Keti Bashhysa:Me art, sot, jeton me vështirësi!

591
Sigal

INTERVISTA/ Flet violonçelistja, moderatorja, pedagogia Keti Bashhysa: Jeta ime në tërësi është sentimentale!

Këto ditë violonçelistja, pedagogia e muzikës dhe një nga ish-moderatorët e emisioneve televizive në TVSH, Keti Bashhysa zhvilloi në sallën e madhe të Teatrit të Durrësit, koncertin recital të radhës. Të gjithë koncertin e kishte menduar, ideuar dhe organizuar vetë. Salla e madhe e teatrit si rrallë ndonjëherë në evente të tilla ishte e mbushur plot e përplot me publik pjesa dërrmuese intelektual. Ishte. Veshja e saj ishte shik dhe sensuale njëkohësisht. Ishte më e bukur se kurrë. Ndryshe nga ekrani, ku ajo ka drejtuar qindra emisione skena është komplet gjë tjetër. Është një vend në të cilin ndjehesh si një divë e vërtetë, shumë publik kishte dhe nga Tirana. Ajo falënderon në mënyrë të veçantë drejtorin e teatrit “Aleksandër Moisiu” z.Bashkim Hoxha, një njeri, që gjithmonë i ka përkrahur artistët e vërtetë.

Ç’përmbante koncerti juaj recital me violonçel, i dhënë së fundmi në skenën madhështore të Teatrit të Durrësit?

Në fakt, ishte “Cocktail Artistik” i radhës dhe duke iu referuar këtij titulli kuptohet që përmbajtja nuk është thjesht muzikë klasike, por repertori muzikor i zgjedhur me shumë kujdes nga unë thyhej herë pas here nga poezi brilante të ndërthurura me një këngë që sa herë e dëgjojmë aq më shumë emocionohemi. Një numër koreografik, shtoji këtyre dhe efektet që u krijuan me ndriçimin nga teknikët e skenës. Unë zakonisht në koncerte të tilla, zgjedh një repertor muzikor, i cili vjen këndshëm edhe në veshin e një spektatori jo profesionist në muzikë (por sigurisht nuk bëhet fjalë për repertor komercial). Nga një këngë e Tonin Harapit, në një sonatë të Ymer Skënderit, duke kaluar në një Boçherin virtuoz, Mjelma nga Sainsans, deri te Libertango e Astor Piazzolla.

Një koncert interesant e përshkruante shtypi i ditës. Me kë bashkëpunuat në këtë event?

Ilda Mema, pianiste, e cila kishte një minutazh të vetin. Aktoret: Era Çaushi, Andia Xhunga dhe me pjesëmarrjen e aktorit të mirënjohur durrsak Hysen Bashhysa, Luke Zekthi, këngëtare me një zë tepër të veçantë, e cila interpretoi “Kur ti të jesh mërzitur shumë”, trupa e baletit me koreograf Arian Plakun dhe shoqërues muzikor Dashamir Mehmeti (kitarë) dhe Orges Mema (piano) dhe në fund regjisoren time të preferuar dhe të talentuar Triada Dervishi. Një bashkëpunim ky i frytshëm, ku të gjithë punuam për një qëllim të fisshëm: të dhurojmë emocion pozitiv…

Një qytet i lidhur shumë me muzikën. Pse pikërisht zgjodhët Durrësin?

Pasi unë jam 100% durrsake dhe natyrshëm zgjodha Durrësin. Durrësi është një qytet artdashës, e vlerëson dhe e shijon artin e vërtetë. Ky është Durrësi im!

Kur ndjetë emocion më të madh dhe cilat ishin pjesët që ju veçuat?

Duke e lënë modestinë për një moment në periferi, duartrokitje kishte që në fillim dhe mbarim, por “Mjelma” nga Sainsans preku, depërtoi ndjeshëm në publik.

Recitalet janë shumë të vështirë. Konkretisht, sa e vështirë ishte për ju të organizonit dhe të mbanit peshë një aktivitet të tillë?

Vështirësia më e madhe konsiston në faktin “organizim”, sidomos kur unë, protagonistja e këtij Cocktail-i, u mora vetë me të gjitha. Isha iniciuesja, organizuesja dhe interpretuesja, por për dy të parat dihet për të gjithë vështirësia, që unë s’dua t’i përmend tani se nuk dua t’i kujtoj më, por që në momentin që del në skenën e magjishme të këtij teatri, ti harron gjithçka dhe i përkushtohesh vetëm muzikës dhe dëshirës për t’i falur emocion atij publiku aq të dashur. Skena është e magjishme!

A mendoni se sot Durrësi ka formuar një kulturë për ndjekjen e recitaleve tilla, me instrumente të veçantë siç është violonçeli?

Nuk mendoj! Është fakt që Durrësi e ka pasur gjithmonë kulturën për ndjekjen e çfarëdolloj koncerti artistiko – profesional, qoftë edhe instrumenti të veçantë siç është violonçeli. Sigurisht, evente të tilla janë zbehur paksa, por kjo jo për faj të artistëve, por për hir të burokracive institucionale që gjithmonë kanë qenë dhe janë të pranishme dhe jo gjithmonë tregohen mbështetës. Kjo është për të ardhur keq! Gjithsesi, secili bën punën e tij…dhe artistët bëjnë art, me ose pa mbështetje.

Kush ju mbështeti në këtë nismë?

Pjesëmarrësit e këtij koncerti, që ishin mbështetësit moralë. Të ftuarit e mi, të cilët pranuan ftesën pa asnjë lloj shpërblimi monetar. Miqtë e mi të afërt, midis të cilëve dua të përmend dhe drejtorin e teatrit “Aleksandër Moisiu” z. Bashkim Hoxha, një njeri, që gjithmonë i ka përkrahur artistët e vërtetë.

A patët emocion dhe a patët firo në lojën tuaj?

Emocionet janë të pashmangshme, nuk mund të perceptohet një artist pa emocione. Ndërsa për firo, jo vetëm që nuk pata, por atë natë luajta më bukur se në provën gjenerale. Pastaj…para një spektatori aq të vëmendshëm, përkushtues, ilariteti që krijohej në sallë, emocionet japin efekte pozitive.

A mund të jetosh sot vetëm me jetë artistike?

Shumë e vështirë. Ne jemi vend i vogël dhe instrumentistët janë të shumtë. Unë jam mësimdhënëse violonçeli në liceun artistik “Jan Kukuzeli”, Durrës. E bëj me shumë dëshirë këtë punë, sepse dua të shtohen violonçelistët në të ardhmen. Punoj me shumë përkushtim për dy arsye, sepse kështu di të punoj unë dhe më kryesorja është se violonçeli është një instrument magjik. Nëse ti e do këtë instrument dhe ai të jep shumë dashuri dhe sadisfaksion.

A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe mendimi juaj për dhunën ndaj grave?

Mendoj se nuk duhet ta ekzagjerojmë me “shoqëri maskiliste”. Dhunë ka në përgjithësi. Dëgjohet shpesh të flitet për dhunën ndaj grave, absolutisht që nuk duhet të ekzistojë. Mendoj se, kjo vjen si rrjedhojë jo vetëm e mentalitetit të një pjese të shoqërisë tonë, por edhe të papërgjegjshmërisë së institucioneve përkatëse. Nuk jam dakord me asnjëlloj dhune të çdo lloj krijese (përfshij këtu edhe kafshët, pse jo). Secili ka të drejtë të jetojë jetën që Zoti i ka dhënë.

Dashuria e artistëve është e veçantë, madje ka një lloj magjie…

Mendoj se dashuria nuk mund të përkufizohet dhe të përcaktohet. Dashuria është ndjenjë. Dashuria na bën më të bukur, më të mirë, më të ndjeshëm, më të lirë, më të mençur. Të gjithë duhet të dashurojmë dhe të ndjehemi të dashuruar, ne jemi lindur nga dashuria. Më pëlqen të perifrazoj një shprehje përsa i përket dashurisë në një raport më të ngushtë: “…sa më shumë takohem me ty, aq më shumë më merr malli për ty…”.

Disa herë për ty qarkullojnë thashetheme, si ndiheni?

S’i marr në konsideratë pasi vetë di të bëj vetëm mirë.

Jeta sentimentale dhe Keti?

Jeta ime në tërësi është sentimentale. Unë vazhdimisht investoj sentimentet e mia në çdo gjë që bëj, por në një kuptim më konkret ashtu si dhe ju e doni përgjigjen them se për momentin nuk më ka goditur shigjeta e Kupidit, arsyet i di vetë Kupidi.

Si dashuron Keti?

Kur dashuroj, gjithë yjet e botës i mbledh në gji.

Si nis një ditë e juaja?

Zgjimi herët, falënderoj Zotin që më fali një ditë më shumë. Kafja e mëngjesit me miken time, që unë e dua shumë. Puna dhe ndonjëherë në fundjavë argëtimet me miqtë. Koha ime e caktuar, që ia kam kushtuar nipit tim Rubinit, familja ime që më suportojnë në çdo moment timin, i keq ose i mirë qoftë. Lexim librash, kohët e fundit shumë poezi dhe gjumi i vonshëm i natës.

Rebele, apo kapriçoze?

Kapriçoze po, si rrjedhojë e natyrës time paksa të përkëdhelur. Rebele po. Rebelohem kundrejt çdo gjëje të shëmtuar, çdo paaftësie.

Ju shqetëson mosmirënjohja?

Varet nga këndvështrimi, nëse unë bëj diçka të mirë për dikë, jo domosdoshmërisht pres mirënjohje, e bëj sepse e ndjej. Nuk pres shpërblim, por sigurisht që më kënaq mirënjohja…

Rrethi juaj i ngushtë miqësor përbëhet vetëm nga artistë?

 Jo! Miqësia ime është një miks, ku çdo individ plotëson puzzle-in aq të bukur dhe të këndshëm.

Së fundmi. Kur do na e jepni sërish kënaqësinë e të parit dhe të dëgjuarit në skenë?

Jam pikërisht në momentin e krijimit të skenarit në mendjen time për të filluar shumë shpejt punën për një tjetër “Cocktail Artistik”, i cili mendoj dhe shpresoj të jetë akoma më i veçantë dhe spektakolar, ku unë jo vetëm do të interpretoj në violonçel, por do bëj dhe gjëra të tjera (surprizë).