Kanuni, ky “kod” i heshtur që vret dashurinë

1269
Sigal

Ëndrrat e të rinjve i bëjnë sfidë kanunit dhe zakoneve të malësorëve

Në regjionin e Shqipërisë veriore, veçmas në Tropojë (Malësia e Gjakovës ), ende në dekadën e dytë të mijëvjeçarit të tretë, sundues në jetën shoqërore vazhdon të mbetet kanuni i Lekë Dukagjinit. Aty, ku ende shteti është i brishtë, e ligjet e tij janë më të dobëta se kanuni, i ulur këmbëkryq në kullat kështjellë dhe në banesat moderne të viteve të fundit, e deri te apartamentet e kohës së diktaturës, tashmë të lodhura nga pesha e viteve, duke i diktuar banorëve rregullat dhe mënyrën e jetesës. Protagonistë të kanunit janë dy të rinj nga Tropoja ; Elsa Logu dhe Ilirjan Balisha, dy të rinj 20 -vjeçarë, studentë. Ata janë personazhe realë të kohëve të fundit, pre e ligjeve të egra të kanunit të maleve. Ndonëse ishin nga fise dhe zona të ndryshme, në shkollë njihen dhe dashurohen në emër të idealeve njerëzore, por ëndrrat rinore të dy të rinjve këputen në mes, e dashuria e tyre bëhet e pamundur. E ndërkohë, edhe prindërit e djalit, Ilirjanit, sapo dëgjojnë historinë e dashurisë së djalit me Elsën, në emër të kanunit, të implikuar edhe nga bisedat me të afërmit, farefisin dhe të moshuarit, kryesisht babai, dialogon ashpër me djalin. Saga e historisë së dashurisë së Elsës e Ilirjanit gulfohet në përmasat dramatike. I shtyrë edhe nga opinioni shoqëror, i ati i Elsës nuk kishte dëshirë asnjëherë, duke vepruar si me motrën e madhe, së cilës ia ka ndërprerë studimet për ta martuar me shkuesi. Elsa kishte frikë ta denonconte babain e saj, ashtu siç ndodh në shumë raste në zonën e veriut, pasi do ta pësonte me jetën e saj. Por, ajo edhe si një bijë që adhuronte prindërit e saj, e sidomos babain, nuk merrte guximin, pavarësisht pasojave, ta denonconte të atin, që sa e sa herë kujtonte fëmijërinë e kaluar me babain kur e përcillte dhe e merrte nga shkolla, rrugicave të qytetit të vogël, dorë për dorë pasditeve të bukura pranverore, apo gjatë pushimeve verore në bjeshkët e bukura të vendlindjes. Por papritur, babai u bë hija e saj dhe personazh verbues i dhunimit të herëpashershëm fizik dhe psikologjik. Me çdo kusht insistonte që ajo të pranonte martesën me një të moshuar, analfabet, veçse shumë i pasur dhe i dyshimtë për krijimin e asaj pasurie. Babai delir vetëm për pasuri, synonte që me vajzën e tij, Elsën të fitonte pasuri, zakon ky tek shumë malësorë, që ende sot e kësaj dite kërkojnë që vajzat t’i shesin me para. Saga e historisë së tyre vazhdon. Iliri vjen për pushime në Tropojë. Ai tashmë, me shpresa të vrara, mbyllet i në labirintet e vetmisë dhe me vizionin e zhgënjyer të një babai me mendime të stërgjyshërve të tij, të para 50 viteve. Ai, për rrjedhojë na çonte prapa në kohë, në vitet e historive të trishta të zakoneve të egra të maleve. Ilirjani dhe Elsa tashmë nuk kishin asnjë komunikim me njëri-tjetrin, për faktin se Elsës prindërit ia kishin marrë edhe mjetin komunikues, telefonin celular. Ajo rrallë herë, në fshehtësi komunikonte me Ilirjanin. Kur Elsa i tregon se duan ta martojnë, se është caktuar edhe data, Ilirjani, me shpresë se prindërit, e sidomos babai, do ta mirëkuptojë. Por ata nuk ia miratojnë planin që Ilirjani kishte përgatitur për ta rrëmbyer Elsën. Jo, jo! Thotë babai i Ilirjanit – “Ky veprim është kundër kanunit, e nëse rrëmbejmë vajzën, jemi në hasmëri me fisin Logu”. Kështu, Elsa dhe Ilirjani, vendosin të lidhin përjetësisht dashurinë e tyre, duke u larguar nga familjet e tyre, larg Tropojës. Prindërit e fisit Logu dhe Balisha irritohen, kërkohen të vriten, si pasojë e nderit dhe kanunit. Kërkimi vazhdon, por nuk dihet vendndodhja, e as ekzistenca e tyre, në këto ditë të ftohta dhjetori. Vajza, Elsa Logu dhe djali, Ilirjan Balisha, martohen në fshehtësi dhe largohen nga Tropoja. Kur babai informohet për vendimin e marrë tashmë nga dy të rinjtë, kërkon me doemos të hakmerret në emër të ligjit kanunor. Ende vazhdon t’i kërkojë, por nuk dihet asgjë për vendndodhjen dhe gjendjen e tyre. Sipas kanunit të Lekë Dukagjinit, nëse familja që fejon vajzën dhe ajo nuk martohet me të fejuarin, atëherë familja e vajzës i detyrohet familjes së dhëndrit edhe në vlerë, duke iu përgjigjur për dëmin moral të shkaktuar. Në kanun vlera ishte 1500 grosh, ndërsa sot sillet prej 10 mijë deri ne 12 mijë e 500 euro, por kjo formë detyrimi përdoret kryesisht në Kosovë. Duke iu referuar gjithnjë neneve të kanunit, vajza nuk ka të drejtë të anulojë fejesën, nëse djali nuk ka ndonjë bashkëshorte tjetër, apo nuk e ka tradhtuar të fejuarën e vet. Por, nëse ajo lidhet me tjetër djalë, atëherë ligji kanunor obligon familjen e vajzës që t’ia paguajnë martesën djalit. E njëjta gjë vlen edhe për djalin. Ndërsa, sipas kanunit, një vajzë mund të lejohet vetëm nëse ajo e ka tradhtuar bashkëshortin, apo ka bërë vjedhje në familjen e burrit. Ligjet kanunore ende sot në Tropojë, veçmas në regjionet, ku jetojnë besimtarët myslimanë, janë më të theksuara dhe ushtrojnë ndikimin te shumë familje jo vetëm në fshat, por edhe në qytet. Po kush është Elsa? Mbase viktima e fundit e kanunit! Një vajzë 20- vjeçare, një engjëll dhe zanë bjeshke. Kishte mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme “Asim Vokshi” në “Bajram Curri”, e ndërkohë vijonte studimet e larta për anglisht, ëndrra e hershme, por që babai qysh në fillim tentonte t’ia ndalonte. Kishte gjithashtu, pasion eksplorimin e jetës dhe zakoneve të malësorëve ku ishte rritur, e pse jo dhe të kanunit. Një zanë bjeshke që ëndërronte të bënte një dasmë të madhe dhe ta lidhte jetën me Ilirjan Balishën, djalin e zemrës që dashuronte me shpirt. Por ëndrrën e saj u munduan ta thërrmojnë pikërisht prindërit e saj, ata që i kishte udhërrëfyes në jetë. Sipas studiuesve lokalë, fejesat apo martesat e detyrueshme në Tropojë, më shumë i takojnë së kaluarës së largët. Tashmë,  kjo dukuri duhet fshirë nga serveri i trishtë i zakoneve jo vetëm në qytetin “Bajram Curri”, por edhe në zonat e thella, ku kanuni ka vepruar më egërsisht. Ashtu si në krahinën e Nikaj Merturit, ku fejesat bëheshin që në djep apo palindur ende, duke sjellë probleme sociale nga më të ndryshmet mes familjeve. Ne tashmë jetojmë në një shoqëri të lirë, të hapur, duke u rritur një brez i vetëdijshëm për atë që do arrijnë në jetë, duke përfituar nga eksperiencat pozitive të perëndimit. Tashmë dy të rinjtë shpresojnë që mos t’ju gjejnë vendndodhjen prindërit e tyre, duke rënë pre e vrasjeve nga kanuni. Flitet shumë për këtë histori të trishtë, por aktuale, ku dy të rinj janë personazhe realë të ligjeve kanunore. Historia e mësipërme tashmë i takon të shkuarës, e shoqëria duhet doemos të ndërgjegjësohet nga mënyra të tilla të jetës shoqërore në familje, e cila mbetet e shenjtë, pavarësisht ndryshimeve shoqërore dhe sistemeve.