Kadri Roshi dhe rojtari i rezervatit në Breshtan të Beratit

551
Sigal

“GËRMO, TARE, GËRMO…” 

 Kadri Roshi, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, si shumë e shumë artistë të tjerë, kishte pasion të madh peshkimin.

Po të rrije  me të, të fliste për  shumë ngjarje që lidhen me gjuetinë e peshkut dhe që tregojnë ndikimin e krijimeve të tij artistike në popull.

     Ja një nga ato që e kam jetuar vetë.

…Në Berat po xhirohej një film. Megjithëse kishte rolin kryesor, rastiste të kishte pushim. Dhe, kuptohet, nisej për peshkim. Në Breshtan. Drejt e në rezervat, në “zonën e ndaluar”…

Me kujdesin e zakonshëm hoqi nga çanta sendet e nevojshme dhe përgatiti grepat. Mbasi i hodhi në ujë dhe priti pak, dëgjoi një britmë të fortë, sa që i prishi kënaqësinë e parë të gjuajtjes.

 – Ore, po ç’bëhet këtu? Kush je ti që nuk u bindesh rregullave. Sapo kemi lëshuar peshkun dhe ti gjuan pa leje? Ku je këtu, në mallin e …- deshi të vazhdonte.

Ishte rojtari i rezervatit.   Kadri Roshi, i detyruar të dëgjojë breshërinë e fjalëve të njeriut të ardhur si furtuna, sikur u step. E mori me mend se ishte rojtari.

U kthye nga ai me shpresë se do ta njihte, por më kot. Tjetri vazhdoi po me atë vrazhdësi. Kadriu zihet ngushtë:

 – Nuk e kam ditur…Vij nga Tirana e nuk i di rregullat – foli me ndjenjën e dukshme të pafajësisë, por edhe  të pendimit. Ishte i tronditur dhe gati sa nuk iu mor goja.

– Nuk i ditke, ë?! – vazhdon me të njëjtën vrazhdësi rojtari, edhe pse përpara vetes pa një burrë të moshuar, me flokë e mjekër të thinjur.   Për ta zbutur e për t’u justifikuar, Kadriu i tregon se disa  fëmijë, përpara se të fillonte, i kishin thënë që të gjuante këtu.

Duke menduar se, tashmë, rojtari do ta njihte, i thotë:

– Disa fëmijë, kur i pyeta a ka peshk, më thanë: ”Peshko,  o xhaxhi, peshko!”. Dhe unë nisa të peshkoj.

Fëmijët e kishin njohur menjëherë. Prandaj kishin përdorur shprehjet e përafërta të thëna prej tij në një film.

– Pse, kalamajtë dëgjon ti?! – i thotë duke ngritur edhe më fort zërin.

 – Më fal, o mik, nuk e dija.   – Ç’mik, ore! Nga na dole mik? Gjuan peshk kontrabandë dhe më thua mik? Jo, ore, jo kështu…- dhe filloi ta zbusë pak zërin.   Gjithsesi Kadriut nuk po i vinte mirë që nuk e njohu.

Rojtari nuk kishte shumë faj .Kështu siç ishte veshur ai, nuk do ta njihte as e ëma, as shokët e tij të ngushtë, e jo më rojtari i rreptë i rezervatit.

Përsëri, për ta zbutur e për t’i dhënë prapë mundësi që ta njihte, kur fillon të mbledh filispanjën, me zë që ta dëgjojë rojtari, thotë:   – Tërhiq, Tare, tërhiq, se atje e kam peshkun e ngordhur unë…

Por me kë flet?!

 – Edhe po tallesh, ë?! – i thotë rojtari. Iu kujtua shprehja nga filmi “Përballimi”, interpretuar nga Kadri Roshi dhe për t’i treguar “kontrabandistit”se e din saktë atë, vazhdon:

– Nuk është ashtu si thua ti, o kontrabandist rezervati. Jo! Kadri Roshi në film thotë: ”Gërmo, Tare, gërmo, se atje e kam qenin e ngordhur unë”. Ja, kështu, dhe mos shit mend  kur nuk e di.

Kadriu e pa veten ngushtë, por nuk i humbi shpresat se do ta “zbuste” kundërshtarin. Meqenëse nuk i eci me shprehjen e Tares, hoqi kapelën e kashtës dhe iu drejtua, po ashtu si në film, kur i gjejnë grurin:

 – Jo more!…

Rojtari shtanget për një çast. E sheh drejt e në sy. I njeh shikimin gjithë ironi e tërbim, ashtu siç e mbante në mend nga filmi.

– Pika mua! Nuk njoha mikun e shtëpisë – dhe i drejtohet atij. E kap me forcë për krahësh dhe e tund. Mesa duket do më shumë të tund veten.

 – Po unë vërtetë të kam mik, sepse çdo javë të kam në shtëpi. Mik e çfarë miku!

 Kadriu qesh. Kurse rojtari, duke e përqafuar fort, si një njeri shumë të afërt, vazhdon:

-A e di se për  ty kalamajtë lënë mësimet e plaka zihet me ta?! – e përsëri e tund krahësh. – Kalamajtë të shikojnë ty, Xha Kadriun, herë si vritesh e herë si ngjallesh. Pa, pa, pa! Ç’burrë i zoti që je…

 Kadriu vazhdon të qesh.

U bënë miq të vërtetë.

Atë natë, në shtëpinë e rojtarit, gëzimi i të gjithëve është i papërmbajtshëm. Kanë mysafir Artistin e Madh Kadri Roshi.

Arritja më e lartë e njeriut është të ngrejë  lart, me vepra, emrin e tij…

 

STENDAL(1743-1842)

              Shkrimtar i madh francez

Stendali ishte aq i lidhur me epokën e Napoleonit dhe krejt i trullosur me idetë e kohës sa që kur ra Napoleoni atij iu duk vetja i humbur sikur të ishte përmbysur bota.

-Francezët,-thoshte ai,- dhanë dorëheqjen më 1814.

Për të ashtuquajturin “stil i bukur” Stendali thoshte:

-“Përpara se të nis një roman, unë lexoj disa dhjetëra faqe nga Kodi Civil”.

       ………………………………………………

Në Romë, kur ishte në moshën 22- vjeçare si oficer i Napoleonit, Stendali pati shumë sukses me femrat. Kur erdhi 30 vjet më vonë , me flokë të bardhë e me bark të madh, ai i tha mikut të tij:

-Medet, sa kanë ndryshuar zakonet. Gratë e reja sot kanë ndryshuar dhe paraqiten si të virtytshme. Nënat e tyre ishin më simpatike dhe më të sjellshme. Miku i vuri në dukje se ishte ai që kishte ndryshuar shumë. Stendali thoshte:

-Një peizazh i bukur më zgjon përfytyrimin e një harpe që tingëllon në shpirtin tim. Në të vërtetë ishte fare i paditur për teknikën muzikore dhe kjo e dëshpëronte pamasë.

-Fati e ka thënë që unë t’i vë notat nëpër shkronja, që janë tingujt e shpirtit tim.

       ………………………………………………..

Te kushëriri i tij Darus, Stendali kaloi disa vjet të adoleshencës së tij. Shumë vjet më vonë, Daruja gjeti në një librari një vëllim të Stendalit dhe e pyeti se sa kushtonte.

-Dyzet franga,-iu përgjigj ai,-mbasi është fjala për një libër që është mbaruar. Daruja u habit pastaj thirri:

-Po si është e mundur një gjë e tillë, që një fëmijë injorant e i trashë si krap të ketë arritur të shkruajë libër që kushton 40 franga?

       …………………………………………………….

       Stendali, si oficer i ushtrisë së Napoleonit ishte në rreshtat e parë të frontit. Komandanti i tij, një kapiten i shquar i kohës, e pyeti nëse kishte frikë. Atëherë Stendali doli nga rreshti, eci me guxim përpara, u vendos në radhën e parë të topave dhe qëndroi atje pa lëvizur për një kohë të gjatë përpara zjarrit të armikut.