëri bujë, pasi nuk ishte bërë asnjëherë publike. Por vetë Muharrem Fejzo, regjisori i disa filmave që ka pasur si aktor dhe të madhin Kadri Roshi, thotë se nuk ka bërë një deklaratë të tillë dhe se fjala e tij është deformuar. Këtë ai e shpreh në një bisedë më djalin e aktorit Kadri Roshi, Kliti Roshi, i cili ka qenë shumë i indinjuar. Për këtë publikim ai shprehet për “Telegraf”
Mendoni se ka ende shumë të panjohura për Kadri Roshin?
Mendoj se Kadri Roshin nuk e njohin mirë ose e njohin shumë pak. Shumë gjëra ai i ka marrë me vete me heshtjen e tij, me mirësinë e tij, me artin e tij. Pra, në brendësinë e tij, shumë shumë pak kanë mundur të hyjnë për të mos thënë fare. Pra tek kjo brendësi ndonjë do të hyjë pa ditur asgjë. Edhe unë që jam i biri, ka shumë episode të jetës së tij, që nuk i di ashtu, siç duhet, pasi ai jo për çdo gjë më hapej. Ata njerëz që interpretojnë nëpër gazeta, për këtë jetë të panjohur (që nuk dinë ta bëjnë) flasin në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi një fjalë të një regjisori e interpretojnë sipas dëshirës dhe jo sipas faktit apo ashtu, siç e ka thënë, në këtë rast z. Muharem Fejzo. Ai, ajo që e ka keqinterpretuar një fjalë apo një fjali, i them se, Kadri Roshi ka mbyllur sytë dhe sot e kësaj dite në jetën e përjetshme nuk e di se, ku bie gurorja.

Po atë “dënim” që flitet, ku e ka kryer Kadri Roshi?
Për të ashtuquajturin dënim, që lidhet dhe me stazhin e partisë e ka bërë në ofiçinën e automjeteve të ndërtimit, (rruga që shkon për Kinostudio dhe rruga që shkon për Tufinë). Pra, gurorja është një sajesë, është një dredhi që kushedi për çfarë arsyesh është bërë. Ndoshta për të hedhur baltë mbi figurën e tij. Kjo nuk është e drejtë, po hidhet baltë mbi figurat e artit që kanë bërë epokë, po ndryshohen të vërtetat. Këto figura, kaq të mëdha!
Po si e ka justifikuar Muharem Fejzo këtë deklaratë?
Z. Fejzo më tha në mënyrë direkte që nuk e ka përmendur fare guroren dhe është sajesë. Pra, nuk ka dhënë deklaratë të tillë, aq më tepër për imoralitet.
Po për këtë temë si është trajtuar problemi?
Sikur dënimi është dhënë për gurore për çështje imoraliteti. Kjo është një sajesë keqdashëse. E vetmja skenë “roz” në filmin “Fije që priten” apo që është paksa “imorale” sipas atyre që sajojnë, kur një femre, Kadriu në xhirim (sipas skenarit) i zbërthen komçat e para të këmishës së aktores, që kishte partnere. Madje skenari kishte dhe disa zhvillime, për të vazhduar më tej, por Kadriu tha jo, nuk është e lejueshme sot. Të gjitha shtesat jashtë kësaj janë të pavërteta. Pra nuk është as kjo skenë, as ato që thuhen me x apo y, pasi ai vdiq dhe nuk e dinte këtë dënim, pasi nuk ja kanë bërë prezent në asnjë mbledhje në asnjë diskutim. Di të them, si sot edhe dje, mes komunitetit të aktorëve ekzistonin xhelozitë, ekzistonin shpifjet (kudo, jo vetëm tek aktorët) për ta denigruar figurën e tij, për vetë arritjet që ai kishte bërë. Di të them se, edhe mes këtij komuniteti ka pasur bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit që e bënin të bardhën të zezë. 

Atë kohë dënoheshe për një fjalë, jo më për cila është thirrja juaj në këtë rast?
Dua të them që e vërteta të mos deformohet, të mos shpifet dhe ata që shkruajnë (jo vetëm gazetarët, se bëhen shumë libra sipas qejfit, ku goditen figurat) të jenë të kujdesshëm. Të mos merren me legjendat dhe të mos sajojnë në mënyrë ulëse, pasi fyejnë artin, fyejnë figurat, fyejnë ata në banesën e përjetshme, gjë që nuk është aspak e denjë dhe njerëzore. Lërini të qetë ikonat e artit shqiptar. Sot ata nuk kanë mundësi të përgjigjen vetë, ndaj përgojohen padrejtësisht. Në qoftë se do ishin gjallë, ata do të dinin si do të replikonin. Kjo është burracakëri.
Sigal