Kafeja e gurit dhe Gjirokastra

1020
Sigal

Naxhi Kasoruho, Mjeshtër i Madh

Titulli i romanit të Kadaresë është i veçantë, se gurin ai e merr si element kryesor të gjithë ndërtimit të qytetit prandaj shpesh Gjirokastra quhet “Qyteti i gurtë“. Nga themelet e thella nëntokë e deri në kulmin e çatisë banesa gjirokastrite është e ndërtuar e tëra me gurë. Guri është elementi kryesor në gjithçka që është ndërtuar në këtë qytet befasues nga muret rrethuese të avllive dhe kopshteve e deri tek oxhaku i lartë mbi çati. Me gurë janë shtruar sokakët dhe sheshet në gjithë lagjet e qytetit. Me rrasa guri shtrohej avllia, ndërtonin qilarë, katoqi e hamani dhe ambiente të tjera në shtëpinë kështjellë të qytetit të gurtë. Ky është qyteti i vetëm në botë që e quajnë “Qyteti i gurtë“ prandaj dhe Kadareja e ka vënë gurin në titullin e një libri. Çdo gur i këtij qyteti në mënyrë metaforike ka historinë e tij nga momenti i nxjerrjes në “madem” e deri sa skalitet e vendoset në qoshet e murit të shtëpisë dhe qemerët e harkut të portës së madhe. Muratorët, gurgdhendësit e qytetit e punonin me merak çdo gur që do të vendosej në kalldrëm në mur e deri në çati. Ata dukej sikur e përkëdhelnin gurin prandaj ai merrte formë që ata donin t’i jepnin dhe e vendosnin me kujdes në muret e shtëpisë.

Kjo pamje befasuese e qytetit të gurtë po ta soditësh mbas shiut merr një ngjyrë gruri në të argjendtë prandaj Gjirokastrën e quajnë edhe “Ergjeri“ pra argjend siç thotë edhe kënga: “Kurvelesh e gegëri,

Ç’u mblodhë në Ergjeri”…

Madje edhe një nga grupet polifonike të qytetit të njohur në mbarë vendin me korife simbolin e këngës gjirokastrite Arjan Shehun “Mjeshtër i Madh” e quajnë grupi “Ergjeria”. Mbi shkëmbinj të gurtë në shpatin e “Malit të gjerë“ qëndron një qytet i tërë i ndërtuar nga guri me shtëpitë kështjellë e me pamje befasuese. Kjo është Gjirokastra e gurtë. Ky qytet befasues, që tashmë është pasuri e qytetërimit botëror që mbrohet nga UNESCO ka shumë veçori e vlera të rralla që populli i ka trashëguar me dashuri në breza.

Kënga gjirokastrite, fustanella e burrave dhe pirpizija e grave, arkitektura e gatimi tradicional me tiganin e qifqive, ceremoniali i dasmës e këngët e djepit, këngët e kafeneve, fiset autoktone që përbëjnë këtë perlë të Ballkanit, janë veçori unikale, kontraktuese e të papërsëritshme në rajon e më gjerë dhe vlerë e pasuri në kulturën tonë kombëtare. Do të veçoj në gjithë këtë trashëgimi një dukuri ndonëse e thjeshtë po unikale vetëm në Gjirokastër që është “Guri i kafesë“. Kur e dëgjon këtë një i huaj që nuk e di se ç’është guri i kafesë, çuditet dhe interesohet të mësojë gjithçka për këtë gur. Në gjithë botën kur pjekin kokrrat e kafesë i hedhin në mullirin e kafesë dhe e bluajnë sa bëhet pluhur dhe pastaj e bëjnë kafenë. Në Gjirokastër ndryshe nga kudo kokrrat e pjekura të kafesë i hedhin në një gur me zgavër në mes dhe i shtypin me një hekur si qysqi rreth 50 cm deri sa e bëjnë pluhur. Në shtëpitë gjirokastrite kur anetë shtypin kafenë në gur aroma përhapej në gjithë sokakun dhe njerëzit që kalonin aty pranë thoshin: “Po shtyp kafenë aneja e Kokalarit” duke përmendur të zonjën e shtëpisë. Malia e kishte emrin dhe rrinte aty tek hauri në avllinë e Dhramit, shtëpia e mjeshtrit të skulpturës shqiptare Prof. Mumtaz Dhramit në lagjen Palorto Nuk di ku i merrte ata gurë të mëdhenj që me çekiç e daltë i gdhendte duke formuar një zgavër të thellë në mes të gurit ku do të shtypej kafeja. Sigurisht që ishin gurë të veçantë që kur të shtypeshin kokrrat e kafesë të mos ciflosej e copat e gurit sado të vogla që mund të ishin të mos përziheshin me pluhurin e kafesë. Kur isha i vogël kam dëgjuar se Maliqi gdhendi një gur dhe ia dërgoi Enver Hoxhës në Tiranë si duket ia kish porositur aneja. Nuk mbaj mend sa kohë Maliqi vazhdoi të gdhendte gurët e kafesë por në këtë dekadën e fundit një tjetër mjeshtër i gdhendjes së gurit, Pertef Makriu nga Dunavati ka një dyqan të vogël tek mesi i pazarit dhe nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë gdhend gurët e kafesë që i çudit dhe befason turistët e huaj që kalojnë aty pranë dhe mësojnë se në atë gur do të shtypet kafeja e pjekur. Mbas viteve 90-të një grua nga fisi Fico aty në Palorto filloi të shtypte kafe në gur që e porositnin qytetarë të ndryshëm që e pëlqenin kafenë e gurit. Madje ajo merrte porosi edhe nga gjirokastritë që jetonin në Amerikë dhe donin të pinin kafen e gurit që u kujtonte Gjirokastrën e tyre të dashur dhe ajo ua dërgonte të paketuara me postë.

Është i çuditshëm ky rast, madje unikal e i padëgjuar diku tjetër. Në Gjirokastër kur ftojnë njeri-tjetrin për kafe nuk i drejtohet: “Do të pimë një kafe”, po “Do të rrufisim një kafe”. Kafeja e gurit pihet e nxehtë prandaj gratë e afrojnë filxhanin tek buzët e fryjnë që të ftohet dhe pastaj e rrufisin me ngadalë që të mos i digjen buzët. Tradita e pirjes së kafesë së gurit në Gjirokastër, ndonëse është zbehur së tepërmi, mbasi në çdo klub e kafene përdoret kafeja ekspres, përsëri në familjet tradicionale e ku kanë edhe “gurin e kafes” e përdorin atë si një veçori që vjen nga largësia e shekujve dhe që në Gjirokastër i thonë “Kafe e gurit”.

Kjo është Gjirokastra!

E veçanta, unikale, kontraktuese e papërsëritshme e gjitha në gur nga sokakët, kalldrëmet, shtëpitë e çatitë deri tek “Kronikë në gur” e Kadaresë dhe “guri i kafesë“ , i usta Maliqit. Prandaj kur të vini në Gjirokastër, si ta shëtisni dhe sodisni qytetin në çdo anë ndaluni aty tek Mesi i Pazarit, pyesni ku ka një kafe që bën “kafen e gurit” uluni, çlodhuni dhe rrufisni një kafe guri të veçantë, relaksuese dhe kur të ktheheni në vendin tuaj ua tregoni miqve dhe të afërmve se…

-Kam qenë në një qytet befasues e të magjishëm, i tëri në gur, madje edhe kafen e shtypnin në një gur dhe i thoshin: “kafe guri dhe guri i kafesë!”.

E çuditshme!