këngët labe mbartin histori të mëdha

1627
Ilirian Ballaj
Historia e një populli vjen tek brezat pasardhës edhe nëpërmjet këngës. Nëpërmjet ‘logatjeve’, ‘boroitjeve’, këngëve ‘vënçe’ ndër oda, njerëzit qanin hallet, derdhnin dertet e jetës e bëheshin më të fortë. Natyrisht këngët janë të vjetra e të reja, të vjetrat, rrugës, janë limuar, janë bërë më të përsosura e më solide, ato janë latuar e gdhendur siç ndodh me gurët e zallit në rrugën që bëjnë, kur i shtyn uji. Ato edhe treten e harrohen, por diku, në një xhep kujtese, në një trevë, ruhen e duhen gjetur e shpërfaqur. T’u fryjmë thëngjijve që të shprushen, e t’u marrim zjarrin e t’u lemë hirin. Prof. dr. Bardhosh Gaçe, si një hulumtues brilant i kulturës shqiptare e, në mënyrë të veçantë, i kulturës të trevës së Labërisë, në botimet e tij të kohëve të fundit, si” “Mehmet Vallja dhe koha e tij”, sjell para lexuesit këngë labe autentike, të hershme, të cilat kanë qarkulluar deri tani në mënyrë fragmentare. Ai i sjell ato, relativisht të plota, duke i gjurmuar në djepin e tyre, duke i gjetur e duke i shpërfaqur, sikurse ai di. Po cila është kënga e parë, që e sjell në mënyrën më të plotë? Është kënga për internimin e prijësve të Labërisë në vitet 1847-1852 në Alep (Alepo sot) të Sirisë. Ai ka regjistruar në Brataj të Vlorës këtë këngë të hershme, kur prijësit shqiptarë të kryengritjeve popullore kundër Portës së Lartë, gjithësej 33, u kapën dhe u internuan në Alep të Perandorisë Osmane. Të 33 prijësit e Labërisë i shpunë fillimisht në Janinë e prej aty në Stamboll, ku u hetuan ( “u pyenë”- thotë kënga), e pasi i dënuan, i internuan në shkretëtirën përvëluese të Alepos. Kënga e regjistron dhe e shpërfaq të gjithë ndodhinë e atyre viteve. Kënga ka 39 vargje, ajo është vjershë në kolonë, me rimë të njëpasnjëshme dhe me varg tetërrokësh të traditës folklorike popullore. Ajo këngë ngjan shumë me ‘Iliadën’ e Homerit, sepse brenda saj ka luftë, ka heronj trima e kryetrima, ka bij të Labërisë. Brenda përmasave të saj, janë disa ndodhi të diapazonit kohor mes luftërave kundër Reformës së Tanzimatit dhe luftës për mbrojtjen e integritetit shqiptar e të trojeve çame në jug të Shqipërisë nga agresioni grek, më 1854. Në këngë jepen personazhet dhe shpjegime për ta: cilët ishin ata prijës, ku i zunë e ku i shpunë, sa e ku i dënuan, si ikën, ku shkuan e ku luftuan më pas. Pra, një këngë e vogël, që shpalos një histori të madhe. Dhe kënga thotë: 

Gjemitë e detit arrinë
Që të mbledhin parësinë,
Selim Again në Vlorë,
Me Meçanin dorë për dorë.
Byzylykët u hodhë,
Beqir Velon në Kaninë,
Laton e Dalan Seinë,
Fejzo bej Risilinë,
Mahmut Hoxhë Tragjaslinë,
Kamber Delo bukurinë.
Në Dukat Dervish Alinë,
Mavrovë Xhafer Salinë,
Në Shkozë Ymer Alinë,
Mustafa Begë bilbilë.
Në Kaçaj Fegë Mahilë,
Rustamaj Tozo Beqirë,
Selfo Liço derëzinë,
Dhe në Vajzë dy nishanë,
Meten e Sadik Çobanë,
Gumenicë Haxhi Rrapnë,
Në Gjormë dy spahillarë,
Hamiti me Ramo Ballë,
Në Velçë Selam Hasanë.
Në Tërbaç Lulo Abazë,
Në Vranisht Sefer Miftarë,
Në Brataj Matan Haxhinë,
Lilo Qëndro nishanllinë,
Dule Zoton në Smokthinë
Dhe në Armen Sadiknë
Dhe në Mekat Ismailë.
Zeqo Xhafë Karbunari,
Sadedin Ahmet Vasiari. 
Të gjithë krerët i lidhë,
I nisën për në Janinë,
Në Stamboll na i pyenë
Dhe në Alep i tretnë. 

Ata trima ndenjën në Alep, në internim, plot pesë vjet. Pas pesë vitesh Porta e Lartë i fali dhe i nisi në luftën për mbrojtjen e trojeve të Çamërisë nga sulmet greke, në betejën që ka marrë edhe emrin Lufta e Meçovës 1854. Porta e Lartë këtë e bëri për të mos iu dobësuar pozitat e veta në presionin që i bënte Rusia në Luftën e Krimesë, 1852. Kjo këngë është evidentuar edhe më parë, por në formë disi fragmentare. Ajo këngë është kënduar e këndohet edhe sot në Labëri. Unë, mund ta quaj atë këngë një poemë, një “Iliadë” ose një “Odise”. E duke qenë një traditë e tillë, pse të mos mendojmë se Labëria e paska pasur një traditë të tillë krijimtarie të përcjellë dëshmi të mëdha nëpërmjet këngëve. Edhe veprat më sipër, thuhet, erdhën të vargëzuara nga një poet i verbër, Homeri, ose ndonjë plakë vjershëtore që i kishte ruajtur e përcjellë (shiko Çështjen Homerike).

Po kënga e dytë, cila është, a na vjen e plotë?
Është kënga që u kushtohet trimave shqiptarë të masakruar nga Porta e Lartë në Manastir, në gusht 1830.

Në Labëri, një rol të madh në pasurimin e folklorit kanë luajtur gratë, me ninullat dhe vajtimet e tyre brilante. Këngëtare, vjershëtare të tilla të famshme të shekullit XX përmenden: Pestrovë Gjokutaj në Kuç, Duze Bajramaj në Kallarat, Asife Leskaj në Bolenë, Shaniko Hoxha në Tërbaç, Esma Derri në Bashaj, Miserdhe Rexhepi në Lepenicë. Ja edhe një këngë tjetër, autentike, relativisht e plotë, një poemë sikurse edhe e para, që Profesori gjen në Lepenicë të Vlorës, mbledhur kjo edhe më parë nga folkloristi i shquar Musa Muho në shtator të vitit 1952, vjelë nga goja e një gruaje që ngjan me plakat e lashtësisë greke, nga kujtesa dhe vjershërimi i saj, Miserdhe Rexhepi. Ajo këngë shpërfaqet si një epos. Ajo grua, sa ngjan me plakat e lashtësisë antike greke, po aq edhe me vajtojcat epike të malësisë dhe të jugut shqiptar. Kanë kaluar rreth 200 vite nga ngjarja mbi të cilën është ngritur kënga për Masakrën e Manastirit Gusht 1830, e ajo vjen e pastër, e plotë, me tërë koloritin kohor e lokal që mbart. Dhe kënga thotë:

O Asllan e o Ali
Bobo ç’jeni të këqi
Veten e bëni beli
Luftoni me një vali
Me një goxha Rumeli
Asllan beu me Veli benë
Ku janë nisur e venë?
Manastirë vanë e mbenë
Për të marrë ylefenë
Ylefenë dot s’e muarr
Pa u kthyen batarenë
Veziri bëri gostinë
Thirri Asllanë e Alinë
Kur ra batare e parë
Asllani lojti revanë
Kur ra batare e dytë
Asllani i mbylli sytë
O Asllan e o Veli
U qanë nëna në shtëpi
O të zestë djemtë e mi
ç’u erdh koka në sini
O Asllan i ndritur-ë
Njërin sy të qirtur-ë
Nga gorgi goditur-ë
Asllan be të plaçin sytë?
Si s’i njohe osmanlinjtë
Ata din dyshmanallitë! (Din-dinsëzë).

Kënga është dyzetë e dy vargje, vjershë në kolonë, me rimë të njëpasnjëshme, me varg tetërrokësh të frymës e metrikës popullore, folklorike. Po historia për këtë ngjarje cila është? Në gusht të vitit 1830, Serasqeri i Rumelisë Mehmet Reshit pasha, i lajmëroi trimat e Labërisë, por edhe më gjerë, se do të festonte në Manastir lindjen e djalit të tij. Pritja bëhej në hipodromin e atij qyteti. I mashtroi, i futi brenda, mbylli portat dhe i vrau. U preu kokat dhe ua dërgoi për ekspozim në IBRET. Ibret është vend në Stamboll ku viheshin kokat e prera të kundërshtarëve të Portës së Lartë. Johan George von Hahn “Albanesiskhe Studien” Vjenë 1853, faqe 102, shkruan: “Gjashtë muaj dukej gjaku i këtyre trimave shqiptarë në hipodromin e “Anllar yni” Manastir”. Diku thuhet se ishin pesëqind trima shqiptarë, studiuesi i mësipërm thotë dyqind, dhe citon se diku janë evidentuar edhe emrat e tyre, mes të cilëve edhe Asllan Kuca e Veli Jaçe, dy trima nga Kurveleshi i Labërisë. Kur Veliko Jaçe po hynte në hipodrom hipur mbi kalë e me trimat për rreth, Asllan Kuca që vinte pas tij, i foli Velikos: “Kthe kalin Velikooo, se na vranë”! “Foli kalit, Asllaaan, se do thonë u trembën”-ia ktheu Velikua. Kështu e përshkruan këtë skenë studiuesi Mexhit Kokalari në librin e tij “Trima të kryengritjeve popullore”. Me demek: Edhe ne bashkë me shokët, e ç’të jetë shkruar për të gjithë, nuk koritet burri edhe sikur drejt vdekjes të shkojë. Dhe u vranë të dy. Asllani pati një vdekje më të dhimbshme sepse turqit i nxorën syrin me bajonetë, para se ta vrisnin. Megjithatë, sikurse hynë në rrethim me vullnetin e tyre e për t’u vrarë bashkë me shokët, po ashtu dhanë jetën bashkë me shokët e pranë tyre. Ata as shokët nuk i lanë, as frikacakë nuk u bënë, vdiqën me kokën lart, si gjithë trimat e tjerë shqiptarë. 

Po kënga e tretë cila është? 
Është kënga për luftën që u bë për mbrojtjen e trojeve të Çamërisë më 1854. Kënga thotë:
Ç’bën kështu Meçovë e shkretë
Ç’na u ngre tymi përpjetë
Shtatë ditë e shtatë netë
Trimat hoqën zamet
Mahmud beu po thërret
Çpejto të zini trinçetë
Në Meçovë te mekami
Sokëllinë Selam Hasani
Çkule o Mehmet Sinani
Çkulë se shkoi Dalani
Hidhuni përtej te hani
Prite o Dudë Sinani
Shako Xhaka mjekërzi
Natën në llohë e në shi
Me ata djemtë çilimi
Mbi grekër bëri kërdi
Ramo Ballo djalë i sorrë
Mbeti me këllëç në dorë
E bë ashtu si në Horë
I zuri grekët me dorë
Në një shkëmb e në një ferrë
Plumbat e zinj ç’u derdhë
Seç u vra Balil Seferi
Binin plumbat si rrufe
Dhe u derdh gjaku rrëke. 

Edhe kjo këngë është një vjershë në kolonë, me rimë të njëpasnjëshme e me metrikë folklorike, tetërrokësh. Ishin trimat e Labërisë që në vitin 1854, gjithë dhjetë mijë e më shumë, me në krye Mahmud bej Vlorën, babain e Ismail Qemalit, që shiti shtatë çifligje për të armatosur çetarët dhe mbeti fukara më vonë, u nisën në mbrojtje të trojeve të Çamërisë. E vendosën kufirin në Artë e thanë se edhe në Athinë mund të shkonin me vrullin që kishin marrë, por që ishin tërhequr, sepse vetëm trojet e tyre kërkonin e jo të të tjerëve. Atje u vranë disa trima si Selam Hasanaj nga Lumi i Vlorës, Mulla Bektashi nga Çamëria, etj. Këto nuk janë këngë, janë poema, mbartin në vargjet e tyre në mënyrën më rrëfimtare histori të mëdha. Ato janë vlerë kulturore-historike, jo vetëm për informacionin që sjellin, por edhe për mënyrën se si e sjellin, nëpërmjet gojës edhe të plakave, sikurse vajtojcat e lashtësisë. Natyrisht fragmente të këtyre këngëve të hershme kanë sjellë edhe studiuesit Rebi Alikaj, Qemal Haxhihasani, Musa Muho, Rrok Zojsi. Urojmë që perla të tilla të gjenden, të shpluhurohen, të shpërfaqen, të jenë sa më të pasura, më të plota, sepse janë historia e një populli, janë dëshmia e tij e luftës për liri, për ekzistencë, janë kultura e popullit, të cilën gjithmonë e kemi vlerësuar sa flamuri, sa liria, një kulturë, të cilën kohët e fundit sikur po na e cenojnë me lloj-lloj perversitetesh e zbrazësisë, që po i bëjnë. Urtojmë!!!
Sigal