Kadri Ujkaj/ Shtjefën Ivezaj, rilindësi shqiptar i kohës moderne

605
Sigal

 Shpërfillja zyrtare ndaj Muzeut etnografik në Malësi, Mali i Zi.

Kujtdo që i ka takuar të vizitojë Muzeun etnografik në lagjen Lekaj, Tuz, Mali i Zi,  është befasuar nga një punë jo e zakonshme e një njeriu të thjeshtë, rreth të 80-tave, Shtjefën Ivezajt . Falë këtij investimi së paku prej 12 vitesh drejtori i këtij muzeu, z. Shtjefën Ivezaj nderohet në një mënyrë krejt të veçantë nga  vizitorë të ndryshëm dhe mbarë Malësia, përballë shpërfilljes së plotë deri në absurd ndaj veprës së tij nga qeverisja lokale dhe qendrore në Mal të Zi, mjerisht edhe aty ku “qeverisin” shqiptarët. Qytetërimet që në gjenezën e tyre kanë nderuar investimet cilësore në dobi të emancipimit të vet, kurse nderimi në fjalë vjen disi ndryshe,  sui-generis, jo thjesht për ato që përmban, por shumë më tepër se kaq, për motivin që e ka sjellë në jetë një vepër të tillë, si i pari i këtij lloji në tërë hapësirën natyrore të Malësisë së Madhe, “Nderi i kombit”. E  pra, aspak e thjeshtë për atë që na ofron si vlerë dhe pasuri me interes kombëtar, ajo thelbësorja ardhja e tij në jetë, në kontekstin  e një vetësakrilegji deri në absurd falë shpirtit të madh prej atdhetari, ndryshe sjelljes prej patrioti iluminist në postiluminizëm të arkitektit dhe menaxherit të kësaj pasurie sa lokale dhe po aq  kombëtare, Shtjefën Ivezajt, sot kemi  këtë arritje brilante, muzeun etnografik në trevën tonë në Malësi të Madhe.

Kaq, natyrisht do të ishte e pamjaftueshme për të deshifruar vlerat dhe motivin e një përkushtimi të tillë precedent në Shqipëri dhe shumë më gjerë nga  z.Ivezaj, pa një shpalosje dhe njohje larg frymës së provincializmit banal apo sentimentalizmit të sëmurë të jetës së tij. Si mbaron shkollën fillore dhe atë 7- vjeçare në lagjen e tij, Lekaj  të Tuzit, Shtjefni  i ri vazhdon shkollën profesionale 3- vjeçare për tornitor në kryeqytetin malazez, Podgoricë. Nga viti 1954 ushtron profesionin e bukur të fotografit si amator, duke arritur të anëtarësohet në  klubin e fotografëve dhe kinoamatorëve të Malit të Zi. Spiralja e suksesit tek ky djalosh nuk do të mjaftohej me kaq. Sapo përfundon suksesshëm provimin para komisionit të ngritur nga Komuna e Podgoricës arrin të marre licencën për hapjen e dyqanit si fotograf, në Tuz afro 49 vite më parë. Në vitin 1969 kalon suksesshëm provimin diferencial  për fotograf me rezultatin shkëlqyeshëm, në Podgoricë. Falë pasionit dhe përkushtimit profesional  ndaj fiksimit në celuloid të artit të mrekullueshëm të fotografisë, fotografi i parë malësor në Malësinë e Madhe, në Mal të Zi në vitin 1970 përgatit kartolinën e parë, brendësinë e së cilës do ta përbënin: Portreti i Flamurit tonë Kombëtar, portreti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, si dhe portreti i “Heroit të Popullit” Ded Gjo Luli. Këto kartolina u shpërndanë në tërë botën shqiptare, çka nga UDB-ja jugosllave u përjetua si një kërcënim serioz i “Vëllazërim-Bashkimit”, kësaj farse politike kobzezë të mirënjohur nga shqiptarët, duke sjellë paraburgimin e Ivezajt, gjithë vullnet dhe ëndrra të shëndetshme për të iluminuar dhe trashëguar vlerat tona kombëtare,  pa i hyrë në hak askujt në pjesën e tij të diellit…Fati  sjell që kjo situatë paraburgimi të ketë një fund të shpejtë, falë faktit që asokohe në Beograd ishte botuar në gjuhën shqipe libri i Nolit, kushtuar Skënderbeut. Reagimi  inteligjent dhe fatlum i Ivezajt në qelitë e UDB-së: “Unë nuk e kam ditur që Skënderbeu është i ndaluar në gjuhën shqipe”, bëri që  i ndaluari të lirohet nga paraburgosja, pasi  ‘‘sqarohet” se Dedë Gjo Luli është i ndaluar, por kartolina e tij që sot ruhet në Muzeun Etnografik pranë “Marubëve”, do të “sistemohej” në fondin e librave të zinj të UDB-së, shërbimit të fshehtë jugosllav. “Në këtë kontekst dhimbjeje, survejimi dhe persekutimi, i detyruar të mbijetoj, shpeshherë më ka qëlluar të nxjerr jashtë ekzistencës tituj librash shumë të rëndësishëm në emër të mbijetesës  sa ekonomike, sa fizike”, – mësojmë nga Ivezaj. Nga sa  përcollëm më lart nuk është e vështirë të lexohet se rruga e këtij investimi shembullor prej atdhetari dhe intelektuali do të ishte një rrugë tejet e mundimshme. Përndjekje, përbuzje, diferencim diskriminues në të gjitha format nga politika zyrtare antishqiptare, ndryshe sulme që do ta ndiqnin kudo, aq keqas sa do ta detyronin të shesë me gjithë tokën, dyqanin e tij  dhe ç’ kishte për të mbijetuar si familje dhe ruajtur si të shenjta, vlerat  muzeale kombëtare, të mbledhura me aq mundim, në një mjedis ku identiteti ynë kombëtar rrezikohej rëndë. Padyshim, në rrugëtimin e çdo arritjeje do të thoshin psikologët, patjetër që duhet lexuar edhe ajo, e padukshmja, influenca e instinkteve të fjetura: Kështu nëna e tij, Drane Turmalaj nga Vrithi, Shkrel-Malësi e Madhe, do të shquhej si koleksioniste e sapunit, e pullave të xhaketave dhe të këmishëve, veprimtari që trashëgohet edhe nga djali dhe vajza e Ivezajt, Martini dhe Drita, të dy banues aktualisht në SHBA, koleksione që sot ruhen pranë muzeut. Ndryshimet demokratike, si tek cilido mes nesh, sollën shpresën e një të ardhmeje plot zgjidhje në kontekstin demokratik sa lokal, sa kombëtar të shqetësimeve prej atdhetari dhe intelektuali të Ivezajt, njëherazi anëtar i Lidhjes Demokratike në Malësi me kryetar z. Nikollë Camaj, që në 1989-ën. Forumi i Intelektualëve në Ulqin me kryetar Bahri Briskun, me kërkesën e Forumit intelektual shqiptar,Tiranë, në vitin 2011, mbi bazën e propozimit të Klubit të Shkrimtarëve në Ulqin me  kryetar z. Nail Draga, e nderon me  titullin “Ambasador i paqes i Koresë së Jugut”, verifikuar nga ana e koreanëve jugorë. Në muajin maj të 2002-it, kur bindet se jo vetëm qeverisja qendrore në Podgoricë, por as partitë politike shqiptare nuk po e ngrinin zërin, përjashtuar ndonjë sponsorizim modest me efekt elektoral, pra jo me gjoks, as mes vetes, në mbështetje të një vlerë të tillë kombëtare si  Muzeu etnografik, “shembulli i shkëlqyer i një rilindësi në kohën tonë”, i iniciuar që në moshën 12 vjeçare, me koleksionimin e pullave postale, Ivezaj vendos të sakrifikojë banesën e tij, shtëpinë. Gjithçka kishte, mobilie, orendi, i largoi duke i zëvendësuar me mobilie në funksion të muzeut, 4 dhomat, korridori dhe ballkoni improvizohen enkas për sistemimin e materialit muzeal. Nga fosili i kërmillit të gurëzuar, kosat ilire, shpatat, gurët e gjakut, veshjet e ndryshme  për burra e gra etj, përbëjnë atë pasuri që normalisht do të kërkonte një sipërfaqe prej 10.000 metra katrorë, “normalizohen” nga ana e Ivezaj në shtëpinë e tij. Sakrilegj deri në absurd i një atdhetari të vërtetë. E vetmja mbështetje e përhershme dhe e sinqertë  e tij qe bashkëshortja 76 vjeçare, invalide, pa pension, pa asistencë, kurse i vetmi stimulim moral “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare” që nga ish-kryetari i komunës urbane të Tuzit, z.Maliq Çun Mulaj. Përballë kësaj gjendjeje, Ivezaj pronari, drejtori dhe roja 24 orësh i këtij objekti, kundrejt një pensioni prej 96 eurosh, kur një pension nacional minimal në Mal të Zi, paguhet me 800 euro në muaj. Më 24.03.2014, Shoqata patriotike “Malësia e Madhe, Nderi i kombit”, përmes kryetarit të saj z. Sytki Ndreca, në rrjetin social Facebook, iu drejtua me një letër sensibilizuese presidentit tonë të Republikës, z.Nishani, kryeparlamentarit z. Meta, kryeministrit z.Rama si dhe ministrit të Jashtëm z. Bushati, lidhur me këtë status absurd të drejtorit të Muzeut Etnografik të Malësisë, z. Shtjefën Ivezaj, megjithatë deri tani, asnjë reagim. Dhe ky trajtim vazhdon, edhe pse nga z.Ivezaj, si atdhetar i klasit të parë, në një kontekst sakrilegji deri në absurd, ndryshe me një përkushtim iluminist në postiluminizëm, sukseset e këtij muzeu janë të habitshme. Filatelia me 35000 pulla postare, fototeka me filmat, negativët e 40 viteve, si dhe biblioteka me 3800 tituj ku ka edhe shumë  libra muzealë në 4 gjuhë: shqip, serbisht,anglisht dhe gjermanisht, krahas vlerave dominuese etnografike, shënojnë një pasuri të shtuar kombëtare. Falë një sakrilegji të llojit të vet sa personal, sa familjar, duke na bërë krenarë për substancën tonë atdhetare, kur nën ethet e kultpragmatizmit të egër, po harrojmë jo rrallëherë të shkuarën tonë të vyer, hipotezën e së ardhmes sonë dinjitoze. Me statusin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Malësisë së Madhe “Nderi i kombit”, personalisht, precedentin e krijuar me Muzeun etnografik shqiptar, më 13.01.2015 e kam ringritur si problem serioz edhe pranë Ministrisë sonë të Kulturës, tek z. Zef Çuni, zëvendësministri i kulturës, njëherësh edhe deputet i qarkut të Shkodrës, mora premtimin se në bashkërendim veprimesh me faktorin shqiptar dhe qeverinë malazeze, homologët tanë do të investojnë seriozisht për zgjidhjen e kësaj situate absurde, një precedent që kompromenton edhe seriozitetin e angazhimeve integruese në BE të vetë Malit të Zi, çka nënkupton mes tjerash, respektimin e trashëgimisë kulturore të pakicave. Një shpërfillje e tillë e pafalshme ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare në Mal të Zi, bëhet akoma më absurde përballë heshtjes sistematike, në të gjitha nivelet e pushtetit, kur atje funksionon edhe një ministri e pakicave e drejtuar gjithnjë nga shqiptarët, krahas përfaqësuesve  shqiptarë në parlamentin malazez, apo atë lokal, në Tuz dhe Ulqin.

Koha e kësaj zgjidhjeje, koha e braktisjes së kësaj shpërfilljeje absurde ka ardhur, nëse si komb konceptin rilindje, sikur atë të integrimit së pari brenda vetes, ne dhe fqinj ynë i parë, Mali i Zi, e kemi secili ndeshur seriozisht me vetveten. Pikërisht këtij misioni, rivlerësimit dhe mbështetjes reale, si një vlerë kombëtare e shtuar, të Muzeut etnografik në Malësi, Mali  i Zi, kam bindje se do t’i shërbejë edhe vizita  që së shpejti pritet të zhvillojë në Tuz zëvendësministri i kulturës z. Zef Çuni.

Le të shpresojmë se dikur dhe dikush ,vërtet do të vejë dorë përballë kësaj shpërfilljeje zyrtare ndaj Muzeut etnografik shqiptar në Malësi, Tuz, Mali i Zi, duke hijeshuar staturën e vetvetes sonë të munguar si komb, në mirëruajtjen dhe funksionimin normal të kësaj pasurie kombëtare, në trojet tona, me vetëdijen se të gjitha lëvizjet tona politike do të kthehen në iluzione të rreme brenda vetvetes, nëse nuk arrijmë të kuptojmë se integrimi real në Bashkimin Evopian, aq më pak  bashkimi ynë kombëtar, nuk mund të arrihen pa bashkimin tonë shpirtëror, në funksion të të cilit vihen me aq shumë dinjitet dhe efiçencë vepra të tilla si Muzeu etnografik në fjalë.

 *studiues

Koplik, më 14 janar 2015

      “Mirënjohja e Malësi e Madhe, “Nderi i kombit”, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Malësi e Madhe.