Klithma e muzikës epokale, kënduar nga Sherif Merdani

704
Po ku ishe ti o Zooot!… Kishte nisur të këndonte Sherif Merdani. Të gjithë kthyen kokën andej nga vinte zëri dhe mbetën me vështrimin drejt tij. Ishte një shtangie. Ndoshta deri atë ditë askush nuk e kishte vënë re, që sa herë këngëtari Sherif Merdani vinte në Korçë, ndodhte diçka e veçantë. Ishin të shumtë ata që sillnin ndërmend fëmijërinë e tij, vitet kur u bë i njohur si këngëtar, kohën kur vinte për 2-3 ditë në Korçë sa për të nxjerrë mallin dhe nisej prapë drejt Tiranës me premtimin se do të kthehej sërish. Për Korçën burgosja e tij ishte një klithmë e heshtur, një zë i brendshëm që ulërinte brenda vetes. (Sigurisht jo për të gjithë, por këtë do ta themi më poshtë). Të gjitha këto, banorë të Korçës i kujtonin me nostalgji, kishin gjithnjë një lloj kërshërie të pashmangshme për të. Kështu po ndodhte edhe atë çast kur Merdani doli për të kënduar këngën: “Po ku ishe ti o Zot”. Në një nga lokalet më luksoze të qytetit, në qendër të tij, bëhej një mbrëmje festive. Poeti dhe publicisti Ylber Mardani, qytetar nderi i Korçës, festonte 75- vjetorin e tij. Gjithçka ishte organizuar me kujdes nga bashkia e Korçës. Miq, dashamirës, të njohur, autoritete vendore, poetë, intelektualë, të afërm dhe familjarë, që të gjithë ishin aty. Edhe Sherif Merdani kishte ardhur enkas nga Tirana për të kënduar disa nga këngët e tij në respekt të të afërmit të tij, por edhe për të gjithë ata që ishin mbledhur aty dhe që tashmë kishin mbetur me vështrimin hedhur drejt tij.
Të kujtohet?… 
Kishte nisur të ndodhte ajo që ndoshta nuk e kishin vënë re më parë ose më saktë ajo, që gazetarët ende nuk e kishin shkruar. Nuk di pse ai çast më tërhoqi vëmendjen dhe mbeta ashtu përgjatë gjithë kohës, ndoshta deri në fund të mbrëmjes. Që të gjithë kishin mbetur me vështrimin drejt tij. Tek-tuk nëpër tavolina thuhej ndonjë fjalë me zë të ulët: Të kujtohet kur erdhi në Korçë atëherë para se ta burgosnin?… Të kujtohet kur këndoi në festivalin e Korçës?… Të kujtohet kur ishte i vogël?… Të kujtohet kur nisën ta përgjonin në çdo hap që hidhte?… Të kujtohet kur… Dukej qartë që Korça e kishte dashur shumë. Kishte jetuar me dhimbjen e tij, Ndoshta edhe ai e dinte këtë gjë. Dhe kjo duhej të ishte arsyeja që ai e nisi me një këngë dhimbjeje: “Po ku ishe ti o Zot”. Zëri i tij oshëtiu dhimbshëm. Ishte drithërues. E kishin ndarë nga Korça dhe njerëzit për 16 vjet me radhë dhe një 1 muaj sipër tyre… Rinia e tij kishte mbetur burgjeve të Burelit dhe Spaçit. Të njëjtin fat kishte patur edhe kushëriri i tij, Ylber Merdani. Edhe të tjerë që ishin aty këtë fat kishin patur. Vargjet e këngës përshkuan gjithë sallën: “Ku mbete ti rini/Mosh’ që vjen vetëm njëherë/Kur më erdhe nuk e di/Ishte dimër a pranverë…. Sigurisht që kishte qenë pranverë, por një pranverë e hidhur, që guxonte e nuk shkëputej dot nga “dimri” që e mbante mbërthyer pas mënge. I ngjante një marsi të ftohtë, që edhe pse është pranverë, vazhdon të bierë dëborë papushim dhe gjithçka e shndërron në akull.
Këngë epokale
Sherif Merdani e donte këtë këngë. Ishte një nga këngët e dashura të tij. E mësova këtë gjë dhe shumë të tjera, sepse pata mundësinë të kem një bashkëbisedim (intervistë) me të. Çuditërisht, edhe kjo këngë ishte shkruar në pranverë, në marsin i vitit 1992, kur Sherif Merdani kishte vetëm 3 vjet që kishte dalë nga burgu. Në Tiranë kishin çelur mimozat. Tashmë pranverën që kishte ardhur, askush nuk mund ta tërhiqte dot më zvarrë. Në një nga këto ditë Juliana Jorganxhi ishte ulur për ta shkruar këtë këngë. Ndoshta Zoti kishte pëshpëritur në shpirtin e saj. Të gjithë ata që e dëgjuan për herë të parë mbetën të mrekulluar. “Po ku ishe ti o Zot”,- “këtë këngë, Çesk Zadeja e ka quajtur këngë epokale, – tha Merdani gjatë bashkëbisedimit tonë, një roman me 320 faqe”. Po pse me 320 faqe?- mendova. Ndoshta vetëm misteret shprehen me fjalë që dalin vetiu e që më pas nuk do ta dimë kurrë pse jemi shprehur ashtu, ndoshta për të qenë përjetësisht të pashpjegueshme. 
Pse u titullua kështu kjo këngë?
Sherif Merdani vazhdonte të këndonte, por mua kureshtja nuk po më linte të qetë; doja të dija pse kënga ishte titulluar: Po ku ishte ti o Zot! Të nesërmen, gjatë bashkëbisedimit tonë, gjeta rastin ta pyesja edhe për këtë gjë dhe ai ma ktheu: “Lëre lapsin!”. “Mos shkruaj më, më dëgjo njëherë se çfarë dua të them”. Dhe unë e lashë lapsin si një nxënës i bindur. Merdani nisi të më tregonte copëza historish misterioze (të paktën kështu m’u dukën mua), nga jeta e të burgosurve, për njerëzit që sillin aty herë pas herë. Të burgosurit nuk ishin vetëm njerëz të zakonshëm, por edhe intelektualë e artistë të mëdhenj, që ngjallnin dhimbje të qytetarët kur i shihnin të prangosur. Arrestimi i tyre shndërrohej në një klithmë… Shpjegimi i Merdanit ishte i gjatë, disi filozofik. Në mos qofsha i gabuar, ai deshi të më thoshte: zoti kishte përzgjedhur këtë rrugë: liria do të vinte përmes dhimbjesh; shumë njerëz do të sakrifikoheshin, ndryshe dimri do të ishte edhe më i gjatë edhe më akullt, do të shndërrohej në një vrastar dhe asgjë më shumë. “Përveç zotit, ne nuk kishim pranë askënd tjetër, tha ai. Të burgosurit përpiqeshin t’u qëndronin vuajtjeve. E gjenim shpresën te Zoti dhe te miqësia e njëri-tjetrit. Gjithkush prej tyre ishte i dashuruar pas së mirës, pas të bukurë dhe njerëzores”. Pasataj ai nisi të këndonte lehtas: “Por një gjë fort’ mir’ e di/Un’ të buk’rën dashurova/Nga rrugicat me kalldrëm/Tek artistët që ka bota…”. I maftonte vetëm një varg kënge që ta hiqte trishtimin nga pamja e tij. Atë çast kuptova edhe diçka më shumë: Zoti ngjason shumë me babain e secilit nga ne, edhe pse ai është aty pranë nesh kur kemi dhimbje, përsëri duam të jemi të sigurtë, ndaj gjithnjë na del një thirrje pyetëse: “Po ku je o ati im!” 
Zoti na mbajti gjallë
Sherif Merdani vijoi me rrëfimin e tij: “Zoti na mbajti gjallë”, tha pas një çasti dhe po atë çast iu kujtua kur kishte dalë nga burgu. Ishte viti 1989. Vllezërit e tij kishin ardhur dhe prisnin daljen e tij, por Sherif Merdani ende nuk e besonte dot që do ta linin të lirë të shkonte në shtëpi. Asgjë nuk ishte e sigurtë. Shpesh të burgosurit i riarrestonin sapo kapërcenin pragun e burgut edhe pse atë ditë u kishte mbërritur leja e lirimit. Fatmirësisht me të nuk ndodhi kështu. Ai doli nga burgu pa e ndalur askush kthimin e tij në shtëpi. U përqafua me vëllezërit. Ishte një mall i madh që nuk mund të përshkruhet kurrsesi. Kishte mall për Tiranën dhe Korçën, për të afërmit, miqtë dhe shokët. Pas 16 vitesh e pa veten të zgjohej në shtëpinë e vet. “Që nga ajo ditë, tregon Merdani, ngrihem herët në mëngjes, hap dritaren, vështroj lart dhe i lutem Zotit: “Të falënderoj për atë që më ke dhënë, më fal çdo gabim”, pastaj më pëlqen të dal nga liqeni e pas një ore sërish të kthehem në shtëpi për të filluar rrjedhën e ditës së re. Sot besoj se thirrja e këngës “Po ku ishte ti o Zot!” i drejtohet edhe mbarë botës së qytetëruar që vazhdonte të qëndronte e heshtur edhe kur arrestoheshin njerëz të pafaj. Mundimet dhe vuajtjet qe hoqi ky popull ishin të shumta, por sollën lirinë e shumëpritur.
Për herë të parë këndova me iso
Mbrëmja festive dedikuar poetit ,që njohu burgun e Spaçit,Ylber Merdanit po bëhej edhe më e ngrohtë. Të ftuarit pinin verë pa hequr vëmendjen nga kënga e Sherif Merdanit. Duartrokisnin herë pas herë. Kishte mall te njerëzit. Shumë prej tyre e mbanin mend që të vogël. Askush nuk kishte dyshuar te talenti i tij. Për herë të parë kishte kënduar në publik kur kishte qenë në klasën e dytë te shkolla “Koço Çamçe” në Korçë. Këtë të vërtetë na e tregoi vetë ai: “Këndova një këngë me iso”, na thotë Sherif Merdani, dhe e dini cila këngë ishte? Pastaj, pa pritur përgjigjen tonë, por duke qeshur, nis të këndojë vargjet e këngës: “Ç’janë këto llafe që dalin nga fshati, të vërteta s’janë i thonë nga inati…”. Merdani këndonte e të tjerët bënin iso. Mësuesit kishin mbetur të habitur. Ishte herë e parë që e dëgjonin. Që nga ajo ditë do t’i kërkonin të këndonte këngë të tjera. Shumë shpejt ai u bë këngëtari i njohur i shkollës. Të habitur kishin mbetur edhe prindërit e Merdanit. Në fisin e tij askush nuk kishte patur lidhje me këndimin e këngës. Merdani mendon se këtë dhunti e ka të trashëguar nga gjyshi i tij shkodran, Sait Hoxha, nga ana e nënës. Njerëzit e nënës së tij përveç se i përkisnin një fisi tregtarësh ishin të lidhur ngushtë edhe me artin e bukur të këngës. “Para disa vitesh, kujton Sherif Merdani, kur isha në një koncert në Shkodër, Bik Ndoja, më thoshte: “Unë jam nxënës i Sait Hoxhës”. Dhe vërtet gjyshi im ishte këngëtar, autor tekstesh dhe kompozitor. “Edhe unë i këndoj këngët e Shkodrës”, thotë Merdani. Vëmë re se këtë gjë e thotë me shumë kënaqësi. “Shpesh e shihja gjyshin duke kënduar, përpiqesha, që të njëjtën gjë të bëja edhe unë. Atëherë nuk isha më shumë se 4-5 vjeç”.
Këngët klasike francese dhe italiane
Por edhe për fisin e vet Merdani ka shumë për të thënë. Ata ishin tregtarë të njohur të qytetit të Korçës, njiheshin për fisnikërinë dhe kulturën e tyre, ishin adhurues të artit. “Një xhaxhai i im, thotë Merdani, që kishte qenë për studime në Francë, u kthye që andej me më shumë se 300 disqe të muzikës klasike franceze dhe italiane”. Ato disqe nisa t’i dëgjoja që nga mosha 4-vjeçare. Muzika franceze dhe italiane u bënë pjesë e jetës time”. Githashtu ai arriti të luante në piano dhe organo. Megjithatë, dalëngadalë, ashtu si pakuptuar, kishte nisur t’i largohej këngës popullore, të kënduarit me iso, e gjithnjë më shumë po shkonte drejt muzikës së lehtë. Merdani kujton: “Nëse deri atëherë nuk kisha menduar se do të bëhesha këngëtar, tashmë gjithnjë e më shumë kisha frikë të ndahesha prej saj. Nuk e harroj kurrë ditën kur për herë të parë këngët e muzikës së lehtë i këndova në një repart ushtrak, në vitin 1956, kur ende nuk e kisha përfunduar shkollën 4-vjeçare pedagogjike”. Atë kohë nisa të këndoja edhe këngë të tilla si: “Ti m’ke braktisur/ t’qofshin harram ndjenjat e mia/se larg dashurisë/të lindi në zemër pabesia…”. Për këtë këngë thuhej se ishte e Xhedikut, por askush nga të rinjtë e asaj kohe nuk e dinte se kush kishte qenë ky njeri me këtë emër. Korça kishte nisur të fliste për talentin e këtij djali që vinte nga fisi i Merdanëve. I kujt është, pyesnin njerëzit? I Merdanëve, ishte përgjigjja. Kishte edhe nga ata që thoshin: Mos është djali i atij që i sekuestruan 4.5 kv flori?!…
Peripecitë e Merdanit
Kujtimet e asaj mbrëmjeje festive në 75-vjetorin e Ylber Merdanit, ku rreth tij dhe bashkëshortes Shpresa, ishin mbledhur gjithë nipërit dhe mbesat, nuk kishin fund. Njerëzit kishin dëshirë të kujtonin gjithçka që kishte lidhje me fisin e tyre. E mbani mend çkanë hequr dhe vuajtur fiset që ishin të pasura?… Po kur Merdanëve ua morën floririn, ju kujtohet?.. Në këto çaste Sherif Merdani ishte duke këndur këngën e tij të preferuar “Po ku ishe ti o Zot”, Kishte mbërritur te vargjet: “Ne besuam si fëmij’/Ne besuam të dashuruar/Se kënduam “Let it be”/Ndaj dhe rronim të përgjuar. Kështu kishte nisur edhe jeta e Merdanit: “Ne besuam si fëmijë…”. Me të përfunduar shkollën e mesme pedagogjike e dërguan si mësues në Vëndreshë të Skraparit, ku jepte gjuhën shqipe. Më pas e sollën me afër Çorovodës. Kjo i dha mundësinë që bashkë me Nasi Bicollin, kitarist dhe të tjerë, të organizonin mbrëmje muzikore në qytetin e Çorovodës. Madje atje nisën të këndoheshin edhe këngë ruse. “Poçemu”, ishte një prej këngëve të pëlqyera, që do të thotë “Pse”. Mbrëmjet e Çorovodës nisën të vinin ndryshe. Qëndroi atje për 3-4 vjet me radhë, që nga viti 1957 deri në vitin 1959. Ndoshta do të kishte qëndruar edhe më gjatë, por nuk mundi. Në fshatin Backë ku ndodheshin të akomoduar ndodhi një ngjarje që lëndoi shpirtin e këngëtarit. Babai i Blendi Fevziut, Hektor Bregasi, i apasionuar pas pëllumbave, kishte sjellë nga Korça dy çifte pëllumbash. “ Ishim mësuar me pëllumbat, – më tha të nesërmen Sherif Merdani,- ata ishin miqtë tanë më të mirë. Një natë ata u sulmuan nga një tufë skiftersh. Tre prej pllumbave u zhdukën. Mbeti vetëm një. Kjo ngjarje më tronditi shumë. “Let it be”, nuk mund të më mbante më me shpresën se çdo gjë mund të kapërcehej lehësisht. Besoj se të qenit larg, në një vend të izoluar, na kishte lodhur. E braktisa shkollën dhe erdha në shtëpi. Nisa të punoja me babain tim në NSHN.
Përsëri me studime
“Punova me të deri në vitin 1963, por nga kënga nuk hoqa dot dorë. Duket se Zoti kishte vendosur të me ndihmonte. Ishte koha kur Traktati i Varshavës kërkoi zbutjen e luftës së klasave. Më dhanë të drejtën e studimit për histori gjeografi. Kur e mora lajmin, ju ndoshta nuk e besoni, atë çast unë isha njeriu më i lumtur në botë; atë natë nuk fjeta për asnjë grimë. Vetëm këndoja. Shpirti im ishte bërë me krahë. Nuk i besoja dot vetes. Studiova për katër vjet me radhë. Prindërit nuk më ndihmonim dot. Në shtëpi nuk kishim asnjë qindarkë, ato që sillte babai nga puna në NSHN nuk mjaftonin për të mbajtur familjen. Për këtë arsye, shkoja me fisarmonikë në të gjitha mbrëmjet e studentëve, ku këndoja shqip dhe italisht. Ishte koha e Bitëllsave. Kështu i siguroja lekët për të vijuar studimet. Pas përfundimit të shkollës më dërguan në Librazhd. Tashmë daljet e mia në skenë po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta.
Këndon djali i Merdanëve!…
Emri i Sherif Merdanit kishte pushtuar edhe Korçën. Flitej vetëm për të, por kishte edhe nga ata që trishtoheshin nga lavdia e tij. Nuk e duronin dot shprehjen: “djali i Merdanëve”. Në të vërtetë, gjithë lufta kundër tij nisi fill pas marrjes pjesë në festivalin e parë të muzikës së lehtë. Në atë festival Merdani këndoi dy këngë. Në provën gjenerale ishin të ftuar Mihallaq Ziçishti, Gaqo Çako dhe Nevruz Yzeiri. Pas provës gjenerale të gjithë kishin mbetur të kënaqur. E pyetën edhe Ziçishtin për festivalin: “Të pëlqeu?”- i thanë. “Bukur”-, u përgjigj ai. E pyetën edhe për Sherif Merdanin: “Si t’u duk?” “Mirë, -tha ai, – por mua më pëlqejnë këngët popullore, ato që këndon Nevruz Yzeiri, ashtu siç më pëlqen të ndjek diversantët, e t’u jap plumbin”… Pas fjalëve të Ziçishtit të gjithë mbeten të heshtur. Në atë festival Sherif Merdani fitoi çmimin e dytë me këngën: “Dhe ti erdhe në plazh”. Por tashmë për Sherif Merdanin po flitej gjithnjë e më tepër. Adhuruesit këngës së tij ishin të shumtë. Dashamirësit e tij i luteshin që të vinte sa më shpesh në Korçë e të këndonte këngët e tij, dhe Merdani vinte se herë që gjente rast, por ata që nuk e duronin dot ardhjen e tij bëheshin pikë e vrer. Këtë gjë Merdani e kuptoi mirë kur një nga miqtë e tij, Bardhi Kreka, i tha: “Habitem me guximin tënd, ne nuk dimë ku të fusim kokën, kurse ti vjen e këndon në mes të Korçës. Përpiqu të biesh sa më pak në sy të atyre… “Atyre”, ishin ata që ndjenin kënaqësi nga pushkatimet, burgosjet dhe internimet. Të njëjtën gjë u kishte kërkuar Merdanëve edhe një nga miqte tyre që punonte në Komitetin e Partisë së Korçës, Qemal Baruti: “Porositeni Sherifin të mos vijë shpesh në Korçë se do ta marrin në qafë”. 
Deri sa erdhi Marko Xega nga Korça
Sherif Merdani kishte mbërritur në pikën kulmore të këngës “Po ku ishte ti o Zot”, te refreni i saj. Zëri i tij doli si një piskamë. Ndoshta atë çast kujtoi atë që nuk e harronte dot: kur doli nga burgu gjithë njerëzit e familes kishin qenë në burg. Në burg kishte përfunduar edhe poeti Ylber Merdani dhe njerëzit e tij të familjes. Pas burgjeve nuk sosën as internimet. Zëri i Merdanit erdhi fuqishëm atë mbrëmje në Korçë: “ Po ku ishe ti o Zot/? Për një çast kur të mohuam/, Falna ti dhe mjaft me lot/, Veç tek ty kam për t’besuar…”. Ndoshta ishin këto vargje, që i bënë të ftuarit e asaj mbrëmje të thoshin: “Nuk e harrojmë dot arrestimin e Sherif Merdanit, ashtu siç nuk mund të harrojmë dot arrestmin e poetit Ylber Merdani. Për Merdanin gjithçka shkoi mirë derisa në Librazhd mbërriti si Sekretar i Parë i Rrethit, Marko Xega. “Festivali i 11-të ishte një rast i mirë për të më goditur përfundimisht,- kujton Sherif Merdani,- je pinjoll i Merdanëve,- më tha Marko Xega,- do të të çoj prapa diellit!” Gjithçka filloi të përmbysej. Kisha qenë gjithnjë i ftuar të këndoja në Tiranë. Atje këndova edhe një këngë të huaja.”Kënga e nënës”, mori çmimin e parë në festivalin e dhjetë. Gjithashtu të njohura mbeten edhe këngët e tjera, si: “Dhe ti erdhe në plazh” “Fqinja”, “Tani ra ora shtatë”, “A do të vish sivjet në plazh?”, Portreti” etj.
“4 mijë duartrokitje”
Por nuk mund ta harroj dot koncertin e titulluar “4 mijë duartrokitje”, në pallatin e sportit. Aty këndova një këngë angleze . Duartrokitjet ishin të pafundme. Më kthyen tri herë. Në përfundim të koncertit dolëm për të shkuar në shtëpi. Binte një shi i madh. Njerëzit e pushtetit, pinjollët e tyre, largoheshin me makina. Më përshëndesin, shikoja dorën e tyre që lëvizte pas xhamit, ndërsa unë ecja në shi… Ndoshta mes makinave të tyre ishte dhe Marko Xega… Nuk di pse atë çast mu kujtua historia e pëllumbave. Edhe atë natë binte shi… Skifterët sulmuan papritur pëllumbat tanë… Këtu mori fund bashkëbisedimi ynë me këngëtarin Sherif Merdani por mua befas m’u kujtuan edhe vargjet e fundit të këngës epokale, “Po ku ishe ti o Zot”, të cilat atë mbrëmje ku kishte shumë ish-të dënuar, sollën shumë dhimbje: “Brezi yn’ nuk mund të kthehet, jo, jo/Fshehur botës i harruar/Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po, “Let it be” kam për t’kënduar…
Sigal