Kënga tradicionale si shprehje e identitetit Etnik të një Kombi

813
Sigal

(Mbi librin me titull Edhe në ëndërr këndoj të studiuesit Fitim R. Çaushi) Nga Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI

Universiteti Winthrop

Rock Hill, South Carolina

                                                                                    U.S.A.

Identiteti etnik i kombeve, popujve, ose grupeve etnikë, të rruzullit tokësor, ruhet fort edhe përmes artit të tyre tradicional e profesionist.  Pasardhëse e kulturës muzikore të ilirëve të lashtë dhe të arbërve mesjetarë, muzika tradicionale shqiptare, në ditët tona, mrekullisht, shfaqet plot origjinalitet, individualitet, papërsëritshmëri.  Po ashtu, ajo vjen tërë shkëlqim, bukuri, harlisje.  Nëse muzika tradicionale një-zërëshe shqiptare bën jetë kryesisht në Gegëri (Shqipëri e Veriut), muzika tradicionale shumë-zërëshe shqiptare ekziston përgjithësisht në Toskëri (Shqipëri e Jugut).  Muzika tradicionale labe është dialekti i muzikës tradicionale shqiptare që bën jetë në Shqipërinë Jug-perëndrimore, ose, më mirë, në bashkësinë e madhe të zonave etnografike, që, në popull, njihet me emrin Labëri.  Nga pikëpamja tipologjike, ajo ekziston thjesht në një dialekt të vetëm, pra, pa nën-dialekte të caktuar muzikorë.  Sakaq, ndër stilet muzikorë më të spikatur të saj, lejomëni të përmend:  stilin muzikor të Kurveleshit, stilin muzikor të Lopësit, stilin muzikor të Lunxherisë, stilin muzikor të Zagorisë, stilin muzikor të Gjirokastrës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Himarës, stilin muzikor të Dukatit, stilin muzikor të Pilurit, stilin muzikor të Bënçës, etj.  Midis tipareve themelorë dallues të muzikës tradicionale labe, më lejoni të vë në duke sidomos:  1)  përbërja, në disa raste, nga një linjë melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht;  përbërja, në shumicën e rasteve, nga dy, tri ose katër linja melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup;  2)  natyra recitative, deklamative, folëse e mjeteve të saj shprehës në  përgjithësi dhe e melodikës në veçanti;  3)  sistemi modal/tonal pentatonik;  4)  kontrasti si thelb i ndërthurjes së linjave melodike;  5)  metrika/ritmika më shpesh e matur, e qartë, e përcaktuar;  6)  mos-shoqërimi me instrumente muzikorë (fjala është për muzikën tradicionale zanore labe), etj.  Vjershëtorët, këngëtarët, instrumentistët, valltarët popullorë të krahinës së Labërisë, krahas artistëve popullorë të fshatrave, qyteteve, zonave e krahinave të tjera etnografike të Shqipërisë, përmes shekujve, e sollën muzikën tradicionale të gjallë deri në ditët tona.  Prandaj, mirënjohja e kombit ndaj tyre, ka qenë dhe është vazhdimisht e madhe.    

1.

Ndër vite e dhjetë-vjeçarë, brenda fushës së artit muzikor tradicional e profesionist shqiptar, kanë lindur plot figura të shquara të profesioneve të ndryshëm–kompozitorë, dirigjentë, studiues, këngëtarë, instrumentistë, valltarë, etj.–, të cilët, pa dyshim, i bëjnë nder historisë, jetës dhe kulturës së kombit.  Mirëpo, fakti është se, për shumicën dërrmuese të tyre, s’është shkruar ende asnjë fjalë e vetme!  Përse vallë duhet pritur patjetër që ndihmesa e figurave të tilla të nxirret në pah pas largimit të tyre nga jeta?!  A s’do të ishte më mirë që emri, jeta dhe vepra e tyre të ndriçoheshin edhe në gjallje?!  Duke shkruar librin me titull Edhe në ëndërr këndoj, i cili i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së këngëtares së mirënjohur, Irini Qirjako (1955-), studiuesi Fitim R. Çaushi jep në këtë drejtim një shembull të shkëlqyer.  Studiuesi, hulumtuesi, publicisti shqiptar, i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, Çaushi, prej vitesh, ka dalë para publikut me një numër të konsiderueshëm shkrimesh të natyrave të ndryshme:  ese, artikuj, kumtesa, studime, monografi.  Libri më i ri i tij nuk erdhi aspak rastësisht.  I lindur në një zonë etnografike ku kënga polifonike labe është një ndër aspektet më të rëndësishëm kulturoro-artistikë të banorëve të saj, gjatë jetës së tij, Çaushi vetë u përfshi me energji e entusiazëm në jetën dhe veprimtarinë e mjaft grupeve polifonikë labë.  Ai u përpoq vazhdimisht që, grupe të tillë, të ishin sa më aktivë, si në rrafsh zonal, ashtu edhe në rrafsh nacional, duke marrë pjesë deri në festivale folklorikë kombëtarë e duke u regjistruar në Radio-Televizionin Shqiptar.

2.

Përmes thellësisë së përmbajtjes dhe bukurisë së formës, përmes larmisë së stileve muzikorë dhe natyrës kolektive të intepretimit, kënga polifonike labe ka bërë për vete vazhdimisht studiues, krijues e interpretues.  Mirëpo, magjia e kësaj kënge ende s’është zbuluar plotësisht dhe ndoshta s’do të mund të zbulohet asnjëherë!  Sidoqoftë, pas këngës polifonike labe, këtë radhë, u dashurua thellësisht, qysh në moshë të re, edhe një intepretuese e talentuar.  Këngëtarja e mirënjohur profesioniste e këngës polifonike labe, Irini Qirjako, u shfaq në jetën kulturoro-artistike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX si një dukuri e pazakontë, si një margaritar i rrallë, si një dhuratë e paçmuar.  Lumturisht, ajo erdhi nga një fshat i Pakicës Etnike Greke të Shqipërisë—Finiq—për të pushtuar skenën e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, sikurse edhe skena të mjaft vendeve të tjerë të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  E mëkuar qysh fëmijë me motivet e këngës polifonike labe, e dashuruar aq shumë pas tyre, e frymëzuar prej jetës së saj aq të gjallë, duke pasur një talent të veçantë, Irini Qirjako arriti që të bëhet një interpretuese e denjë profesioniste e kësaj kënge.  Duke interpretuar këngën polifonike labe me mjeshtëri e profesionalizëm, me dashuri e pasion, për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë, ajo u bë kështu një zë i pëlqyeshëm, gjithmonë i kërkuar, i artdashësve shqiptarë, brenda dhe jashtë Atdheut. 

3.

Libri me titull Edhe në ëndërr këndoj i studiuesit Fitim R. Çaushi, sapo u botua nga Shtëpia Botuese Argjiro (Gjirokastër–Shqipëri).  Përsa i takon përmbajtjes, në tërësinë e tij, ky libër sjell ndihmesë në disa aspekte kryesorë, të cilët ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon:  i)  jeta e këngëtares Irini Qirjako;  ii)  rruga e formimit profesional të saj;  iii)  ide, mendime, vlerësime të një numri kolegësh artistë, si edhe të mjaft përfaqësuesve të muzikës e artit profesionist shqiptar;  iv)  mbresa udhëtimi, etj.  Shpresoj se, një shqyrtim i përmbledhur i aspekteve të tillë, ndoshta i jep lexuesit një panoramë deri-diku të qartë mbi figurën e këngëtares së mirënjohur.

Së pari, Libri sjell aspekte të ndryshëm të jetës së këngëtares Irini Qirjako.  Lexuesi mëson se ajo e kreu shkollën fillore dhe tetë-vjeçare në fshatin e lindjes:  Finiq.  Ndërkohë, merr pjesë edhe në disa festivale fëmijësh të qytetit të Sarandës.  Duke e pëlqyer aq shumë fushën e muzikës, më vonë, vazhdoi Liceun Artistik “Jordan Misja,” në Tiranë  Ndoshta ia vlen të mbahet parasysh se, Irini Qirjako—vajza e re, e cila, më vonë, do të bëhej këngëtare e mirënjohur–nuk e fitoi konkursin për të vazhduar studimet në Degën e Muzikës të Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)!  Rrjedhimisht, në gjendje të dëshpëruar, asaj nuk i mbetej rrugë tjetër veçse të vazhdonte studimet në Degën e Kulturës të të njëjtit institucion arsimor!

Së dyti, Libri sjell të dhëna mbi rrugën e formimit profesional të këngëtares Irini Qirjako.  Një rrugë e tillë s’ka qenë aspak e lehtë, por gjithmonë e vështirë, delikate, e dhimbshme.  Për t’u formuar si këngëtare profesioniste e këngës polifonike labe, u deshën përpjekje të vazhdueshme, pasion i madh, dashuri e thellë ndaj artit muzikor tradicional.  Ashtu siç shpreshen edhe kolegët e saj artistë, tempulli ku Irinia Qirjako u formua si këngëtare profesioniste ishte pikërisht Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore:  institucioni tashmë legjendar i përpunimit dhe interpretimit të artit muzikor tradicional shqiptar–zanor, intrumentor, koreografik—, për gati gjysmë shekulli.  Në këtë tempull, ishin dëgjuar të interpretonin më parë emra të pavdekshëm këngëtarësh, instrumentistësh e valltarësh!

Së treti, Libri sjell ide, mendime, vlerësime të një numri kolegësh artistë—këngëtarë, valltarë, instrumentistë– të këngëtares Irini Qirjako, si:  Fiqirete Kapaj, Sabaete Visha, Hysni Zela, Liljana Cingu, Rexhep Çeliku, etj.  Përmes mendimeve të tyre, shpesh me ngarkesë të veçantë profesionale, lexuesi mëson mbi konsideratat që kanë kolegët artistë ndaj këngëtares.  Libri sjell, gjithashtu, ide, mendime, vlerësime të mjaft përfaqësuesve të muzikës e artit profesionist shqiptar–kompozitorë, dirigjentë, studiues,  këngëtarë, instrumentistë, valltarë, aktorë, gazetarë–mbi aftësitë zanore dhe ndihmesën e këngëtares Irini Qirjako në lëmin e interpretimit të këngës polifonike labe.  


Së katërti, Libri sjell një informacion të gjerë e të pasur mbi koncertet e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vende të ndryshëm, si:  Turqi (1979), Francë (1980), Greqi (1981), Gjermani (1983), Itali (1983), etj.  Duke qenë soliste kryesore e këngës polifonike labe, Irini Qirjako interpretoi në çdo koncert.   

4.

Duke e shqyrtuar fenomenin Irini Qirjako disi më konkretisht, ndoshta do të mund të bëheshin vëzhgime në një numër aspektesh, si më poshtë:

  • Si soliste profesioniste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Irini Qirjako intepretoi një repertor mjaft të gjerë këngësh.  (Sigurisht, pjesa dërrmuese e tyre, është intepretuar më parë nga këngëtarë të tjerë.)  Tipologjikisht, ato u përkasin tri kategorive kryesore:  i)  këngë polifonike fshatare;  ii)  këngë polifonike qytetare;  iii)  këngë polifonike fshatare ose qytetare të përpunuara.  Midis tyre, vendin kryesor e zë, pa dyshim, kategoria e parë.  Brenda kategorisë së këngëve polifonike fshatare, lejomëni të përmend, midis të tjerash, krijime mjeshtërore, si:  Vajzë e valëve, Erdhi prilli, shkriu bora majave, Këngët e Atdheut tim, Njëzetë e tetë mijë yje, Janinës ç’i panë sytë, Flaka mbuloi fshanë, Mbeçë, more shokë, mbeçë, etj.  Brenda kategorisë së këngëve polifonike qytetare, më lejoni të përmend, midis të tjerash, krijime të mirënjohura, si:  Te rrapi në Mashkullorë, Do marr çiftenë, do dal për gjah, Vitori, t’u bëftë nëna, Barbaro Vasiliko, etj.  Brenda kategorisë së këngëve fshatare ose qytetare të përpunuara, lejomëni të përmend, midis të tjerash, krijime aq të arrira, si:  Lidhe qenin, Sorkë moj, Më kërkon portë më portë, etj.
  • Nga pikëpamja melodiko-modale, krijimet e kategorisë së parë–këngët polifonike fshatare—s’kanë ndonjë dallim themelor prej modeleve të mirëfilltë tradicionalë.  Në thelb, brenda tyre, s’mund të flitet për ndonjë proces përpunimi dhe, aq më pak, krijimi, nga ana e një kompozitori.  Po ashtu, këngë të tilla, janë a cappella:  nuk përcillen me instrumente muzikorë.  Ndërkohë, brenda krijimeve të kategorisë së dytë—këngëve polifonike qytetare—mund dhe duhet të flitet, si për një proces përpunimi, ashtu edhe për një proces krijimi.  Historikisht, këngët tradicionale qytetare shqiptare, në dallim nga këngët tradicionale fshatare shqiptare, janë, zakonisht, krijime të muzicienëve të talentuar, popullorë ose profesionistë, sipas rastit.  Po ashtu, këngë të tilla, shoqërohen me instrumente muzikorë.  Së fundi, brenda kategorisë së tretë—këngëve polifonike fshatare ose qytetare të përpunuara–, si rregull, pritet që, modele të mirëfilltë tradicionalë, të ndryshohen, të pasurohen, të zhvillohen.  Rrjedhimisht, mund dhe duhet të përftohen krijime, të cilët, muzikalisht, afrohen dhe dallohen prej modeleve tradicionalë.
  • Disa veçori kryesore muzikore të këngëtares Irini Qirjako, ndoshta do të mund të jepeshin si më poshtë:  i)  Regjistri i saj zanor mund të përcaktohet më shumë si alto.  ii)  Timbri i saj zanor është me të vërtetë kompleks:  herë-herë, sa i fuqishëm, aq edhe i plotë;  herë-herë, sa i ëmbël, aq edhe përkëdhelës;  herë-herë, sa delikat, aq edhe i trishtuar.  Vetëm se, në çdo rast, timbri mbetet emocionalisht i ngrohtë, i pasur, i thellë.  iii)  Interpretimi i saj, në tërësi, shpalos një teknikë zanore të mrekullueshme, e cila është e aftë për të dhënë nuanca të shumta emocionale.
  • Duke qenë soliste profesioniste, në radhë të parë, e këngës polifonike labe–brenda Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ose, në raste të veçantë, brenda grupeve të caktuar polifonikë–, Irini Qirjako e bëri të njohur këtë perlë të kulturës muzikore tradicionale shqiptare edhe në shtete të tjerë të Europës dhe të Amerikës.  Po të mbahet parasysh se, ajo ka intepretuar në një numër relativisht të madh shtetesh, ndihmesa e saj në këtë aspekt, është me të vërtetë për t’u përshëndetur.

***

Qëllimi kryesor i artit muzikor profesionist e tradicional, sikurse i artit në përgjithësi, të një kombi, populli, ose grupi etnik është, mbi të gjitha, ruajtja dhe forcimi i identitetit etnik të tij.  Duke u nisur nga përmbajtja e Librit, disa mendime—disi pasionante–, që do t’i shërbenin një qëllimi të tillë, ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon:

  • Lërini artistët popullorë–vjershëtorë, këngëtarë, instrumentistë, valltarë popullorë të krahinës së Labërisë–, sikurse edhe artistët popullorë të fshatrave, qyteteve, zonave e krahinave të tjera etnografike të Shqipërisë, që të vazhdojnë të mbajnë gjallë kulturën muzikore të kombit shqiptar! 
  • Lërini institucione artistikë profesionistë, si Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, që të vazhdojnë të sjellin sa më shumë këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale të përpunuara të një niveli sa më të lartë artistik, ashtu sikurse edhe interpretime me të njëjtin nivel! 
  • Lërini këngëtarë profesionistë, si Irini Qirjako, që të vazhdojnë të interpretojnë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, këngë tradicionale fshatare e qytetare shqiptare! 
  • Lërini studiues, si Fitim R. Çaushi, që të vazhdojnë të shkruajnë libra mbi jetën dhe veprimtarinë e kompozitorëve, dirigjentëve, studiuesve, këngëtarëve, instrumentistëve, valltarëve të shquar, popullorë e profesionistë, shqiptarë! 

Atëherë, po, mund të pranohej se, diçka është bërë me të vërtetë për të ruajtur dhe forcuar identitetin etnik të kombit shqiptar!