Kejsi Babasuli: Adhuroj artin, pasarelat & televizionin!

473

Intervista/ Flet balerina sexy & supermodelja e suksesshme, Kejsi Babasuli

Që e vogël ishte e apasionuar pas aparatit dhe ëndrrës për të qenë një modele. Është vetëm 18 vjeçe dhe deri më tani ka arritur të realizojë të gjitha qëllimet që i ka vënë vetes. Pasioni më i madh i jetës së saj është pasarela, por nuk mbetet pas baleti, televizioni dhe udhëtimet në vende të ndryshme të botës. Kejsi ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë evente dhe kompeticione mode, duke marrë vlerësime për tiparet dhe fizikun e saj të veçantë, të cilin e përkufizuan të tipit “latin”. Gjithashtu, ka pozuar për koleksione veshjesh të firmave të ndryshme, duke u bërë pjesë e katalogëve përkatës. Në intervistën e mëposhtme do të mund të lexoni gjithçka, mbi jetën aktuale të bukuroshes Kejsi …

-Përshëndetje Kejsi, për të gjithë ata që e kanë dëgjuar këtë emër të bukur, por që s`dinë shumë, mund të na bësh një prezantim të shkurtër rreth vetes?

Prej kohësh merrem me balet & modeling dhe mendoj se, sot jam profesioniste në këtë fushë. Fillimisht nisa bashkëpunime me shumë fotografë të njohur për sete të ndryshme , më pas kam qenë pjesëmarrëse (figurante) në disa klipe muzikore të shumë këngëtarëve të njohur .Gjithashtu, së fundmi, jam pjesë e Federatës Shqiptare të Dancit Sportiv. Ndërkaq, jam edhe pjesë e agjencisë “Icon”.

  -Si e shikoni të ardhmen e modelingut në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera europiane apo më gjerë?

 Këndvështrimi i modës në Shqipëri apo dhe evolucioni i saj është shumë relative, them këtë duke patur parasysh impenjimin tim, apo të shumë njerëzve të tjerë në këtë gjë dhe nuk do mundesha kurrë të hidhja poshtë një punë të tillë duke thënë se nuk ka modë në Shqipëri. Nuk mund ta thuash kur ke stilist që minimalisht çdo sezon dalin me koleksionin e tyre, kur ke revista mode që janë të profilizuara vetëm si të tilla, kur ka spektakle mode dhe reality~shou vetëm për modelingun në Shqipëri, agjenci mode të binjakëzuara me agjenci shumë të mira në Europë. Me këtë nuk dua të them që është maksimumi, por që është një hap i madh për Shqipërinë krahasimisht me vende të tjera në kaq pak vite zhvillim.

-Përveç modelimit, cilat janë pasionet e Kejsit ?

-Pasioni më i madh i jetës time janë pasarelat, por nuk ngelet pas baleti, televizioni, aktrimi dhe udhëtimet në vende të ndryshme te botës.

-Si janë shqiptarët me veshjen, sipas gjykimit tuaj?

Shumë mirë, të paktën njerëzit e medias dhe televizionit, që ne shohim çdo ditë dhe që deri diku janë një etalon për popullin në përgjithësi, kryesisht të rinjtë, janë goxha të kuruar, qoftë në stil gjithashtu, në përzgjedhje.

 – Tashmë je një modele shumë e njohur. Sa ka ndryshuar jeta jote?

Në fakt ka ndryshuar goxha. Suksesi im filloi pikërisht në atë moment dhe jeta ime ka ndryshuar shumë që atëherë. Kam filluar të mendoj më seriozisht për karrierën time, pra të shoh më larg!

 – Pas kaq kohësh eksperience në sesionet e ndryshme fotografike, a ndihesh më e pjekur profesionalisht?

 Kuptohet që përvoja dhe eksperienca bëjnë të vetën, por eksperienca s‘është asnjëherë e mjaftueshme për të qëndruar në profesionin tonë. Modelingu është një fushë që të vë gjithmonë përballë sfidave të reja, nga më të ndryshmet. Mund të mendosh se i di të gjitha, por fakt është se kjo punë sjell gjithmonë risi dhe vjen një moment kur e kupton se je gjatë gjithë kohës duke mësuar. Pikërisht “të mësuarit” është një proces i vazhdueshëm. Mua personalisht, më ndodh shpesh të them: “Uaaaaa!!! paska qenë edhe kjo, se paskam ditur “.

-Si i shikoni të rinjtë sot, përqasjen që kanë ata me modën?

 Dëshira e të rinjve shqiptarë është që ta përqasin shumë shpejt modën, por kushtet dhe mundësitë jo të gjithë i kanë, sepse të ndjekësh modën do të thotë jo vetëm ta ndjekësh në mënyrë virtuale por edhe ta mbartësh atë, që do të thotë të shpenzosh para për të. Por shohim që shumica e të rinjve dinë mjaft mbi të, të zgjedhin atë që duhet, ta kombinojnë dhe ta përshtatin mirë me veten, si dhe të luajnë me aksesorët, që e bëjnë një veshje më tërheqëse.

 – Puna si balerinë & Top~Modele, siç thua ti, një përpjekje e vazhdueshme, megjithatë, ka dhe ajo bukurinë e vet… Konkretisht çfarë të tërheq më tepër në këtë profesion?

Ka plot… Takon njerëz të rinj, të qëllon të vizitosh shumë vende. Pastaj, unë ndihem shumë mirë kur pozoj përpara aparatit fotografik. Kjo është një ndjesi e mrekullueshme dhe s‘është e domosdoshme t‘i hysh logjikës.

 -Modelingu për ju është profesion apo pasion?

 Modelingu nis në të gjithë globin si një Pasion. Koha më pas të tregon nëse mund të kthehet në një profesion të mirëfilltë. Mundësitë për modelingun e një vendi të vogël dhe me shumë problematika si Shqipëria, janë të kufizuara. Rrallë herë moda merr prioritet dhe kjo është e kuptueshme. Por, pa diskutim që jemi në një situatë më të mirë se 5 apo 10 vite më parë. Sot ka më shumë aktivitete, më shumë sfilata, dhe kjo bën që gjithsecili të ketë më shumë mundësi.

– Si vishesh në jetën e përditshme?

Veshja ime është gjithmonë në varësi të programit ditor që kam. Nëse është një ditë shkolle, normalisht e veshur sport dhe praktike. Nëse programi ditor kërkon diçka më klasike apo moderne, sigurisht që, i përshtatem eventit.

 -Si janë raportet tuaja me modelët e tjerë me emër në Shqipëri dhe a shikoni konkurrencë mes njëri-tjetrit?

 Sigurisht që, konkurrenca është e madhe, por falë punës dhe arritjeve të mia , sot emri im është një ndër më të lakuarit sa i përket modës & baletit.

 -Dhe se fundmi, për ta mbyllur…

Cilat janë planet tuaja më të afërta?

Janë të shumta, aktivitete me modelingun, baleti, & shumë projekte që do të realizohen së shpejti!