Kapedan i Labërisë, Dudë Sinani ringjall historinë kombëtare

285

Kapedanët, që u bënë udhëheqës të kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane, kanë qenë me shkollë të lartë apo të mesme ushtarake

Dudë Sinani ringjall historinë tonë kombëtare

Nga Albert HABAZAJ

 

  1. Promovimi i një libri

Me botimin kohët e fundit të monografisë “Kapedani i Labërisë, Dudë Sinani” të autorit Bardhosh Gaçe, personalitet i njohur i letrave shqipe, jo vetëm që plotësohet një boshllëk i munguar, por sfondi historik i ngjarjeve shqiptare përgjatë shek. XIX-XX na jep një tablo të gjerë reflektive. Promovimi i këtij libri, këto ditë qershori në Bibliotekën shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë nga Shoqata Kulturore-Atdhetare “Labëria”, mblodhi në gjirin e vet qindra intelektualë dhe veprimtarë, anëtarë të shoqatës “Labëria”. Një personalitet i albanologjisë shqiptare, pjesëmarrës në takim, u shpreh se, nuk kemi të bëjmë thjesht me një promovim libri, por në të vërtetë me një konferencë shkencore.

Në fjalën e tyre, redaktori Eqerem Canaj, dr. Nuri Dragoi – recensent i librit, kryetari i degës së Vlorës për Shoqatën Kulturore – Atdhetare “Labëria” – Ahmet Demaj, Prof. Dr Ago Nezha – kryetar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Prof. Dr. Roland Zisi – Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, poeti popullor Meleq Kapllanaj, mësuesi veteran Ylli Lamaj etj., me të drejtë theksuan se botime të tilla krijojnë një komunikim të gjerë me lexuesin e brezin e ri për të mësuar historinë tonë në rrjedhën e shekujve. Me interes ishin edhe fjalët e nipit të kapedanit Dudë Sinani, biznesmenit të çmuar Gafur Duda, i cili tha: “Botimi i një libri të tillë është në shërbim të kulturës së historisë së vendlindjes, Labërisë e më gjerë. Periudhën 200 vjeçare para nesh tashmë e kemi të gjallë për ta ditur më mirë brezat e rinj dhe ata që do të vinë”. Në këtë veprimtari, Ansambli folklorik “Çipini” krijoi një atmosferë mrekullisht festive e nderimi me këngët që buruan nga shpirti artistik i këngëtarëve labë, improvizuar e thurur aty për aty nga i rrali Tomorr Lelo, për burrat e Labërisë që e kanë gdhendur emrin e tyre në historinë lokale dhe atë kombëtare.

  1. Në zbulim të kujtesës historike

Shkak i këtij takimi u bë një libër historik, për kapedanin e shquar Dudë Sinani nga Gumenica dhe pasardhësit e tij, deri tek z. Gafur Duda, një nga personalitetet e shquara të Labërisë. Botimi i monografisë “Kapedani i Labërisë, Dudë Sinani” me autor studiuesin e shquar, albanologun e njohur Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, vjen pas një pune të veçantë që biznesmeni dhe intelektuali Gafur Duda ka bërë në shërbim të kulturës së Labërisë. Gafur Duda është një emër i njohur në Labëri, Durrës e Tiranë për mbështetjen e fuqishme financiare ndaj sportit shqiptar, grupeve polifonike, ndërtimit të muzeut të fshatit Gumenicë, financimit të rrugës Kotë-Gumenicë, krijimin e Universitetit “Marin Barleti”, Tiranë dhe Hotel “Adriatiku” në Durrës. Me veprimtarinë e tij si biznesmen e atdhetar, ai ka mbështetur fuqimisht traditat kulturore historike, duke qenë dhe nënkryetar i Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”.

  1. Një monografi që zbulon historinë e gjallë të shqiptarëve

Në qendër të kësaj monografie është kapedani i Labërisë, Dudë Sinani, një figurë e njohur historike, të cilin kënga popullore e mban në krahët e saj, për fluturimin e mbërritjes zemër më zemër të çdo atdhetari. Emrin e heroit të kësaj monografie e gjejmë dhe në mjaft dokumente historike të kohës. Ajo që na duket e rëndësishme në këtë monografi, siç dëshmohet në arkivat turke, greke dhe egjiptiane, është se ky kapedan i Labërisë, me jetën e tij të gjallë atdhetare e luftarake përshkruhet krahë për krahë me kapedanët e tjerë të kohës së Ali Pashë Tepelenës. Edhe ne, sikurse e ka gdhendur autori emrin e kapedanit Dudë Sinani, e shohim ashtu si atë të Tafil Buzit, Zenel Gjolekës, Lulo Abaz Mehmetit, Cane Miftar Smokthinës, Sokrat Lekës, Ago Vasjarit, Thanas Vajës, Haxhi Sherretit, Shako Xhakës, Çobo Demirit, Zoto Mahmutit, Mete Çobos, Haxhi Hoxhës, Hadër Sulo Kaninës, Spiro Gjikës, Matan Haxhiut, Sinan Malos, Odhise Andruçit, Ali Mesaplikut, Mehmet Petoshatit, Ramo Ballës, Habib Sejdos, Tahir Abazit, Dervish Hasanit, Meço Bonos, Qako Leklotit, Kiço Vlashit, Mehmet Çiços, Elmaz Bonos e mjaft të tjerë, të cilët, në luftërat për pavarësinë dhe çlirimin e Shqipërisë, kanë bërë emrin e tyre në histori. Jeta e këtij luftëtari dhe prijësi popullor na shpaloset që në arsimimin e tij ushtarak në Selanik e Stamboll e më pas si komandant i kalave të Ali Pashë Tepelenës në Vlorë, Kaninë, Porto Palermo, Lëkurs e Pargë. Ashtu sikurse luftëtarët e tjerë popullorë të Labërisë, edhe Dudë Sinani e mbështeti fuqishëm Ali Pashë Tepelenën, pse shihte tek ai një figurë të madhe e të domosdoshme për qëndresën kundër hordhive otomane dhe ruajtjen e identitetit të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, Dudë Sinani na jepet natyrshëm në marrëdhënie me shumë prijës e luftëtarë të shquar të popullit të Labërisë, jo vetëm në Pashallëkun e Janinës, por edhe në ngjarjet e mëdha historike të Shqipërisë së shek. XIX.

Një vëmendje të veçantë autori i ka kushtuar pjesëmarrjes së Dudë Sinanit e mjaft figurave të tjera të Labërisë në kryengritjet anti-osmane të viteve 1834-1847, si dhe në mbrojtje të trojeve shqiptare të Veriut në Shkodër, Hot e Ulqin më 1852, por, patjetër, edhe në mbrojtje të trojeve shqiptare të Jugut në Mecovë e në Bezhan, 1854, ku vritet legjendari Selam Hasan Velçioti e plagoset rëndë Dudë Sinan Gumenicioti, i cili vdes pak kohë më vonë nga plagët e betejave.

Një nga veçoritë e rralla të këtij libri, është se të gjithë këta kapedanë, që u bënë udhëheqës të kryengritjeve të mëdha kundër Perandorisë Osmane, kanë qenë me shkollë të lartë apo të mesme ushtarake. I tillë ishte edhe Dudë Sinani, i cili në monografinë me titull “Kapedani i Labërisë, Dudë Sinani”, shkruar me dashuri e vërtetësi nga prof.dr. Bardhosh Gaçe, na zbërthehet me tablo e ngjarje konkrete, që i njeh historia e u këndohet kënga, ashu siç dhe na e paraqet autori, Dudë Gumeniciotin si komandant të kalasë në Vlorë, në Porto Palermo, në Lëkurës, në krahë të Ali Pashë Tepelenës, Thanas Vajës,Tafil Buzit e Ago Vasjarit, në qëndresën e Pashait të Janinës kundër hordhive osmane.

  1. Ringjallja e trimërisë te Nur Duda

Në gjerësinë e vetë, monografia “Kapedani i Labërisë, Dudë Sinani” zbërthen natyrshëm dhe pasardhësit e këtij kapedani si një trashëgimi e vyer e trimërisë dhe fisnikërisë labe. Pasardhësit e tij: Ali Sinani, Dudë Sinani i Ri dhe Nur Duda, me anë të dëshmive, kujtimeve e arkivave, shpalosen si vazhdues të denjë të kësaj tradite atdhetare. Midis tyre shkëlqen luftëtari popullor Nur Duda, anëtar i Klubit “Labëria” të Vlorës, pjesëmarrës në kryengritjet antiturke, 1908-1912 dhe mbështetës i Qeverisë së Ismail Qemalit dhe Pavarësisë Kombëtare. Kjo jetë e gjallë e tij jepet nëpërmjet kujtimeve dhe dorëshkrimeve të shumta. Në vitin 1908, gjatë vizitës së tij në Labëri, Ismail Qemali bujti edhe në kullën e Dudë Sinanit, tek Nur Duda në Gumenicë, së bashku me parinë e Vlorës, ku zhvilloi një kuvendim të zjarrtë për organizmin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Nur Duda u rrit e u burrërua, nëpër hallet e mëdha të Shqipërisë dhe mbështeti fort Qeverinë e Ismail Qemal Vlora. Ai iu përgjigj thirrjeve të Burrit të Kombit në vitin 1913 për mbrojtjen e Janinës dhe luftoi burrërisht ato ditë shkurti e marsi 1913 në malin e Manolasë, në atë luftë të përgjakshme, legjendare për nga trimëria e 250 luftëtarëve të batalionit të krahinës së Mesaplikut, rrëqethëse për nga masakrat e ushtrisë greke, barbarisht shovene. Fatkeqësisht, por krenarisht, në këto luftime ranë 113 luftëtarë nga batalioni i krahinës së Mesaplikut. Aty bie trimërisht në fushën e betejës në Manolasë të Janinës, kundër shovinistëve grekë edhe komandanti i Çetës së Gumenicës Nur Duda. Dhe kënga popullore e merr, siç di ajo të marrë trimat në krahët e saj epikë:

Përmes malit, ku shkon udha

 Seç na u vra Nur Duda,/

Kur dha shpirt, i qeshi buza”…

Nur Duda mbetet një martir i Atdheut në mbrojtje të trojeve shqiptare të Jugut. E rëndësishme është se, siç shpaloset historia në këtë libër, pas kapedanit Dudë Sinani vijnë kapedanë të tjerë nga kjo vatër familjare e Gumenicës, si: Ali Sinani, Dudë Sinani i Ri, Nur Duda – dëshmor i Atdheut, komandant i batalionit të Vlorës në mbrojtje të Janinës kundër shovinistëve grekë. Këtë shpirt patriotik e gjejmë edhe tek Ferhat Duda, 15 vjeçar në Luftën e Vlorës dhe antifashist i njohur në vitet e luftës së Dytë Botërore gjatë LANÇ.