Kastriot Bezati/ Laver Bariu -legjenda e klarinetës dhe muzikës me saze në Shqipëri

1303
Sigal

Klarineta  e Usta Laverit ndoshta është e papërsëritëshme te flmi “Gjeneral Gramafoni”

                Usta Laveri ka luajtur në klarinetë edhe kur ai, me detyrën e  nënoficerit, ishte pjestar i Fanfarës së Brigadës VI të Ushtrisë në Përmet, e cila, – sipas Bajo Jonuz Topullit, –  u ngrit në qytetin e Përmetit në vitin 1955 dhe, ku ndër të tjerë, me uniformë ushtarake, merrnin pjesë edhe Laver Bariu dhe Vehbi Merua. Një vit më vonë, më 1956, gjithashtu të punësuar, si nënoficera, hynë në Bandën e Repartit edhe  Lefter Nurka dhe Sazan Shahini.  Me organizimin e kësaj fanfare, u ngarkua Bajo Jonuz Topulli, nipi i heronjëve Bajo e Çerçiz Topulli, i cili ishte me detyrën e oficerit  në Brigadën Ushtarake të Përmetit, ndërsa  përgjegjës i kësaj fanfare, – sipas Lefter Nurkës, –  në fillim, në vitet 1955-1956, ishte Vehbi Merua e, më vonë, në vitet 1957-1959, Lefter Nurka. Usta Laveri luante në klarinetë, Lefteri në trombë e Sazani në tenor dhe, të tre, u larguan nga fanfara në vitin 1959, ndërsa më tej, u punësuan në tregëti, ku, si orkestër, nën drejtimin e Usta Laverit, së bashku edhe me Qemal Ponoçin e Krenar Manen, të 5-të, punonin apo luanin në vegla  në lokalin “Vjosa”. Sazet e Usta Laverit kanë marrë pjesë pothuajse në të gjitha takimet kombëtare të folkut dhe të sazeve të zhvilluara në Tiranë, Lezhë, Gjirokastër, Elbasan, Korçë e Berat si dhe në mjaftë veprimtari kombëtare të zhvilluara në qytete të tjera të Shqipërisë. Usta Laveri me kabatë e tija ka kohë që ka tërhequr vëmëndjen e muzikologëve brënda e jashtë vëndit, kaba të cilat  ka kohë që studjohen edhe nga studentët e muzikës të Akademisë së Arteve në Tiranë. “Sa herë që dëgjoj klarinetën e Laver Bariut impresionohem nga tingujt brilant dhe them me vete i çuditur se në cilin Konservator e ka mësuar klarinetën ky Mjeshtër i Madh. Dhe nuk ke pse çuditesh! Ai u rrit nënektarin e melodive popullore të Artistit të Madh Popull … Sa herë që dëgjoj klarinetën e tij e urroj nga zëmra duke i thënë: “Mos t’u harroftë kënga kurrë o Laver Bariu i Përmetit – “Gjenerali i Klarinetës””, – shkruante dy ditë pasi u nda nga jeta Usta Laveri, më 28.01.2014,  klarinetisti i përgatitur në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, muzikologu, Naxhi Kasoruho. Usta Laver Bariu ka qënë ndërkohë i pranishëm dhe i vlerësuar në koncerte apo takime ndërkombëtare të zhvilluara në vënde të ndryshme të botës si përshëmbull: në Francë e në Suedi, në Norvegji e në Finlandë, në Maqedoni e në Greqi.Laveri ishte një kolos i kulturës dhe muzikës popullore të Shqipërisë.   “Me muzikën e tij, – ka shkruar ministri i zhvillimt ekonomik, tregëtisë e sipërmarjes, Arben Ahmetaj, më 27.01.2014, – Laveri ishte një ambasador botëror i folklorit dhe historisë së Shqipërisë”. Gjenerali i klarinetës, Laver Bariu, ishte edhe një ndër themeluesit kryesore të Grupit Folklorik “Vëllezërit Frashëri”, formuar më 10.06.1991 dhe, në përbërje të këtij grupi, mori pjesë ndër të tjera edhe në Festivalin Ndërkombëtar Folklorik të Parthenay të Francës, nga 17.08 – 04.09.1994. Antarë themelues me rëndësi i Grupit Folklorik “Vëllezërit Frashëri” ishte edhe mbreti i këngës Mentor Xhemali.         Usta Laver Bariu i ka dhënë dimensione të fuqishme kombëtare muzikës me saze të Përmetit. Mbi gjysëm shekulli ai ka qënë i pranishëm dhe ka kontribuar në mënyrë të veçantë në forcimin e identitetit tonë kombëtar të jetës kulturore e artistike jo vetëm tëPërmetit por edhe të Shqipërisë.  Usta Laver Bariu regjistrimet kryesore muzikore i ka pranë Radio Tiranës dhe TVSH si dhe Institutit të Kulturës Popullore. Në hapësirën kohore 1950 – 1990, nga tërësia e shumë interpretimeve dhe të krijimeve të Usta Laverit, ndër të tjera veçojmë: “Një natë janari”, 1950, “Trëndafili fletë-fletë”, 1954, “A kanë uji ato burime”, 1966, “Bir t’u bëftë nëneja”, 1966, “Ballët me sedef”, 1966, “Moj kunadhja leshverdho”, 1966, “O borzilok”, 1966, “Të dielën që më sabah”, 1966, “Janë mbledhur shokët”, 1968, “Shami kalemqarja”, 1973, “Fluturo si gjethe”, 1978, “Falma synëe zi”, 1978, “Potpuri”, 1980, “Porsi ylli i mëngjesit”, 1982, “Qeraxhi që nget karvanin”, 1983, “Sy kaleshe”, 1983, “Bëje dru në përcëllimë”, 1987, “Ç’deshe që vajte në krua”, 1988, “Poshtë nga çairët”, 1988, “Tanë, moj Tanë”. Mbreti i këngës së Shqipërisë nga Përmeti,  Mentor Xhemali, shumë këngë i ka regjistruar me gjeneralin e klarinetës Laver Bariu. Vetëm në vitet 1966 – 1990 Usta Laveri ka regjistruar 6 kaba dhe ka realizuar CD në muzikë popullore në Angli, Greqi dhe Australi. Më 1977, së bashku me mjeshtrin tjetër të madh përmetar të klarinetës, Remzi Lelën, i njohur ndryshe Çobani, ka interpretuar e regjistruar materialet muzikore të filmit “Gjeneral Gramafoni” me regji të Viktor Gjikës e muzikë të Aleksandër Peçit.  Sazet e Usta Laverit janë dhëmbja dhe gëzimi i shpirtit të Përmetit.

                Klarineta  e Usta Laverit ndoshta është e papërsëritëshme te flmi “Gjeneral Gramafoni” si dhe tek filmi dokumentar “Këngët e zëmrës”, që i kushtohet Usta Laverit.

                “Laveri e ndjente përgjegjësinë e muzikantit, para një pune ishte i përqëndruar, kishte sedër të madhe dhe ishte kërkues në punë, por merrte edhe mendimin e shokëve, konsultohesh edhe me Sulejman Lamen e Xhelal Zeqirin dhe sidomos me mua”, – më ka thënë edhe Lefter Nurka, më 24.07.2008. 24 shtator 200, Përmeti konkuroi në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjrokastrës. Para se grupi të ngjitej në skenën e Kalasë, i them Usta Laverit: “A pimë nga një kafe  Usta, qetesohu, se ke kohë që të ngjitesh në skenën e Festivalit? …”. – “Ma do shpirti, po s’ma lejon klarineta, – ma ktheu Usta Laveri dhe, pastaj,  vazhdoi: “S’mund ta pi tani kafen se kokërzat e saja, kur unë të ngjitem në skenë mund të shkojnë nga goja ime në gojën e klarinetës dhe atëhere do të zëmërohet klarineta. Po a mund t’ia prish qejfin unë klarinetës dhe klarineta të ma prishë qejfin mua? Kjo s’ka ndodhur dhe s’do të ndodhë …”.  Usta Laveri nuk mori pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Beratit, 20 -25.O9.1995.  Dhe, kur Grupi Folklorik i Përmetit, u gjënd pa Usta Laverin në Berat, gazeta e posaçme “Festival”, më 22.09.1995, do të shkruante me gërma të mëdha: “Ku është Gjenerali?”.  18.05.1996. Peter Filk, studjues e redaktor  muzike nga Hollanda, inçizoi për Radio-Amsterdamin në Përmet kaba e këngë të Sazeve të Përmetit. Kur Usta Laveri luajti disa kaba, ndër to edhe pjesën instrumentale “Vallja e Kalemit”, Peter Filku u ngrit në këmbë e tha: “Deri më sot unë nuk kam parë e dëgjuar një virtuoz të madh në klarinetë dhe një kapiten të madh  drejtuessazesh, siç është Usta Laver Bariu”.  27.11.1997. Grupi Folklorik i Përmetit, në kuadrin e 85-vjetorit të Pavarsisë, dha koncert para Monumentit të Pavarsisë në Sheshin e Flamurit. Kur Usta Laveri dhe Grupi Folklorik i Përmetit dolli para monumentit për të dhënë koncert, drejtuesi i këtij takimi kombëtar, tha para popullit të Vlorës: “A e dini pse folklori shqiptar është i mbrekullueshëm?”. Dhe më tej vetë u përgjigj: “ Se ai ndër të tjerë ka edhe një Përmet, ka dhe një usta me emrin Laver Bariu”.

                Genc Muçua, klarinetist, ka thenë: “Dy monumente ka Përmeti, Gurin e Qytetit dhe Laver Bariun”.

                Ermir Dizdari, dirigjent, drejtues i shumë festivaleve folklorike dhe sazesh në Shqipëri e Kosovë, ka thënë: “Laveri ishte i lindur si muzikant e sidomos për klarinetë, gjë që shprehet veçanërisht në kantilenë, muzikalitet, në lirshmërinë e lojës nëpasazhet e shtruara dhe në ato të shpejta. Imponohesh por edhe konsultohesh, sidomos me  të vëllanë, Leton, por edhe me Sulejmanë e Xhelal Zeqirin”. Ylli Zeqiri, këngëtar e klarinetist, shkruan: “Klarineta e tij në skenë vallzon .. Laveri dhe kënga, Laveri dhe orkestrina, janë një binom i pandarë”.       Klarinetisti i madh, Remzi Lela, Çobani, – shkruan Trifon Dafa në studimin e tij për Laver Bariun, – pasi dëgjoi në klarinetë Laver Bariun në Festivalin Folklorik Kombëtar të Tiranës, më 1952,  tha: “Kur dëgjova Laverin … thashë me vete:”Ky qënka një ëngjëll, jo njeri. Me tingujt e instrumentit të tij, ky të çon në parajsë. Ky njeri, të vdes e të ngjall, sa herë i do qejfi”.  Thoma Simaku, kompozitor, ka thënë: “ Usta Laveri … të heqë zvarrë në botën e tij dhe të çon në majëtë malit të shohësh bukurinë e vëndit, pyllin, lumin, arat, bagëtinë, të dëgjosh zilet, këmborët, zërin e shpesërive të pyllit. Pastaj të zbret në fushë të mbledhësh lule, të shkosh buzë lumit ku luajnë dallgëzat e guriçkat në breg … Ai ka një timbër të tillë që herë tënanuris e herë të vë në rresht për të ecur në pafundësi ..”. Laveri është një mit i klarinetës. Vargjet e poetit Xhevahir Spahiu: “Eci përmes ecjeve,/ me misionin e këngës,/ ditën bir i diellit,/ natën bir i hënës …”, ndoshte si rrallëkujt i takojnë Laver Bariut. Njeriu ecën në jetë përmes gëzimeve dhe dhimbjeve, të këtyre ndjenjave të kundërta që i shpreh më së miri edhe kabaja.

                Usta Laverit kur ishte 15 vjeç, iu vranë në luftë dy vëllezërit e tij, Ganiu e Mamani.

“Laveri ka lotuar kur mori vesh lajmin e vrasjes së Ganiut dhe Sulejmanit. Qante edhe Bariu, edhe Laveri”, – më ka thënë Letua, më 24.07.2008. Laveri gjatë jetës i ka vajtuar shpesh me kaba vëllezërit dëshmorë, Ganiun e Mamanin. Dhimbje të madhe i shkaktoi Laverit  ndarja nga jeta e nipit të tij, Solianit (1983-2002), djali i  Dashit. “Qysh kur ishte 5 vjeç Laveri filloi t’i mësonte klarinetën djalit, Solianit”, – më ka thënë e ëma e Solianit, Nadua. Soliani ishte një talent nga natyra dhe, tek ai, kishte hedhur një dashuri të madhe Laveri, i cili  interpretoi për herë të parë në publik, së bashku me nipin, Solianin, në Festivalin I Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare të Elbasanit, më 15.03.1996. Ishte  një interpetimi veçantë muzikor që u brohorit gjatë nga publiku i Elbasanit. Soliani ka luajtur disa nga kabat e Usta Laverit edhe në Athinë, në buzukun e klarinetistit të njohur të Greqisë, Petro Lluka. “Kur luajti një herë në klarinetë … Petrua u ngrit në këmbë, u afrua te Soliani dhe i tha:”Je një Laver i vogël, por je Laver dhe kur të ritesh edhe ca,pas disa vitesh, me  siguri do të bëhesh i madh si Laveri, legjenda e klarinetës së Ballkanit”, – ka thënë klarinetisti Sulejman Ahmeti i njohur me emrin Mamani.   Ndarja nga jeta e Solianit , kur ai ishte vetëm 19 vjeç, më 05.05.2002, nga një aksident tragjik në Vula të Athinës, i shkaktoi dhëmbje të padurueshme Usta Laverit. “U nda nga jeta por jo nga shpirti i gjyshit, Soliani jeton dhe i bie gërnetës në shpirtin e Laverit”, – më ka thënë me lot në sy Usta Laveri, ndërsa në letrën që i dërgoiResul Llogos, Kryetarit të Qarkut dhe  Festivalit II Polifonik Gjirokastër 2002 më 25.05.2002, Usta Laveri shkruante: “Kësaj  radhe nuk mundem të vij dot jo nga mosha, por nga fatkeqësitë, ngaqë vdekja me rrëmbeu nipin tim të dashur, Solianin, që e rrita dhe desha ta bëja klarinetistë me emër të Përmetit”. Usta Laveri shpesh përlotej për gruan, Kanon, e cila u nda nga jeta më 4 prill 2005. “Kur Kanua u nda nga jeta dhe kur miqtë i thoshin: “Mbaje veten, qëndro i fortë Usta Laveri!”, Laveri i ulur në divan, i përlotur, me sytë nga dyshemeja, u thoshte: ”E di mor miq, por tani s’jam më gjeneral, por ushtar”, – më ka thënë Nadua, që i ka shërbyer me dashuri për vite të tëra Usta Laverit, si dhe Dashi i Laverit.  Usta Laver Bariu  ka marrë disa tituj nderi. Nga Presidiumi i Kuvëndit, më 04.05.1979, është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, me motivacionin: “Instrumentist virtuoz dhe përhapes në masa i këngës popullore përmetare”. Nga Bashkia e Përmetit, më 02.02.2001, i është dhënë titulli “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Personalitet i shquar i artit popullor mbarëshqiptar, një ndër figurat kryesore me kontribut të veçantë në formimin e identitetit tonë kombëtar, krenaria e muzikës popullore të Përmetit”. Në mars të 2001-it  dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Mjeshtër i Madh i Punës”, me motivacionin: “Për mjeshtërinë në interpretimin e vlerave të muzikës popullore dhe për përcjelljen në popull të këtyre vlerave”. Nga Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës, më 15.09.2002,  i është dhënë titulli “Nderi i Qarkut”, me motivacionin “Gjenerali i klarinetës dhe krijues i këngës popullore qytetare”.  A nuk duhet shteti t’i japë edhe Urdhërin  “Nderi i Kombit”? Mendojmë se duhet, ndaj edhe “Shoqata Atdhetare Kluturore Përmeti” , me 17.04.2013, i ka  kërkurPresidentit të Republikës t’i  akordojë Usta Laver Bariut Urdhërin “Nderi i Kombit”.  Usta Laver Bariu u shua më 26.01.2014, ndërsa ceremonia mortore u zhvillua të nesërmen, më 27.01.2014. Homazhet u bënë në një nga mjediset e ndërtesës së Qëndrës Kulturore. Në orën 11.50 arkivoli me trupin e Usta Laverit zbriti nga shtëpia e Usta Laverit. U vendos në orën 12.15 në hollin e Qëndrës Kulturore. Ecia u bë përmes qytetit. U shoqërua  arkivoli me trupin e Usta Laverit  me kaba. Artistët që luajtën në saze: Sadik Zeqiri, në klarinetë, Aleks Xhelili, në klarinetë, Josif Shukollari, në klarinetë, Ylli Muço, në fizarmonikë, Arban Zeqiri, në dajre, dhe Artur Zeqiri, në llahutë. Rreth  orës 13.15, arkivoli me trupin e Usta Laverit, vendosur në një automjet, i shoqëruar nga populli u drejtua për në varreza. Kortezhi u ndal 1’ para Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, ku për shumë vite, ka dhënë koncert Usta Laveri.  U ndal kortezhi edhe 1’ para shtëpisë së Usta Laverit. Këtu qëndruan sazet, të cilat  shoqëruan trupin e pajetë të Usta Laverit me kaba, shumica të luajtura dhekrijime  tëUsta Laverit,si dhe cilësuam, nga Shtëpia e Usta Laverit në Qëndrën Kulturore dhe prej këtej përsëri në Shtëpinë e Usta Laverit. Rreth orës 14 kortezhi me trupin e Usta Laverit arriti në varrezat e qytetit, ku folënKryetari i Bashkisë, Gilberto Jaçe, kompozitori Aleksandër Peçi dhe përfaqsuesi i Komitetit të Veteranëve të Rrethit, Ahmet Mane. Fjala kryesore ishte ajo e Aleksandër Peçit, i cili ndër të tjera tha:

                “U fik jeta e Ustait më të Madh të kohës sonë dhe një prej klarinetistëve më të mëdhenj të të gjithë kohrave, Laver Bariut  … U fik jeta e Usta Laverit por mbeti i hapur thesari i vyer që Ai i la kulturës popullore shqiptare, këngës, valles, kabasë, sazeve shqiptare e muzikës përmetare … Sazet e Përmetit, sazet që krijoi e lartësoi Laver Bariu, ishin Trëndafili e Borziloku ermirë … Usta Laveri e ngriti në një stad të ri kabanë e sazet e Përmetit …I nderuar dhe i paharuar do të mbetesh gjithmonë, mik i shtrënjtë, Ustai më i madh i sazeve të kohës sonë Laver Bariu”.

                Gati dy muaj më vonë, më 15 mars 2014, Festivali i Parë i Këngës Tradicionale dhe Këngës së Re me motive tradicionale shqiptare, i titulluar “Kënga ime”, zhvilluar në Tiranë, në Teatrin e TË Klanit,me producent artistik Pandi Laço, Adrian Hila dhe Blendi Laço, filloi me një homazh për Usta Laver Bariun. Ishte një kolazh instrumental i 10 klarinetistëve më të mirë të vëndit, që luajtën muzikën tradicionale kushtuar Usta Laver Bariut. Kabat u luajtën sol, njëri pas tjetrit, por kolazhi instrumental ishte unik dhe, në fund, klarinetistët luajtën njëherësh bashkarisht, u bë një ansambël klarinetash. Klarinetistët: Ismail Kavaja, Zhani Struga, Aleks Xhelili, Ilir Baçova, Ilir Sula, Arben Topalli, Gani Kavaja, Artin Mehmeti, Ardian Demiri dhe Ervis Rapaj.

                Usta Laveri është një shënjtor i  klarinetës mbi tokë. Ustai i Madh,  Laveri Bariu, jo vetëm që ka hyrë në histori, por ai ka bërë histori, krijoi “Shkollën Laveriane të Klarinetës dhe të Muzikës me Saze në Shqipëri”.