“Kënga është si ajri pa të cilin nuk mund të jetoj, është energji jete”!

4069
Sigal

Muzikën shqiptare dhe këngën shkodrane e duan dhe e këndojnë me pasion edhe “Gjenitë dhe Bilbilat e vegjël të Shkodrës”!

 Qamil Gjyrezi

Pedagog

 Intervistë me këngëtarët e vegjël, Soni Pashaj, Lorenca Preci, Niki Mjeda, Stela Shiroka dhe Selma Bekteshi.

Në këto intervista fëmijët këngëtarë tashmë të njohur nga konkurset e këngës lokale dhe kombëtare, shprehin lirshëm dashurinë e tyre për muzikën shqiptare dhe shkodrane, tregojnë emocionet e tyre në marrëdhënien me këtë art të mrekullueshëm, tregojnë vështirësitë artistike dhe personale në lidhje me të kënduarin dhe këngën, flasin për mësuesit e tyre, përshkruajnë aspiratat e tyre për të ardhmen e tyre si artistë dhe të rinj dhe mendojnë se ky lloj arti duhet të ruhet dhe çohet më përpara.

Soni Pashaj

  Kur keni filluar të këndoni? Çfarë ndjetë kur kënduat këngën e parë? 

Kam filluar të këndoj që në klasën e 3- të. Kisha shumë emocione.

Çfarë është për ju muzika?
Është gjithçka që unë ndiej. Në skenë unë jam tjetër njeri.

Cila është përshtypja juaj për muzikën shkodrane dhe shqiptare?
Këngët shkodrane më pëlqejnë. Muzika shqiptare është në preferencat e mia.

Çfarë do të bëheni në të ardhmen?
Ëndrra ime më e madhe është që të bëhem një tenor i mirë.

Lorenca Preci

 Çfarë është për ju të kënduarit?

Të kënduarit për mua është gjithçka, është ekzistenca ime, frymëmarrja ime, jeta ime. Pa këngën dhe të kënduarit unë ndihem si një trup pa shpirt.

A ndiheni mirë kur këndoni? 

Kur këndoj ndihem shumë mirë, shumë e lumtur dhe përfshihem e tëra në këngë sepse për mua kënga është ndjenjë, emocion dhe këtë ndjenjë dhe këtë emocion mundohem ta transmetoj tek spektatorët që më dëgjojnë.

A mendoni se konkurrenca e bën artin?

Për mua konkurrenca bën që artistët të luftojnë dhe të japin më të mirën e tyre, por artin e bëjnë artistët dhe jo konkurrenca.

Cila është përshtypja juaj për këngën shkodrane ?
Për mua kënga shkodrane është shumë e veçantë, shumë e ëmbël dhe e pazëvendësueshme.

Niki Mjeda

Çfarë është kënga për ty ? A ka ndikuar sadopak kënga te ju, në formimin tuaj?

Kënga për mua është gjithçka, ku unë gjej veten dhe humbas në tekstin, melodinë, ritmin e saj. Është si ajri pa të cilin nuk mund të jetoj është energji jete, është forca që më bën të eci përpara. Kënga ka ndikuar shumë si në formimin e karakterit tim ashtu dhe në formimin si një këngëtare e re dhe shpresoj që ndikimet e saj të mos largohen kurrë.

Cila është përshtypja juaj për këngën shkodrane? Emocionet që ke provuar…?
Kënga shkodrane është një perlë e vjetër e çmuar në muzikën shqiptare. Kur kam kënduar dhe këndoj këngë shkodrane, megjithëse, shumë e vogël në moshë kam ndier dhe ndjej një emocion të veçantë dhe të papërshkrueshëm sepse kënga shkodrane i këndon të bukurës dhe të bën të ndjehesh krenare që

je një bijë shkodrane.

A kanë ritëm këngët shkodrane? Cila është përshtypja juaj?

Këngët shkodrane për mendimin tim kanë ritëm kanë alegri, ndjenjë dhe frymëzim. Edhe pse ende një fëmijë, e ndjej që këngët shkodrane janë këngë që nuk të mërziten asnjëherë, përkundrazi të bëjnë që të mendojnë se të parët tanë janë të paarritshëm me këngët dhe meloditë e tyre që këndohen brez pas brezi.

Çfarë mendoni ju për këngët aktuale? A ngjasin me këngët e vjetra?
Këngët aktuale janë këngë që ndryshojnë nga këngët e vjetra shkodrane. Çdo këngë ka bukurinë e vet, por për mendimin tim këngët aktuale nuk krahasohen me këngët e vjetra. Prandaj, ne, brezi i ri duhet të mendojmë dhe të mos të harrojmë traditën e hershme të këtyre këngëve t’i këndojmë dhe t’i përsërisim ato sa më shumë që ato të mos harrohen dhe të mbesin të gjalla në historinë e muzikës.

Çfarë dëshironi të bëheni në jetë, në të ardhmen?
Është akoma herët të vendosësh, por mendoj dhe shpresoj që të vazhdoj dhe të bëj realitet ëndrrën time si këngëtare dhe si muzikante, ku mendoj se e gjej veten më së miri. Megjithatë koha do ta tregojë.

Stela Shiroka

 Kur ke filluar të këndosh për herë të parë?

 Për herë të parë kam kënduar kur isha në klasën e parë. Mbaj mend që mësuesja e muzikës, mësuese Lumi erdhi në klasën time dhe përzgjodhi disa nxënës, pjesë e të cilëve isha edhe unë. Shkuam tek libraria, që atëherë më dukej si një dhomë gjigante si çdo fëmije. Papritur erdhi mësues Kujtimi, të cilin në atë kohë nuk e njihja, shkroi disa vargje në një dërrasë të zezë dhe bashkë me fizarmonikën e tij nisi të këndonte. Më pas nisi që të na provonte të gjithëve një e nga një. Kur më erdhi radha, mësuesi u afrua që të më dëgjonte më mirë, në fakt e pranoj që në ato momente u ndjeva e frikësuar, por mësuesja ime e dashur e muzikës më ndenji pranë duke më thënë që s’kishte problem dhe mund të vazhdoja. Kjo ishte hera e parë që këndoja me të vërtetë…
Çfarë ndieni kur këndoni?

Në fillim, gjithmonë, para se të këndoj kam emocione, dridhje ndoshta edhe pak frikë. Dalja në skenë është një nga momentet më të vështira në fakt. Por gjithmonë, kur fillon kënga gjej një forcë brenda vetes, e cila përherë më ka ndihmuar dhe shpresoj të vazhdojë kështu. Kur një njeri ka një dëshirë ai bën çdo gjë për të ecur përpara.

 A ju pëlqen kënga si gjini muzikore?
Kënga është pjesë e jetës sime, është pjesë e qenies time. Kur këndoj unë shpreh ndjenjat e mia dhe tregoj se kush jam në të vërtetë. Kënga është zëri im dhe në këtë mënyrë do vazhdoj përherë të shfaq veten.

Çfarë do të bëhesh në të ardhmen?

Siç e thashë me lart pasioni im është muzika, të cilin kam dëshirë ta vazhdoj, por bota e artit është shumë e vështirë dhe me pengesa. Mendoj se një profesion i yti nuk i bën keq askujt. Kam dëshire të bëhem diplomate, po pse jo, edhe një psikologe.

 

Selam Bekteshi

 Çfarë është për ju kënga shkodrane dhe muzika shqiptare?

Kënga shkodrane është një pasuri lokale dhe kombëtare. Kjo këngë duhet ruajtur pasuruar dhe çuar më tej. Unë e këndoj me shumë pasion këngën shkodrane. Më pëlqejnë shumë Jaret e Shkodrës. Mua më pëlqen shumë edhe muzika shqiptare, ajo e veriut dhe e polifonia e jugut. Shqiptarët këndojnë shumë mirë dhe me shumë pasion dhe ndjenjë.

Çfarë do të bëheni në të ardhmen?

Aktualisht studioj në kolegjin “Hasan Riza Pasha” në Shkodër. Në fakt nuk kam ndërmend aktualisht të vazhdoj rrugën e artit muzikës. Por kënga dhe në përgjithësi muzika do të më shoqërojnë në të gjithë jetën time si një element që më bëjnë të ndihem mirë dhe do të më ndihmojnë për fushat që do të studioj.