Kadri Ujkaj:Heshtja, mashtrim ndaj ardhmërisë civile të kombit

62

Reagime të shkrimtarëve dhe kritikëve për traumën e kulturës kombëtare

Debati mbi statusin e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, ndryshe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i iniciuar nga një shkrim dinjitoz, me shumë përgjegjësi  në gazetën “Telegraf”, nga shkrimtari i mirënjohur Sulejman Mato, meriton të mbështetet nga mbarë shoqëria shqiptare, nëse e ka seriozisht me vetveten aspiratën civile si pjesë e Evropës së Re, pa le më nga komuniteti krijues shqiptar kudo, qe ai ndodhet në glob..Në historinë e qytetërimeve nga më të arrirat  janë” të harruar”emrat e politikaneve, por kurrë të shkrimtarëve dhe artistëve, si vetëdija kombëtare civile e qytetërimeve përkatëse. Kush guxon të nxjerrë nga memoria bashkëkohore, vlerat,  referencat brilante ndaj Aristotelit, Sokratit, apo Platonit, dështon, sikurse krejt errët dhe” i pasuksesshëm” do të jetë në memorien e vet me emrat e politikanëve grekë etj.. Madje, nëse emrat e të parëve sikur rritin ndriçimin e tyre universal nga epoka në epokë, emrat e politikanëve rritin pa ndërprerje zbehjen e tyre, sepse qytetërimet nga epoka në epokë  kanë  nevojën shpirtërore të përtëritjes së vetvetes, të cilën ua pasurojnë, vlerat e artit dhe letërsisë me universalitetin e tyre. Ne jemi një komb me një histori të vonëdëshmuar, sepse i tillë, si vetë fati i kombit tonë,  qe edhe fati i gjuhës sonë, por po aq me një histori të dëshmuar, të përcjellë nga krijuesit tanë:  Baletit, Bogdanit, Naimit, etj.. Madje, edhe prehistorinë e kemi te shkruar nga gjenia krijuese e  shkrimtareve (kujtojmë ”Kush e solli Doruntinën? të Kadaresë”) kur, siç dihet që gjuha jonë nuk gëzonte ende jetën e saj. Atëherë, si na lejohet ta mbajmë shkrimtarin dhe artistin shqiptar në statusin më mjeran të një krijuesi apo artisti në Ballkan dhe më gjerë? Ne jemi një popull që vetëdijen kombëtare na e  ngjizen, brumosën dhe emancipuan krijuesit tanë të mëdhenj të Rilindjes së Madhe Kombëtare, sikurse na e pasuruan dhe  në vazhdimësi po krijuesit tanë bashkëkohor: Kadare, Agolli, Reshpja, Qosja, Podrimja, Trebeshina, Zeqo, etj., etj., atëherë si mund të ëndërrojmë dhe besojmë në një Përparim-përpara apo në një Rilindje të re bashkëkohore, kur në opinionin e gjerë lejojmë  institucionalisht të injorojmë statusin e krijuesit shqiptar duke mos i krijuar as kushtet minimale të funksionimit institucional të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë? Ne përplasemi duarsh e gërmasit tribunave në hapësirën euro-atlantike, si vend demokratik, që respekton të drejtat legjitime të çdo shtrese shoqërore, atëherë si mund të lejojmë që krijuesit tanë, vetëdija e kombit,  ky komunitet sui-generis, si shtresë, të ketë disi fatin e kurdëve në Azi: pa të drejtë  çlodhjeje, relaksi, debati, afirmimi, evidentimi, inkurajimi stimulimi dhe mirënjohjeje institucionale të vlerave të veta?!? A ka gjë më absurde sesa  të mos financohet nga shteti ynë e vetmja gazetë letrare si “Drita”, organi i LSHA të Shqipërisë, lindur dhe afirmuar me identitetin e vet nën një Perandori mesjetare si ajo Osmane, kurse të pushojë  së ekzistuari në Perandorinë e Tregut, në kushtet e një shoqërie demokratike,  të hapur  për të gjithë ?!? Ne jemi vendi që patëm fatin e tmerrshëm të një diktature brilante në llojin e vet, me objektiv njeriun e ri, ndryshe degradimin shpirtëror  të qenies, atëherë  si mund të lejojmë sot, kur kemi aq nevojë  për shoqërinë civile, oponencën profesionale në të gjitha fushat ku matet standardi ynë civil për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, të kryqëzojmë në një status tragjikomik elitën e kësaj shoqërie, ndryshe të  mos mbajmë  në këmbë dhe të respektuar Shtëpinë e Shkrimtarëve dhe të Artistëve as në atë nivel serioz, vëmendjeje,  sado të politizuar, të  kohës së diktaturës?! Si ka mundësi të sakrifikohet një godinë aq brilante dhe funksionale e krijuesve si LSHA të Shqipërisë kur, me shumë vend ruhen, respektohen dhe rikonstruktohen si godina qeveritare ato që tek ne i ndërtoi fashizmi? Si ka mundësi që mjerimi ynë filozofik, për turp edhe tek jo pak shkrimtarë të afirmuar në diktaturë, ta përcillte në opinionin e gjerë publik mediatik Godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, thjesht, si një ҫerdhe persekucioni, spiunimi, etj., etj., folklorizmash dhe historirash “me shumicë”, pa injoruar vërejtjet e shëndetshme ndaj së keqes që tashmë e pranojmë  të gjithë, duke injoruar vlerat tona, që sot na bëjnë të jemi krenarë, bie fjala, për Kadarenë 7 herë si kandidat i “Nobel”-it, etj., kurse godinat  e tjera që na i dhuroi totalitarizmi i djathtë t’i nderojmë me të drejtë, me mend në kokë  dhe  jo si shërbëtorë “parcelash politike” apo si provincialë. E theksova, këtë të fundi,  për të pohuar nevojën e korrektimit të vetëdijes civile, ndryshe domosdoshmërinë e  një reagimi konstruktiv, jashtë çdo lloj politizimi, por sa më serioz brenda vetes, ndryshe nga krijuesit, larg paragjykimeve dhe infantilizmit politiko-ideologjik drejt një konvergjence, si komunitet i lirë, që koha e kërkon dhe pa të nuk mund ta aspirojmë,  as meritojmë zgjidhjen e statusit, mjeran, të këtij komuniteti, një turp mbarë shqiptar: të papunë, të shpërfillur, të pasponsorizuar, të dekurajuar, më e shumta të shpërblyer qesharakërisht, edhe pse me shumë dinjitet kanë arritur t’i dhurojnë vendit një përfaqësim dinjitoz në universin artistik sa shqiptar, sa në botë. Kujtojmë këtu pena të tilla si: Kadare, Agolli, Zhiti, Kongoli, Zeqo, Reshpja, Lleshanaku, Ahmeti, pa harruar sukseset e shkëlqyera të artit skenik, kinematografik, muzikor dhe  figurativ. Kush mund të injorojë, p.sh, suksesin mbarëeuropian të M.Kabashit, etj., etj.? Kujtoni të nderuar krijues fatin e mjerë, që shoqëroi epilogun e jetës së shkrimtarit të shquar shqiptar, disidentit real dhe jo të shpifur, Frederik Reshpjes së madh të letrave shqipe! Vdiq i vetmuar, sepse mungoi, turpësisht, së pari deri edhe e drejta institucionale e nderimit nga vetë komuniteti ynë krijues, sadoqë jo pak krijues,  privatisht, erdhën në Shkodër  nga Tirana dhe rrethet tjera në ditën mortore të përcjelljes së Tij, fizike, në banesën e fundit. Nuk ka dyshim, së paku brenda meje, se prononcimi i Kadaresë dhe Agollit, si një obligim para të gjithë komunitetit të krijuesve shqiptarë,  nuk do të mungojë,  sado i vonuar, në zgjidhjen e këtij problemi jetik dhe civil në rrugën e së ardhmes sonë evropiane, me dinjitet.

 Sulejman Mato: Ministria e Turizmit, jo e Kulturës

 Në të kaluarën kemi pasur disa gazeta dhe revista letrare, si: “Drita”, “Zëri i Rinisë” revista “Nëntori”, “Les letres Albanais”, “Pionieri”,”Fatosi”,  etj., të gjitha të mbyllura. Si ka mundësi që Ministria e Kulturës të kthehet thjesht në një ministri turizmi e të mos shqetësohet për botimin e një gazete apo reviste letrare, e financuar si dikur, nga shteti? Ka ndërruar sistemi? Dakort. Por letërsia shqiptare nuk vdiq së bashku me sistemin. Një shtet demokratik ka detyrime për krijuesit e vet dhe s’ka si t’i braktisë, s’ka s’i të mos interesohet për ecurinë e tyre në të gjallë dhe  s’ka si të mos financojë, së paku disa vepra  që i bëjnë jehonë kohës më shumë se dhjetëra koncerte të marra ës bashku dhe më shumë  se shpenzimet e qindra pritje- përcjelljeve dhe shpenzimet e  varavingove turistike, ku hidhen në erë çdo vit miliona lekë. Ministria e Kulturës  është shndërruar në Ministri Turizmi,