Klaudia Pepa: Kur profesioni bashkohet edhe me bashkëshortin, është një magji

1174
Sigal

INTERVISTA/  Flet balerina e mirënjohur Klaudia Pepa: Të qenit balerinë më ka bërë publike

Një jetë artistike interesante. Fillesat e saj përkojnë shumë herët, kur ka qenë e vogël. Shumë e vogël. Në moshën 5-vjeçare prindërit e çonin shpesh të shikonte shfaqjet në Cirkun e Tiranës, ku kishte variete të ndryshme, e në mes tyre debutonte grupi i fëmijëve “Spekter” drejtuar nga prof. Llaqi Nako. E admironte grupin e tij dhe si fëmijë ëndërronte të isha aty të kërcente në skenë, pa ditur se çfarë ishte baleti, por thjesht kënaqësia që të ishte pjesë e tyre. Kështu nisi të jetë pjesëtare e grupit “Spekter” prej 6 vitesh. Më pas konkursi i talenteve të vegjël “Gjeniu i vogël 1” e shpalli fituese e çmimit të parë të baletit. Në moshën 15-vjeçare u bëra pjesë e trupës “Albi Nako Dance”, ku shumë shpejt Albi më spikati për të qenë partnerja e tij dhe si nismë ishte klipi “Dashurisë”. Ndërsa sot jam jo vetëm partnerja e Albit, jo vetëm pjesëtare e trupës, por dhe soliste prej 3 vitesh e “Albi Nako Dance”.

 Që në vogëli me një profesion disi të veçantë, d.m.th ju iu larguat shoqërisë së moshës dhe lodrave për fëmijë?

Po, është e vërtetë. U rrita para kohe (qesh). Ky profesion të lidh me punën, me provat, me ritmin e të qënit balerinë e vërtetë. Kufizimet në këtë profesion si në shoqëri si në ushqim janë të pranishme dhe të domosdoshme.

D.m.th arti nuk lejon të bërit kompromis, të qënit palë?

Mendoj se në art nuk mund të ketë palë. Arti dhe artisti që e zhvillon atë, shkrihen e bëhen një, janë ndjenjat ato që artisti i përçon nëpërmjet artit. Ashtu siç nuk mund të bëhet kompromis me ndjenjat, po ashtu, nuk mund të bëhet kompromis me artin. Arti është specifik, është rezultat, është nivel, është i dukshëm, i përballueshëm, direkt. Kompromisi të nxjerrë jashtë valles. Në art nuk ka as miqësi, as lavde bosh. Në art kompromisi dhe suksesi janë dy të kundërta që përjetësisht përjashtojnë njëra-tjetrën.

Kërcimin e shihni thjesht si profesion, apo ai është pjesa e jetës, të cilën e ke dashuruar tërësisht?

Kërcimi fillon nga muzika. Për mua muzika është magjia e parë. Sa dëgjoj muzikë, kaloj në një tjetër atmosferë. Tingujt e saj janë për mua elektrizuesi i shpirtit, ku përhumbem në tingujt e saj. Muzika është energjia e lëvizjes ndërsa lëvizjet janë gjuha ime e të folurit. Në këtë duet kaq qiellor, n.q.s lëvizjet përputhen me tingujt e muzikës, me mendjen dhe psikologjinë e vet personit, atëherë arrihet “fluturimi” në qiejt e bukurisë së artit me emrin balet. Kërcimi jeton me mua,  në shtëpi, punë, ecje, shfaqje, tavolinë, kudo.

Sot baleti klasik po fiton terren, por sërishmi balerinat e reja pëlqejnë baletin modern, po ju?

Në fillimet e mia ushtroja si kërcimin klasik dhe atë modern, por më pas bëra shkollën e baletit, e cila është e përqendruar kryesisht te baleti klasik, më vonë u futa në grupin e Albit, ku ushtrova baletin modern, bashkëkohor dhe kërcime të karaktereve të ndryshme, për të mos thënë të gjitha gjinitë e baletit.  Duke parë ecurinë e viteve, prirjet e mia, të dhënat e mia fizike, muskulatura dhe plastika përcaktuan gjininë e baletit bashkëkohor, m’u ndodh pranë njeriu i duhur, i cili punoi mbi mua ashtu siç duhej dhe me vizionin e tij duke më parë si talent, ai po më formon si figurë, dhe po investon mbi mua ashtu siç duhet të jetë një artiste me plot kuptimin e fjalës. Unë kam bërë një shkollë të mirëfilltë baleti, por shkollën më të mirë që kam bërë dhe po bëj është shkolla e Albi Nakos.

 Si balerinë tenton apo bën çmos që të evidencohesh, të bëhesh figurë publike, apo të qënit publike ja ke lënë punës në “dorë”?

Thuajse ekzistojnë të dyja, por të jem e sinqertë rëndësi i jap të qënit sa më profesioniste, sa më rezultative. Në art po ishte e tillë, fama, publiciteti të ndjekin vetë. Por në raste të veçanta dhe harrohesh, ndaj dhe kjo pjesë e evidentimit nuk duhet lënë në harresë.

Të luash pjesë baleti kërkon energji të shumta. Ushqeheni me meny të veçantë?

Ushqehem normalisht, duke ruajtur normat dhe rregullat e një ushqimi që i përshtatet profesionit. Por kryesore është se unë krijoj një energji të ndërgjegjësuar trupore, e cila më ushqen vrulltazi mendjen, trupin të cilat më vënë në lëvizje gjithë gjymtyrët. Kjo ndoshta tregon se jam një bateri e karrikuar mirë që rrezatoj energji, e cila më gjeneron një energji të vrullshme dhe më rrëmben me forcën e saj.

Si ndjeheni si bashkëshorte e Albi Nakos?

E realizuar, u njohëm dhe u dashuruam si artistë. Artistët dashurohen në mënyrë të natyrshme, pa komplekse. Tek ne është bashkuar bashkëshorti me profesionin. Profesioni ndikon ndjeshëm në këtë pikë, sidomos kur Albi është në pozita drejtuese, në planin profesional marrëdhënia është e magjishme dhe si çdo magji ke dëshirë të mos e prishësh, por dhe kur punon me të, duhet të bësh kujdes që ta lësh brenda magjisë së saj. Nga ana tjetër, profesioni ndikon ndjeshëm në njohjen e vetive shpirtërore, pasi, dua të them se plastika koreografike është shprehje, është fjalë pa tingull, duke gëzuar këtë veçori unike ajo përcjell mesazhe dhe emocione të brendshme.

Kohët e fundit ju kanë vënë re se krahas kërcimit edhe prezantoni, si ndjeheni në këtë nismë të re?

Ishte një risi e përkohshme, por nuk e fsheh, më pëlqen prezantimi, por e shoh si një perspektivë pak më të largët, megjithatë nuk i dihet. Ndonjëherë jeta të sjell të papritura dhe befasi.  Nuk e mohoj se, kur isha e vogël ëndërroja të bëhesha balerinë, kurse sot që u rrita, përveç baletit kam dëshirë të realizoj shumë gjëra të tjera, të cilat si përkufizim do të kishin fjalën Shou-girl.

Përveç stërvitjes si e mbani trupin në formë?

Shpesh dëgjoni se balerinat mbajnë dieta për të pasur një trup në formë. Por kjo nuk është zgjidhja e duhur… Profesioni ynë harxhon shumë energji, kështu ajo çfarë t’i ha nuk kthehet në shëndoshje. Pra, ky term i dietave shërben për dembelet që nuk lëvizin e nuk punojnë. Sot çdo femër, por dhe meshkujt kanë filluar të mbajnë trupin në formë, me stërvitje, me kurse të ndryshme baleti e me palestër. Madje, realisht po të shohësh, trup më të bukur kanë njerëz të thjeshtë që dinë dhe duan ta mbajnë trupin e tyre, sesa një balerin ose balerinë e ditëve të sotme. Ky është thjesht një respekt që çdokush duhet ta ketë për veten dhe trupin e tij.

Planet e së ardhmes?

Tek artisti qëndron ambicia për të ecur përpara dhe për të eksploruar gjëra të reja tek vetvetja…Një balerin ose balerinë është në kulmin e tij deri në moshën 23-24, në bazë të muskulaturës dhe trupit. Ndaj nuk mund të them një plan të caktuar, sepse edhe kur e kam bërë një të tillë, jeta më ka sjellë të papritura dhe planet bien poshtë. Sot mund të them që falë Albit, e kam marrë të plotë kënaqësinë dhe emocionin e kësaj pune, kam prekur ëndrrën time.