Kastriot MYFTARAJ: Kur Hashim Thaçi nuk dekoron Arif Vladin dhe Rovena Dilon që kënduan me uniformën e UÇK-së

212

Gazeta Telegraf/



Kastriot MYFTARAJ

 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë
vizitës në Shqipëri dekoroi një numër të madh personalitetesh të kulturës
shqiptare, ndër të cilët edhe këngëtarë dhe autorë të teksteve të këngëve për
luftën e UÇK-së. Ata që u dekoruan e meritonin, por bie në sy mungesa në listën
e të dekoruarve nga Thaçi të e Arif Vladit, këngëtarit nga Shqipëria i cili me
këngët e tij për luftën për çlirimin e Kosovës në koncerte në Shqipëri dhe
diasporë, u shndërrua një një makineri të vërtetë propagande kombëtare për mobilizimin
e njerëzve në këtë luftë. Arif Vladi i ka shërbyer luftës për çlirimin e
Kosovës më shumë se sa do t’i kishte shërbyer një brigadë me luftëtarë të
përzgjedhur, të armatosur dhe të stërvitur mirë. Serbia e kuptoi mirë rrezikun
që i vinte nga efekti “Arif Vladi”, prandaj që në 1995 e futi emrin e tij në
listën e zezë zyrtare të njerëzve që me veprimtarinë e tyre nxisnin terrorizmin
dhe ia ndaloi për dhjetë vite hyrjen në territorin e Jugosllavisë (në atë kohë
ekzistonte ende shteti i Jugosllavisë së mbetur). Asnjë këngëtar tjetër nga
Shqipëria nuk ka qenë në këtë listë. Arif Vladi ishte i pari këngëtar, në kohën
e luftës së Kosovës këndoi Hymnin e UÇK-së, i veshur me
uniformën e kësaj ushtrie. Është e çuditshme që të dekorohet autori i tekstit
të këngës dhe jo këngëtari! Ashtu si Vladi është përjashtuar nga lista e
dekorimeve edhe këngëtarja Rovena Dilo, e cila në kohën e luftës këndoi e
veshur me uniformën e UÇK-së. Cila është arsyeja që Thaçi i përjashtoi nga
lista e dekorimeve, Vladin dhe Dilon? Asnjë gazetar nuk e ka pyetur Presidentin
e Kosovës për këtë gjë. Gjithsesi, Thaçi i cili gjatë luftës e vishte uniformën
e UÇK-së vetëm kur duhej të dilte para videokamerave si luftëtar, nuk e
meritonte që të ishte njeriu, i cili do të nënshkruante dekorimin e Vladit dhe
Dilos, për atë që këta të dy dhe në veçanti Arif Vladi bënë për luftën për
çlirimin e Kosovës.