Kiço Londo: Arti sipëror nuk ngjyroset!

290

Të shtunën në mbrëmje kishim vendosur të organizonim Festën e mbylljes së stinës teatrore 2018-2019 me Jul Qezarin e Shekspirit. Paradite një telefonatë e Drejtoreshës së Zhvillimit Artistik ngjalli alarm. Sinoptika lajmëronte se nga ora 20.00 deri në orën 24.00 do të kishte shi. 100%. Ankth. Ora 20.00 shiu filloi. Një mikesha ime e shqetësuar më merrte çdo 5 minuta “Çdo të bëjmë”? Ora 21.15 minuta, shiu vazhdonte, qielli nxinte. Artistët të shqetësuar më pyesnin dhe prisnin një vendim. Shumica sugjeronin ta shtynim “Ja dhe pushoi, po të fillojë në mes të shfaqjes? Çdo të bëhet?” Ishim në kurth, të sfiduar. Publiku kishte ardhur. Padurimi i artistëve u rrit. Për t’i ndaluar shqetësimet e artistëve i fola mikeshës time, aktore, me ton. Hesht! (të nesërmen i kërkova ndjesë për tonin). Duhet të merrja një vendim. Ta anuloja?! M’u duk tradhti ndaj frymës dhe frymëzimit. Duheshin nxjerrë njerëzit jashtë sheshit dhe duhej mbyllur “dera”. Por ai që e do shtëpinë e tij, nuk e mbyll dhe, ca më pak, nuk e vjedh.

E vendosa.

“ Në 21.30 fillojmë. Gati të gjithë!” më panë si të çmendur.

Shfaqja fillon. Shiu hesht. Qielli u ça. Një ylber nate me ngjyrë të kuqe i uroi shfaqjes sukses.

Në momentin që u shfaq Qezari me gruan e tij në të kuqe, një yll u shfaq në qiell.

Shpirti e mposhti natyrën.

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” triumfoi edhe këtë radhë. Shfaqja e Ivica Buljan me aktorët që atë natë u mobilizuan si asnjëherë tjetër, shkëlqeu.

TKEKS e mbylli stinën teatrore me rekorde. 478 shfaqje. Shfaqje për fëmijë, shfaqje për adoleshentë dhe shfaqje jo për fëmijë dhe jo për adoleshentë. Ne jemi një nga 12 teatrot zyrtarë që ka Shqipëria aktualisht. Kemi një organikë minimale, 21 vetë. Nuk kemi as punonjëse sanitare në organikë dhe marrim 2.5% të buxhetit Kombëtar që jepet për Artin Skenik. Ndërkohë që zhvillojmë 60% të aktivitetit skenik Kombëtar në një vit.

Si ndodh kjo në TKEKS?

Së pari, sepse TKEKS është kthyer në një bërthamë krijimtarie dhe idesh.

Së dyti, sepse TKEKS e ka shikimin mbi horizontin e së tashmes dhe së përditshmes.

Dhe së treti, se punët e mëdha fillojnë nga ëndrrat dhe jo nga buxhetet.

Tre ditë përpara premierës së Jul Qezarit, TKEKS festoi me një tjetër premierë dinjitoze . Me “Zogu i Zi”. Një vepër që ka përmasat e një tragjedie të antikitetit. Shfaqja jonë, fitoi shumë pikë, duke mos e trajtuar marrëdhënien e një vajze 12-vjeçare me një burrë 41-vjeçar si pedofili. As vajzën si viktimë. Ky ishte varianti më interesant për shfaqjen. Shfaqja jonë, zbuloi një rrugë drejt sensit të pastërtisë dhe distancës që krijon pastërtia.

Këto ditë ka pasur shumë debate dhe opinione për Jul Qezarin e TKEKS, në rrjetet sociale dhe në media. Shumë vetë, kanë shprehur opinionet e tyre për shfaqjen dhe natyrisht që kjo është e drejtë e gjithsecilit. Por ngjyrosja e shfaqjes në të kuqe, blu apo ndonjë ngjyrë tjetër, nuk bën gjë tjetër veçse tenton ta zbresë shfaqjen nga vendi i nderit që ajo meriton dhe që tashmë e ka. Në ndonjë rast, këto shkrime, me krijuan problem edhe me miqtë e mi më të mirë. Thuhej se unë Bruti, i kisha dhënë një mësim të mirë Qezarit. Qesharake. As Teatri, kur mori vendim dhe, ca më pak, Ivica Buljan që e realizoi shfaqjen, nuk kanë pasur parasysh asnjë figurë reale të jetës politike në vend. Kjo do të na bënte dritëshkurtër.

TKEKS ka ardhur në jetë për të provokuar mendime të mëdha dhe është shndërruar në një ëndërr për të gjithë. Ai kurrë nuk do të jetë një vrasës me pagesë.

Investuam mjaft energji krijuese e kapital mendor –intelektual, për evolucion artistik, për t’i dhënë skenës një Jul Qezar, që qëndron natyrshëm midis dy autorëve. Autorit të tekstit, Shakspiri, dhe regjisorit të shfaqjes, Ivica Buljan. Çdo interpretim tjetër kritik, publicitar, jashtë këtyre dy pikave bazë të produksionit tonë teatror, është varfërues, çorientues, spekulativ. Kjo shfaqje me të gjithë përbërësit e saj, të cilët kanë dhënë më të mirën e tyre të mundshme në periudhën përgatitore-konceptuese, nuk ka nevojë të sakrifikohet në kontekste të tjera jashtë artistike.

Kiço LONDO