Katerina Koti: Si realizova Matildën me regji të Arben Imamit dhe skenografi të Edi Ramës

894
Sigal

INTERVISTA. Flet ish -aktorja e Teatrit të Durrësit Katerina Koti: S’i harroj kurrë Nikolin Xhojën dhe Lutfi Hoxhën

Korça i dha dëshirën për aktrimin, ndërsa Durrësi, i hapi dyert e skenës së teatrit të tij. Pikërisht në këtë teatër ajo realizoi pjesët më të bukura në disa role kryesore. Përpos si aktore ajo është shquar në ato vite dhe për interpretime recitimesh, ku ka marrë shumë vlerësime. Largimi për në Itali s’ja ka zbehur ende magjinë e skenës, por puna e re e ka distancuar paksa. Ajo ndihet e vlerësuar në Itali, ku ka krijuar një familje solide që i jep motiv jetës. Djalin e saj e ka ushqyer me atë dashuri për Shqipërinë sa dhe për vendlindjen. Ka një lidhje konstante me emigrantët tanë në Trieste dhe ndihet e kënaqur që vëllezërit e saj punojnë e jetojnë me dinjitet.

 Si u mbrujt dëshira për t’u marrë me art?

 Unë artin e kisha pasion që kur isha e vogël. Më kujtohet kur shkoja në kinema dhe kur kthehesha në shtëpi, kërkoja të imitoja ndonjë personazh që më pëlqente.

Si u bë realitet ëndrra?

Tek mua kjo ëndërr e mbyllur diku në një sirtar të veçantë, u bë realitet. Fillova të përgatitem për konkursin për të hyrë në Akademinë e Arteve me aktorin e Teatrit të Korçës, Zhani Ziçishti. Pra, Arti për mua ishte një pasion i veçantë, më pëlqente muzika, më pëlqenin pikturat dhe mbi të gjitha arti i skenës, dëshira, që nëpërmjet personazheve të ndryshme të shprehja edhe ndjenjat e mia personale, dashurinë për jetën, për njerëzit e ndershëm, dashurinë për jetën dhe për ta jetuar sa më të plotë.

 Kur konkurrove në Akademinë e Arteve dhe kush ishin profesorët e tu?

Në Akademinë e Arteve konkurrova në vitin  1974. Profesorët e mi ishin: në mjeshtërinë e aktorit- Naim Frasheri, Vangjush Furxhiu, Misto Zoto. (për këtë të fundit, nuk kam përshtypje te mira) dhe në fjalën artistike Viktor Zhustin. Shkolla më pëlqente shumë dhe shkoja me shumë qejf. Mbarova studimet me rezultate shumë të mira dhe u emërova si aktore në Teatrin e Durrësit.

 Cili ishte roli i parë që luajte me këtë teatër?

Roli i parë në teatër ishte “Nusja” në pjesën e Bashkim Hoxhës “Te jesh 20 vjeç”. Ishte një rol që nuk më pëlqente dhe nuk shikoja vetveten absolutisht tek ai rol, por rrethanat ishin të tilla që nuk mund të refuzoje rolet. ” E kush isha unë”?! Duhet të kemi parasysh, gjithmonë, që ishim nën diktaturë, gjithmonë prezente politika. Roli i dytë dhe jam shumë e kënaqur që e them, ishte Anxhelika, në komedinë e Molierit “I sëmuri imagjinar” me regjisor Sokrat Miho dhe Enver Plakun. Partner i madhi Nikolin Xhoja dhe Lutfi Hoxha. Për mua një rol i rëndësishëm dhe i realizuar.Pastaj puna e aktores vazhdonte më së miri, gjithmonë e impenjuar me role të rëndësishme. Në pjesën e Haxhi Ramës “Mirë se erdhe Elona” u paraqitem në festivalin e teatrove në Tiranë ku u nderova me diplomën si aktorja më e mirë e festivalit. E kështu me radhë.

 Kë do të veçoje nga kolegët?

Janë shumë kolegë që ruaj kujtime pozitive. Për mua p.sh. Haxhi Rama ka qenë dhe mbetet një shok i mirë, artist i talentuar.

 Çfarë përbënte për ju skena e teatrit?

Skena për mua ishte jeta, shpesh, ndjehesha më mirë në skenë, se sa në jetën e përditshme. Skena për mua ishte diçka e magjishme, kisha mundësi, nëpërmjet roleve të ndryshme, të shprehja të gjitha emocionet që në jetën e përditshme nuk mundesha. Bukur, shumë bukur.

Kur është dita më e bukur në skenë?

Kur mora pjesë në një program televiziv, me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të Shqipërisë, për poezinë. Aty interpretova poezinë e Mitrush Kutelit “Kartë nga Shën Naumi”. E them me modesti që ishte një interpretim shumë i mirë. U cilësova aktorja më e mirë, sigurisht nga ata që morën pjesë në këtë program. Kujtime të mira, kam edhe për pjesën “Përshpirtje në shtëpinë e Matildës”, ku interpretova personazhin e Matildës, me regjisor Arben Imamin dhe skenograf Edi Ramën. Për mua një nga shfaqet më të bukura.

 A të mungon sot skena?

Sigurisht, që skena më mungon, por jeta është kjo që është dhe duhet ta pranojmë për të tillë. Megjithatë, kam një familje të mirë, të shëndetshme, ashtu siç ëndërroja ta kisha.

Vini shpesh në Shqipëri?

Në Shqipëri vijmë kur mundemi, sepse kushtet e jetës nuk më lejojnë të vij sa herë dua. Burri im, edhe pse nuk flet gjuhën time e ndjej që e do Shqipërinë dhe vjen me shumë qejf, djali gjithashtu. Burri im, ju thotë të gjithë miqve që kemi këtu në Itali “si hahet peshk në Durrës, nuk hahet në asnjë vend tjetër.”

 A je e lidhur me komunitetin shqiptar në Trieste?

Po jam lidhur. Marr pjesë në shumë aktivitete. Organizmi i tyre është i mirë. Ka organizim dhe aktivitete që meritojnë vëmendje.