Keti Bashhysa: Nuk kam arsye të pendohem për asgjë

746
Keti është jo vetëm një ndër instrumentistet më të mira në violonçel, por ajo në fillimet e para të jetës artistike ishte një ndër moderatoret më të mira të TVSH. Këtë radhë ajo vjen në qytetin e saj të Durrësit me një recital krejt ndryshe, një recital specifik të titulluar “Mëkatarja”. Për titullin, i është referuar pjesës me një akt të Dino Buzzati Jago. Duke qenë se Jago është simboli i së keqes dhe e keqja hyn tek mëkatet, ajo zgjodhi “Mëkataren”. Në këtë recital Keti alternoi muzikën me teatrin, duke përcjellë me plot finesë një risi muziko-teatrale për spektatorin durrsak. 
Një recital me një titull bombastik “Mëkatarja”. Përse ky titull?

Për titullin, i jam referuar pjesës me një akt nga Dino Buzzati Jago. Duke qenë se Jago është simboli i së keqes dhe e keqja hyn tek mëkatet, unë zgjodha “Mëkatarja”. 

Ju vetë keni bërë mëkate dhe donit të faleshin me anë të këtij recitali?

Të gjithë jemi mëkatarë. Unë bëj mëkate çdo ditë. Edhe të shkelësh një milingonë është mëkat. Problemi qëndron, sepse njerëzit joshen nga mëkati. Kurse mua më josh ai momenti kur i lutem Zotit të më falë për mëkatet e mia. 

Koncert recital, por dhe një pjesë të Buzzatit me babanë tuaj, pra muzikë dhe teatër, e kujt ishte kjo ide?

Ideja që të alternoj muzikën me teatrin, ka qenë e imja që në krye të herës. Ndjeja se mund ta bëja mirë, duke qenë se më pëlqen aq shumë teatri, duke qenë se babin tim e kam ndjekur që fëmijë dhe teatri më magjepste, mendova ta provoj. Ja shpreha babit këtë dëshirë, u çudit pak, por më përkrahu, si gjithmonë… i miri babi. Aktrimin në skenë, e nisa me një monolog nga Dario Fo, për të ardhur tek Jago i Buzzatit. Gjithmonë duke punuar shumë me profesionistë dhe duke patur ndihmën e madhe të babit tim. 

Mendonit se mund të dështonit si aktore?

Unë kur kam dëshirë të bëj diçka, e mendoj gjatë dhe në gjërat që i dua shumë, nuk e mendoj kurrë dështimin. Ku ka dashuri dhe punë nuk ka dështim. Unë nuk di të dështoj në gjërat që bëj. 

Kush ishte regjisori i koncertit recital?

Kam bashkëpunuar me regjisorë të ndryshëm. Dikush e ka bërë punën me dashuri dhe pa kushte, dikush tjetër është penduar gjatë rrugës dhe si pasojë e kësaj, punën regjisoriale e ka vazhduar im atë. Edhe në Mëkatarja, përveç si aktor, babi punoi dhe për regjinë. Dua të ndalem pak këtu… . . të jesh artist, së pari duhet të jesh njeri, jo gjallesë, NJERI. Unë çdo ditë e më shumë shoh shumë gjallesa dhe pak njerëz… . dhe kaq pak artistë. 

Ku ishte pjesa më e vështirë e koncertit-teatër dhe si e kaluat?

Momenti më i vështirë ishte aktrimi me aktorin Cen Bashhysa tek Jago. 

Të aktrosh me një aktor si Ceni është përgjegjësi e madhe. Pastaj, të aktrosh me babin është kaq emocionuese… teksa ndjen në çdo moment që ai përjeton emocione të forta për mua. E shihja në sytë e tij, e ndjeja në frymëmarrjen e tij. E gjithë ekzistenca e tij më thoshte: Jepi, ti je më e mira. 

Në këngë u interpretuan nga repertori i Etta James dhe poezi nga Bodler. Si erdhi ky kombinim. Kush ishte frymëzues në këtë drejtim?

Kënga e Etta James dhe poezia “Thesari Im” nga Baudelaire ishte një kombinim fantastik. Repertori është gjithmonë zgjedhja ime. Edhe kënga edhe poezia janë mesazhe të forta dashurie. Mua më pëlqen shumë ky mesazh. Dashuria. Kjo ndjenjë më frymëzon. 
A është e vështirë të bashkëpunosh me babanë në art? 

Të bashkëpunosh me babanë në art është e vështirë, e bukur, e brishtë, privilegj. Është një duo aktor-baba, që mëson shumë dhe këto mësime të falen me profesionalizëm dhe dashuri. 

A u realizua objektivi juaj me këtë koncert recital?

Në çdo performancë timen, objektivi është të përçoj emocion tek publiku. Është ai emocioni i bukur që po i mungon çdo ditë e më shumë njerëzve në këtë realitet që jetojnë. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi përçojmë emocion. 

Si reagoi publiku dhe cila ishte pjesa ku ai duartrokiti më shumë?

Kësaj here, publiku më përloti. Duartrokitjet nuk ndaleshin dhe sytë e tyre plot admirim… . Të gjitha pjesët më janë duartrokitur. Loja në violonçel, kënga, poezia, aktrimi, të gjitha. Unë përjetova emocione të forta sepse unë dhashë emocione të forta. 

Ku ishte e veçanta e këtij recitali, në dallim me recitalet e tjerë?

E veçanta e këtij eventi ishte aktrimi me babin në skenë. Unë po aktroja me një super aktor, i cili prej 45 vitesh ka dhënë shumë shpirt në atë skenë. 
Trio e fagotëve me solist të mirënjohurin Pirro Sota ishte një risi në eventet e mia. Kolazhi i luajtur me mjeshtëri prej tyre u pëlqye shumë. Veshjet e mia, stiluar dhe punuar nga kostumografja e talentuar Enkelejda Medolli, u pëlqyen shumë. Make up-i punuar me aq shumë dashuri nga qendra estetike Zoi, u pëlqye shumë. Shoqërimi në piano nga i talentuari Orges Mema ishte aq në sinkron me lojën time në cello. Pra, shfaqja u pëlqye në çdo moment. Kjo ndodh kur në bashkëpunim ka disiplinë dhe dashuri. I falënderoj. 

Mendoni se një femër mund të arrijë në violonçel suksese, sa edhe një mashkull?

Qoftë mashkull apo femër në violonçel, nëse loja funksionon me ndjenjë, suksesi është i garantuar. Por më joshëse duket një femër në violonçel. 
Cilat janë problemet e femrave sot?

Problemi i femrave sot mendoj se është sjellja e meshkujve. Duke qenë se meshkujt sa vjen dhe po bëhen aq të brishtë, ja kanë lënë burrninë femrave. Po has shpesh meshkuj-femra dhe femra- meshkuj. Keq… 
Të jesh pedagoge sot, sa e vështirë është dhe pse?

T’i mësosh një instrument të vështirë si violonçeli, brezit të sotëm nuk është e lehtë. Cello do shumë punë, përpos dhuntive që duhet të kesh. Mirëpo këtë problemin e disiplinës në punë, duhet ta dinë mirë prindërit e fëmijëve, pastaj fëmijët. 
Jeni penduar që keni zgjedhur këtë profesion?

Unë nuk pendohem për asgjë që bëj. Edhe një mijë jetë të kisha, po artin do zgjidhja. 
A i pret me dashamirësi publiku durrsak evente të tilla? 

Publiku Durrsak di të zgjedhë mes një koncerti profesional dhe atij mediokër. Unë jam e zgjedhura e publikut. 
Cilin ose cilët falënderoni?

Përkrahësit e mi që unë i falënderoj pa fund, janë: Bashkim Hoxha, dramaturgu im i preferuar dhe drejtor i teatrit A. Moisiu dhe Hysen Bashhysa, aktori im më i dashur dhe babi im i mirë. Pa harruar publikun tim që më ndjek me shumë dashuri.
Sigal