Karafilat dhe kënga shkodrane “pushtojnë” Amfiteatrin në Parkun e Madh të Tiranës

82

Ramazan ÇEKA

NATA SHKODRANE

Agjencia e Spektakleve “Buna 1 dhe Buna 2”, në mbrëmjen e 23 gushtit organizuan në Tiranë spektaklin “NATA SHKODRANE” me këngëtarët më të shquar të këngës popullore qytetare shkodrane. Ideja e organizimit të këtij spektakli ishte e z. Arben Mazi, president dhe producent i Agjencisë së Spektakleve “Buna 1”, i cili prej rreth 20 viteve hyri me guxim dhe profesionalizëm në jetën artistike dhe kulturore shqiptare. Ishin vite të vështira që kishin nevojë për të sjellë në jetën e përditshme paqen, mirëkuptimin e tolerancën. E kush më mirë se kënga që buron nga shpirti i popullit mund ta kryente këtë detyrë?! E një detyrë të tillë të vështirë e mori përsipër, si shumë të tjerë në Shqipëri edhe Agjencia e Spektakleve “Buna 1” e themeluar në Shkodër nga dashamirësi i artit dhe shkodrani i thekur Arben Mazi. Këto pak fjalë për historikun e kësaj Agjencie janë edhe biografia e saj për këto vite. Kjo Agjenci ka organizuar aktivitete të niveleve të larta jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë. Mbrëmja magjike e 23 gushtit 2018 ishte jo vetëm gjetja e radhës, por edhe suksesi i radhës. Kënga popullore qytetare shkodrane ka nevojë vazhdimisht të interpretohet para atyre që e njohin, e duan dhe e këndojnë. Këta pra janë shkodranët, e me që një pjesë e tyre për arsye të ndryshme ekonomike e shoqërore jetojnë në Tiranë, u vendos që kënga këtë radhë të këndohet atje. Amfiteatri i Parkut të Madh të Tiranës, ambienti i pyllëzuar dhe i lulëzuar, si dhe liqeni aq nostalgjik, të jepnin përshtypjen sikur në Tiranë kishte ardhur një Shkodër e vogël, të cilën në këtë natë të nxehtë gushti, këngëtarët e mrekullueshëm shkodranë e kthyen në një Shkodër të madhe. Edhe unë isha atë natë një spektator shkodran, e ndoqa gjithë spektaklin dhe e kuptova mirë se z. Mazi kishte pasur jo pak vështirësi për të zgjedhur grupin e këngëtarëve dhe këngët që u kënduan, sepse këngëtarët dhe repertori i këngëve shkodrane janë aq shumë dhe aq të larmishme, sa netët në Tiranë gjithmonë do të ishin të pamjaftueshme. Para një numri të madh spektatorësh, ku mund të numëroheshin rreth 5000 vetë, të ulur në shkallët e Amfiteatrit dhe jashtë ambienteve të tij, kjo natë e nxehtë gushti u freskua nga aroma e këngëve shkodrane, nga interpretimi brilant i këngëtarëve të vjetër e të rinj, që kishin udhëtuar nga Shkodra për të gëzuar dhe kënduar së bashku me bashkëqytetarët e tyre. Por jo vetëm. Në këtë grupim të madh spektatorësh nuk kishte vetëm shkodranë, por tiranas, durrsakë, kavajas, vlonjatë e korçarë, tropojanë e sarandjotë, por edhe shumë e shumë vëllezër shqiptarë të ardhur nga trojet tona jashtë atdheut. Ovacionet dhe duartrokitjet filluan që në startin e spektaklit, kur u ngjit në skenë moderatorja simpatike dhe e talentuar Siçiljana Mazi. Ajo që në fjalët e para përgatiti spektatorët për një natë të gjatë e të gëzueshme. Kështu ky spektakël madhështor përmes interpretimeve të këngëtarëve të shquar shkodranë, solli vlerat më të mira e më të bukura të këngës popullore qytetare shkodrane. U ngjitën në skenë “Mjeshtrat e Mëdhenj” të këngës Bujar Qamili, Myfarete Laze e Mukades Çanga. U ngjit në skenë këngëtari i dashuruar pas kësaj kënge, i mrekullueshmi Bashkim Alibali që veç rinohet nga këngët e qytetit të tij. Dalja në skenë e “Mjeshtrit të Madh” Bujar Qamili, bilbilit të këngës shkodrane, solli ovacione të stuhishme tek publiku, për t’u pasuar nga performanca aq e veçantë që sjellë këngëtarja e madhe Myfarete Laze, për t’u pasuar nga interpretimi brilant i këngëtares shkodrane Mukades Çanga, e për të ardhur tek paraqitja aq dinjitoze e shkodranit tjetër aq të njohur, Bashkim Alibali, i cili në këtë natë u bë një me publikun. Sollën aromën më të këndshme të këngës shkodrane “Karafilat që ka Shkodra”, një tufë karafilash që asnjëherë nuk rrallohet. Ato ishin: Ruzhdi Çekaj, Arben Jubani, Berhan Nehani, Ademir Fresku, Glerdit Turmetaj, Ivan Tanushi, Egjuen Marku dhe Fatjon Tanazi. U ngjitën në skenë brezi më i ri i këngëtarëve, ata që tregojnë se kjo bahçe me lule e këngë do të jetë kështu e lulëzuar përgjithmonë. Zërat e mrekullueshëm të këngëtarëve Orjeta Kelaj, Leonora Luca Çuliq, Nimet Lekaj, Elsida Sinaj, Indrit Mlika, Ilsi Ademi, Xhuli Pjetri, Marjana Begu, Selma Bekteshi, Klodiana Vata, Artemisa Mithi, Niki Mjeda dhe Klinsman Llazani, që e plotësonin më së miri këtë bahçe që gjithmonë ka lulëzuar nga lulet dhe talentet. Kënga popullore qytetare shkodrane ka qenë gjithmonë objekti i krijimtarisë së kultivuar të muzikantëve dhe këngëtarëve tanë. Një performancë të tillë sollën para publikut sopranot Klodiana Brahimi dhe Anila Hoxha Gjermeni. Të gjitha këngët u interpretuan live, duke na kujtuar se kënga shkodrane gjithmonë kur bëhet fjalë për oborre dhe ambiente të hapura tingëllon më bukur dhe bëhet një me hapësirën që e rrethon. Për të realizuar një performancë të tillë, natyrisht mrekullia dhe profesionalizmi vjen nga duart dhe talenti i formacionit të orkestrës që ata i shoqërojnë. Këtu duhet të veçojmë punën e palodhur të udhëheqësit artistik të Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, Bardhyl Hysa dhe drejtuesit të orkestrës maestro Andi Unaza, por një falënderim i veçantë shkon për drejtorin e kësaj Qendre z. Sidrit Lohja, i cili mundësoj ambientet e nevojshme për zhvillimin e provave. Siç ndodh në këto raste, spektaklit “NATA SHKODRANE” iu bë publicitet disa ditë më parë në televizionet lokale dhe RTSH, ku këngëtarë pjesëmarrës, ftonin bashkëqytetarët tanë në Tiranë dhe kudo që ndodhen, të merrnin pjesë së bashku në një natë të gëzueshme. Për të ardhur tek ky spektakël, bashkëpunimi ka qenë i gjithanshëm, duke filluar që nga përgatitja artistike dhe skenike e grupit, tek rekuizita, e në mënyrë të veçantë të veshjeve popullore të grupit të valleve, Centro Danca “Mimoza” me koreograf Andrea Kokeri, çift shkodranësh që e realizuan një koreografi brilante me shumë dashuri për Shkodrën dhe koncertin “NATA SHKODRANE“, e për të ardhur tek bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës me kryetar z. Erion Velia, i cili ka një meritë të veçantë, pasi hapi dyert e Tiranës për të realizuar këtë spektakël shkodran. Për këtë organizim duhen falënderuar edhe drejtoria e AFR, Amfiteatri i Tiranës, me drejtorin e saj Arjan Sukniqi, si dhe gjithë sponsorët që ndihmuan në realizimin e këtij spektakli. Një pritje madhështore iu bë shkodranëve nga Banda Muzikore e Bashkisë së Tiranës. Shfaqja nuk mund të përshkruhet me fjalë në një shkrim në gazetë, por ajo ishte madhështore dhe tundi themelet e Amfiteatrit në Parkun e Madh të Tiranës. Për të pasqyruar aktivitetin kaq të bukur të Agjencisë së Spektakleve “Buna 1”, për të evidentuar punën e palodhur dhe dashamirëse, ideuesit dhe drejtuesit të këtij spektakli z. Arben Mazi, ky spektakël u regjistrua nga RTSH. “Kjo ishte ëndrra ime, u shpreh pas spektaklit z. Mazi, dhe kjo ëndërr m’u bë realitet sonte. Ndjehem shumë i lumtur dhe falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë e mi këngëtarë, kompozitorët dhe instrumentistët e mrekullueshëm dhe i siguroj bashkëqytetarët e mi, se edhe në të ardhmen do të përpiqem të mbaj gjallë aromën dhe freskinë e këngës shkodrane”. Atë natë pak makina u kthyen për Shkodër, kështu janë festat, sepse festë e vërtetë u bë atë natë. E, kur shkodranët festojnë bashkë: “Qejfi bahet me shkodranë”!.